Instituti
Mësimi 12: Gjetja e Njerëzve për t’iu Dhënë Mësim


12

Gjetja e Njerëzve për t’iu Dhënë Mësim

Hyrje

Misionarët nuk mund ta shpërndajnë ungjillin derisa të gjejnë dikë për t’i dhënë mësim. Gjetja e njerëzve kërkon besim që ushtrohet – besim për t’iu folur njerëzve rreth ungjillit të Jezu Krishtit, besim për të vëzhguar për mundësi mësimdhënieje dhe besim që Perëndia do t’i drejtojë ata për te njerëzit që janë të përgatitur të dëgjojnë. Mënyra më e efektshme për të gjetur njerëz për t’iu dhënë mësim është nëpërmjet anëtarëve të Kishës. Të gjithë anëtarët e Kishës, përfshirë misionarët e ardhshëm, kanë një përgjegjësi vetjake për të ndihmuar të gjenden njerëz që janë gati për ta marrë ungjillin e rivendosur. Të rinjtë mund të përgatiten për shërbim kohëplotë duke e ndarë ungjillin tani, si nga afër ashtu edhe nëpërmjet burimeve në internet.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Zhvillimi i Besimit për Gjetjen e Njerëzve për t’iu Dhënë Mësim

Shpjegoni se Presidenti Uillford Udraf shërbeu si misionar në Angli pak pasi u shugurua Apostull. Paraqitjuani dhe kërkojuni studentëve ta lexojnë me radhë me zë të lartë tregimin vijues për të prezantuar rëndësinë e kërkimit të ndihmës së Zotit për gjetjen e njerëzve për t’iu dhënë mësim. Bëjeni klasën të kërkojë atë që bëri Plaku Udraf që të gjente njerëz për t’iu dhënë mësim:

Pamja
Presidenti Uillford Udraf

“Plaku Udraf e kërkoi Zotin në lutje … , duke e pyetur se ku duhej të shkonte. Ai rrëfeu: ‘Duke besuar se ishte privilegji dhe detyra ime ta dija vullnetin e Zotit mbi temën, për pasojë i kërkova Atit tim Qiellor në emrin e Jezu Krishtit të ma mësonte vullnetin e tij në këtë gjë dhe kur kërkova, Zoti më dha dhe më tregoi se ishte vullneti i tij që duhej të shkoja menjëherë në jug të Anglisë. Bisedova me vëllanë Uilliam Benbau mbi këtë temë, i cili kishte jetuar në Hirfordshajr dhe kishte miq që ende banonin atje dhe dëshironte shumë që unë ta vizitoja atë krahinë të vendit dhe [ai] ofroi bujarisht të më shoqëronte në shtëpinë e vëllait të tij dhe të paguante udhëtimin tim, gjë që e pranova me gatishmëri.’

Më 4 mars 1840, Plaku Udraf dhe Uilliam Benbau mbërritën në shtëpinë e vëllait të Uilliamit, Xhonit. ‘Brenda një ore pasi mbërrita në shtëpinë e tij’, kujtoi Presidenti Udraf, ‘mësova pse më kishte dërguar Zoti atje. … Unë gjeta një grup burrash e grash, diku te gjashtëqind veta, të cilët ishin grupuar së bashku nën emrin Vëllezërit e Bashkuar dhe po punonin për rendin e lashtë të gjërave. Ata e dëshironin Ungjillin siç u dha mësim nga profetët dhe apostujt, ashtu si unë në rininë time.’

Nëpërmjet studimit të zellshëm të Biblës, Xhon Benbau dhe familja e miqtë e tij e përgatitën veten për ta përqafuar ungjillin e rivendosur.

Familja Benbau e pranoi shpejt mesazhin e Rivendosjes dhe Uilliami u kthye në Stefordshajr ‘pasi pati privilegjin e lumtur ta shihte vëllanë e tij Xhon Benbau dhe gjithë vatrën e tij familjare, … të pagëzuar në besëlidhjen e re e të përhershme’. Plaku Udraf qëndroi në zonë për afro tetë muaj. Më vonë ai kujtoi: ‘Tridhjetë ditët e para pasi mbërrita në Hirfordshajr pagëzova dyzet e pesë predikues dhe disa qindra anëtarë. … Ne sollëm dy mijë veta në pothuajse 8 muaj punë.’

Duke e përmendur këtë përvojë, Presidenti Udraf shkroi: ‘Historia e plotë e këtij misioni në Hirfordshajr tregon rëndësinë e dëgjimit të zërit të vogël, të qetë të Perëndisë dhe të zbulesave nga Fryma e Shenjtë. Zoti kishte atje një popull të përgatitur për Ungjillin. Ata po luteshin për dritë e të vërtetë dhe Zoti më dërgoi mua tek ata’” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 90–91).

Pyetini studentët:

  • Çfarë bëri Plaku Udraf për të vendosur se ku të gjente njerëz që qenë gati për ta marrë ungjillin?

  • Në çfarë mënyrash i erdhi Zoti në ndihmë Plakut Udraf? (Mund t’ua vini në dukje studentëve se Zoti jo vetëm që e frymëzoi Plakun Udraf që të shkonte në jug të Anglisë, por Ai i hapi udhën Plakut Udraf që të jepte mësim në fermën Xhon Benbaut, ku qindra burra e gra qenë përgatitur për ta marrë ungjillin e rivendosur.)

  • Çfarë parimi rreth gjetjes së njerëzve për t’iu dhënë mësim u ilustrua nga historia e Plakut Udraf? (Përgjigjet e studentëve mund të përmblidhen duke e shkruar parimin vijues në tabelë: Zoti mund të na ndihmojë të gjejmë njerëz që janë përgatitur për ta pranuar ungjillin kur lutemi për ndihmë, e dëgjojmë Shpirtin dhe më pas veprojmë me besim.)

Kërkojini klasës të shkojë te faqja 161 te Predikoni Ungjillin Tim dhe kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë në kreun “Zhvilloni Besimin për të Gjetur”. Më pas, pyetni:

  • Si ju jep shtysë dijenia se “Zoti po përgatit njerëz që do t’ju pranojnë ju dhe ungjillin e rivendosur” që të përgatiteni për të shërbyer në një mision?

Bëjini studentët ta lexojnë paragrafin e radhës në faqen 161 te Predikoni Ungjillin Tim, poshtë nënkreut “Familja e Perëndisë”. Më pas, pyetni:

  • Si ndikon doktrina që të gjithë burrat dhe gratë janë pjesë e familjes së Perëndisë te ndjenjat tuaja rreth gjetjes së njerëzve për t’iu dhënë mësim?

  • Te citimi nga Alma 31:34–35, për çfarë u lut Alma teksa përgatitej për t’u dhënë mësim zoramitëve?

  • Çfarë mund të mësojmë nga lutja e Almës?

Shfaqeni materialin filmik “Developing the Faith to Find” [“Zhvillimi i Besimit për të Gjetur”] (02:55) dhe bëjini studentët të kërkojnë pikëpamje rreth gjetjes së njerëzve për t’iu dhënë mësim. Ju mund t’i nxitni studentët të mbajnë shënime për atë që mësojnë.

Pyetni:

  • Çfarë pikëpamjesh rreth gjetjes së njerëzve për t’iu dhënë mësim dhanë misionarët në këtë material filmik? (Studentët mund të japin përgjigje si këto: Misionarët duhet të luten për mundësi, t’i duan të tjerët dhe t’i shohin ata ashtu siç i sheh Perëndia, dhe të mbajnë mend se Zoti po i përgatit fëmijët e Tij për ta marrë ungjillin dhe po i drejton misionarët e Tij për t’i gjetur ata. Ngaqë Perëndia i do fëmijët e Tij, ai dëshiron që gjithsecili të ketë mundësinë për ta dëgjuar e pranuar ungjillin.)

  • Përse është e rëndësishme të veprojmë sipas ndjenjave për t’iu drejtuar të tjerëve e për t’i ftuar ata të mësojnë rreth ungjillit?

Bëjini studentët t’i lexojnë tre paragrafët te nënpjesa e titulluar “Gjeni Ata Që Do T’ju Pranojnë” në faqen 162 te Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, pyetni:

  • Cilat janë disa sfida me të cilat mund të përballemi kur përpiqemi të gjejmë njerëz për t’iu dhënë mësim? (Zakonisht ne nuk e dimë se kush është gati për ungjillin. Njerëzit mund të mos na pranojnë menjëherë si shërbëtorë të Zotit. Ata mund të mos e kuptojnë se janë duke e kërkuar ungjillin e rivendosur.)

  • Si na vjen Zoti në ndihmë për të gjetur njerëz që t’iu japim mësim? (Ai dërgon Frymën e Shenjtë për të na udhërrëfyer.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të donte Zoti që të bënin misionarët kur nuk shohin rezultate të menjëhershme nga përpjekjet e tyre për të gjetur njerëz për t’iu dhënë mësim?

Po të ketë studentë në klasë që janë të kthyer në besim në Kishë, merreni parasysh të ftoni një ose më shumë prej tyre të tregojnë se si arritën të njiheshin me Kishën dhe se si arritën ta dallojnë se misionarët po u mësonin të vërtetën. Nëse nuk ka të kthyer në besim në klasë, ftojini studentët të mendojnë për një të kthyer në besim të cilin e njohin mirë në familjen e tyre ose në lagjen e tyre. Merreni parasysh t’i ftoni ata të tregojnë se ai arriti ai njeri ta pranojë ungjillin.

Rëndësia e Punës Misionare të Anëtarëve

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të bashkohen së bashku, të punojnë së bashku, të mundohen së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij. Ai ka përgatitur mjetet që ne ta ndajmë ungjillin në një mori mënyrash dhe Ai do të na ndihmojë në punët tona, nëse ne do të veprojmë me besim për ta përmbushur punën e Tij” (“Faith in the Work of Salvation” [fjalim dhënë në transmetimin mbarëbotëror të udhëheqjes për Punën e Shpëtimit, 23 qershor 2013]).

Ju mund t’u bëni studentëve pyetje si të mëposhtmet:

  • Përse është e rëndësishme të kujtojmë se profeti i Perëndisë na ka kërkuar të marrim pjesë në punën misionare si anëtarë? (Mund ta merrni parasysh të drejtoheni te Doktrina e Besëlidhjet 88:81, që i thekson pritshmëritë e Zotit për ata që e kanë marrë ungjillin.)

  • Si mendoni ju, pse tha Presidenti Monson që “tani është koha” që anëtarët dhe misionarët të punojnë së bashku?

Pastaj ftojini studentët të shkojnë te faqja 166 te Predikoni Ungjillin Tim dhe bëjini tre studentë t’i lexojnë me radhë me zë të lartë tre paragrafët e parë nën kreun “Rëndësia e Anëtarëve”. Më pas, pyetni:

  • Cili mund të jetë rezultati kur anëtarët dhe misionarët punojnë së bashku për ta predikuar ungjillin? (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë këtë parim: Kur anëtarët i ftojnë të tjerët që të marrin mësim dhe janë të pranishëm në mësimdhënie, më shumë njerëz pagëzohen dhe mbeten aktivë në Kishë.)

Shfaqeni materialin filmik “The Lord of the Harvest: The Adams Family” [“Zoti i Vreshtit: Familja Adams”] (04:41), dhe kërkojuni studentëve t’i kushtojnë vëmendje asaj që bënë anëtarët e Kishës për ta ndihmuar familjen Adams që të merrte bekimet e ungjillit.

Pyetni:

  • Cilat qenë disa prej përpjekjeve që çuan te marrja e bekimeve të ungjillit nga familja Adams?

  • Çfarë mendoni se u dha shtysë anëtarëve në materialin filmik për ta ndarë ungjillin me familjen Adams?

Bëjini studentët t’i lexojë me zë të lartë dy paragrafët në pjesën e titulluar “Asnjë Përpjekje Nuk Shkon Dëm”te Predikoni Ungjillin Tim, faqe 177. Pastaj, merreni parasysh të bëni pyetje si të mëposhtmet:

  • Edhe nëse njerëzit nuk e pranojnë ftesën për ta hetuar ungjillin e rivendosur, pse nuk shkon dëm përpjekja për të shërbyer dhe për të dhënë mësim?

  • Si mundet një misionar të mbajë një qëndrim të shëndetshëm kur njerëzit zgjedhin të mos e hetojnë ungjillin?

Ftojini studentët të tregojnë se çfarë kanë bërë në të kaluarën për të marrë pjesë në punën misionare të anëtarëve. Kërkojuni atyre të shpjegojnë si u ndien teksa u përpoqën ta ndanin ungjillin me të tjerët.

Pjesëmarrja në Punën Misionare të Anëtarëve

Renditini shkrimet e shenjta vijuese në tabelë dhe pastaj kërkojuni studentëve t’i lexojnë ato në heshtje dhe të kërkojnë bekimet që u premtohen atyre që zgjedhin të marrin pjesë në punën misionare.

DeB 18:10, 14–16

DeB 33:6–11

DeB 100:5–6

Pasi t’u lejoni studentëve disa çaste për ta shqyrtuar fragmentin që përzgjodhën, kërkojuni studentëve t’i shpjegojnë vargjet që lexuan e të tregojnë se si bekimet e premtuara mund t’u japin shtysë atyre për të gjetur njerëz që ta marrin mesazhin e ungjillit. Nxitini të gjithë anëtarët e klasës që të marrin pjesë në këtë diskutim. Mund t’i renditni përgjigjet e studentëve në tabelë në krah të shkrimit të shenjtë të duhur.

Merreni parasysh ta shkruani parimin vijues në tabelë: Si anëtarë misionarë, ne mund të fillojmë tani të gjejmë njerëz që misionarët t’u japin mësim.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si mund të marrin pjesë në punën misionare të anëtarëve, bëjeni një student të lexojë me zë të lartë citimin vijues nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë këshillat mbi mënyrën se si të fitojnë siguri dhe guxim për t’iu afruar të tjerëve:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Vëllezër dhe motra, frika do të zëvendësohet me besim dhe mirëbesim kur anëtarët dhe misionarët kohëplotë gjunjëzohen në lutje dhe i kërkojnë Zotit t’i bekojë ata me mundësi misionare. Atëherë, ne duhet të tregojmë besimin tonë dhe të shohim për mundësi për t’ua paraqitur ungjillin e Jezu Krishtit fëmijëve të Atit tonë Qiellor dhe me siguri këto mundësi do të vijnë. Këto mundësi nuk do të kërkojnë asnjëherë një përgjigje të detyruar apo të sajuar. Ato do të rrjedhin si pasojë normale e dashurisë sonë për vëllezërit dhe motrat tona. Thjesht jini të vërtetë dhe ata me të cilët flisni, do ta ndiejnë dashurinë tuaj. Ata nuk do ta harrojnë asnjëherë atë ndjenjë edhe pse koha mund të mos jetë e përshtatshme për ta për ta përqafuar ungjillin. Edhe kjo mund të ndryshojë në të ardhmen, kur rrethanat e tyre të ndryshojnë.

Është e pamundur për ne të dështojmë kur bëjmë maksimumin tonë kur jemi në punën e Zotit. Edhe pse përfundimi është pasojë e ushtrimit të lirisë së zgjedhjes vetjake, ndarja e ungjillit është përgjegjësia jonë.

Mirëbesoji Zotit. Ai është Bariu i Mirë. Ai i njeh delet e Tij dhe delet e Tij e njohin zërin e Tij; dhe sot, zëri i Bariut të Mirë është zëri juaj dhe zëri im. Dhe nëse nuk jemi të përfshirë, shumë njerëz që do t’ia vinin veshin mesazhit të Rivendosjes do anashkalohen. E thënë thjesht, është çështje besimi dhe veprimi nga ana jonë. Parimet janë mjaft të thjeshta - lutuni, më vete dhe në familjen tuaj, për mundësi misionare. …

Ju nuk keni përse të jeni një njeri miqësor ose një mësues i gojës, bindës. Në qoftë se keni një dashuri të qëndrueshme dhe shpresë brenda jush, Zoti ka premtuar se nëse ‘ia ngrini zërat tuaj këtij populli [dhe] flisni mendimet që [Ai] do të vë[rë] në zemrat tuaja … ju nuk do të ngatërroheni përpara njerëzve;

[Dhe] do t’ju jepet në orën e duhur … në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni’ (DeB 100:5–6)” (“Kini Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 44).

Pyetni:

  • Çfarë sugjeroi Plaku Ballard që mund të bëjnë anëtarët për të zhvilluar mirëbesim më të madh për t’ua prezantuar ungjillin të tjerëve?

  • Në çfarë mënyrash është gjetja e njerëzve për t’iu dhënë mësim një çështje besimi?

Bëjini studentët të marrin disa çaste për të kërkuar nëpër listën “Ide për të Ndihmuar Anëtarët” në faqet 168–169 te Predikoni Ungjillin Tim dhe kërkoni mënyra të posaçme që anëtarët mund të marrin pjesë në punën misionare. Bëjini studentët të zgjedhin një ose dy ide që mund t’i përdorin tani për të marrë pjesë në punën misionare të anëtarëve. Më pas, pyetni:

  • Cilën nga këto ide mund të bënit tani për t’i ftuar të tjerët ta dëgjojnë mesazhin e ungjillit?

  • Si mendoni ju, pse disa anëtarë të Kishës ngurrojnë për t’iu afruar të tjerëve në mënyrat e gjendura në këtë listë?

Nxitini studentët që të marrin pak minuta për të shkruar disa gjëra që do të bëjnë në mënyrë që të gjejnë njerëz për t’iu dhënë mësim misionarët. Sugjerojuni studentëve se planet e tyre mund të jenë më të efektshme po të shkruajnë emrat konkrete të miqve dhe pjesëtarëve të familjes [që janë] joanëtarë me të cilët mund ta ndajnë mesazhin e ungjillit. Mund të sugjeroni që studentët të përfshijnë veprime të tilla si lutja rregullisht për mundësi misionare, afrimi për t’iu folur të tjerëve rreth temave të ungjillit, ftesat ndaj të tjerëve për në shërbime adhurime ose veprimtari të tjera të Kishës, ftesat ndaj të tjerëve për të dëgjuar mësime nga misionarët, ftesa ndaj të tjerëve për të lexuar Librin e Mormonit e kështu me radhë. Si të drejtoheni nga Shpirti, mund të thërritni disa studentë për t’ia treguar klasës planet e tyre.

Përdorini Të Gjitha Mjetet Që Perëndia Ka Përgatitur

Bëjeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si po ndryshon procesi për gjetjen e njerëzve për t’iu dhënë mësim:

Pamja
Plaku L. Tom Peri

“Kur isha misionar i ri, ne ishim në gjendje të flisnim me njerëz në rrugë e të trokitnim në dyer për ta shpërndarë ungjillin. Bota ka ndryshuar qysh nga ajo kohë. Tani, shumë njerëz përfshihen në ngarkesën e jetës së tyre. Ata nxitojnë aty-këtu dhe shpesh janë më pak të gatshëm të lejojnë njerëz krejtësisht të huaj që të hyjnë në shtëpitë e tyre, të paftuar, për të dhënë një mesazh për ungjillin e rivendosur. Pika kryesore e komunikimit me të tjerët, madje edhe me miqtë e ngushtë, është shpesh nëpërmjet internetit. Prandaj, vetë natyra e punës misionare, duhet të ndryshojë nëse Zoti do ta përmbushë punën e Tij të mbledhjes së Izraelit ‘nga të katër anët e tokës’ [2 Nefi 21:12]. Misionarët tani janë të autorizuar ta përdorin internetin në përpjekjet e tyre predikuese. …

Teksa misionarët hyjnë në këtë epokë të re ku do të përdorin kompjutera në punën e Zotit, ne i ftojmë të rinjtë e të moshuarit, ata në moshë madhore, ata të rinj në moshë madhore, rininë dhe fëmijët anembanë të na bashkohen në … shpërndarjen e mesazheve të ungjillit në internet. …

Ashtu sikurse misionarët duhet t’i përshtaten një bote në ndryshim, edhe anëtarët duhet ta ndryshojnë mënyrën se si mendojnë rreth punës misionare. Duke e thënë këtë, uroj ta bëj të qartë se ajo që neve, si anëtarë, na kërkohet të bëjmë nuk ka ndryshuar; por mënyra në të cilën ne e përmbushim përgjegjësinë tonë për ta shpërndarë ungjillin duhet t’i përshtatet një bote në ndryshim” (“Missionary Work in the Digital Age” [fjalim i dhënë në transmetimin mbarëbotëror të udhëheqjes për Punën e Shpëtimit, 23 qershor 2013]).

Pyetni:

  • Sipas Plakut Peri, pse duhet të fillojnë anëtarët dhe misionarët të përdorin burimet në internet ndërsa shpërndajnë ungjillin? Cilat janë epërsitë e përdorimit të këtyre burimeve?

  • Cilat janë disa nga mjetet ose burimet në internet që ju mund të përdorni për ta dhënë dëshminë tuaj për ungjillin dhe për t’i ftuar të tjerët të mësojnë më shumë?

  • Cilat janë disa mënyra të posaçme që mund t’i përdorni këto mjete për ta shpërndarë mesazhin e ungjillit? (Ky diskutim do t’i ndihmojë studentët të përcaktojnë parimin se ndjekësit e Jezu Krishtit mund ta përdorin teknologjinë bashkëkohore për t’ua dhënë dëshminë e tyre për ungjillin njerëzve në mbarë botën.)

Paraqitini orientimet vijuese nga LDS.org dhe ftojeni një student ta lexojë paragrafin e parë me zë të lartë. Pastaj thërritni emra të tjerë studentësh për ta lexuar me zë të lartë listën e orientimeve për përdorimin e medias shoqërore. Kërkojini klasës të kërkojë mënyra në të cilat ky informacion mund t’i ndihmojë ata të bëhen më të mirë në shpërndarjen e ungjillit në internet.

“Media shoqërore mund të jetë një ndikim i fuqishëm në jetën e atyre që e përdorin atë. Ajo mund të sigurojë mënyra për ta shprehur besimin tonë te Jezu Krishti dhe për të forcuar marrëdhëniet. Kisha e nxit përdorimin e medias shoqërore për sa kohë ajo e përkrah misionin e Kishës, përmirëson marrëdhëniet dhe e lehtëson zbulesën mes fëmijëve të Atit tonë Qiellor. Anëtarët e Kishës nxiten të jenë shembuj të besimit të tyre në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet, përfshirë kohën kur marrin pjesë në biseda botërore të mundësuara nëpërmjet medias shoqërore. …

Në vijim janë sugjerime për përdorimin e medias shoqërore në jetën tonë vetjake: …

Jini qytetarë në ndërveprimet tuaja në internet me të tjerët. Mësimet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kërkojnë që anëtarët t’i trajtojnë me respekt të tjerët, pavarësisht nga situata.

Shpreheni dëshminë tuaj vetjake për ungjillin e rivendosur, si të udhërrëfeheni nga Shpirti. Mesazhe të tilla duhet të jenë vetjake; mos u lini njerëzve përshtypjen se flisni në emër të Kishës dhe mos krijoni grupe që japin përshtypjen se ata e përfaqësojnë Kishën zyrtarisht apo që financohen nga Kisha.

Jini gjithnjë një shembull i një ndjekësi të Krishtit në ndërveprimet tuaja me të tjerët në median shoqërore. Shembulli juaj pozitiv mund të ndikojë tek ata me të cilët shoqëroheni. Është gjë e urtë ta ndaloni shoqërimin me ata që kërkojnë vazhdimisht t’i ulin të tjerët dhe veçanërisht ata që publikojnë material të papërshtatshëm. …

Ushtroni gjykim të mirë kur publikoni në një faqe të medias shoqërore. Nuk ka buton ‘fshij’ në internet. Pamjet dhe publikimet mund të mbeten për shumë vite dhe mund të jenë dëmtuese kur jeni duke kërkuar punë apo pranim në një kolegj, si dhe në raste të tjera në të cilat mund të shqyrtohen të dhënat tuaja publike në internet. Sigurohuni që komunikimet tuaja të shkojnë përkrah me zotimin tuaj për ta marrë mbi veten tuaj emrin e Shpëtimtarit” (“Social Media Helps for Members”, LDS.org).

Kërkojuni studentëve t’u japin klasës mendimet e tyre rreth arsyes pse sugjerimet në këtë listë do të ishin të rëndësishme që të mbaheshin mend prej tyre teksa e shpërndajnë ungjillin në internet.

Nëse ka kohë të mjaftueshme në dispozicion, merreni parasysh ta bëni një student t’ia tregojë në praktikë klasës se si të shpërndajnë materiale filmike apo materiale të tjera nga LDS.org ose mormon.org duke përdorur median shoqërore. Mund ta bëni një student tjetër të tregojë në praktikë si krijohet një profil te mormon.org.

Merreni parasysh ta shfaqni materialin filmik “Sharing Your Beliefs” [“Shprehja e Bindjeve Tuaja”] (02:02) për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë siguri në aftësinë e tyre për ta përdorur teknologjinë për të shprehur ndjenjat e tyre dhe dëshminë për ungjillin. Përpara se ta shfaqni materialin filmik, nxitini studentët të kërkojnë ndikimin e mundshëm që mund të ketë një njeri duke e përdorur teknologjinë për t’i shprehur ndjenjat e veta për ungjillin.

Pas materialit filmik, pyetni:

  • Si mund t’i zgjerojë teknologjia përpjekjet e anëtarëve që dëshirojnë ta shpërndajnë mesazhin e ungjillit?

Ftojini studentët të përshkruajnë se si mund ta përdorin teknologjinë për t’ua dhënë dëshminë e tyre të tjerëve. Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për doktrinat dhe parimet e dhëna në këtë mësim.

Ftesa për të Vepruar

Ndihmojini studentët të fillojnë tani të gjejnë njerëz që janë gati ta dëgjojnë mesazhin e ungjillit duke plotësuar një ose më tepër nga veprimtaritë e sugjeruara vijuese:

  • Plotësojini pikat që renditët gjatë detyrës me shkrim të këtij mësimi në mënyrë që të gjeni njerëz për t’iu dhënë mësim misionarët.

  • Shqyrtojeni listën e kontakteve në celularin tuaj dhe gjeni një anëtar më pak aktiv ose joanëtar. Telefonojini ose shkruajini atij njeriu dhe ftojeni atë t’ju bashkohet juve në Kishë këtë të diel.

  • Eksplorojeni faqen e internetit mormon.org dhe eksplorojini burimet e faqes të tilla si materialet filmike, artikujt dhe profilet e publikuara nga anëtarët e Kishës. Shpërndajuni të tjerëve një material filmik, artikull ose faqe tjetër duke përdorur median shoqërore.

  • Krijoni profilin tuaj vetjak në mormon.org. Shpërndajuani të tjerëve profilin tuaj duke përdorur median shoqërore.

  • Shpërndani një material filmik nga Mormon Messages [Mesazhet Mormone] dhe ndjenjat tuaja rreth tij duke përdorur median shoqërore.