Instituti
Mësimi 11: Dhënia Mësim e Planit të Shpëtimit (Pjesa 2)


11

Dhënia Mësim e Planit të Shpëtimit (Pjesa 2)

Hyrje

Plani i shpëtimit siguroi një Shpëtimtar për të mposhtur efektet e Rënies së Adamit. Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne mund të mposhtim vdekjen, mëkatin dhe hidhërimin. Përveç tyre, ne do të ringjallemi dhe të drejtët do të kthehen në praninë e Perëndisë dhe do të bëhen si Ai. Misionarët e ardhshëm duhet të kenë një kuptueshmëri të qartë për doktrinën e planit të shpëtimit e të jenë të përgatitur për ta shpjeguar atë thjesht dhe për të dëshmuar për të me fuqi.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Shlyerja e Jezu Krishtit

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruajeni sa vijon në tabelë:

“[Gjoni 3:16] e përmbledh të gjithë planin e shpëtimit” (Plaku Brus R. Mek-Konki).

Kur të fillojë ora mësimore, kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Gjonin 3:16 dhe të mbajnë parasysh si ky varg “e përmbledh të gjithë planin e shpëtimit”.

Pasi studentët të kenë pasur disa çaste për të lexuar e përsiatur, ftojini ata të diskutojnë për mënyrën se si e përmbledh ky shkrim i shenjtë planin e shpëtimit. Nëse nevojitet, mund të lexoni thënien më të plotë mbi Gjonin 3:16 të bërë nga Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ky është ndoshta vargu i shkëputur më i famshëm e më i fuqishëm i shkrimit të shenjtë që është shqiptuar ndonjëherë. Ai e përmbledh të gjithë planin e shpëtimit, duke i lidhur së bashku Atin, Birin, sakrificën e Tij shlyese, atë besim tek Ai që hamendëson paraprakisht vepra të drejta dhe ekzaltimin e përjetshëm përfundimtar për besnikët” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:144).

Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë paragrafin e parë te pjesa “Shlyerja” në faqen 51 të Predikoni Ungjillin Tim. Më pas, pyetni:

  • Si do ta pohonit, me një fjali të vetme, arsyen pse sakrifica shlyese e Jezu Krishtit është kaq e rëndësishme për çdo fëmijë të Perëndisë? (Përgjigjet e studentëve duhet të përfshijnë doktrinën që Shlyerja e Jezu Krishtit e bëri të mundur për ne që t’i mposhtim efektet e Rënies.)

  • Cilat janë efektet e Rënies që i përjetojmë të gjithë? (Efektet më të mëdha janë: 1] vdekja fizike, 2] mëkati dhe vdekja shpirtërore [ndarja nga Perëndia] dhe 3] vuajtja dhe hidhërimi.)

Ndërsa studentët përgjigjen, merreni parasysh t’i renditni përgjigjet e tyre në një kolonë në tabelë nën kreun “Efektet e Rënies”. Pastaj plotësojeni kolonën në të djathtë me kreun “Si i mposht Shlyerja efektet e Rënies” (ose paraqiteni këtë tabelë duke përdorur një metodë tjetër):

Efektet e Rënies

Si i mposht Shlyerja efektet e Rënies

Vdekja Fizike

1 Korintasve 15:20–22

Alma 11:42–45

Predikoni Ungjillin Tim, f. 51, “Shlyerja”, paragrafi 2

Mëkati dhe Vdekja Shpirtërore

Alma 34:8–9

DeB 19:15–19

Predikoni Ungjillin Tim, 51–52, “Shlyerja”, paragrafët 3–5

Vuajtja dhe Hidhërimi

Isaia 53:3–5

Alma 7:11–13

Predikoni Ungjillin Tim, f. 51–52, “Shlyerja”, paragrafi 6

Ndajeni klasën në treshe dhe caktojini secilës treshe që të studiojë referencat në një prej kategorive në tabelë. Kërkojuni studentëve të përgatiten për të treguar se si materialet që studiuan ndihmuan në shpjegimin e mënyrës se si Shlyerja e Jezu Krishtit i mposht efektet e Rënies. Thuajuni studentëve se shkrimet e shenjta në këtë tabelë janë përfaqësuese të shumë fragmenteve që mund të përdoren për të ilustruar doktrinën e Shlyerjes dhe se ata duhet të studiojnë fragmente shtesë për kuptueshmëri më të thellë për këtë doktrinë. Pasi t’u keni dhënë kohë të mjaftueshme për të studiuar, ftojini disa studentë nga çdo treshe e klasës të shpjegojnë atë që studiuan dhe si na ndihmon ajo ta kuptojmë se si mund të na bekojë Shlyerja.

Jepuni studentëve pak minuta për të shkruar disa fjali që e përmbledhin ose përvijojnë atë që ata do të donin t’i mësonin një kërkuesi rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pas disa minutash, merreni parasysh të thërritni disa studentë që t’ia lexojnë klasës atë që shkruan.

Ftojeni Shpirtin t’i ndihmojë studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit duke shfaqur materialin filmik “For God So Loved the World” [“Sepse Perëndia e Deshi Aq Botën”] (04:48). Bëjini studentët të kërkojnë mënyra në të cilat Jezu Krishti e tregoi me vepra dashurinë e Tij për botën.

Pasi ta shfaqni materialin filmik, pyetni:

  • Cilat qenë disa nga mënyrat në të cilat Jezu Krishti e tregoi me vepra dashurinë e Tij për të tjerët?

  • Si ju ndihmon ky material filmik për ta vlerësuar shërbesën dhe misionin shlyes të Shpëtimtarit?

Ftojini studentët të shohin prapa tek ajo që shkruan rreth gjërave që do të donin t’i mësonin një kërkuesi për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Jepuni studentëve pak më tepër minuta për të shkruar fjali të tjera që e përmbledhin atë që ata besojnë dhe mundet të dëshmojnë rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pas pak minutash, caktojini studentët të bëhen dyshe me një anëtar tjetër të klasës dhe ta interpretojnë me role me njëri-tjetrin se si do të dëshmonin para një kërkuesi për Shlyerjen e Jezu Krishtit.

Pasi çdo student të ketë pasur mundësi të interpretojë me role, mbylleni këtë pjesë të mësimit duke pyetur:

  • Përse është e rëndësishme që misionarët ta japin rregullisht dëshminë e tyre për Jezu Krishtin para atyre të cilëve u japin mësim? (Mund të doni të theksoni se një nga rolet e Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për Jezu Krishtin [shih Gjoni 15:26; 3 Nefi 11:32]; prandaj, kur ne u dëshmojmë të tjerëve për Jezu Krishtin, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë për ta pohuar dëshminë tonë në zemrat e atyre të cilëve po u japim mësim.)

Nxitini studentët të marrin parasysh atë që ata mund të bëjnë për ta thelluar mirënjohjen dhe dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Sigurojini studentët se, me anë të thellimit të dëshmisë së tyre për Shpëtimtarin, ata do të bëhen më të mirëpërgatitur për t’i ftuar të tjerët të vijnë te Krishti.

Vendmbërritja Jonë e Përjetshme

Drejtojini studentët te diagrami që gjendet te kutia “Plani i Shpëtimit” në faqen 54 te Predikoni Ungjillin Tim. Ftojini studentët ta studiojnë së pari diagramin dhe më pas të vizatojnë vetë variantin e tyre pa parë te Predikoni Ungjillin Tim. Diagramët e tyre mund të marrin çfarëdo forme për sa kohë që ata i përfshijnë pjesët madhore të planit të shpëtimit. Kujtojuni studentëve se misionarët duhet të jenë në gjendje t’ia shpjegojnë një kërkuesi elementet kryesore të planit të shpëtimit me fjalë të thjeshta.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë përmbajtjen që gjendet në tri pjesët e mbetura të mësimit 2 te Predikoni Ungjillin Tim (faqet 52–53), kërkojuni studentëve të marrin pak minuta për t’i lexuar pjesët e për t’i përcaktuar doktrinat, parimet dhe idetë që duhet të dinë kërkuesit. Teksa studentët lexojnë, paraqitini titujt e pjesës në një skicë në tabelë:

Çfarë duhet të dijë një kërkues?

Bota e shpirtrave

Ringjallja, Gjykimi dhe pavdekësia

Mbretëritë e lavdisë

Mund të jetë e dobishme t’i bëni studentët të studiojnë një pjesë çdo herë dhe të tregojnë doktrinat, parimet ose idetë që përcaktuan përpara se të vazhdoni më tej për të lexuar pjesën vijuese. Mund ta ftoni një student t’i shënojë përgjigjet e klasës nën kreun e duhur në tabelë. Merreni parasysh t’u kërkoni studentëve ta kopjojnë tabelën në ditarët e tyre të studimit dhe ta plotësojnë teksa klasa diskuton për çdo pjesë.

Pyetjet si ato në vijim mund t’i ndihmojnë studentët ta analizojnë atë që lexuan:

  • Çfarë ndikimi do të kenë vendimet tona këtu në tokë mbi ne pasi të vdesim?

  • Në ç’mënyrë ndikon kuptueshmëria jonë për Gjykimin në vendimet tona tani?

  • Si ndikon Shlyerja e Jezu Krishtit në çdo fazë të ekzistencës sonë (paratokësore, tokësore dhe pas vdekjes)?

  • Përse është e rëndësishme të jesh i qartë dhe i thjeshtë kur ua prezanton të tjerëve këto të vërteta?

Shpjegojuni studentëve se një prej doktrinave të rëndësishme të Rivendosjes është që fëmijët e Perëndisë kanë potencialin për t’u bërë si Ai. Kuptueshmëria jonë për Atin Qiellor na jep shpresën që nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të përparojmë e të marrim bekimet e ekzaltimit (shih “Ekzaltim”, te Predikoni Ungjillin Tim, faqe 58). Ndonëse mund të bëhemi një ditë si Perëndia, ne gjithnjë do ta adhurojmë Atë. Përparimi ynë kurrë nuk do ta ndryshojë identitetin e Tij si Ati ynë dhe Perëndia ynë. (Për më tepër informacion mbi këtë temë, shih artikullin e titulluar “Becoming Like God” [“Të Bërit si Perëndia”] nga Gospel Topics [Temat e Ungjillit] në lds.org/topics.)

Ndajeni klasën në dyshe dhe ftojeni çdo dyshe të përgatitet për t’i dhënë mësim dikujt rreth qëllimit të jetës dhe asaj që na ndodh pasi vdesim. Ndërsa përgatiten, studentët duhet t’u drejtohen faqeve 51–54 te Predikoni Ungjillin Tim ose faqeve 10–15 te broshura e misionarëve Plani i Shpëtimit, nëse është në dispozicion. Nxitini studentët të përdorin së paku një shkrim të shenjtë ndërsa japin mësim. Nxitini ata të përdorin edhe diagramët e planit të shpëtimit që krijuan ose diagramin në faqen 54 të Predikoni Ungjillin Tim. Shpjegoni se mësimdhënia e tyre duhet të jetë e thjeshtë dhe e qartë dhe duhet mbyllur me dëshminë e tyre. Lejoni kohë të mjaftueshme që dyshet të përgatiten për të dhënë mësim dhe më pas ftojeni çdo dyshe të bëhet skuadër me një dyshe tjetër. Caktojeni një dyshe studentësh t’u japë mësim dy studentëve të tjerë.

Teksa dyshet e shoqërimit e mbyllin përvojën e tyre të mësimdhënies, bëjeni çdo grup të diskutojë për sa vijon brenda për brenda: Çfarë shkoi mirë në mësimdhënie? Si mund të përmirësohen studentët që dhanë mësim?

Pastaj, ndërrojini rolet dhe lejojini studentët që morën mësim që t’i japin mësim dyshes tjetër të studentëve. Sigurohuni që të ketë kohë për ta që të marrin përshtypjet. Pasi të ketë dhënë mësim çdo dyshe, ftojini anëtarët e klasës të japin pikëpamje nga përvoja e tyre për pjesën tjetër të klasës.

Si ta lejojë koha, mbylleni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për planin e shpëtimit ose ftojini anëtarët e klasës që të bëjnë të njëjtën gjë.

Ftesa për të Vepruar

Ftojini studentët të zgjedhin një ose më shumë nga veprimtaritë vijuese me të cilat të punojnë jashtë klase për ta thelluar kuptueshmërinë e tyre për planin e shpëtimit:

  • Ushtrohuni për vizatimin e diagramit në faqen 54 te Predikoni Ungjillin Tim dhe për t’i shpjeguar elementet kyçe të planit të shpëtimit, duke përdorur një shkrim të shenjtë për ta mbështetur çdo element.

  • Merreni parasysh si mund ta jepni mësim planin e shpëtimit në mënyrë që të ndihmoni dikë që kohët e fundit ka humbur një pjesëtar të familjes ose një njeri të dashur. Shkruajini një përmbledhje të shkurtër ose përvijim të ideve në ditarin tuaj të studimit.

  • Studioni një bisedë rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit nga një fjalim i konferencës së përgjithshme të fundit. Përcaktoni parime nga biseda që do t’u ndihmojnë ta kuptoni më mirë Shlyerjen e Jezu Krishtit. Bëni një listë të mënyrave si ju bekon Shlyerja çdo ditë.

  • Lutuni për mundësinë për t’ia treguar planin e shpëtimit dikujt që mund të bekohet nga një kuptueshmëri më e mirë e planit të Atit Qiellor. Pastaj veproni me besim dhe jepeni mësim këtë doktrinë për ta bekuar jetën e personit.