Instituti
Mësimi 3: Të Mësuarit me Anë të Shpirtit


3

Të Mësuarit me Anë të Shpirtit

Hyrje

Në mënyrë që misionarët të rriten në ungjill dhe të qëndrojnë në shtegun që të çon drejt jetës së përjetshme, ata duhet të zhvillojnë zakonin e studimit të ungjillit. Në qendrat e trajnimit të misionarëve, misionarët shpenzojnë disa orë çdo ditë duke studiuar më vete dhe me shokët e tyre. Në terrenin e misionit, prej tyre pritet ta vazhdojnë studimin e tyre të ungjillit çdo ditë. Ata duhet të mësojnë “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118) në mënyrë që të ndërtojnë një rezervuar njohurish për ungjillin dhe ta rritin kthimin e tyre në besim. Është thelbësore që misionarët të kenë këtë rezervuar njohurish të fituar nëpërmjet studimit të udhërrëfyer nga Shpirti, në mënyrë që të japin mësim me fuqi e ta përmbushin qëllimin e tyre.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Rëndësia e Studimit të Ungjillit

Shfaqni për studentët një fotografi të Jozef Smithit dhe vëllait të tij Hajrëmit dhe kërkojuni atyre t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te Doktrina e Besëlidhje 11. Ndihmojini studentët ta kuptojnë kontekstin e kësaj pjese duke shpjeguar se ndërkohë që Jozef Smithi po përkthente Librin e Mormonit, vëllai i tij më i madh Hajrëmi u bë thellësisht i interesuar për punën dhe dëshironte t’ua shpërndante të tjerëve mesazhin e Rivendosjes. Duke kërkuar vullnetin e Zotit, Hajrëmi i kërkoi Jozefit që të kërkonte një zbulesë në emër të tij. Përgjigjja e Zotit është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 11. Në shumë drejtime, Hajrëmi ishte në të njëjtin pozicion si anëtarët e klasës suaj, të cilët po përgatiten vetë që ta shpërndajnë mesazhin e ungjillit të rivendosur.

Bëjini dy studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 11:15–17, ndërkohë që klasa i ndjek, duke kërkuar këshillën që Zoti i dha Hajrëmit. Më pas, pyetni:

  • Pse Zoti i tha Hajrëmit të “pri[ste] pak më gjatë” përpara se t’ua shpërndante të tjerëve mesazhin e ungjillit?

Bëjini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 11:21–22 dhe 26, duke kërkuar këshillën që është e zbatueshme sot për misionarët e ardhshëm.

  • Çfarë e drejtoi Zoti Hajrëmin të bënte teksa përgatitej që t’ua shpërndante të tjerëve ungjillin ? Çfarë do të thotë të kesh fjalën e Perëndisë? Çfarë do të thotë që ta mbledhësh fjalën e Zotit si thesar në zemrën tënde?

  • Në ç’mënyrë mund ta ndihmojë këshilla e Zotit në këto vargje dikë që po përgatitet të shërbejë në një mision? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet ta përcaktojnë parimin vijues: Studimi i ungjillit i përgatit misionarët ta predikojnë ungjillin me Shpirtin dhe me fuqi.)

  • Çfarë bekimesh u premtoi Zoti atyre që kërkojnë “[ta] ke[në] fjalën [e Tij]”?

Bëjini studentët të shkojnë te faqja 186 te Predikoni Ungjillin Tim, dhe bëjeni një student ta lexojnë me zë të lartë paragrafin që fillon me “Aftësia juaj për të mësuar [dhënë mësim] me fuqi”. Më pas, pyetni:

  • Cilat ide në këtë paragraf e përforcojnë rëndësinë e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta për ata që duan të bëhen misionarë të efektshëm? (Studimi i shkrimeve të shenjta i përgatit misionarët ta japin mësim ungjillin me fuqi.)

Thuajuni studentëve se pjesa e mbetur e mësimit do të përqendrohet te mënyra se si ata mund të përfitojnë më shumë nga studimi i tyre vetjak i shkrimeve të shenjta. Nxitini studentët të përsiatin gjatë gjithë mësimit mënyrën se si ta vënë në zbatim atë që mësojnë në mënyrë që ta përmirësojnë efektshmërinë e studimit të tyre të shkrimeve të shenjta e të ungjillit.

Përdorimi i një Ditari Studimi

Udhëzojeni klasën të shkojnë te faqja x te Predikoni Ungjillin Tim. Ftojini dy studentë t’i lexojnë me zë të lartë dy paragrafët te nënpjesa “Ditari i Studimit”. Pasi studentët të lexojnë, pyetni:

  • Sipas kësaj pjese, si mund t’u ndihmojë përdorimi i një ditari studimi teksa e studioni ungjillin?

  • Pse do të ishte e rëndësishme që t’i mbani shënim idetë dhe ndjenjat që merrni gjatë studimit të ungjillit?

Merreni parasysh t’i pyetni studentët tuaj a ka ndonjëri prej tyre një ditar studimi dhe ftojini ata që e kanë që të tregojnë se si u ka sjellë dobi ditari i tyre. Nxitini studentët që të fillojnë të përdorin një ditar studimi nëse ende nuk e kanë bërë këtë. Kujtojuni atyre se një ditar studimi mund të jetë aq i thjeshtë sa një ditar i lirë me fletë të lidhura, një fletore shënimesh ose faqet në një dosje. Ata mund të përdorin edhe shënimet dhe mjetet e ditarit te LDS.org ose një program për mbajtje shënimesh në një pajisje elektronike. Nxitini studentët të sjellin një ditar studimi çdo orë mësimi për të mbajtur shënim idetë, ndjenjat dhe pikëpamjet që kanë gjatë orës së mësimit.

Të Mësuarit me Anë të Shpirtit

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të punojnë së bashku për të lexuar paragrafin e dytë në faqen 17 të Predikoni Ungjillin Tim e më pas të diskutojnë se çfarë kërkohet për të pasur përvoja kuptimplote të mësuari me shkrimet e shenjta. Pasi studentët të kenë pasur kohë për ta diskutuar paragrafin, ftojini pak prej tyre që të japin disa nga idetë kryesore të diskutimit të tyre. Ju mund të bëni pyetje si këto:

  • Çfarë do të thotë të studiojmë me “qëllim të vërtetë”? (Qëllim i vërtetë do të thotë që ne synojmë të bindemi ose ta vëmë në praktikë atë që ne mësojmë.)

  • Si mund të ndikojë te studimi i ungjillit të dikujt studimi me “qëllim të vërtetë” dhe “[pasja e] uri[së] dhe … et[jes] për drejtësi”? (Teksa studentët përgjigjen, merreni parasysh t’iu bëni pyetje ndjekëse për t’i nxitur ata të mendohen më thellësisht rreth përgjigjeve të tyre. Për shembull, nëse studentët përgjigjen se qëllimi i vërtetë do të pasqyrohet te mënyra se si dikush lutet, mund t’u kërkoni atyre ta shpjegojnë se si mund të jenë ndryshe lutjet e dikujt. Nëse një student përgjigjet që ai do të duket në dëshirat e tyre, kërkojuni atyre ta shtjellojnë atë ide.)

Kërkojuni tre studentë t’i lexojnë me radhë me zë të lartë paragrafët në pjesën e titulluar “Të mësuarit nëpërmjet Frymës së Shenjtë” në faqen 18 të Predikoni Ungjillin Tim. Bëjeni pjesën tjetër të klasës t’i ndjekin e t’i shenjojnë bekimet që na vijnë kur Fryma e Shenjtë na ndihmon ta mësojmë ungjillin. Më pas, pyetni:

  • Çfarë bekimesh mund të na vijnë kur Fryma e Shenjtë e udhërrëfen të mësuarin tonë për ungjillin? (Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në tabelë teksa studentët përgjigjen: Kur Fryma e Shenjtë e udhërrëfen të mësuarin tonë për ungjillin, ne marrim dritë dhe kuptueshmëri më të madhe.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë se si mund ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’i mësojë ata ndërkohë që po e studiojnë ungjillin, lexojeni ose paraqiteni citimin vijues nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini studentët tuaj të kërkojnë se çfarë mund të bëjnë për të fituar më tepër nga studimi i tyre i shkrimeve të shenjta.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Që ungjilli të shkruhet në zemrën tuaj, ju duhet të dini çfarë është ai dhe të arrini ta kuptoni atë më plotësisht. Kjo do të thotë që ju do ta studioni atë. Kur unë them ‘studioni’, dua të them diçka më shumë se leximi. Ndonjëherë është gjë e mirë të lexoni një libër të shkrimeve të shenjta brenda një periudhe të caktuar kohe për të marrë një kuptim të përgjithshëm të mesazhit të tij, por për kthimin në besim, ju duhet të kujdeseni më shumë për sasinë e kohës që kaloni në shkrimet e shenjta sesa për sasinë e asaj që lexoni në atë kohë. Ju përfytyroj ndonjëherë duke lexuar pak vargje, duke ndaluar për të medituar, duke i lexuar me kujdes vargjet sërish, dhe ndërsa mendoni rreth kuptimit të tyre, luteni për kuptueshmëri, bëni pyetje në mendjen tuaj, prisni për mbresa shpirtërore dhe i hidhni në letër mbresat dhe pikëpamjet që ju vijnë, që ju të mund t’i kujtoni dhe të mësoni më shumë. Duke studiuar në këtë mënyrë, ju mund të mos lexoni shumë kapituj ose vargje në gjysmë ore, por ju do t’i bëni vend në zemrën tuaj fjalës së Perëndisë dhe Ai do t’ju flasë juve” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 11). Për ide studimi shtesë për studimin shihni bisedën nga Plaku Riçard G. Skot, “Si të Merrni Zbulesë dhe Frymëzim për Jetën Tuaj Personale”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 45–47).

Ndihmojini studentët ta analizojnë thënien e Plakut Kristoferson duke u bërë pyetjet vijuese:

  • Çfarë veprimesh përcaktoi Plaku Kristoferson që mund të çojNë në kuptueshmëri më të madhe të shkrimeve të shenjta?

  • Si lejojnë më shumë këto veprime që Fryma e Shenjtë t’ju mësojë?

  • Si ju ka ndihmuar njëri apo më shumë nga këto veprime që ta thelloni kuptueshmërinë tuaj për ungjillin?

Shpjegoni se është e dobishme ta kuptojmë se si Fryma e Shenjtë komunikon me ne kur jemi duke i studiuar shkrimet e shenjta. Ndajeni klasën në dyshe (ndoshta të njëjtat dyshe nga veprimtaria e mëparshme). Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë dhe kërkojuni studentëve t’i kopjojnë ato në ditarët e tyre të studimit ose në një fletë letre: Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 9:7–8; 11:12–14 dhe 138:1–2, 11.

Jepuni studentëve kohë për t’i studiuar këto fragmente e për t’i shenjuar fjalët apo frazaT që e përshkruajnë mënyrën se si Fryma e Shenjtë komunikon me ne. Ata mund të shkruajnë edhe disa shënime në ditarin e tyre të studimit rreth asaj që mësojnë nga këto fragmente. Kërkojuni studentëve ta diskutojnë me partnerin e tyre atë që shenjuan në këto vargje dhe atë që mësuan. Pasi të keni lënë kohë të mjaftueshme, bëjini pyetjet vijuese:

  • Çfarë fjalësh ose frazash gjetët, të cilat përshkruajnë se si komunikon Fryma e Shenjtë me ne? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

  • Si ju ka mësuar Fryma e Shenjtë në një nga këto mënyra dhe si e ka thelluar kuptueshmërinë tuaj për një doktrinë apo parim të ungjillit? Çfarë përvojash të posaçme keni pasur ju?

Ftojini studentët të shkojnë në faqen 22 te Predikoni Ungjillin Tim dhe bëjeni një student t’i lexojë me zë të lartë katër pikat e para të renditura nën kreun “Ide dhe Sugjerime për Studim”. Merreni parasysh të pyetni për sa vijon:

  • Si mund ta prekin këto rekomandime aftësinë e një misionari për ta ndarë ungjillin në mënyrë të efektshme me të tjerët?

  • Si mund t’i përshtatni këto ide dhe t’i vini ato në praktikë tani si misionarë të ardhshëm?

  • Si mund të japë ndihmesë në suksesin tuaj si misionarë përmirësimi i zotësive dhe zakoneve tuaja të studimit të shkrimeve të shenjta? (Studentët me gjasë do të pohojnë një parim të ngjashëm me këtë: Teksa misionarët zhvillojnë zakone të efektshme të studimit të ungjillit, ata do të marrin mësim nga Shpirti, përvoja e tyre do të jetë më shpërblyese dhe ata do jenë më të mirëpërgatitur për ta dhënë mësim ungjillin.)

Ndajeni klasën në grupe me nga tre ose katër veta. Kërkojini çdo grupi t’i ndajë mes vetes gjashtë nënpjesët nën kreun “Ide dhe Sugjerime për Studim” në faqet 22–24 te Predikoni Ungjillin Tim, dhe bëjini anëtarët e grupit t’i studiojnë nënpjesët që u janë caktuar. Mund të duhet që disa anëtarë të grupit të studiojnë më shumë se një nënpjesë. Caktoni një udhëheqës në çdo grup që të drejtojë një diskutim rreth asaj që anëtarët e grupit mësuan dhe asaj që ata mund të bëjnë tani për ta bërë studimin e ungjillit më të fuqishëm e më të efektshëm. Pasi grupet të kenë pasur kohë për të diskutuar, pyeteni klasën:

  • Si ju kanë ndihmuar këto zotësi apo zakone studimi që t’i studioni shkrimet e shenjta më me efektshmëri?

Për t’i ndihmuar studentët që ta vënë në zbatim vetë atë që është diskutuar, jepini çdo studenti një kopje të fletushkës “Zakonet e Studimit Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”. Jepuni studentëve disa minuta për ta plotësuar veprimtarinë në fletushkë.

Pamja
fletushkë për Studimin e Shkrimit të Shenjtë

Pasi të lini një kohë të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të shprehin ndonjë mendim apo pikëpamje që fituan nga ky ushtrim. Nxitini ata ta vazhdojnë t’i bëjnë pjesë të studimit të tyre vetjak zotësitë dhe zakonet e studimit të shkrimeve të shenjta që përzgjodhën. Sigurojini ata që ndërsa e bëjnë këtë, Fryma e Shenjtë do t’ua ndriçojë mendjen dhe do ta rritë kuptueshmërinë e tyre për ungjillin.

Ndihmojeni klasën ta kuptojë se përveç mënyrëssi ata studiojnë, koha dhe ajo që ata studiojnë janë gjithashtu shumë të rëndësishme për t’i ndihmuar ata të jenë misionarë të efektshëm. Bëjini anëtarët e klasës të shkojnë te faqja viii te hyrja e manualit Predikoni Ungjillin Tim dhe të hedhin vështrimin te Programi Ditor i Misionarit i gjendur te pjesa “Studimi Individual, Studimi me Shokun, Mbledhjet e Distriktit dhe Konferencat e Zonës”. Më pas, pyetni:

  • Si e ilustron Programi Ditor i Misionarit rëndësinë e studimit të ungjillit?

  • Si mund t’ju përgatitë studimi i qëndrueshëm ditor i shkrimeve të shenjta tani për këtë program të rreptë si misionar?

Shenjimi i Shkrimeve të Shenjta

Po t’ju ketë mbetur kohë e mjaftueshme, merreni parasysh shfaqjen e materialit filmik “Advice for Studying the Scriptures” [“Këshillë për Studimin e Shkrimeve të Shenjta”] (02:07) për ta ndihmuar klasën të mendojë mënyra në të cilat mund ta përmirësonin mënyrën se si i shenjojnë shkrimet e tyre të shenjta.

Pasi ta shfaqni materialin filmik, pyetni:

  • Çfarë mësuat sot nga Plaku Bednar që do t’ju ndihmonte ta përmirësonit studimin tuaj të shkrimeve të shenjta?

  • Cili është qëllimi i shenjimit të shkrimeve të shenjta? (T’ju ndihmojë ju të kujtoni atë që keni mësuar më parë kur t’ju duhet përsëri më vonë.)

  • Përse është e rëndësishme që misionarët të kenë një mënyrë të efektshme për t’i kujtuar ato që kanë mësuar?

Jetojeni Atë që Mësoni

Bëjeni një student t’ia lexojë klasës paragrafin e parë nën kreun “Jetoni Sipas Asaj që Mësoni” te Predikoni Ungjillin Tim, faqe 19. Pastaj bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë Gjonin 7:17. Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të dhënë mësim te Predikoni Ungjillin Tim dhe Gjoni 7:17, duke pyetur:

  • Çfarë ndryshimi ka midis njohurisë rreth shkrimeve të shenjta dhe të jetuarit të mësimeve që gjenden në shkrimet e shenjta? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të kuptojnë këtë parim: Kur ne jetojmë sipas mësimeve të ungjillit, Fryma e Shenjtë do të dëshmojë për të vërtetën e atyre parimeve dhe do ta forcojë besimin, njohurinë dhe dëshminë tonë.)

Shpjegoni se Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për rëndësinë e të vepruarit sipas asaj që mësojmë. Paraqiteni citimin vijues dhe kërkojini një vullnetari t’ia lexojë me zë të lartë klasës:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Si nxënës të ungjillit, ne duhet të jemi ‘bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues’ (Jakobi [Bibël] 1:22). Zemrat tona hapen ndaj ndikimit të Frymës së Shenjtë kur ne e ushtrojmë si duhet lirinë e zgjedhjes dhe veprojmë në përputhje me parime të sakta – dhe kështu ne ftojmë mësimdhënien dhe fuqinë e Tij dëshmuese” (“Duke Ndenjur Zgjuar … me Çdo Ngulmim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 42).

  • Çfarë do të thotë të jemi bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues?

  • Si e thellon kuptueshmërinë tonë të vepruarit “në përputhje me parime[t e] sakta” në një mënyrë që vetëm studimi nuk mund ta bëjë?

  • Si ju ka lejuar të vepruarit në përputhje me parimet e sakta që të fitoni një kuptueshmëri dhe dëshmi më të thellë për një parim të ungjillit që po kërkonit ta jetonit?

Bëjeni një student ta lexojë paragrafin e dytë në faqen 19 te Predikoni Ungjillin Tim ndërkohë që klasa e ndjek, duke kërkuar mënyra shtesë në të cilat të jetuarit e ungjillit i prek zemrat dhe aftësitë e misionarëve. Pas leximit, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë bekimesh të tjera u vijnë misionarëve kur ata i jetojnë parimet e ungjillit të cilat e dinë se janë të vërteta? (Ndihmojini studentët ta pohojnë këtë parim: Teksa misionarët e jetojnë ungjillin, Fryma e Shenjtë ua shton dëshirën dhe aftësinë për ta ndarë ungjillin.)

  • Ndërsa keni qenë duke u përgatitur për një mision, si e ka shtuar Fryma e Shenjtë dëshirën tuaj për të shërbyer?

Ftesa ndaj Kërkuesve për të Ardhur në Kishë

Misionarët i ndihmojnë kërkuesit të përparojnë drejt pagëzimit duke i ftuar ata t’i mbajnë zotimet. Për shembull, shpjegojuni studentëve se kur kërkuesit vijnë në kishë, ata mund të marrin zbulesë më të madhe nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe të dëshirojnë të afrohen më pranë Perëndisë. Ardhja në kishë mund t’i ndihmojë kërkuesit të fitojnë një dëshmi për ungjillin e rivendosur dhe të përgatiten për t’u pagëzuar.

Tregojeni në praktikë se si ta ftoni dikë të vijë në kishë. Së pari, tregojini shkurtimisht bekimet që vijnë nëpërmjet ardhjes në kishë. Pastaj përdoreni broshurën për misionarët Rivendosja (faqet 22–23) për të shpjeguar atë që ndodh gjatë mbledhjes së sakramentit. Pastaj tregojeni në praktikë se si të bëni një ftesë ndaj një kërkuesi për t’i ndjekur mbledhjet e Kishës. Pas të treguarit në praktikë, bëjini studentët t’i ushtrojnë në interpretim me role hapat që ju treguat në praktikë me një partner. Lejojini secilit prej tyre të ketë radhën për t’i treguar shkurtimisht bekimet që marrin nëpërmjet ardhjes në kishë, për të shpjeguar atë që ndodh gjatë mbledhjes së sakramentit dhe për ta ftuar tjetrin të vijë në kishë.

Dëshmoni për doktrinat e ungjillit dhe parimet e trajtuara në mësim.

Ftesa për të Vepruar

Ftojini studentët ta bëjnë studimin vetjak të ungjillit një përparësi teksa përgatiten për të shërbyer në një mision. Veprimtaritë e sugjeruara vijuese mund t’i ndihmojnë studentët të përqendrohen tek të mësuarit me anë të Shpirtit:

  • Vendosni një zakon të studimit të përditshëm vetjak të ungjillit, përfshirë studimin dhe përsiatjen e Librit të Mormonit.

  • Lutuni në fillim të studimit tuaj të ungjillit që ta ftoni Shpirtin t’ju ndihmojë. Nëse nuk e keni bërë ende, filloni të përdorni një ditar studimi gjatë studimit tuaj vetjak të ungjillit.

  • Zgjidhni një nga idetë dhe sugjerimet për studimin e ungjillit që gjenden në faqet 22–24 te Predikoni Ungjillin Tim dhe bashkëngjiteni atë te studimi juaj vetjak këtë javë.