Instituti
Mësimi 1: Qëllimi Misionar


1

Qëllimi Misionar

Hyrje

Predikoni Ungjillin Tim na mëson se qëllimi i një misionari është t’i “fto[jë] të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ata të marrin ungjillin e rivendosur nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe Shlyerjes së Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 1). Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Misioni juaj do të jetë një mundësi e shenjtë për të sjellë të tjerët te Krishti dhe për të ndihmuar në përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit” (“Të Përgatisësh Botën për Ardhjen e Dytë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 51). Ky kurs mund t’i ndihmojë studentët tuaj të përgatiten për të marrë pjesë në mundësinë e shenjtë të punës misionare.

Përgatitja Paraprake

Sugjerime për Mësimdhënien

Qëllimi i Punës Misionare

Kërkojuni studentëve të përcaktojnë veprimtaritë dhe detyrat që misionarët kryejnë rregullisht dhe renditini ato në tabelë. (Përgjigjet mund të përfshijnë vajtjen derë më derë, studimin, dhënien mësim, lutjen dhe shërbimin.)

Ftojeni një student të lexojë tekstin brenda kutisë “Qëllimi Juaj” në faqen 1 te Predikoni Ungjillin Tim. (Duke qenë se kjo është mbledhja e parë e klasës, shumë studentë mund të mos kenë me vete një kopje të manualit Predikoni Ungjillin Tim, ndaj mund t’ju duhet të shpërndani fotokopje të kësaj faqeje dhe faqeve të tjera të lidhura me të.)

Pas kësaj, ftojini studentët ta krahasojnë thënien për qëllimin misionar me listën e detyrave në tabelë dhe pyetni:

  • Në ç’mënyrë të kuptuarit e thënies për qëllimin misionar e zgjeron kuptimin tuaj për atë që bëjnë misionarët? Si u jep ky qëllim domethënie detyrave që kryejnë misionarët?

  • Cilat pjesë të kësaj thënieje për qëllimin e përcaktojnë përgjegjësinë e misionarit, dhe cilat pjesë përcaktojnë përgjegjësinë e kërkuesit?

  • Si mund t’ju bëjë një misionar më të efektshëm po ta bëni këtë thënie për qëllimin parimin udhërrëyes në punën tuaj? (Thënia për qëllimin i jep drejtim punës që bën një misionar. Ajo i ndihmon misionarët të përqendrohen më pak në kryerjen e detyrave dhe më shumë në përmbushjen e qëllimit të tyre të vërtetë.)

Për t’i ndihmuar pjesëtarët e klasës ta kuptojnë më mirë qëllimin e punës misionare, ftojini ata të kalojnë te faqja 2 te Predikoni Ungjillin Tim, dhe më pas kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë paragrafin e fundit, që fillon me “Ju jeni thirrur”.

Si klasë, diskutoni për pyetjet vijuese:

  • Sipas këtij paragrafi, çfarë duhet të bëjë një person që të vijë te Shpëtimtari?

  • Sipas këtij paragrafi, çfarë bën një misionar për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Jezu Krishti?

Jepini secilit student një kopje të fletushkës “Qëllimi Ynë Misionar”. Fletushka përmban një pjesë të një fjalimi të dhënë nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Caktojini studentët në grupe të vogla, ose ftojini ata të formojnë vetë grupet e tyre. Kërkojuni grupeve ta lexojnë së bashku fletushkën dhe të diskutojnë për pyetjet në fund.

Pamja
fletushka Qëllimi Ynë Misionar

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar dhe për të diskutuar për vërejtjet e Plakut Kristoferson, kërkojuni disa studentëve të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet për diskutim. Më pas, pyetini për të mëposhtmet:

  • Si mund të filloni të përqendroheni te thënia për qëllimin misionar? (Përgjigjet mund të përfshijnë ndonjë nga të mëposhtmet: studentët mund të zgjedhin ta mësojnë përmendsh, ata mund ta hedhin në letër dhe ta vendosin atje ku mund ta shohin çdo ditë, mund të luten për ndihmë për ta kuptuar atë më mirë, ose mund të kërkojnë elementë të këtij qëllimi si pjesë të studimit të tyre të shkrimeve të shenjta.)

Bëjeni një student ta lexojë me zë të lartë citimin vijues nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ne nuk predikojmë dhe japim mësim që ‘t’i sjellim njerëzit në Kishë’ ose që të shtojmë anëtarësinë e Kishës. Ne nuk predikojmë dhe japim mësim thjesht që t’i bindim njerëzit për të jetuar jetë më të mirë. … Ne i ftojmë të gjithë të vijnë te Krishti nëpërmjet pendimit dhe pagëzimit dhe konfirmimit me qëllim që të hapen dyert e mbretërisë çelestiale për bijtë dhe bijat e Perëndisë [shih DeB 76: 51–52]. Askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë” (“The Purpose of Missionary Work”, transmetim satelitor për misionarët, prill 1995).

  • Përse është e rëndësishme të kujtojmë se predikimi i ungjillit ka të bëjë me diçka shumë më të madhe sesa thjesht ndihma ndaj dikujt për t’u bërë një anëtar i Kishës? (Shih edhe 3 Nefi 11:33–34.)

  • Çfarë mendimesh keni teksa merrni parasysh se ju do të ndihmoni për “të hap[ur] dyert e mbretërisë çelestiale” për ata që do të mësoni?

Ftojini studentët të marrin parasysh mënyrën se si ata mund ta zbatojnë qëllimin misionar në jetën e tyre, dhe kërkojuni atyre të marrin parasysh nëse shtysat e tyre vetjake për të shërbyer në një mision përputhen me thënien për qëllimin misionar që gjendet te Predikoni Ungjillin Tim. Kërkojuni studentëve të marrin një çast për të shkruar në një copë letre ose në ditarin e studimit se çfarë veprimesh të posaçme mund të ndërmarrin për t’i sjellë më mirë në një linjë arsyet e tyre për të shërbyer në një mision me këtë thënie për qëllimin.

Dhënia Mësim e Doktrinës së Krishtit

Shpjegojini klasës se Shpëtimtari shpalli se një nga qëllimet kryesore të Librit të Mormonit është të “nxjerr[ë] në dritë ungjillin tim [dhe] çështjet e vërteta të doktrinës sime” (DeB 10:62). Doktrina e Krishtit përfshin urdhërimin se i gjithë njerëzimi beson te Jezu Krishti si Zoti dhe Shpëtimtari, pendohet për mëkatin, pagëzohet dhe merr Shpirtin (shih 3 Nefi 11:32). Shkruajeni sa vijon në tabelë:

2 Nefi 31:2, 10–21;   3 Nefi 11:31–41;   3 Nefi 27:13–21.

Ndajeni klasën në tre grupe. Kërkojini njërit grup të studiojë 2 Nefin 31:2, 10–21; kërkojini grupit të dytë të studiojë 3 Nefin 11:31–41 dhe kërkojini grupit të tretë të studiojë 3 Nefin 27:13–22. Kërkojini secilit grup të lexojë vargjet e tyre dhe të përcaktojë se çfarë kërkohet ndaj atyre që kërkojnë ta ndjekin Jezu Krishtin. Ju mund t’i nxitni studentët të theksojnë me ngjyrë ose t’i shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta të vërtetat e caktuara rreth doktrinës dhe ungjillit të Jezu Krishtit.

Pasi studentët të kenë pasur disa minuta kohë për t’i shqyrtuar këto fragmente, kërkojuni atyre të renditin poshtë secilës referencë në tabelë veprimet e caktuara që kërkohen nga ndjekësit e Jezu Krishtit.

Më pas, bëni pyetje si të mëposhtmet:

  • Nëse dikush do t’ju pyeste a besojnë mormonët te Jezu Krishti, si do t’ju ndihmonin këto tre fragmente të shkrimeve të shenjta në tabelë për t’iu përgjigjur pyetjes?

  • Si do t’ia shpjegonit me vetë fjalët tuaja doktrinën ose ungjillin e Jezu Krishtit dikujt që nuk e di se çfarë është?

  • Disa njerëz mund t’ju pyesin përse misionarët po u predikojnë njerëzve që tashmë besojnë te Jezu Krishti. Si ju ndihmon doktrina e Krishtit, siç përvijohet në këto shkrime të shenjta në tabelë, t’i përgjigjeni asaj pyetjeje?

Ndërkohë që studentët përgjigjen, sigurohuni që ata e kuptojnë se doktrina e Krishtit përbëhet nga 1) ajo që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Jezu Krishti për të na sjellë më afër Atit (shih Alma 33:22; DeB 76:40–42) dhe 2) ajo që ne duhet të bëjmë për të qenë të denjë për të marrë bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit, përfshirë të pasurit e besimit, pendimin, pagëzimin, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund (shih 3 Nefi 27:16–21).

Drejtojini përsëri studentët te thënia për qëllimin misionar në tabelë dhe pyetni:

  • Si lidhet doktrina e Krishtit me qëllimin e punës misionare?

Ndërkohë që studentët diskutojnë për këtë pyetje, ata kanë mundësi ta shprehin të vërtetën në vijim: Misionarët e përmbushin qëllimin e tyre duke i ndihmuar kërkuesit ta pranojnë doktrinën e Krishtit, të zhvillojnë besimin, të pendohen, të pagëzohen, të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të durojnë deri në fund.

Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve që kërkuesit duhet të veprojnë sipas doktrinës së Krishtit për ta marrë ungjillin e rivendosur, bëjini studentët të kalojnë te faqja 5 dhe 6 te Predikoni Ungjillin Tim, dhe kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë dy paragrafët e parë në pjesën e titulluar “Ungjilli i Jezu Krishtit”. Më pas, bëni pyetje si ato në vijim për t’i ndihmuar studentët tuaj të kuptojnë arsyen përse është e rëndësishme që kërkuesit të veprojnë me besim:

  • Çfarë prove mund të kërkojë një misionar për të përcaktuar nëse një kërkues po e ushtron besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, po pendohet dhe po përgatitet për të marrë besëlidhjen e pagëzimit?

Pasi studentët të përgjigjen, shpjegojuni se misionarët shpesh shqetësohen për të thënë dhe bërë gjënë e duhur. Megjithatë, më e rëndësishme se ajo që thonë dhe bëjnë misionarët është që kërkuesit të veprojnë me besim sipas asaj që u jepet mësim. Një nga teknikat më të rëndësishme që mund të zhvillojë një misionar është që të dallojë nëpërmjet Shpirtit nëse një kërkues po vepron me të vërtetë me besim dhe po kthehet në besim.

  • Çfarë prove mund të kërkojë një misionar për të përcaktuar a ishte i pranishëm Fryma e Shenjtë gjatë një mësimi dhe po ndihej nga një kërkues?

  • Çfarë mund të bëjnë misionarët e ardhshëm për ta kuptuar më mirë dhe për ta zbatuar doktrinën e Krishtit? (Përgjigjet mund të përfshijnë ndonjë nga të mëposhtmet: të luten me besim për kuptueshmëri më të madhe, të studiojnë anë të posaçme nga shkrimi i shenjtë për doktrinën e Krishtit të tilla si Shlyerja e Jezu Krishtit dhe parimet e ordinancat e para të ungjillit, të flasin me të tjerët për atë që kanë bërë për ta rritur besimin e tyre në Jezu Krisht, të studiojnë lutjet e sakramentit për kuptueshmëri më të madhe për besëlidhjet e pagëzimit dhe kështu me radhë.)

Shfaqni materialin filmik “The Purpose of Missionary Work: Robles Family” [“Qëllimi i Punës Misionare: Familja Robëlls”] (09:19), dhe kërkojuni pjesëtarëve të klasës të mbajnë shënime rreth asaj që bënë misionarët për ta ndihmuar familjen Robëlls të vijë te Krishti.

Pasi ta shfaqni materialin filmik, bëni pyetje si të mëposhtmet për t’i ndihmuar studentët të shpjegojnë atë që bënë misionarët për ta përmbushur qëllimin e tyre:

  • Çfarë bënë këta misionarë për ta ndihmuar familjen Robëlls të rritej në besim? (Përgjigjet mund të përfshijnë të mëposhtmet: i nxitën ata të luten rreth Librit të Mormonit, iu përgjigjën pyetjeve të tyre, u mësuan atyre përse është e rëndësishme t’u binden urdhërimeve, i bënë të zotoheshin për t’i zbatuar urdhërimet, i ndihmuan për të marrë ordinancën e pagëzimit, u siguruan që lagjja të ishte e përfshirë në jetën e tyre dhe i nxitën që të punonin për të shkuar në tempull.)

  • Përse edhe dhënia mësim ndaj kërkuesve edhe të ftuarit e tyre për të ardhur te Krishti janë anë të rëndësishme të asaj që bëjnë misionarët?

  • Çfarë prove patë ju se besimi i pjesëtarëve të familjes Robëlls u rrit dhe se ata u ndihen më në harmoni me Shpirtin e Krishtit?

Jepuni studentëve tuaj disa minuta për ta studiuar pjesën e titulluar “Duke Ndihmuar të Tjerët të Marrin Zotime: Porta drejt Besimit dhe Pendimit” te Predikoni Ungjillin Tim, faqe 8. Më pas, caktojini studentët që të ndahen në dyshe dhe sipas radhës të tregojnë se si ndihen rreth të ftuarit e të tjerëve për t’i mbajtur zotimet. Çfarë frike apo shqetësimesh kanë ata? Çfarë i ndihmon ata të kenë mirëbesim se do të jenë në gjendje ta bëjnë atë? Më pas, bëni pyetjet vijuese:

  • Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit e doktrinës së Krishtit që t’i ftoni kërkuesit të bëjnë zotime?

  • Përse Plaku Xhefri R. Holland tha se një misionar duhet të jetë “[i] dëshpëruar” kur njerëzit nuk e ndjekin zotimin për ta lexuar Librin e Mormonit apo për t’u lutur për të?

Ftojeni klasën të përfytyrojë se si mund të ndihen për t’i ndihmuar njerëzit të bëjnë ndryshime dhe të pagëzohen. Pyetni nëse ndonjë prej tyre ka ndihmuar një mik ose pjesëtar të familjes të vijë te Krishti dhe ftojini ata të tregojnë se si u ndien që ndihmuan në atë proces.

Detyra më e Madhe

Diskutoni rreth mënyrës se si misionarët kanë autoritetin për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve të Atit Qiellor dhe për t’i ndihmuar ata të marrin ordinancat që do t’u lejojnë atyre gëzimin e bekimeve të Shlyerjes. Paraqitini thëniet vijuese dhe kërkojini një studenti t’ia lexojë ato klasës me zë të lartë:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin” (Jozef Smith, cituar nga Predikoni Ungjillin Tim, f. 12).

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

Dhënia mësim e ungjillit është më e rëndësishme sesa veprat e tjera të mira. Ju jeni në punën më të madhe në botë, dhe asgjë në këtë botë nuk mund të krahasohet me të. Ndërtimi i shtëpive dhe i urave nuk është asgjë. Ndërtimi i botëve nuk është asgjë krahasuar me jetët që ju po ndërtoni. Shpëtimi i jetës tokësore nuk është ndonjë arritje e rëndësishme në krahasim me atë që ju po bëni. Ju mund të shkoni te një nga këto varreza dhe të ngrini të vdekurit, madje një mijë ose dhjetëra mijëra prej tyre, dhe nuk keni bërë asgjë krahasuar me atë që po bëni kur i shpëtoni njerëzit” (The Teachings of Spencer W. Kimball [1982], f. 547).

Pyetini studentët tuaj nëse disa prej tyre do të tregonin arsyen përse mendojnë se predikimi i ungjillit është detyra më e rëndësishme që kemi. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se nëpërmjet predikimit të ungjillit, ne i ndihmojmë të tjerët për të marrë bekimet e Shlyerjes.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:10, 15–16 ndërkohë që klasa e ndjek, duke kërkuar bekimet që u vijnë atyre që e predikojnë ungjillin dhe atyre që e pranojnë atë. Më pas, pyetni:

  • Cilat janë disa nga bekimet që u vijnë atyre që e predikojnë ungjillin dhe atyre që u mësohet ungjilli?

Shpjegoni se puna misionare mund të jetë gjithashtu sfiduese. Bëjeni një student të lexojë citimin vijues nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Jam i bindur se puna misionare nuk është e lehtë sepse shpëtimi nuk është një përvojë e arritur lehtë. Shpëtimi nuk qe asnjëherë i lehtë. Ne jemi Kisha e Jezu Krishtit, kjo është e vërteta dhe Ai është Kreu ynë i Madh i Përjetshëm. Si mundemi ne të besojmë se do të ishte e lehtë për ne, kur nuk qe asnjëherë e tillë për Të? Më duket se misionarët dhe udhëheqësit e misionit duhet të kalojnë të paktën disa çaste në Gjetseman. Misionarët dhe udhëheqësit e misionit duhet të ndërmarrin të paktën një hap ose dy drejt majës së Kalvarit.

… Unë besoj se misionarët dhe kërkuesit, që të vijnë tek e vërteta, që të vijnë drejt shpëtimit, që të dinë diçka rreth këtij çmimi që është paguar, do të duhet të paguajnë një shumë simbolike nga i njëjti çmim” (“Missionary Work and the Atonement”, Ensign, mars 2001, f. 15).

  • Si do t’ju ndihmojë ky këndvështrim mbi punën misionare kur përjetoni sfida si një misionar?

Ndërsa e përfundoni orën mësimore, merrni parasysh t’u jepni studentëve disa minuta kohë për ta hedhur në letër atë që kanë mësuar për marrëdhënien midis punës misionare dhe doktrinës së Krishtit. Nxitini studentët të vendosin një synim për atë që mund të bëjnë për ta kuptuar më mirë doktrinën e Krishtit ndërsa përgatiten për misionet e tyre. Pyetini studentët nëse ndonjëri prej tyre do të dëshironte t’i jepte klasës dëshminë e vet. Shprehni dëshminë tuaj se nëse studentët do të mësojnë dhe veprojnë sipas doktrinës së Krishtit, ata do të jenë më të suksesshëm si misionarë.

Ftesa për të Vepruar

Shpjegojuni studentëve se përgatitja e efektshme për një mision kohëplotë kërkon përpjekje jashtë klasës. Prandaj, në mbyllje të çdo mësimi, ju do të jepni veprimtari sugjeruese të hartuara për t’i ndihmuar ata të bëhen më të përgatitur për të shërbyer në një mision. Për t’i ndihmuar studentët që të fillojnë tani për të marrë pjesë në punën e Zotit, sfidojini ata të bëjnë një ose më shumë nga të mëposhtmet:

  • Duke përdorur median shoqërore, tregojuni të tjerëve përse jeni të ngazëllyer që të shërbeni në një mision dhe çfarë jeni duke bërë për t’u përgatitur.

  • Shihni disa nga materialet filmike që gjenden te pjesa Përshpejtimi i Punës së Shpëtimit tek adresa LDS.org dhe hidhni në ditarin e studimit ndjenjat që keni ndërsa merrni parasysh mundësinë tuaj për të marrë pjesë në punën e shpëtimit.

  • Ftojeni një mik për të marrë pjesë me ju në këtë klasë të përgatitjes së misionarëve. (Ju mund t’ua drejtoni këtë ftesë studentëve në fund të çdo ore mësimore.)

  • Ftojeni një joanëtar ose mik anëtar më pak aktiv që të marrë mësimet nga misionarët.