Instituti
Hyrje te Manuali i Mësuesit – Përgatitja Misionare (Feja 130)


Hyrje te Manuali i Mësuesit – Përgatitja Misionare (Feja 130)

Synimi Ynë

Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë shpall:

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatisin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 1).

Si një mësues instituti, ju mund të ndihmoni për ta arritur këtë synim ndërsa e jepni mësim ungjillin me efektshmëri: “Ne u mësojmë studentëve doktrinat dhe parimet e ungjillit siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Këto doktrina e parime u jepen mësim në një mënyrë që çon drejt kuptueshmërisë dhe ngritjes shpirtërore. Ne i ndihmojmë studentët të përmbushin rolin e tyre në procesin e të nxënit dhe i përgatisim ata t’ua mësojnë ungjillin të tjerëve” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. x).

Bazat e Mësimdhënies dhe të Të Nxënit të Ungjillit do t’ju ndihmojnë si juve edhe studentët tuaj të përmbushni Synimin e Seminareve dhe Instituteve të Fesë ndërsa i studioni së bashku shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve dhe Predikoni Ungjillin Tim. Këto baza janë si vijon:

  • Të japin mësim dhe të nxënë me anë të Shpirtit.

  • Të kultivojnë një mjedis nxënieje të mbushur me dashuri, respekt dhe qëllimshmëri.

  • Të studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta lexojnë tekstin e kursit.

  • Të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve.

  • Të dallojnë, të kuptojnë, të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e saj, si dhe t’i zbatojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • Të shpjegojnë, të tregojnë e të dëshmojnë për doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • Të zotërojnë fragmentet kyçe të shkrimeve të shenjta dhe Doktrinat Bazë.

“Kur zbatohen me mençuri dhe në harmoni me njëra-tjetrën, [këto baza] kontribuojnë në aftësinë e studentëve për të kuptuar shkrimet e shenjta dhe doktrinat e parimet që ato përmbajnë. Ato gjithashtu i nxisin studentët që të ndërmarrin një rol aktiv në nxënien e tyre të ungjillit dhe rrisin aftësinë e studentëve për ta jetuar ungjillin dhe për t’ua mësuar atë të tjerëve” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 12). Këto baza duhet të shihen si rezultate sesa si metoda mësimdhënieje (shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 12). Sugjerimet për mësimdhënien në këtë manual paraqitin mënyra për t’i arritur këto rezultate gjatë mësimdhënies suaj.

Qëllimi i Këtij Kursi

Feja 130: Përgatitja Misionare është hartuar për të ndihmuar në përgatitjen e studentëve për shërbimin misionar kohëplotë duke u përqendruar te doktrinat, parimet dhe këshillat që gjenden te shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve dhe te manuali Predikoni Ungjillin Tim. Ky manual, shkrimet e shenjta dhe manuali Predikoni Ungjillin Tim janë tekstet kryesore ndërsa përgatiteni dhe e jepni mësim këtë kurs. Predikoni Ungjillin Tim shërben si një manual studenti për këtë kurs, kështu që ju duhet t’i nxitni studentët të marrin një kopje vetjake për vetë studimin e tyre dhe ta përdorin në klasë. Ju do ta bekoni jetën e studentëve tuaj ndërsa i ndihmoni të njihen me të dhe ta përdorin atë gjatë përgatitjes së tyre për të shërbyer në një mision.

Si Janë Organizuar Mësimet

Ky manual është hartuar për t’u ardhur në ndihmë mësuesve të sapothirrur si dhe atyre me përvojë. Kursi është hartuar që të zgjatë një semestër dhe është ndarë në 15 mësime. Çdo mësim është hartuar që të jepet gjatë një ore mësimore 90-minutëshe. Nëse ora juaj mësimore zgjat më pak se 90 minuta, ju mund të zgjidhni ose t’i shkurtoni mësimet ose t’i ndani ato në pjesë të shumta që të jepen mësim gjatë dy ose më shumë orëve mësimore.

Çdo mësim në manual përbëhet nga pesë pjesë:

  • Hyrje

  • Përgatitja Paraprake

  • Sugjerime për Mësimdhënien

  • Ndihmat për Mësimdhënien

  • Ftesa për të Vepruar

Hyrje

Çdo mësim fillon me një hyrje të shkurtër që përmbledh doktrinat, parimet dhe idetë kryesore që trajtohen në mësim.

Përgatitja Paraprake

Kjo pjesë përfshin burime kryesore për t’u studiuar dhe gjithashtu rendit burimet (për shembull, materiale filmike, fletushka dhe kështu me radhë) që përdoren në çdo përvijim të mësimit dhe që do t’ju duhet t’i përgatitni paraprakisht. Për shembull, kur mësimi sugjeron të shfaqni një material filmik, mund të jetë diçka e urtë ta shkarkoni ose në rast të kundërt ta përgatitni materialin filmik përpara kohe.

Sugjerime për Mësimdhënien

Kjo pjesë jep sugjerime për të dhënë mësim temat e përshkruara të kursit. Si mësues, ju duhet ta studioni këtë pjesë me kujdes. Sugjerimet për mësimdhënien në këtë manual ndjekin modelin e përshkruar te kapitulli 3 i Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Ato tregojnë se si t’i përfshini Bazat e Mësimdhënies dhe të Të Nxënit të Ungjillit në mësimdhënien tuaj për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë dhe t’i vënë në zbatim parimet e ungjillit dhe ta rritin kthimin e tyre vetjak në besim.

Në strukturën e çdo mësimi, ju do të gjeni disa doktrina, parime dhe të vërteta kyçe që janë shtypur me germa të theksuara. Këto doktrina dhe parime përcaktohen në programin mësimor pasi 1) ato pasqyrojnë të vërteta të rëndësishme që gjenden te shkrimet e shenjta dhe te manuali Predikoni Ungjillin Tim, 2) ato gjejnë veçanërisht zbatim për nevojat dhe rrethanat e misionarëve të ardhshëm ose 3) ato janë të vërteta kyçe që mund t’i ndihmojnë studentët të thellojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin dhe i përgatitin ata për shërbimin misionar kohëplotë. Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, këshilloi: “Ndërkohë që përgatitni një mësim, kërkoni në të parime të kthimit në besim. … Një parim që të kthen në besim është një parim që çon në bindjen ndaj vullnetit të Perëndisë” (“Converting Principles” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 2 shkurt 1996], f. 1; si.lds.org). Jini të vetëdijshëm se ky manual nuk përpiqet t’i përcaktojë të gjitha doktrinat dhe parimet që mund të jepen në një mësim, dhe ju mund të udhëhiqeni nga Shpirti për të dhënë mësim parime dhe doktrina të tjera që nuk trajtohen në materialet mësimore. Për më shumë ide mbi përshtatjen e mësimeve, shih pjesën më poshtë “Vendosni Çfarë dhe Si do të Jepni Mësim”.

Ndihmat për Mësimdhënien

Ndihmat për mësimdhënien shfaqen në kuti gjatë gjithë mësimeve dhe ofrojnë udhërrëfim mbi metoda, zotësi dhe teknika të mësimdhënies. Ato janë hartuar që të ofrojnë pikëpamje të shtuar te parimet bazë të edukimit fetar. Kërkoni mënyra për t’i vënë në jetë këto ndihma në mënyrë të efektshme dhe të vazhdueshme gjatë mësimdhënies suaj.

Ftesa për të Vepruar

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Shpresa ime më e zjarrtë për secilin prej jush [misionarëve të ardhshëm], është që ju nuk do të shkoni thjesht në mision – por që ju do të bëheni misionarë shumë kohë përpara se të dorëzoni letrat tuaja të misionit, shumë kohë përpara se ta merrni thirrjen për të shërbyer, shumë kohë përpara se të veçoheni nga presidenti juaj i kunjit dhe shumë kohë përpara se të hyni në QTM” (“Becoming a Missionary”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 45). Sipas këtij koncepti, çdo mësim përmban veprimtari sugjeruese për t’i nxitur misionarët e ardhshëm të fillojnë të mendojnë, veprojnë dhe shërbejnë si misionarë përpara se të hyjnë në qendrën e trajnimit të misionarëve. Veprimtaritë që gjenden në këtë pjesë i nxitin pjesëtarët e klasës ta ushtrojnë në shtëpi atë që kanë mësuar në klasë. Ka mënyra të ndryshme për t’i caktuar ose sugjeruar këto veprimtari. Për shembull, ju mund t’i shpërndani një fletushkë gjatë orës së parë mësimore që rendit veprimtaritë e rekomanduara për çdo javë në semestër. Ju gjithashtu mund ta shkruani listën javore të veprimtarive në tabelë ose t’i dërgoni studentëve tuaj një mesazh javor me tekst ose një mesazh elektronik.

Vendosni Çfarë dhe Si do të Jepni Mësim

Përzgjidhni Idetë për Mësimdhënien që i Përmbushin Nevojat e Studentëve

Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, ju mund t’i bëni vetes pyetje si këto: Çfarë metodash apo veprimtarish nxënieje do t’i ndihmojnë studentët e mi ta kuptojnë atë që ata duhet të dinë? Çfarë do t’i ndihmojë studentët e mi të përcaktojnë, kuptojnë dhe shpjegojnë doktrinat dhe parimet kyçe? Çfarë mund të bëj unë për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e këtyre doktrinave dhe parimeve? Si mund t’i ndihmoj studentët t’i zbatojnë këto doktrina dhe parime në vetë jetën e tyre?

Ky manual është hartuar t’ju ndihmojë në procesin e planifikimit të mësimit. Shqyrtojeni me kujdes materialin mësimor. Përzgjidhini idetë për mësimdhënien që i përmbushin më së miri nevojat e studentëve tuaj dhe bëjini ato të përputhen me stilin tuaj individual të mësimdhënies. Fryma e Shenjtë do t’ju udhërrëfejë në këtë proces. Ju mund të zgjidhni t’i përdorni të gjitha sugjerimet e programit mësimor ose pjesë të saj, ose mund t’i përshtatni idetë e sugjeruara me nevojat dhe rrethanat e klasës suaj. Ndërsa përcaktoni se si t’i përshtatni materialet mësimore, kujtoni që të përgatiteni tërësisht dhe gjithashtu ta lejoni Shpirtin t’ju udhëheqë. Merreni parasysh këtë këshillë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ne së pari e përvetësojmë, pastaj e përshtatim. Nëse e njohim mirë mësimin e përshkruar që duhet të japim, atëherë ne mund ta ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [transmetim satelitor i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, 7 gusht 2012], f. 6; si.lds.org).

Jepuni Studentëve Mundësi Mësimdhënieje

Një nga gjërat më të rëndësishme që ju mund të bëni si mësues i këtij kursi, është t’u jepni studentëve mundësi të shumta për ta ushtruar mësimdhënien dhe për të dëshmuar gjatë orës mësimore, duke qenë se shumë të rinjve u mungon mirëbesimi në dhënien mësim të doktrinave dhe parimeve të ungjillit. Jepuni studentëve rastin t’u përgjigjen pyetjeve, t’ua shpjegojnë të vërtetat e ungjillit pjesëtarëve të tjerë të klasës dhe të japin mësimet e misionarëve që gjenden te manuali Predikoni Ungjillin Tim. Ndërsa misionarët e ardhshëm arrijnë ta kuptojnë se si doktrinat dhe parimet e ungjillit të çojnë drejt shpëtimit, ata do ta japin mësim ungjillin me sinqeritet dhe fuqi më të madhe.

Përveçse të mësojnë se çfarë të thonë dhe bëjnë, misionarët e ardhshëm duhet të mësojnë të përqendrohen te nevojat e kërkuesve dhe të dallojnë me anë të Shpirtit se për çfarë ka nevojë çdo kërkues me qëllim që të vazhdojë në shtegun drejt kthimit në besim. Ndihmojini studentët të kuptojnë se kthimi i fundit në besim i kërkuesit varet më pak nga ajo që thotë dhe bën një misionar sesa nga fakti a vepron kërkuesi me besim. Misionarët më të efektshëm i kushtojnë vëmendje të kujdesshme asaj që thonë dhe bëjnë kërkuesit dhe më pas me dashuri i ndihmojnë ata të përparojnë drejt kthimit në besim.

Përkufizojini Pritshmëritë për Studentët

Sugjerimet e mëposhtme mund të jenë të dobishme teksa i përgatitni dhe i jepni mësimet:

  • Caktoni studentë që të lexojnë pjesë të zbatueshme te Predikoni Ungjillin Tim ose mesazhe të konferencës së përgjithshme përpara çdo mësimi. Merrni parasysh t’u jepni studentëve një plan mësimor ose përvijim të kursit në fillim të tij që shpjegon se çfarë do të jepet mësim gjatë çdo ore mësimore dhe se çfarë duhet të lexojnë studentët gjatë përgatitjes për secilën orë mësimore. Studentët të cilët e përgatitin veten përpara kohe me më tepër gjasë do të marrin mësim nëpërmjet Frymës së Shenjtë gjatë mësimeve.

  • Prisni që studentët të përmbushin rolin e tyre si studentë (shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 6, 17, 61).

  • Lejojini studentët t’i zbulojnë vetë të vërtetat e ungjillit. Studentët lartësohen kur i drejtoni përmes një procesi të mësuari, që është i ngjashëm me atë që përjetuat gjatë përgatitjes së mësimit. Ndërsa studentët i zbulojnë vetë doktrinat dhe parimet, jepuni atyre mundësi që t’i shpjegojnë këto të vërteta me vetë fjalët e tyre dhe të tregojnë e të dëshmojnë për atë që dinë, se si ndihen dhe çfarë kanë në plan të bëjnë.

  • Krijoni një mjedis ku studentët mund ta ndiejnë Shpirtin e Zotin ndërsa japin mësim dhe mësojnë nga njëri-tjetri (shih DeB 88:78, 122).

  • Nxitini studentët të sjellin një kopje vetjake të shkrimeve të shenjta, një kopje të manualit Predikoni Ungjillin Tim dhe një ditar studimi në çdo orë mësimore. Shpjegojuni se çfarë është një ditar studimi dhe se si ta përdorin atë.

Ndërsa vendosni çfarë dhe si të jepni mësim, mbajini në mendje këto fjalë nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Kam vërejtur një karakteristikë të ngjashme midis mësuesve që kanë pasur ndikimin më të madh në jetën time. Ata më kanë ndihmuar të kërkoj nxënien me anë të besimit. Ata nuk pranuan të më japin përgjigje të lehta për pyetje të vështira. Në fakt, nuk më kanë dhënë fare përgjigje. Përkundrazi, ata më treguan mënyrën dhe më ndihmuan të ndërmerrja hapat për t’i gjetur vetë përgjigjet e mia. Sigurisht që nuk e vlerësova përherë këtë qasje, por përvoja më ka dhënë mundësinë të kuptoj se një përgjigje e dhënë nga një person tjetër zakonisht nuk mbahet mend shumë gjatë, as nuk mbahet mend fare. Por një përgjigje që e zbulojmë ose e marrim nëpërmjet ushtrimit të besimit, zakonisht, kujtohet për gjithë jetën” (“Seek Learning by Faith” [një mbrëmje me Plakun Dejvid A. Bednar, 3 shkurt 2006], f. 5; si.lds.org).

Veprimtaritë me Mësimdhënie

Ka një mori mënyrash për t’i përshtatur veprimtaritë me mësimdhënie në klasë që sugjerohen në planet mësimore. Përgjithësisht është e dobishme që trajtat e veprimtarive të bëhen të larmishme që të ndihmojnë për t’i mbajtur studentët të interesuar dhe përqendruar. Për shembull, gjatë interpretimeve me role, merrni parasysh t’i ftoni studentët të ndërrojnë rolet si misionarë edhe si kërkues dhe si vlerësues aty ku gjen zbatim. Ju gjithashtu mund të merrni pjesë në secilin prej roleve kur nevojitet.

Pamja
grupet e diagramit 4
Pamja
grupet e diagramit 2, 3

M = Misionar; I = Kërkues; E = Vlerësues

Modeli i Trajnimit

Modeli i trajnimit që përdoret në programin mësimor të QTM-së mund të përshtatet për t’u përdorur në këtë kurs që t’i ndihmojë studentët të zhvillojnë zotësi dhe aftësi. Elementet e këtij modeli mund të përdoren në çdo rast dhe të përsëriten për ta përmbushur më mirë synimin për t’i ndihmuar studentët të përmirësohen nëpërmjet të ushtruarit.

Shpjegoni – Tregoni në Praktikë– Ushtrojeni –Vlerësojeni – Ushtrojeni Sërish

Shpjegoni

Shpjegoni koncepte dhe zotësi që duhet t’i dinë studentët dhe jepuni mësim se si këto zotësi dhe koncepte ndihmojnë për ta përmbushur qëllimin e një misionari.

Tregoni në Praktikë

Jepni një shembull të asaj që duhet të bëjnë studentët. Kjo mund të arrihet me gjëra të treguar në praktikë drejtpërdrejt, materiale filmike ose mjete të tjera.

Ushtrojeni

Bëjini studentët t’i ushtrojnë zotësitë në dyshe ose grupe.

Vlerësojeni

Me reagimin e studentëve, përcaktoni gjërat që ata bëjnë mirë dhe mënyrat që mund t’i përmirësojë zotësitë e tyre. Jepuni zemër.

Ushtrojeni Sërish

Kur është e mundur, lejoni kohë për t’u ushtruar sërish.

Puna Misionare në Internet

Si misionarë kohëplotë, studentët tuaj do ta përdorin internetin si një mjet predikimi për të gjetur dhe për të komunikuar me kërkuesit, për të komunikuar me anëtarët, për të punuar me udhëheqësit vendorë të priftërisë dhe të misionit, për t’iu përgjigjur pyetjeve, për të marrë referenca dhe për të komunikuar me ta, për të ndjekur ecurinë e zotimeve, për të vërtetuar takimet dhe për të dhënë mësim parimet nga manuali Predikoni Ungjillin Tim. Sugjerimet e ndryshme gjatë gjithë këtij manuali do t’ju ndihmojnë t’i nxitni studentët të fillojnë ta shpërndajnë ungjillin duke përdorur mjetet në internet.

Si mësuesi për këtë kurs, ju mund të përfitoni nga mjetet elektronike duke komunikuar me studentët tuaj gjatë javës duke përdorur mesazhet me celular ose median shoqërore për të ndjekur ecurinë e detyrave në klasë, për t’i nxitur ata të studiojnë përpara se të vijnë në klasë ose për t’u kujtuar atyre që ta lexojnë Librin e Mormonit përditë.

Përshtateni Mësimin Për Njerëzit me Paaftësi

Kur u jepet mësim studentëve me paaftësi, mësuesit duhet t’i përshtatin mësimet për të plotësuar aftësitë e studentëve. Për shembull, për të përshtatur mësimet për studentë të cilët nuk mund të lexojnë, mund të merrni parasysh leximin nga ana juaj me zë të lartë, vënien e studentëve për të lexuar ose përdorimin e materialeve të regjistruara më parë (si variante zanore ose pamore të shkrimeve të shenjta, të manualit Predikoni Ungjillin Tim dhe të bisedave të konferencës së përgjithshme). Kur mësimet kërkojnë që të shkruhen përgjigjet, ju mund t’i nxitni studentët të japin përgjigje me gojë. Studentë të tjerë mund t’iu vijnë gjithashtu në ndihmë njerëzve me paaftësi duke iu lexuar materialet veçan ose duke i shkruar përgjigjet për ta.

Për më shumë ide dhe burime, drejtojuni faqes Disability Resources [Burime për Paaftësitë] te disabilities.lds.org dhe pjesës së manualit për rregulloren e Seminareve dhe Instituteve të Fesë, të titulluar “Orë dhe Programe Mësimore të Përshtatura për Studentët me Paaftësi”.