“Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin
Mënyra se si i ftojmë me dashuri fëmijët e Perëndisë që të marrin bekimet e Tij
Përfytyroni sikur po ecni në një shteg me një shok ose shoqe. Rruga është pa drita, por ju keni një elektrik dore për të ndriçuar udhën. Mund të përdorni elektrikun e dorës për ta bërë më të lehtë që të shihni se çfarë ndodhet para jush. Mirëpo, ngaqë dëshironi që rrugëtimi i shokut apo shoqes suaj të jetë më i lehtë, ju bëni dritë edhe për të.
Ne i ftojnë të gjithë njerëzit që ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit për të njëjtën arsye: ungjilli e bën të ndritshëm rrugëtimin tonë gjatë jetës. Ai u përgjigjet pyetjeve të shpirtit dhe na jep këndvështrim, paqe dhe gëzim. Prandaj flasim me fëmijët e Perëndisë për të, sepse i duam dhe dëshirojmë që të gjithë të përfitojnë nga drita e Tij (shihni tek 3 Nefi 18:24).
Çfarë do të Thotë t’i Ftojmë të Gjithë Njerëzit që ta Pranojnë Ungjillin e Jezu Krishtit?
Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne përpiqemi fort t’i ftojmë të gjithë njerëzit që ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit, sepse ai është një “[ungjill] paqe[je], që shpall lajme të mira” (Romakëve 10:15). Ne i ftojmë të tjerët ta pranojnë ungjillin “me anë të fjalës dhe të shembullit”. Kjo mund të ndodhë duke e shpërndarë ungjillin në jetën e përditshme, duke shërbyer si misionarët dhe duke “ndihm[uar] … anëtarët e rinj dhe ata që kthehen në Kishë, që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve”. Kur i ndihmojmë të tjerët “ta pranojnë ungjillin e rivendosur me anë të besimit te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, me anë të pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”, ne mund të përjetojmë gëzim të vërtetë.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Puna Misionare
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Kisha e Jezu Krishtit, Kthimi në Besim, Besëlidhja e Përjetshme, Mbledhja e Izraelit
Pjesa 1
Ne e Ndihmojmë Perëndinë ta Përmbushë Veprën e Tij Kur i Ftojmë të Gjithë Njerëzit që ta Pranojnë Ungjillin e Jezu Krishtit
Perëndia do që të gjithë fëmijët e Tij të dëgjojnë për ungjillin e Jezu Krishtit, që të gjithë të mund t’i marrin bekimet e tij. Një mënyrë se si Zoti e sjell ungjillin e Tij tek të tjerët, është duke na thirrur që ta “njoftoj[më] fjalën e tij mes popullit të tij” (3 Nefi 5:13). Ne ndiejmë gëzim teksa e përhapim fjalën e Tij, duke u dhënë të tjerëve mundësinë që të vijnë te Jezu Krishti dhe të ndiejnë ngushëllimin, shpresën dhe paqen e Tij.
Gjëra për t’i menduar
-
Çdo shpirt është i çmuar për Perëndinë. Ai do që të gjithë ne të kthehemi tek Ai. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 18:10–16 dhe mbajeni parasysh vlerën e fëmijëve të Perëndisë. Pse do Zoti që ta shpërndani ungjillin tek të tjerët? Mendoni për dikë që e ka shpërndarë ungjillin te ju ose ju ka ndihmuar që të vini te Krishti. Si do të ishte jeta juaj ndryshe nëse ai person nuk do ta kishte shpërndarë dritën e Shpëtimtarit te ju? Shënojini mbresat tuaja dhe pastaj shkruani se si mund ta shpërndani fjalën e Tij tek të tjerët.
-
Ne ia dalim mbanë ta shpërndajmë ungjillin kur i ftojmë të tjerët të mësojnë rreth tij ose thjesht të vijnë e të shohin se për çfarë bëhet fjalë. Ata mund të na e pranojnë ftesën, ose jo. Lexojeni pjesën e titulluar “Tregojeni Historinë Tuaj” te mesazhi i Plakut Diter F. Uhtdorf “Aventura Juaj e Madhërishme”. Merreni parasysh se kë mund të ftoni që të mësojë rreth ungjillit ose kë mund ta ftoni përsëri. Si mund ta tregoni dashurinë dhe respektin tuaj për atë person teksa e ftoni? Si mund ta ndihmojë kjo gjë atë person që ta ndiejë dashurinë e Shpëtimtarit për të?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Kur e shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit, është e rëndësishme të lidhemi me të tjerët në një mënyrë që ata duan ose kanë nevojë. Lexojini së bashku disa ide se si ta bëjmë këtë në pjesën “Gjejini Njerëzit Atje Ku Janë” në kapitullin 9 te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit. Bisedoni rreth pyetjeve dhe ideve në këtë pjesë dhe rrihni mendimet për të tjera. Më pas, luani me role një bashkëbisedim ku ju e ftoni dikë të mësojë rreth ungjillit. Pastaj, vërini në zbatim këto parime në vetë jetën juaj teksa i ftoni të tjerët të vijnë te Krishti.
-
Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 4 së bashku dhe bisedoni rreth asaj se kush thirret për ta shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit (shihni vargun 3). Më pas, diskutoni për cilësitë si të Krishtit që renditen te vargjet 5–6 dhe se si ato mund të na ndihmojnë ta shpërndajmë fjalën e Tij. Mund të luani një lojë së bashku për t’ju ndihmuar që t’i mbani mend këto cilësi. Filloni duke ia hedhur topin dikujt në grupin tuaj. Kur ai person ta kapë topin, i kërkoni të thotë një nga cilësitë që diskutuat. Vazhdojeni lojën derisa të jenë përmendur të gjitha cilësitë. Mund ta përsëritni disa herë lojën dhe të shihni nëse mund ta bëni çdo herë e më shpejt. Zgjidhni një cilësi me të cilën të punoni, dhe vëzhgoni me kalimin e kohës se si ju ndihmon kjo që t’i ftoni të tjerët ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit.
Mësoni më shumë
-
Marku 16:15; Gjoni 4:35–38
-
M. Russell Ballard, “The Essential Role of Member Missionary Work”, Liahona, maj 2003, f. 37–40
-
D. Tod Kristoferson, “Shpërndarja e Mesazhit të Rivendosjes dhe Ringjalljes”, Liahona, maj 2020, f. 110–113
-
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Punë Misionare”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 2
Ne Mund t’i Ndihmojmë të Tjerët që ta Pranojnë Ungjillin e Jezu Krishtit teksa Japim Dashuri, Tregojmë dhe Ftojmë
Si anëtarë të Kishës, ne duam që çdo njeri ta pranojë ungjillin e Jezu Krishtit “për shkak se e duam Perëndinë dhe fëmijët e Tij” dhe duam që të tjerët të ndiejnë po atë gëzim që ndiejmë edhe ne. T’ua sjellësh ungjillin të tjerëve është e thjeshtë – thjesht kemi nevojë të japim dashuri, të tregojmë dhe të ftojmë. Nganjëherë këtë e bëjmë nëpërmjet shërbimit misionar në Kishë. Më së shpeshti, ne japim dashuri, tregojmë dhe ftojmë duke i jetuar parimet e ungjillit dhe duke folur për besimin tonë në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme. Teksa e shpërndajmë ungjillin te njerëzit anembanë, ne ndihmojmë t’i përgatitim fëmijët e Perëndisë për jetën e përjetshme.
Gjëra për t’i menduar
-
Nganjëherë mund të duam ta shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit, mirëpo nuk jemi të sigurt se nga t’ia nisim. Shqyrtojeni mesazhin e Plakut Geri E. Stivenson “Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni” për frymëzim se si ta shpërndajmë ungjillin në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme. Pastaj lexoni te Mateu 7:7 dhe 3 Nefi 18:20 dhe përsiatni se si mund të kërkoni ndihmën e Zotit për shpërndarjen e ungjillit të Tij tek të tjerët, përfshirë miqtë, fqinjët dhe njerëzit e dashur. Lutuni për udhërrëfimin e Tij dhe më pas kërkoni mundësi misionare. Shënoni se si e shihni dorën e Zotit teksa i ftoni të tjerët me dashuri për të mësuar rreth ungjillit të Tij.
-
Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi mundësinë të shërbejmë si misionarë. Lexojini bisedat “Predikimi i Ungjillit të Paqes” nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe “Sa i Madh do të Jetë Gëzimi Juaj” nga Plaku Ronald A. Rasband. Pse ka nevojë Zoti për misionarë të të gjitha moshave për t’ua sjellë ungjillin të tjerëve? Si i bekon Ai ata për përpjekjet e tyre? Mbajeni parasysh se si i keni parë misionarët t’i ndjekin parimet “jep dashuri, trego dhe fto” për t’i ndihmuar të tjerët që të vijnë te Krishti. Çfarë mund të bëni për të ndjekur shembullin e tyre? Mund të përsiatni gjithashtu nëse mund të shërbeni në një mision dhe të filloni të përgatiteni për mundësinë.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Në mesazhin e tij “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Plaku Diter F. Uhtdorf dha pesë sugjerime të thjeshta për shpërndarjen e ungjillit. Shqyrtojini këto sugjerime së bashku dhe bisedoni se si mund t’i vëmë ato në praktikë në jetën tonë. Mund të shikoni edhe materialin filmik “Simple Ways to Love, Share, and Invite” [“Mënyra të Thjeshta për të Dhënë Dashuri, Treguar dhe Ftuar”] ose “Simple Ways to Love, Share, and Invite for Youth” [“Mënyra të Thjeshta për të Dhënë Dashuri, Treguar dhe Ftuar për Rininë”] dhe diskutoni se si mund ta shpërndajmë ungjillin tek të tjerët në mënyra të natyrshme. Teksa frymëzoheni, ushtrojini këto parime duke e shpërndarë ungjillin natyrshëm në jetën tuaj të përditshme. Mund të takoheni përsëri për të biseduar rreth përpjekjeve tuaja dhe asaj që mësuat rreth punës misionare gjatë procesit.
-
Shërbimi në një mision mund të jetë një mundësi që të ndryshon jetën. Lexojeni bisedën “Shërbimi Misionar e Bekoi Jetën Time Përgjithmonë” nga Presidenti M. Rasëll Ballard, për të mësuar rreth disa prej bekimeve që vijnë nga shërbimi misionar. Nëse keni shërbyer në një mision, merreni parasysh të tregoni se si e ka bekuar shërbimi jetën tuaj. Pastaj diskutoni se si anëtarët e Kishës kanë mundësinë të japin dashuri, tregojnë dhe ftojnë si misionarë kohëplotë, misionarë me shërbim e misionarë në moshë dhe bisedoni rreth përgjegjësive të tyre të ndryshme. Mundet edhe të këndoni së bashku himnin “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj” dhe të diskutoni se si Zoti do të na ndihmojë të japim dashuri, të tregojmë dhe të ftojmë kudo ku Ai na kërkon të shërbejmë (shihni te 1 Nefi 3:7).
Mësoni më shumë
-
Mateu 5:14–16; Romakëve 1:16; Doktrina e Besëlidhje 33:5–9
-
Dallin H. Ouks, “Shpërndarja e Ungjillit të Rivendosur”, Liahona, nëntor 2016, f. 57–60
-
Geri E. Stivenson, “Të Ushqyerit e Dëshmisë Suaj dhe Dhënia e Dëshmisë Suaj”, Liahona, nëntor 2022, f. 111–114
-
Nil L. Andersen, “Është një Mrekulli”, Liahona, maj 2013, f. 77–80
-
Burimet te Shpërndarja e Ungjillit në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]