“Falja”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Falja
Marrja e shpresës dhe shërimit nëpërmjet Jezu Krishtit
Falja është dhurata e Perëndisë për ne. Nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ne mund të marrim falje kur pendohemi. Ndonjëherë mund të na duket dërrmuese të kërkojmë falje për gjërat për të cilat na vjen keq. Por kur i braktisim mëkatet tona dhe përjetojmë një ndryshim zemre nëpërmjet fuqisë shlyese të Jezu Krishtit, ne gjejmë shërim, paqe dhe një ndjesi të përtërirë gëzimi.
Në këtë jetë, ne gjithashtu mësojmë t’i falim ata që mund të na kenë lënduar ose fyer. Falja e të tjerëve mund të jetë e vështirë, veçanërisht kur dikush na ka lënduar thellë. Por duke e ndjekur urdhërimin e Zotit për të falur dhe duke u mbështetur te Jezu Krishti, ne mund të gjejmë lehtësim nga dhembja dhe të kemi shpresë për të ardhmen. Falja e të tjerëve na ndihmon gjithashtu të zhvillojmë cilësi si të Krishtit, në mënyrë që të përgatitemi më mirë për të marrë jetën e përjetshme dhe për të jetuar edhe një herë me Atin tonë Qiellor.
Çfarë është Falja?
Të marrim falje do të thotë që mëkatet dhe gabimet tona, qofshin të mëdha apo të vogla, falen plotësisht. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ngaqë Ai vuajti për mëkatet tona, ne mund të pastrohemi sërish ndërsa pendohemi sinqerisht dhe kemi besim në aftësinë e Shpëtimtarit për të na shëruar. Nëpërmjet mëshirës së Perëndisë ne mund të ndiejmë paqe, forcë e gëzim ndërsa i braktisim mëkatet tona. Shpëtimtari gjithashtu na ka urdhëruar t’i falim të tjerët ashtu siç na fal Ai ne.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Falja
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Besimi te Jezu Krishti, Pendimi, Pagëzimi, Gjykimi, Dashuria Hyjnore
Pjesa 1
Zoti Premton Falje Kur Pendohemi Sinqerisht për Mëkatet Tona
Ati Qiellor na ka dhënë urdhërime për të na ndihmuar që të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve dhe të kthehemi të jetojmë me Të edhe një herë. Nëpërmjet dhuratës së lirisë së zgjedhjes, ne zgjedhim të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit tonë dhe t’i zbatojmë urdhërimet ashtu siç bëri Ai. Sigurisht, nuk do të jemi të përsosur në zbatimin e urdhërimeve; shpesh do të bëjmë gabime për shkak të betejave, dobësive dhe tundimeve tona vetjake. Por ndërsa ushtrojmë besimin tonë te Shpëtimtari dhe flijimi i Tij shlyes, mund t’i kapërcejmë mëkatet dhe të metat tona. Ne gjithashtu mund të gjejmë paqe në njohurinë se Perëndia premton falje për të gjithë ata që pendohen dhe i zbatojnë urdhërimet (shihni te 1 Gjon 1:9; Doktrina e Besëlidhje 1:31–32).
Kur pendohemi, pagëzohemi e konfirmohemi, ne marrim falje për mëkatet tona dhe na jepet dhurata e Frymës së Shenjtë (shihni te Veprat e Apostujve 2:38). Sa herë që e marrim sakramentin, ne bëjmë një besëlidhje me Zotin dhe mëkatet mund të na falen duke i ofruar Zotit një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar (shihni te Moroni 6:1–4).
Nëpërmjet procesit të pendimit, zemrat tona ndryshojnë dhe ne dëshirojmë të bëjmë mirë dhe t’u shërbejmë të tjerëve (shihni te Mosia 5:2; Alma 36:24). Ne ndiejmë gëzim për shkak të mirësisë së Perëndisë dhe përpiqemi fort të marrim një heqje të mëkateve tona (shihni te Mosia 4:10–12, 26). Ndërsa pendohemi sinqerisht, i bëjmë dhe mbajmë besëlidhjet tona dhe durojmë deri në fund, ne shenjtërohemi dhe bëhemi të denjë për t’u kthyer në praninë e Atit tonë Qiellor (shihni te 3 Nefi 27:19–22).
Gjëra për t’i menduar
-
Populli i mbretit Beniamin u mbush me gëzim dhe paqe të ndërgjegjes kur mori një heqje të mëkateve të veta. Lexoni te Mosia 4:1–3 dhe përsiatni se si vënia e besimit tuaj te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes mund të sjellin gëzim e paqe në jetën tuaj. A ka mënyra se si mund t’ia nënshtroni vullnetin tuaj më plotësisht Perëndisë kur i braktisni mëkatet tuaja?
-
Kur Alma i Riu u kthye në besim në ungjill, ai nuk e ndjeu më dhembjen e mëkateve të tij të mëparshme (shihni tek Alma 36:12–14, 17–24). Merreni parasysh të shikoni këtë material filmik të Presidentit Rasëll M. Nelson, i cili shpjegon se çfarë është një ndryshim i madh i zemrës dhe si mund të kthehemi vërtet në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Si po përpiqeni të ktheheni në besim te Zoti? Si e ka bekuar jetën tuaj dhe të njerëzve që janë përreth jush, kthimi juaj në besim?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Kur kërkojmë falje, ne kërkojmë mundësi për t’u rritur, madje për t’u shndërruar, nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Shikoni një material filmik me filmim të ngadalësuar rreth disa gjërave në natyrë që shndërrohen, si për shembull një vemje që shndërrohet në një flutur ose një farë që shndërrohet në një lule. Diskutoni se si ne kemi potencialin për t’u bërë diçka e bukur nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.
-
Presidenti Nelson ka dhënë mësim se ne të gjithë duhet të pendohemi dhe se kur e bëjmë këtë çdo ditë, ne do të bëhemi varianti më i mirë i vetes sonë. Rishikojeni bisedën e tij “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë” dhe diskutoni se si mund të pendoheni çdo ditë për të fituar një këndvështrim të ri për veten, Perëndinë dhe botën (shihni edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
Mësoni më shumë
-
Isaia 1:18; 55:6–7; Ezekiel 18:21–22; Enosi 1:4–8; Mosia 26:30; Doktrina e Besëlidhje 61:2
-
Dejll G. Renland, “Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”, Liahona, nëntor 2016, f. 121–124
-
Krejg A. Kardon, “Shpëtimtari Dëshiron të Falë”, Liahona, maj 2013, f. 15–17
-
Kamill N. Xhonson,“Jezu Krishti Është Lehtësim”, Liahona, maj 2023, f. 81–83
Pjesa 2
Zoti na urdhëron që t’i Falim të Tjerët
Kur Krishti qe në kryq, Ai i kërkoi Atit që t’i falte ushtarët të cilët e kryqëzuan Atë. Ky akt dashurie është një shembull i përsosur i faljes dhe na kujton të falim siç bëri Ai.
Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari na mësoi t’i duam armiqtë tanë dhe t’u “bë[jmë] të mirë atyre që [na] urrejnë, dhe [të] lut[emi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin” (Mateu 5:44). Mund të ndiejmë se është e pamundur të lutemi për ata që na kanë lënduar thellësisht, por bërja e kësaj i tregon Perëndisë se ne po e vendosim besimin tonë tek Ai. Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Lutja me sinqeritet për ata të cilët mund të konsiderohen armiqtë tanë, tregon besimin tonë se Perëndia mund t’i ndryshojë zemrat tona dhe zemrat e të tjerëve”.
Te Doktrina e Besëlidhje 64:8–11, ne mësojmë se nëse nuk zgjedhim të falim, ne kemi faj më të madh sesa personi që ka bërë gabim. Kur u ofrojmë falje të gjithëve, ne i tregojmë Perëndisë jo vetëm se jemi të gatshëm t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, por edhe se i mirëbesojmë Atij se do të bëjë atë që është më e mira për fëmijët e Tij.
Gjëra për t’i menduar
-
Për nder të Pashkëve në vitin 2023, Presidenti Nelson i ftoi njerëzit në mbarë botën të përjetojnë mrekullinë e faljes. Ai tha: “Premtoj se ndërsa falni, Shpëtimtari do t’ju çlirojë nga zemërimi, mëria dhe dhembja. Princi i Paqes do t’ju sjellë paqe.” A ka ndonjë mëri që po e ushqeni në mendje apo lëndim që po e ndieni ngaqë keni ngurruar ta falni dikë? Mbani parasysh se çfarë hapash mund të ndërmerrni drejt faljes dhe reflektoni se si do t’ju udhëheqin Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
-
Ndërsa lutemi me zell për ndihmën e Tij, Shpëtimtari mund të na japë forcën që na nevojitet për t’i falur të tjerët, edhe kur duket e pamundur. Presidenti Nelson dha mësim: “Shpëtimtari do t’ju japë aftësinë që të falni çdo njeri që ju ka keqtrajtuar në çfarëdolloj mënyre. Atëherë veprimet e tyre lënduese nuk mund ta gërryejnë më shpirtin tuaj.” Përsiatni se si falja është dhurata e Shpëtimtarit për ne dhe se si Ai bën të mundur që ju të falni madje edhe kur ndieni se nuk mundeni. Si ju sjell shpresë mendësia se falja është dhuratë?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Ndonjëherë kërkon po aq guxim për të falur sa për të kërkuar falje. Diskutoni për disa shembuj të njerëzve që kanë ofruar falje në rrethana të vështira. Çfarë bekimesh vijnë kur i falim të tjerët? Ftojeni gjithsecilin të mendojë për dikë që në njëfarë mënyre e ka lënduar ose fyer atë dhe të lutet për atë individ kur të jetë gati. Ju gjithashtu mund t’u sugjeroni që të përpiqen t’i shërbejnë atij personi nëse është e përshtatshme për situatën e tyre dhe t’i ftoni ata të shohin nëse kjo e ndryshon mënyrën se si ndihen ndaj individit.
-
Kur kërkojmë që Shpëtimtari të na forcojë nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, mund të marrim hovin shpirtëror që na nevojitet për t’i falur të tjerët. Demonstroni se çfarë është hovi, ndoshta duke shfaqur një material filmik të një treni që e rrit shpejtësinë ose të një atleti që bën një manovër mbresëlënëse. Lexoni pjesë të bisedës së Presidentit Nelson dhe diskutoni se si mund të na fuqizojë Shpëtimtari që t’i falim ata që na kanë lënduar thellësisht, teksa përqendrohemi në hovin tonë shpirtëror.
Mësoni më shumë
-
Mateu 18:21–22; Efesianëve 4:32; 1 Nefi 7:16–21; Mosia 26:31; Doktrina e Besëlidhje 42:88
-
Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 77–79
-
“Fuqia e Faljes”, Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 417–428
-
Kristin M. Ji, “Diademë në Vend të Hirit: Shtegu Shërues i Faljes”, Liahona, nëntor 2022, f. 36–38
-
“President Uchtdorf: Forgiveness” [“Presidenti Uhtdorf: Falja”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org