Dhiata e Re 2023
4–10 Shtator. 1 Korintasve 14–16: “Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi”


“4–10 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“4–10 Shtator. 1 Korintasve 14–16”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
vaskë pagëzimi në tempull

4–10 Shtator

1 Korintasve 14–16

“Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi”

Shënojini mbresat tuaja ndërsa lexoni kapitujt te 1 Korintasve 14–16. Lutuni rreth asaj që ju ka mësuar Shpirti dhe pyeteni Atin Qiellor nëse ka diçka më shumë që Ai do të donte që ju ta mësonit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ngaqë Kisha dhe doktrinat e saj ishin relativisht të reja në Korint, është e kuptueshme që shenjtorët korintas përjetuan trazim. Pali më parë u kishte mësuar atyre të vërtetën themelore të ungjillit: “Se Krishti vdiq për mëkatet tona … se u varros dhe u ringjall të tretën ditë” (1 Korintasve 15:3–4). Por disa anëtarë shpejt filluan të jepnin mësim se “nuk ka ringjallje të të vdekurve” (1 Korintasve 15:12). Pali iu përgjërua që t’i “mbani[n]” mend të vërtetat që u ishin mësuar atyre (1 Korintasve 15:2). Kur përballemi me opinione kontradiktore rreth të vërtetave të ungjillit, është mirë të kujtojmë që “Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi” (1 Korintasve 14:33). Të dëgjuarit e shërbëtorëve të caktuar nga Zoti dhe të kapurit pas të vërtetave të thjeshta që ata vazhdimisht i japin mësim, mund të na ndihmojnë që ta gjejmë paqen dhe të “qëndro[jmë] të palëkundshëm në besim” (1 Korintasve 16:13).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Korintasve 14

Unë mund ta kërkoj dhuntinë e profecisë.

Çfarë është dhuntia e profecisë? A është ajo aftësia për të parashikuar të ardhmen? A është ajo vetëm për profetët? Ose a mund ta marrë çdokush këtë dhunti?

Përsiatini këto pyetje ndërsa studioni vargjet te 1 Korintasve 14:3, 31, 39–40. Ju gjithashtu mund të lexoni vargun te Zbulesa 19:10 dhe “Profeci, Profetizoj” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Nisur nga ajo që mësoni, si do ta përkufizonit dhuntinë e profecisë? Çfarë donte të thoshte Pali kur i ftoi korintasit që të “kërkoni[n] me zemër të zjarrtë të profetizoni[n]”? (1 Korintasve 14:39.) Si mund ta pranoni këtë ftesë?

Shih edhe Joel 2:28–29; Alma 17:3; Doktrina e Besëlidhje 11:23–28.

1 Korintasve 14:34–35

Si gjen zbatim sot thënia rreth grave te këto vargje?

Në kohën e Palit, kishte pritshmëri të ndryshme për atë se si gratë merrnin pjesë në shoqëri, përfshirë edhe në mbledhjet e kishës. Pavarësisht se çfarë mund të kenë nënkuptuar mësimet te vargjet te 1 Korintasve 14:34–35 në kohën e Palit, ato nuk duhet të merren sikur nënkuptojnë se gratë nuk mund të flasin dhe drejtojnë në Kishë sot (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Korintasve 14:34 [te 1 Korintasve 14:34, poshtëshënimi b te Bibla në anglisht]). Presidenti Rasëll M. Nelson u tha grave të Kishës sot: “Ne kemi … nevojë për forcën tuaj, kthimin tuaj në besim, bindjen tuaj, aftësinë tuaj për të udhëhequr, urtësinë tuaj dhe zërat tuaj. Mbretëria e Perëndisë nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë pa gra të cilat bëjnë besëlidhje të shenjta dhe më pas i mbajnë ato, pa gra të cilat mund të flasin me fuqi dhe autoritet nga Perëndia!” (“Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Liahona, nëntor 2015, f. 96.)

1 Korintasve 15:1–34, 53–58

Jezu Krishti fitoi lavdi mbi vdekjen.

Ringjallja e Jezu Krishtit është kaq thelbësore për krishterimin, saqë mund të thuhet se pa të nuk ka krishterim – për të përdorur fjalët e Palit “predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj” (1 Korintasve 15:14). Prapëseprapë disa prej shenjtorëve korintas po jepnin mësim se “nuk [do të kishte] ringjallje të të vdekurve” (1 Korintasve 15:12). Ndërsa lexoni përgjigjen e Palit te 1 Korintasve 15, gjeni një çast për të përsiatur se si jeta juaj nuk do të ishte e njëjtë po të mos besonit në Ringjalljen (shih 2 Nefi 9:6–19; Alma 40:19–23; Doktrina e Besëlidhje 93:33–34). Çfarë do të thotë për ju fraza “Në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj”? (Vargu 17.)

Gjithashtu ia vlen të përmendet se Pali iu referua pagëzimit për të vdekurit si provë për realitetin e ringjalljes (shih 1 Korintasve 15:29). Si e ka forcuar besimin tuaj te doktrina e ringjalljes puna në tempull dhe për historinë familjare?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 138:11–37.

1 Korintasve 15:35–54

Trupat e ringjallur janë të ndryshëm nga trupat e vdekshëm.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se si është një trup i ringjallur? Sipas 1 Korintasve 15:35, disa prej korintasve po e pyesnin veten për të njëjtën gjë. Lexojeni përgjigjen e Palit te vargjet 36–54 dhe vini re fjalë e fraza që përshkruajnë ndryshimet ndërmjet trupave të vdekshëm dhe trupave të ringjallur. Ndërsa e bëni këtë, ju mund t’i krahasoni vargjet 40–42 me vargjet te Doktrina e Besëlidhje 76:50–112. Çfarë i shton kuptueshmërisë suaj kjo zbulesë për Profetin Jozef Smith? (Shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Korintasve 15:40 .) Përse këto të vërteta janë me vlerë për ju?

Shih edhe Lluka 24:39; Alma 11:43–45; Doktrina e Besëlidhje 88:14–33.

Pamja
agim

“Tjetër është lavdia e diellit” (1 Korintasve 15:41).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

1 Korintasve 15:29.Ne mësojmë nga vargu 29 se të krishterët në lashtësi morën pjesë në pagëzime për të vdekurit, ashtu siç bëjmë ne sot. Si do t’ua shpjegojmë të tjerëve arsyen përse pagëzohemi për paraardhësit tanë? (Shih “What Are Baptisms for the Dead?” [“Çfarë janë Pagëzimet për të Vdekurit?”], [material filmik], ChurchofJesusChrist.org). Çfarë po bëjmë ne si familje për të siguruar ordinancat e tempullit për paraardhësit tanë të vdekur që kanë nevojë për to? Ju mund të gjeni më shumë burime për këtë temë tek artikulli në Gospel Topic [Temat e Ungjillit] “Baptisms for the Dead” [“Pagëzimi për të Vdekurit”] (topics.ChurchofJesusChrist.org) dhe te faqja FamilySearch.org.

1 Korintasve 15:35–54.Çfarë objektesh apo figurash mund të shfaqni për ta ndihmuar familjen tuaj që t’i kuptojë disa prej termave që Pali përdori për të përshkruar se si trupat e vdekshëm janë të ndryshëm nga trupat e ringjallur? Për shembull, për të demonstruar ndryshimin midis termave që prishet dhe të paprishshëm/mosprishjes (shih vargjet 52–54) ju mund të tregoni një metal që është ndryshkur dhe një metal që nuk ndryshket. Ose ju mund ta krahasoni diçka të dobët me diçka të fuqishme (shih vargun 43).

1 Korintasve 15:55–57.Një diskutim rreth këtyre vargjeve mund të jetë veçanërisht domethënës nëse familja juaj njeh dikë që ka ndërruar jetë. Pjesëtarët e familjes mund të japin dëshmi për mënyrën se si Jezu Krishti e heq “gjëmb[in] e vdekjes” (vargu 56).

1 Korintasve 16:13.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes suaj ta lidhin këtë varg me veten, ju mund të vizatoni një rreth në dysheme dhe ta udhëzoni një pjesëtar të familjes të “qëndro[jë i] palëkundshëm” brenda tij ndërsa i ka sytë e lidhur. Më pas të tjerë mund të përpiqen ta shtyjnë ose tërheqin atë nga rrethi. Çfarë ndryshimi bën kur personi në rreth i ka sytë e hapur dhe mund të shohë? Çfarë mund të bëjmë për të “qëndruar të fortë” kur tundohemi që të bëjmë zgjedhje të këqija? (Shih edhe “Stay in the Boat and Hold On!” [“Qëndroni Brenda në Barkë dhe Mbahuni”], [material filmik], ChurchofJesusChrist.org.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Ai Ësht’ Ngritur!”, Himne, nr. 118.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni modele. Në shkrimet e shenjta ne gjejmë modele që tregojnë se si e bën Zoti punën e Tij. Çfarë modelesh gjeni te 1 Korintasve 14 që na ndihmojnë të kuptojmë se si ta lartësojmë njëri-tjetrin?

Pamja
Krishti i shfaqet Maries te varri në kopsht

Why Weepest Thou [Përse Po Qan], © Simon Dewey 2021. Përdoret me leje nga Altus Fine Art/www.altusfineart.com