Dhiata e Re 2023
28 Gusht – 3 Shtator. 1 Korintasve 8–13: “Ju Jeni Trupi i Krishtit”


“28 Gusht – 3 Shtator. 1 Korintasve 8–13: ‘Ju Jeni Trupi i Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“28 Gusht – 3 Shtator. 1 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
mbledhje sakramenti

28 Gusht – 3 Shtator

1 Korintasve 8–13

“Ju Jeni Trupi i Krishtit”

Ndërsa i lexoni plot lutje kapitujt te 1 Korintasve 8–13, Fryma e Shenjtë mund t’ju flasë në mënyra të qeta (shih 1 Mbretërve 19:11–12). Shënimi i këtyre mbresave do t’ju ndihmojë t’i kujtoni ndjenjat dhe mendimet që patët gjatë studimit tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në kohën e Palit, Korinti ishte një qendër e pasur tregtare me banorë nga e gjithë perandoria romake. Me kaq shumë kultura dhe besime të ndryshme fetare brenda qytetit, anëtarët e Kishës në Korint patën vështirësi ta ruanin unitetin, kështu që Pali u përpoq t’i ndihmonte që të gjenin unitet në besimin e tyre te Krishti. Ky unitet kishte për qëllim të ishte më tepër sesa bashkëjetesë paqësore; Pali nuk po u kërkonte atyre që thjesht të ishin të mirëkuptueshëm ndaj dallimeve njëri me tjetrin. Përkundrazi, ai dha mësim se kur ju i bashkoheni Kishës së Jezu Krishtit, ju “pagëz[oheni] … në të njëjtin trup” dhe çdo pjesë e trupit është e nevojshme (1 Korintasve 12:13). Kur një gjymtyrë [anëtar] humbet, është si të humbasësh një pjesë të trupit dhe për rrjedhojë trupi është më i dobët. Kur një gjymtyrë [anëtar] vuan, ne të gjithë duhet ta ndiejmë atë dhe të bëjmë pjesën tonë për ta lehtësuar atë. Në këtë lloj uniteti, dallimet jo vetëm që pranohen, por ato pëlqehen fort, pasi pa anëtarë me dhunti dhe aftësi të ndryshme, trupi do të ishte i kufizuar. Prandaj qoftë nëse ndieni se kur jeni në Kishë, ju ndiheni gjithmonë si në shtëpi apo nëse e shihni që pyesni veten a ka në të vërtetë vend për ju aty, mesazhi i Palit për ju është që uniteti nuk është të qenit njëlloj. Ju keni nevojë për shenjtorët tuaj miq dhe shenjtorët tuaj miq kanë nevojë për ju.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Korintasve 10:1–13

Perëndia siguron një rrugëdalje për mposhtjen e tundimit.

Përvojat shpirtërore, edhe ato që karakterizohen nga mrekullia, nuk na përjashtojnë nga përjetimi i tundimeve që janë “tundim njerëzor” (1 Korintasve 10:13). Kjo mund të jetë një arsye përse Pali shkroi rreth asaj se si izraelitët në kohën e Moisiut luftuan me tundimin, pavarësisht se ishin dëshmitarë të mrekullive të fuqishme (shih Eksodi 13:21; 14:13–31). Ndërsa lexoni vargjet te 1 Korintasve 10:1–13, cilat paralajmërime në përvojat e izraelitëve duket se gjejnë zbatim për ju? Çfarë lloj “rrugëdalje[sh]” nga tundimi ka siguruar Ati Qiellor për ju? (Shih edhe Alma 13:27–30; 3 Nefi 18:18–19.)

1 Korintasve 10:16–17; 11:16–30

Sakramenti na bashkon si anëtarë të Kishës së Krishtit.

Ndonëse sakramenti përfshin një zotim vetjak ndërmjet jush dhe Zotit, ai është gjithashtu një përvojë që e ndani me të tjerët. Ne pothuajse përherë e marrim sakramentin bashkërisht, si një grup shenjtorësh. Lexojeni atë që Pali dha mësim rreth sakramentit dhe mendoni për mënyrën se si kjo ordinancë e shenjtë mund t’i ndihmojë “të shumtit” që të bëhen “një” në Krisht (1 Korintasve 10:17). Si ju ndihmon marrja e sakramentit që të ndiheni më pranë Krishtit dhe besimtarëve të tjerë? Si ndikojnë këto vargje te mendimet tuaja rreth sakramentit dhe mënyrës se si përgatiteni për të?

1 Korintasve 11:11

Në planin e Perëndisë, burrat dhe gratë kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Te 1 Korintasve 11:4–15, Pali iu referua zakoneve kulturore të cilat nuk i ndjekim në kohët e sotme. Megjithatë, Pali gjithashtu dha një mësim të rëndësishëm që gjen zbatim përjetë, që gjendet te vargu 11. Si mendoni, çfarë kuptimi ka ky varg dhe përse është i rëndësishëm? Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Burri dhe gruaja janë paracaktuar të mësojnë nga njëri‑tjetri, ta forcojnë, ta bekojnë, ta plotësojnë … njëri‑tjetrin” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 42). Si duhet të ndikojë kjo e vërtetë te një martesë? Si duhet të ndikojë te mënyra se si ne shërbejmë në Kishë?

Shih edhe Xhin B. Bingham, “Të Bashkuar në Përmbushjen e Punës së Perëndisë”, Liahona, maj 2020, f. 60–63.

1 Korintasve 12–13

Dhuntitë shpirtërore (ose frymërore) janë dhënë për dobinë e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor.

Lista e dhuntive shpirtërore te 1 Korintasve 12–13 nuk është gjithëpërfshirëse. Por është një vend i mirë për t’ia filluar ndërsa i përcaktoni dhe i përsiatni dhuntitë shpirtërore që Ati Qiellor ju ka dhënë. Artikulli “Spiritual Gifts” te Gospel Topics [Temat e Ungjillit] (topics.ChurchofJesusChrist.org) mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni më mirë këto dhunti. Ndërsa e lexoni listën me dhunti të Palit, ju mund të shtoni disa që keni vënë re tek të tjerët, te vetja ose te njerëzit në shkrimet e shenjta. Nëse keni një bekim patriarkal, ai mund të përmendë disa nga dhuntitë tuaja shpirtërore. Si ju ndihmojnë këto dhunti për t’i bekuar të tjerët? Merrni parasysh se si mund t’i kërkoni “me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira” (1 Korintasve 12:31).

Shih edhe 1 Korintasve 14; Moroni 10:8–21, 30; Doktrina e Besëlidhje 46:8–26; Nenet e Besimit 1:7.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

1 Korintasve 9:24–27.Meqenëse Pali e krahasoi të jetuarit e ungjillit me vrapimin në një garë, ju mund të bëni një garë si familje për ta ilustruar këndvështrimin e tij. Shpërblejeni me një kurorë cilindo që e mbaron garën, dhe diskutoni për atë se si të gjithë që janë të zellshëm në ndjekjen e Jezu Krishtit në këtë jetë, do ta fitojnë çmimin “që nuk prishet” (1 Korintasve 9:25; shih edhe 2 Timoteut 4:7–8). Çfarë bën një vrapues për t’u përgatitur për një garë? Çfarë mund të bëjmë ne për t’u përgatitur që të kthehemi tek Ati Qiellor?

Pamja
vrapues në një pistë

Pali e krahasoi të jetuarin e ungjillit me vrapimin në një garë.

1 Korintasve 12:1–11.Pasi t’i lexoni së bashku këto vargje, merrni parasysh t’i jepni çdonjërit një copë letër me emrin e një pjesëtari tjetër të familjes në krye. Kërkojini çdonjërit që t’i renditë dhuntitë shpirtërore që vënë re se ka ai person. Më pas, mund t’i kaloni letrat në rreth derisa të gjithë të kenë pasur mundësi që të shkruajnë rreth dhuntive të secilit pjesëtar të familjes.

1 Korintasve 12:3.Përse është e nevojshme Fryma e Shenjtë për të marrë një dëshmi për Jezu Krishtin? Çfarë mund të bëjmë për ta ftuar Frymën e Shenjtë që t’i forcojë dëshmitë që kemi për Të?

1 Korintasve 12:12–27.Analogjia e Palit për trupin mund të jetë një mënyrë e paharrueshme për të diskutuar për unitetin në familje. Për shembull, pjesëtarët e familjes mund të përpiqen të vizatojnë një trup vetëm me sy ose veshë (shih vargun 17). Çfarë sugjerojnë këto vargje rreth mënyrës se si duhet të sillemi me njëri-tjetrin si pjesëtarë të familjes?

1 Korintasve 13:4–8.Përkufizimi i Palit për dashurinë [hyjnore] mund të jetë një lajtmotiv frymëzues për familjen tuaj. Ju mund t’i caktoni secilit pjesëtar të familjes që të studiojë një frazë te vargjet 4–8 dhe t’i japë mësim pjesës tjetër të familjes se çfarë do të thotë ajo duke përdorur përkufizime, shembuj dhe përvoja vetjake. Si është Shpëtimtari shembull i këtyre cilësive? Ju gjithashtu mund të bëni së bashku afishe për secilën prej këtyre frazave dhe t’i paraqitni ato nëpër shtëpinë tuaj. Jini krijues!

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Dashuri Këtu Ka”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 102–103.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Paraqitni një shkrim të shenjtë. Paraqiteni një varg që ju duket domethënës, në një vend ku pjesëtarët e familjes do ta shohin shpesh. Ftoni pjesëtarë të tjerë të familjes që me radhë të zgjedhin një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.

Pamja
mbledhje sakramenti

“Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup” (1 Korintasve 10:16–17).