Dhiata e Re 2023
18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13: “Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar”


“18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13: ‘Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Jezusi duke i folur një fëmije të vogël

18–24 Shtator

2 Korintasve 8–13

“Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar”

Mbajtja shënim e mbresave shpirtërore do t’ju ndihmojë që ta mbani mend atë që mësoni gjatë studimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të shkruani në një ditar studimi, të mbani shënim në pjesët anësore të shkrimeve tuaja të shenjta, të shtoni shënime në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], ose të bëni një regjistrim zanor të mendimeve tuaja.

Shënojini Mbresat Tuaja

Çfarë do të bënit nëse do të dëgjonit se një bashkësi e shenjtorëve në një zonë tjetër po ndeshej me varfërinë? Kjo ishte situata që Pali ua përshkroi shenjtorëve korintas te 2 Korintasve 8–9. Ai shpresonte t’i bindte shenjtorët korintas që t’u dhuronin diçka nga bollëku i tyre shenjtorëve nevojtarë. Por përtej një kërkese për dhurime, fjalët e Palit përmbajnë gjithashtu të vërteta të thella rreth dhurimit: “Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7). Në kohën tonë, ka ende shenjtorë anembanë botës që kanë nevojë për ndihmë. Ndonjëherë më e shumta që mund të bëjmë për ta, është të agjërojmë dhe të dhurojmë oferta agjërimi. Në raste të tjera, dhurimi ynë mund të jetë më i drejtpërdrejtë dhe vetjak. Çfarëdo forme që marrin sakrificat tona, ia vlen t’i marrim në shqyrtim shtysat tona kur japim. A janë sakrificat tona shprehje të dashurisë? Mbi të gjitha, është dashuria ajo që e bën një dhurues të gëzuar.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

2 Korintasve 8:1–15; 9:5–15

Unë mund ta ndaj me gëzim atë që kam për t’i bekuar të varfrit dhe nevojtarët.

Ka kaq shumë njerëz në nevojë anembanë botës. Si mund të sjellim ndoshta një ndryshim? Plaku Xhefri R. Holland ofroi këtë këshillë: “Të pasur apo të varfër, ne duhet të ‘bëjmë atë që mundemi’ kur të tjerët janë në nevojë [shih Marku 14:6,8]. … [Perëndia] do t’ju ndihmojë dhe udhëheqë në veprime dhembshurie të të qenit dishepull, në qoftë se dëshironi e luteni në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kërkoni për mënyra që ta zbatoni një urdhërim që Ai na e ka dhënë në mënyrë të përsëritur” (“A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?”, Liahona, nëntor 2014, f. 41).

Lexoni vargjet te 2 Korintasve 8:1–15; 9:6–15, duke i vënë në dukje parimet që dha mësim Pali rreth përkujdesjes për të varfrit dhe nevojtarët. Çfarë ju frymëzon nga këshilla e Palit? Ju mund të luteni për udhërrëfim rreth asaj që mund të bëni për ta bekuar një njeri nevojtar. Sigurohuni që të mbani shënim çdo nxitje që merrni dhe të veproni sipas tyre.

Shih edhe Mosia 4:16–27; Alma 34:27–29; Rasëll M. Nelson, “Urdhërimi i Dytë i Madh”, Liahona, nëntor 2019, f. 96–100; Henri B. Ajring, “Agjërimi që më Pëlqen a Nuk Është Vallë Ky?”, Liahona, maj 2015, f. 22–25.

2 Korintasve 11:1–6, 13–15; 13:5–9

“Analizoni veten tuaj a jeni në besim.”

Sot, ashtu si në kohën e Palit, ka nga ata që kërkojnë të na largojnë “nga thjeshtësia ndaj Krishtit” (2 Korintasve 11:3). Për këtë arsye, është thelbësore të bëjmë atë që sugjeroi Pali: “Analizoni veten tuaj a jeni në besim” (2 Korintasve 13:5). Ju mund ta filloni këtë proces duke menduar rreth asaj se çfarë do të thotë të “jeni në besim”. Si e dini nëse jeni në besim? Kërkoni mundësitë që keni për ta shqyrtuar vetveten.

Si pjesë të shqyrtimit tuaj, ju gjithashtu mund të përsiatni frazën “thjeshtësia ndaj Krishtit” (2 Korintasve 11:3). Si keni gjetur thjeshtësi ndaj Krishtit dhe ungjillit të Tij? Si mundet mendja juaj “të mos prishet duke [e] shmangur [atë] thjeshtësi”? Çfarë këshille të dobishme gjeni te 2 Korintasve 11:1–6, 13–15?

Merrni parasysh edhe këtë këshillë nga Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Nëse mendoni se ungjilli nuk po funksionon aq mirë për ju, unë ju ftoj të bëni një hap pas, ta shihni jetën tuaj nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtësoni metodën tuaj të dishepullimit. Përqendrohuni te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit. Ju premtoj se Perëndia do t’ju udhërrëfejë e bekojë në shtegun tuaj drejt një jete të suksesshme dhe ungjilli sigurisht do të funksionojë më mirë për ju” (“Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme!”, Liahona, nëntor 2015, f. 22).

2 Korintasve 12:5–10

Hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm që të më ndihmojë të gjej forcë në dobësinë time.

Ne nuk e dimë se çfarë ishte “gjëmb[i] në mish” i Palit, por ne të gjithë kemi gjembat tona të cilat dëshirojmë që Perëndia t’i heqë nga jeta jonë. Mendoni për gjembat tuaj ndërsa lexoni te 2 Korintasve 12:5–10 dhe përsiatni se çfarë mësoni rreth Jezu Krishtit në këto vargje. Çfarë mësimi dha Pali në këto vargje rreth sprovave dhe dobësive? Çfarë do të thotë për ju që “hiri [i Perëndisë ju] mjafton”?

Shih edhe Mosia 23:21–24; 24:10–15; Ethëri 12:27; Moroni 10:32–33.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

2 Korintasve 8–9.Çfarë gjejmë në këta kapituj që na frymëzon t’i ndihmojmë të varfrit dhe njerëzit e tjerë nevojtarë? Kjo mund të jetë një kohë e mirë për të planifikuar një vepër shërbimi si familje për një njeri nevojtar.

2 Korintasve 9:6–7.A njeh dikë familja juaj, i cili mund të përshkruhet si një “dhurues [i] gëzuar”? Si mund ta bëjmë më të gëzueshëm shërbimin tonë ndaj të tjerëve? Anëtarët më të vegjël të familjes mund të bëjnë distinktivë që thonë: “Jam një dhurues i gëzuar”. Ju mund t’ua dhuroni distinktivët pjesëtarëve të familjes kurdoherë që i shihni ata të shërbejnë me gëzim njëri ndaj tjetrit.

2 Korintasve 10:3–7.Si mund ta mësoni familjen tuaj për “luftë[n]” tonë kundër ligësisë? A do të argëtohej familja juaj po të ndërtonte një mur apo një fortesë me karrige dhe batanije? Kjo mund të çonte drejt një diskutimi rreth mënyrës se si të heqim gjëra që na largojnë nga Perëndia dhe se si “t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit”. Cilat janë “armët” shpirtërore që përdorim për t’i kontrolluar mendimet tona? (Shih Efesianëve 6:11–18.)

2 Korintasve 11:3.Çfarë mund të bëjë familja juaj për t’u përqendruar më shumë te “thjeshtësia ndaj Krishtit”?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “‘Jep’, Tha o Rrëkeza”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 116.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Shënojini mbresat. Plaku Riçard G. Skot, tha: “Njohuria e mbajtur shënim me kujdes është njohuri që ju gjendet në kohë nevoje. … [Shënimi i drejtimit shpirtëror] e përmirëson gjasën për marrjen nga ju të dritës së mëtejshme” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 88; shih edhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 1230).

Pamja
të rinj duke ndihmuar për një projekt shërbimi

“Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7).