Dhiata e Re 2023
18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13: “Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar”


“18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13: ‘Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Jezusi duke biseduar me një fëmijë të vogël

18–24 Shtator

2 Korintasve 8–13

“Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar”

Idetë tuaja më të mira për t’i mësuar fëmijët në klasën tuaj do të vijnë ndërsa studioni plot lutje kapitujt te 2 Korintasve 8–13, duke pasur ata në mendje. Në këtë përvijim të mësimit mund të gjenden ide shtesë për mësimdhënien.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Një mënyrë e mirë për t’i ftuar fëmijët të tregojnë, është duke u kujtuar atyre diçka që ju i ftuat të bënin gjatë një mësimi të mëparshëm. Kërkojuni atyre t’i tregojnë përvojat e tyre.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

2 Korintasve 9:6–7

Unë mund t’u jap me gëzim njerëzve në nevojë.

Është gjithmonë mirë që t’u shërbejmë të tjerëve, por është edhe më mirë të shërbejmë me gëzim. Merreni në shqyrtim atë që do ta frymëzojë çdo fëmijë të jetë një “dhurues [i] gëzuar”.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët ta përsëritin frazën “Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7). Çfarë do të thotë të jesh një “dhurues [i] gëzuar”? Tregoni figurën e një fytyre të lumtur dhe të një fytyre të trishtuar dhe pyetini fëmijët se cila prej tyre duket si një dhurues i gëzuar.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth shërbimit, të tillë si “Kur Ndihmojm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 108b). Herën e parë, kërkojuni fëmijëve të këndojnë plot gëzim; pastaj kërkojuni atyre që të këndojnë me emocione apo qëndrime të ndryshme, të tilla si të trishtuar, të lodhur, të zemëruar apo të frikësuar. Kujtojuni fëmijëve se Ati Qiellor dëshiron që ne t’i ndihmojmë të tjerët me hare. Pastaj këndojeni këngën përsëri me gëzim.

  • Ndihmojini fëmijët të vizatojnë fytyra të buzëqeshura dhe fytyra të ngrysura. Kërkojuni atyre t’i ngrenë lart vizatimet me fytyrat e buzëqeshura kur të dëgjojnë fjalët buzëqeshja ose buzëqeshje ndërsa këndojnë këngën “Buzëqeshjet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 128). Mund të bëjnë të njëjtën gjë me vizatimet e fytyrave të ngrysura dhe fjalët ngrys, ngrysja dhe t’ngrysur. Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë se cila fytyrë është e gëzuar dhe cila nuk është. Thuajuni fëmijëve se një mënyrë për të qenë të gëzuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve është të buzëqeshim dhe t’i ndihmojmë të tjerët të buzëqeshin.

  • Planifikoni një veprimtari si klasë për t’i shërbyer dikujt, të tillë si një fëmije i cili nuk merr pjesë në Fillore apo një anëtari të lagjes ose fqinji në nevojë. Ju mund të planifikoni të bëni një vizitë në shtëpinë e këtij personi, t’i shkruani pusulla të këndshme ose të vizatoni figura apo të bëni një ëmbëlsirë për t’ia dhënë.

  • Ftojeni secilin fëmijë që të planifikojë një vepër shërbimi të gëzueshme për një pjesëtar të familjes së tij apo të saj. Gjatë orës së ardhshme mësimore, kërkojuni atyre të tregojnë atë që bënë.

2 Korintasve 12:7–10

Ati Qiellor gjithmonë u përgjigjet lutjeve, por jo përherë në mënyrën që e presim ne.

Përvoja e Palit duke u lutur që “gjëmb[i] në mish[in]” e tij të hiqej, na mëson se Perëndia nganjëherë na forcon në sprovat tona në vend që t’i largojë ato.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një bimë me gjemba (apo një figurë të saj). Ndihmojini ata të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po të kishin një gjemb të ngulur në lëkurë për një kohë të gjatë. Përmblidhni për fëmijët vargjet te 2 Korintasve 12:7–10, duke shpjeguar se “gjëmb[i] në mish” ishte një sprovë, diçka e vështirë në jetën e tij. Edhe pse Pali i kërkoi Perëndisë që t’ia hiqte sprovën, Perëndia nuk e bëri. Në vend të kësaj, Perëndia i mësoi Palit se sfidat mund të na ndihmojnë që të mësojmë të jemi të përulur e t’i mirëbesojmë Atij. Atëherë Perëndia mund të na bëjë të fortë.

  • Dëshmoni se Ati Qiellor e di se çfarë është më e mira për ne dhe Ai do të na japë atë që na nevojitet, edhe pse është e ndryshme nga ajo që mendojmë se na nevojitet. Ju gjithashtu mund të tregoni një përvojë kur lutjet tuaja morën përgjigje në një mënyrë apo kohë që ishte e ndryshme nga ajo që prisnit. Mund të ndihmojë një histori si “The Diabetes Dilemma” (Friend, shtator 2019, f. 4–5) ose “Please Bless Ace” (Friend, nëntor 2019, f. 32–33).

  • Këndoni me fëmijët një këngë për dashurinë e Atit Qiellor, të tillë si “Lutja e Një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7). Pyetini fëmijët se çfarë do t’i thoshin dikujt që e pyet veten nëse Ati Qiellor i dëgjon dhe iu përgjigjet lutjeve. Këndojeni sërish këngën dhe theksoni rreshtat që përshkruajnë mënyrën se si ndihet Ati Qiellor për ne.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

2 Korintasve 9:6–9

Unë mund t’u jap plot gëzim njerëzve nevojtarë.

Pali dëshironte t’i frymëzonte shenjtorët që të jepnin nga bollëku i tyre për t’i ndihmuar të varfrit. Si do t’i përdorni fjalët e tij për t’i frymëzuar fëmijët që t’u shërbejnë të tjerëve?

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruajini në tabelë fjalët te 2 Korintasve 9:7 dhe fjalët kyç lërini bosh. Ftojini fëmijët të gjejnë se cilat janë fjalët që mungojnë. Pastaj lërini ta lexojnë vargun në shkrimet e shenjta që të plotësojnë vendet bosh. Çfarë do të thotë të japësh “me keqardhje [apo] nga shtrëngimi”? Çfarë do të thotë të jesh një “dhurues [i] gëzuar”?

  • Ftojini fëmijët që t’ju ndihmojnë të gjeni figura të Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve (ka disa te manuali Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Pyetini se çfarë shohin te këto figura që i ndihmon të dinë se Jezusi u shërbeu të tjerëve me dashuri. Vendosni një synim si klasë që të thoni “po” kur pjesëtarë të familjes apo të tjerë do të na kërkojnë të shërbejmë javën e ardhshme, si duke ndihmuar nëpër shtëpi apo duke u kujdesur për të tjerët.

  • Ndihmojini fëmijët që të zbukurojnë gurë të vegjël. Shpjegoni që këto janë “gurët e shërbimit” që mund t’i mbajnë në xhepat e tyre këtë javë, për t’i ndihmuar që të kujtohen për t’u shërbyer të tjerëve me gëzim.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth shërbimit, të tillë si “Qejf ta Bësh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 129b). Ndihmojini fëmijët të mendojnë [që të krijojnë] strofa të reja të këngës që përshkruajnë një larmi mënyrash për t’u shërbyer të tjerëve.

2 Korintasve 12:7–10

Ati Qiellor iu përgjigjet gjithmonë lutjeve, por Ai nuk më jep përherë gjithçka që unë kërkoj.

Pali i kërkoi Perëndisë që t’ia hiqte dobësinë e tij, por Perëndia e dinte se dobësia e Palit do ta përulte dhe Perëndia do ta bënte të fortë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të krahasojnë vargjet te 2 Korintasve 12:9–10 me vargun tek Ethëri 12:27. Cilat fjalë apo fraza përsëriten? Çfarë po na mësojnë këto vargje? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se Pali po e krahasonte sfidën e tij me një gjemb në lëkurën e tij.) Çfarë i mësoi Perëndia Palit rreth sprovave?

  • Ftojini fëmijët të renditin disa sprova që njerëzit kanë në jetë. Ndihmojini ata të marrin në shqyrtim mënyrën se si dikush mund të mësojë nga këto sprova dhe të bekohet prej tyre.

  • Nëse mundeni, tregojuni fëmijëve “The Diabetes Dilemma” [“Dilema e Diabetit”] (Friend, shtator 2019, f. 4–5). Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë përvoja kur ata u lutën për diçka dhe nuk e morën atë. Kërkojuni atyre të tregojnë atë që mësuan nga përvojat e tyre. Ju mund të tregoni edhe vetë përvojat tuaja. Jepni dëshminë tuaj se Ati Qiellor iu përgjigjet gjithmonë lutjeve tona në mënyrën dhe kohën që do të na bekojë më shumë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të jenë dhurues të gëzuar në shtëpitë e tyre këtë javë dhe të vijnë në klasë javën e ardhshme të përgatitur për të raportuar mbi mënyrën se si i shërbyen dikujt në nevojë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Trajtojini ndërprerjet me dashuri. “Nganjëherë një fëmijë vepron në mënyra që e ndërpresin të mësuarin e të tjerëve në klasë. Kur kjo ndodh, jini të duruar, të dashur dhe të kuptueshëm rreth sfidave që mund të hasë fëmija. … Nëse fëmija që shkakton ndërprerje, ka nevoja të veçanta, flisni me specialistin/en e lagjes apo të kunjit për paaftësitë ose vizitoni [disabilities.ChurchofJesusChrist.org] për të gjetur mënyra se si mund t’i plotësoni më mirë ato nevoja” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 26).