Dhiata e Re 2023
11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7: “Paqtohuni me Perëndinë”


“11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Jezu Krishti

11–17 Shtator

2 Korintasve 1–7

“Paqtohuni me Perëndinë”

Ndërsa i studioni letrat e Palit drejtuar korintasve, shkruani disa nga parimet e ungjillit që zbuloni dhe përsiatni se si mund t’i zbatoni ato në jetën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndonjëherë, të qenit një udhëheqës i Kishës do të thotë të jesh i detyruar të thuash disa gjëra të vështira. Kjo ishte e vërtetë në kohën e Palit ashtu siç është edhe sot. Me sa duket, një letër e mëparshme e Palit drejtuar shenjtorëve korintas përfshinte qortim dhe shkaktoi hatërmbetje. Në letrën që u bë 2 Korintasve, ai u përpoq të shpjegonte se çfarë i kishte nxitur fjalët e tij të ashpra: “Ju shkrova, në fakt, me shumë lot dhe me pikëllim të madh dhe ankth në zemër, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë shumë të madhe që kam për ju” (2 Korintasve 2:4). Kur jeni personi që e merr korrigjimin nga një udhëheqës, pa dyshim që ju ndihmon të dini se ai është i frymëzuar nga dashuria si e Krishtit. Por edhe në ato raste ku nuk është kështu, nëse jemi të gatshëm t’i shohim të tjerët me llojin e dashurisë që ndjeu Pali, është më e lehtë të reagojmë siç duhet ndaj çdo fyerjeje. Ashtu siç këshilloi Plaku Xhefri R. Holland: “Jini dashamirës lidhur me dobësinë e karakterit njerëzor – tuajit, si edhe të atyre që shërbejnë me ju në një Kishë të udhëhequr nga burra dhe gra vullnetare, të vdekshme. Me përjashtim të rastit të Birit të Tij të përsosur, të Vetëmlindur, njerëz të papërsosur janë gjithë çka Perëndia ka pasur si veprues përherë” (“Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 94).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18; 7:4–7

Sprovat e mia mund të jenë një bekim.

Duke marrë parasysh gjithçka me të cilën u përball Pali gjatë jetës së tij, nuk është për t’u çuditur që ai shkroi shumë për qëllimet dhe bekimet nga mundimet. Ndërsa lexoni kapitujt te 2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18; 7:4–7, mendoni rreth mënyrave se si sprovat tuaja mund të jenë një bekim. Për shembull, ju mund të përsiatni se si Perëndia ju “ngushëllon në çdo shtrëngim t[uajin]” dhe për mënyrën se si ju, nga ana tjetër, mund t’i “ngushëllo[ni] ata që janë në çfarëdo shtrëngimi” (2 Korintasve 1:4). Ose ju mund të përqendroheni tek mënyra se si drita e Jezu Krishtit “shkëlqeu” në zemrën tuaj edhe kur ishit të “shtrënguar” dhe “ndërdyshas” (2 Korintasve 4:6, 8).

Shih edhe Mosia 24:13–17; Henri B. Ajring, “Të Vënë në Provë, të Provuar dhe të Lëmuar”, Liahona, nëntor 2020, f. 96–99; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Adversity” [“Fatkeqësia”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

2 Korintasve 2:5–11

Falja është një bekim që mund ta jap dhe marr.

Nuk dimë shumë rreth njeriut që Pali e përmendi te 2 Korintasve 2:5–11 – vetëm se ai kishte bërë shkelje (shih vargjet 5–6) dhe se Pali dëshironte që shenjtorët ta falnin atë (shih vargjet 7–8). Përse nganjëherë nuk arrijmë t’ia “shfaq[im] dashuri[në tonë]” një njeriu të dashur që na ka fyer? (Vargu 8.) Si i lëndon të tjerët dhe vetë ne mospranimi për të falur? (Shih vargjet 7, 10–11.) Në ç’mënyrë mospranimi për të falur i jep mundësi që të “na mposhtë Satanai[t]”? (Vargu 11.)

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 64:9–11.

2 Korintasve 5:14–21

Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, unë mund të pajtohem me Perëndinë.

Ashtu si kushdo, Pali e dinte se çfarë do të thoshte të bëheshe “një krijesë e re” (2 Korintasve 5:17). Nga një përndjekës i të krishterëve, ai u bë një mbrojtës i patrembur i Krishtit. Ndërsa lexoni vargjet te 2 Korintasve 5:14–21, mendoni për pyetje si këto: Çfarë do të thotë të pajtohesh? Çfarë do të thotë të pajtohesh me Perëndinë? Përsiatni se çfarë mund të jetë duke ju ndarë nga Perëndia. Çfarë duhet të bëni për t’u pajtuar më plotësisht me Të? Si e bën të mundur këtë gjë Shpëtimtari?

Ju gjithashtu mund të përsiatni se çfarë do të thotë të jesh “lajmëtar për Krishtin” në “shërbimin [e] pajtimit” (vargjet 18, 20). Çfarë njohurish morët nga mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “Shërbesa e Pajtimit”? (Liahona, nëntor 2018, f. 77–79.)

Shih edhe 2 Nefi 10:23–25.

2 Korintasve 7:8–11

Trishtimi sipas Perëndisë çon drejt pendimit.

Ne zakonisht nuk e shohim trishtimin si një gjë të mirë, por Pali foli për “trishtimi[n] sipas Perëndisë” (2 Korintasve 7:10) si një pjesë të nevojshme të pendimit. Merrni parasysh se çfarë mësoni rreth trishtimit sipas Perëndisë nga sa vijon: 2 Korintasve 7:8–11; Alma 36:16–21; Mormoni 2:11–15; dhe mesazhi i Motrës Mishel D. Krejg “Pakënaqësia e Shenjtë” (Liahona, nëntor 2018, f. 52–55). Kur e keni ndier trishtimin sipas Perëndisë dhe çfarë ndikimi pati ai në jetën tuaj?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

2 Korintasve 3:1–3.A i kanë kërkuar ndonjëherë pjesëtarët e familjes suaj dikujt që të shkruajë një letër rekomandimi për ta, të tillë si një kërkesë për punë apo për shkollë? Kërkojuni atyre të flasin për këtë përvojë. Pali dha mësim se jeta e shenjtorëve ishte si letrat e rekomandimit për ungjillin e Jezu Krishtit, “[të] shkruar[a] jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë”. Ndërsa lexoni së bashku vargjet te 2 Korintasve 3:1–3, diskutoni se si shembujt tanë janë si letra që mund të “nj[ihen] dhe … lex[ohen] nga të gjithë njerëzit”, duke demonstruar të vërtetën dhe vlerën e ungjillit. Ndoshta çdo pjesëtar i familjes mund të shkruajë një “letër”, duke shpjeguar se si një pjesëtar tjetër i familjes ka qenë shembull i mirë i një dishepulli të Jezu Krishtit. Ata mund t’ia lexojnë letrat e tyre familjes dhe t’ua japin ato pjesëtarëve të familjes për të cilët i shkruan. Përse është e rëndësishme të kuptojmë se jeta jonë është një “letër e Krishtit”?

2 Korintasve 5:6–7.Çfarë do të thotë të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit”? Çfarë po bëjmë për të treguar se besojmë te Shpëtimtari edhe pse nuk mund ta shohim Atë?

2 Korintasve 5:17.A mundet familja juaj të mendojë ose të gjejë në natyrë shembuj të gjërave që pësojnë shndërrime të jashtëzakonshme dhe bëhen krijesa të reja? (Shih figurën në fund të këtij përvijimi të mësimit.) Si mund të na ndryshojë ne ungjilli i Jezu Krishtit?

2 Korintasve 6:1–10.Sipas vargjeve te 2 Korintasve 6:1–10, çfarë do të thotë të jesh “shërbëtor [i] Perëndisë”? (Vargu 4.) Çfarë cilësish ka një shërbëtor i Perëndisë?

2 Korintasve 6:14–18.Si mund ta ndjekim këshillën e Palit: “Dilni nga mesi i [të padrejtëve] dhe ndahuni prej tyre”, ndërsa i duam edhe njerëzit përreth nesh?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Ndihmom’, At’ i Dashur”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 52.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni mësime me sende. Disa koncepte të ungjillit, të tilla si Shlyerja, mund të jenë të vështira për t’u kuptuar. Merreni parasysh përdorimin e figurave apo sendeve të cilat mund ta ndihmojnë familjen tuaj t’i kuptojë parimet që zbuloni në shkrimet e shenjta.

Pamja
vemje, fshikëz dhe flutur

Kur ne kthehemi në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit, shndërrimi ynë është kaq i thellë saqë Pali e përshkroi si të bërit një “krijesë e re” (2 Korintasve 5:17).