Doktrina e Besëlidhje 2021
5–11 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 76: “I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre”


“5–11 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 76: ‘I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“5–11 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 76”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
galaktikë në hapësirë

Strehimi, nga Shaelynn Abel

5–11 Korrik

Doktrina e Besëlidhje 76

“I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre”

seksionin 76, Zoti shprehu se sa shumë dëshiron Ai që të na e zbulojë të vërtetën (shih vargjet 7–10). Lexojini shkrimet e shenjta me besimin se Ai mund dhe do t’jua zbulojë “gjërat e Perëndisë” (vargu 12) të cilat keni nevojë t’i dini. Më pas shënojini idetë që i merrni “ndërsa [jeni] ende në Shpirt” (vargjet 28, 80, 113).

Shënojini Mbresat Tuaja

“Çfarë do të më ndodhë pasi të vdes?” Pothuajse çdo fe në botë e trajton këtë pyetje në një formë apo tjetër. Për shekuj me radhë, shumë tradita të krishtera, duke u mbështetur te mësimet biblike, kanë dhënë mësim mbi qiellin dhe ferrin, mbi parajsën për të drejtët dhe vuajtjet për të ligjtë. Por a mund të ndahet e tërë familja njerëzore vërtet kaq ngushtësisht në të mirë dhe të këqij? Dhe çfarë do të thotë në të vërtetë fjala qiell? Në shkurt 1832, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni pyetën veten nëse nuk kishte më për të ditur mbi temën (shih Doktrina e Besëlidhje 76, kreu i seksionit).

Sigurisht që kishte. Ndërkohë që përsiatnin për këto gjëra, Zoti i “preku sytë e të kuptuarit [të tyre] dhe ata u hapën” (vargu 19). Jozefi dhe Sidni morën një zbulesë kaq mahnitëse, kaq të zgjeruar, kaq ndriçuese, sa shenjtorët thjesht e quajtën atë “Vegimi”. Ajo i hapi gjerësisht dritaret e qiellit dhe u dha fëmijëve të Perëndisë një pamje që të zgjeron këndvështrimin për përjetësinë. Vegimi zbuloi se qielli është më i madhërishëm, më i gjerë dhe më përfshirës sesa e kishin besuar më parë shumica e njerëzve. Perëndia është më i mëshirshëm dhe më i drejtë sesa mund ta kuptojmë. Dhe fëmijët e Perëndisë kanë një fat të përjetshëm, më të lavdishëm sesa mund ta përfytyrojmë.

Shih Saints [Shenjtorët], 1:147–150; “The Vision”, Revelations in Context, f. 148–154.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 76

Shpëtimi vjen nëpërmjet Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

Kur Uillford Udrafi e lexoi vegimin e përshkruar në seksionin 76, ai tha: “Ndjeva që e doja Zotin më shumë sesa ndonjëherë më parë në jetën time” (shih “Zërat e Rivendosjes” në fund të këtij përvijimi). Ndoshta ju patët ndjenja të ngjashme kur e lexuat këtë zbulesë. Në fund të fundit, asnjë prej bekimeve të lavdishme, të përshkruara në seksionin 76 nuk do të ishte i mundur pa Shpëtimtarin. Ndoshta ju mund ta përcaktoni çdo varg te seksioni 76 që e përmend Zotin Jezu Krisht. Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth Tij dhe rolit të Tij në planin e Perëndisë? Si ndikojnë këto vargje në mënyrën se si ndiheni rreth Tij? Teksa lexoni e përsiatni, ju mund të merrni mbresa rreth mënyrës se si mund ta “m[errni] dëshminë e Jezusit” dhe të jeni më “të guximshëm” në atë dëshmi (vargjet 51, 79).

Doktrina e Besëlidhje 76:39–44, 50–112

Perëndia dëshiron t’i shpëtojë “gjithë veprat e duarve të tij”.

Disa njerëz, përfshirë disa anëtarë të hershëm të Kishës, e kundërshtuan vegimin në seksionin 76 ngaqë jepte mësim se pothuaj çdo njeri do të shpëtohej dhe do të merrte njëfarë shkalle lavdie. Kundërshtimet e tyre mund të kenë ardhur, pjesërisht, nga një keqkuptim rreth Perëndisë dhe marrëdhënies së Tij me ne. Teksa e lexoni këtë zbulesë, çfarë mësoni rreth karakterit të Perëndisë dhe planit të Tij për fëmijët e Tij?

Merrni parasysh ndryshimin midis të qenit i shpëtuar (nga vdekja fizike dhe shpirtërore; shih vargjet 39, 43–44) dhe të qenit i ekzaltuar (të jetuarit me Perëndinë dhe të bërit si Ai; shih vargjet 50–70).

Shih edhe Gjoni 3:16–17; Doktrina e Besëlidhje 132:20–25.

Doktrina e Besëlidhje 76:50–70, 92–95

Ati im Qiellor dëshiron që unë të marr jetë të përjetshme në mbretërinë çelestiale.

A e keni pyetur ndonjëherë veten – ose jeni shqetësuar – nëse do të kualifikoheni apo jo për mbretërinë çelestiale? Kur lexoni përshkrimin e atyre që e marrin këtë lavdi (shih vargjet 50–70, 92–95), në vend që të kërkoni vetëm një listë të gjërave që duhet të bëni, kërkoni atë që ka bërë Perëndia – dhe vazhdon të bëjë – që t’ju ndihmojë të bëheni si Ai. A ndikon leximi i vegimit në këtë formë mbi mënyrën se si ndiheni rreth përpjekjeve tuaja vetjake?

Ju gjithashtu mund të mendoni sesa bekim i madh është që ju t’i dini këto hollësi rreth mbretërisë çelestiale. Si ndikon ky vegim i lavdisë çelestiale mbi mënyrën se si ju e shihni dhe doni ta jetoni jetën tuaj të përditshme?

Shih edhe Moisiu 1:39; Xhoi D. Xhons, “Vlerë e Pamasë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 13–15; J. Devn Kornish, “A Jam Mjaftueshëm i Mirë? A do t’ia Dal?Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 32–34.

Pamja
dhomë në një shtëpi të shekullit të nëntëmbëdhjetë

Jozef Smithi pa vegimin e shkallëve të lavdisë në këtë dhomë.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 76:22–24, 50–52, 78–79, 81–82.Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth rëndësisë së dëshmive tona? Çfarë roli luajnë dëshmitë tona në fatin tonë të përjetshëm? Mund të jetë e dobishme të shihni përkufizimet e fjalës i guximshëm për të diskutuar se si të jeni “të guximshëm në dëshminë e Jezusit” (vargu 79). Ju gjithashtu mund të këndoni “Do të Jem Guximtar”, (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85).

Doktrina e Besëlidhje 76:24.Familja juaj mund të vërë re lidhje midis të vërtetave në seksionin 76 dhe ato që jepen mësim te kënga “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, nr. 2); një nga këto të vërteta gjendet te Doktrina e Besëlidhje 76:24. Si mund të jetë bota e ndryshme nëse çdo njeri do ta kuptonte që ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë? Si ndikon kjo e vërtetë mbi mënyrën se si i trajtojmë të tjerët? Ndoshta të parit e fotografive të bijve dhe bijave të racave të ndryshme të Perëndisë në këtë tokë mund ta ndihmojë familjen tuaj që ta përsiatë këtë pyetje. (Shih edhe “Video Presentation: I Am a Child of God” [“Paraqitje Filmike: Unë Jam një Fëmijë i Perëndisë”] ChurchofJesusChrist.org.)

Merrni parasysh të këndoni së bashku “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” dhe të kërkoni lidhje të tjera me parimet te seksioni 76 (shih, për shembull, vargjet 12, 62, 96).

Doktrina e Besëlidhje 76:40–41.Nëse do t’i përmblidhnim “lajmet e mira” (vargu 40) në këto vargje në një titull të shkurtër të një artikulli gazete ose në Twitter, çfarë do të thoshim? Çfarë lajmesh të tjera të mira gjejmë te seksioni 76?

Doktrina e Besëlidhje 76:50–70.Si do ta ndihmoni familjen tuaj që të shohë me shpresë drejt jetës së përjetshme dhe të përgatitet për jetën e përjetshme në mbretërinë çelestiale? Ju mund të punoni së bashku për të gjetur figura, shkrime të shenjta dhe mësime profetike që shkojnë me frazat te Doktrina e Besëlidhje 76:50–70. Ju mund t’i gjeni këto gjëra në revista të Kishës, në faqen ChurchofJesusChrist.org ose në poshtëshënimet e shkrimeve të shenjta. Më pas ju mund t’i grumbulloni këto figura, shkrime të shenjta dhe mësime në një afishe që mund t’i kujtojë familjes tuaj qëllimet tuaja të përjetshme.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “E Di, Jeton Shëlbuesi Im”, Himne, nr. 74.

Pamja
ikona zërat e rivendosjes

Zërat e Rivendosjes: Dëshmitë për “Vegimin”

Uillford Udrafi

Uillford Udrafi u bashkua me Kishën në dhjetor 1833, gati dy vjet pasi Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni morën vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76. Ai po jetonte në Nju‑Jork në atë kohë dhe mësoi rreth “Vegimit” nga misionarë që po shërbenin në atë zonë. Vite më vonë ai foli për mbresat e tij për këtë zbulesë:

“Pata mësuar që nga fëmijëria se kishte një Qiell e një Ferr dhe më ishte thënë se gjithë të ligjtë kishin një ndëshkim dhe të drejtët një lavdi. …

… Kur e lexova vegimin … , ai ma ndriçoi mendjen dhe më dha gëzim të madh, m’u duk se Perëndia i cili ia zbuloi atë parim njeriut, ishte i urtë, i drejtë dhe i vërtetë, zotëronte si virtytet më të mira ashtu edhe arsye të mirë dhe njohuri; ndjeva se Ai ishte i pandryshueshëm lidhur me dashurinë, mëshirën, drejtësinë e gjykimin, dhe e ndjeva se e desha Zotin më shumë se ndonjëherë më parë në jetën time.”1

“‘Vegimi’ [është] një zbulesë që na jep më shumë dritë, më shumë të vërtetë dhe më shumë parim sesa ndonjë zbulesë që përmbahet në ndonjë libër tjetër që e lexuam ndonjëherë. Ajo e bën të qartë për të kuptuarit tonë gjendjen tonë të tanishme, nga erdhëm, përse jemi këtu dhe ku do të shkojmë. Çdo njeri mund ta dijë nëpërmjet asaj zbulese se cilat do të jenë roli dhe gjendja e tij.”2

“Përpara se ta shihja Jozefin, unë thashë se nuk më interesonte se sa i vjetër ishte apo sa i ri ishte; nuk më interesonte pamja e jashtme – nëse i kishte flokët të gjata apo të shkurtra; burri që e përkrahu atë zbulesë, ishte një profet i Perëndisë. Unë e dija vetë këtë.”3

Fibi Krosbi Peku

Kur Fibi Peku i dëgjoi Jozefin dhe Sidnin të jepnin mësim për “Vegimin”, ajo po jetonte në Misuri dhe po rriste pesë fëmijë si një nënë e vetme. Vegimi i la kaq shumë mbresë dhe e frymëzoi kaq shumë sa ajo shkroi atë që vijon për të treguar se çfarë kishte mësuar ajo me rrethin e saj familjar:

“Zoti po ua zbulon misteret e Mbretërisë qiellore Fëmijëve të tij. … Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni na bënë një vizitë pranverën e shkuar dhe ne patëm shumë takime të gëzuara ndërkohë që ishin këtu, dhe patëm shumë mistere që na u shpalosën, të cilat më dhanë ngushëllim të madh. Ne mund ta shihnim denjimin e Perëndisë në përgatitjen e banesave të paqes për fëmijët e tij. Dhe ata që nuk do ta marrin plotësinë e ungjillit dhe nuk do të qëndrojnë si ushtarë të guximshëm në kauzën e Krishtit, nuk mund të banojnë në praninë e Atit dhe të Birit. Por ka një vend të përgatitur për të gjithë ata që nuk e marrin atë, por ai është një vend i një lavdie shumë më të vogël sesa të banojnë në mbretërinë Çelestiale. Unë nuk do të përpiqem të të them diçka më shumë lidhur me këto gjëra, pasi ato janë tani të shtypura dhe po i shpërndahen botës. Dhe ndoshta do të kesh mundësinë t’i lexosh vetë dhe nëse i lexon, shpresoj se do t’i lexosh me një zemër të kujdesshme dhe plot lutje, sepse këto gjëra ia vlen të përmenden. Dhe dëshiroj që ti të mund t’i hetosh ato, sepse është kjo që çon drejt lumturisë sonë në këtë botë dhe në botën që vjen.”4

Shënime

  1. Remarks”, Deseret News, 27 maj 1857, f. 91.

  2. Deseret News, 3 gusht 1881, f. 481; shih edhe Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 120–121.

  3. “Remarks”, Deseret Weekly, 5 shtator 1891, f. 322.

  4. Letër e Fibi Krosbi Pekut drejtuar Ana Xhons Pratit, 10 gusht 1832, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti; germëzimi dhe shenjat e pikësimit janë bërë bashkëkohore.

Pamja
paraqitje e tri mbretërive të lavdisë

Lavdi sipas Shkallëve, nga Annie Henrie Nader