Doktrina e Besëlidhje 2021
5–11 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 76: “I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre”


“5–11 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 76: ‘I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“5–11 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 76”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Pamja
galaktikë në hapësirë

Strehimi, nga Shaelynn Abel

5–11 Korrik

Doktrina e Besëlidhje 76

“I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre”

Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 76, përsiatni atë që Ati Qiellor dëshiron që fëmijët në klasën tuaj të dinë rreth Tij, Shpëtimtarit, vetvetes dhe fatit të tyre të përjetshëm.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Tregojuni fëmijëve figura ose faqe veprimtarie nga përvijimi i mësimit të kësaj jave ose nga përvijime të mëparshme. Lërini t’ju tregojnë atë që shohin në këto figura dhe atë që mbajnë mend se mësuan prej tyre.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 76:24

Ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë.

Presidenti Dallin H. Ouks tha se nëse i mësojmë “një personi të ri në moshë idenë e fuqishme se ai apo ajo është një fëmijë i Perëndisë”, ne mund t’i japim atij ose asaj “respekt për veten dhe shtysë për të vepruar kundrejt problemeve të jetës” (“Powerful Ideas”, Ensign, nëntor 1995, f. 25).

Veprimtari të Mundshme

  • Për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë potencialin e tyre që të bëhen si Perëndia, gjeni mënyra për t’u treguar se kafshët e sapolindura rriten që të bëhen si prindërit e tyre – ndoshta fëmijët mund të përputhin figura kafshësh të rritura me figura kafshësh të sapolindura. Hapini shkrimet e shenjta te Doktrina e Besëlidhje 76:24 dhe u thoni fëmijëve se ne jemi të gjithë “bij e bija … të Perëndisë”. Jepni dëshminë tuaj se Perëndia është Ati ynë dhe se ne mund të rritemi që të bëhemi si Prindërit tanë Qiellorë.

  • Këndoni së bashku “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3) dhe ftojini fëmijët të tregojnë me gisht drejt vetes kur këndojnë “jam”. Kërkojuni ta këndojnë këngën sërish, duke zëvendësuar “jam” me “je” dhe duke treguar me gisht drejt dikujt tjetër në klasë.

Doktrina e Besëlidhje 76:40–42

Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës.

Fjala ungjill do të thotë lajm i mirë. Lajmi i mirë që sjell ungjilli, është se Jezu Krishti “erdhi në botë … që … ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia” (vargu 41).

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve për disa lajme të mira që i dëgjuat kohët e fundit. Kërkojuni të tregojnë ndonjë lajm të mirë që e kanë dëgjuar. Më pas u tregoni atyre për lajmin e mirë të ungjillit duke lexuar te Doktrina e Besëlidhje 76:41–42. Pyetini fëmijët se si i bën të ndihen ky lajm i mirë. Tregojuni atyre për gëzimin që ju sjell ky lajm i mirë.

  • Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit. Pyetini fëmijët nëse e dinë se çfarë bëri Jezu Krishti për ne. Tregojuni fëmijëve diçka të ndotur dhe diçka të pastër (si një shami të bardhë ose një fletë letre) dhe shpjegoni se mëkati është si ndotja për shpirtrat tanë, por Jezu Krishti erdhi të na ndihmonte të bëheshim të pastër sërish.

    Pamja
    Jezusi me fëmijët

    Lërini Fëmijët, nga J. Kirk Richards

Doktrina e Besëlidhje 76:62

Ati Qiellor dëshiron që unë të kthehem për të jetuar me Të përgjithmonë.

Vegimi i Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit për mbretërinë çelestiale zbuloi bekimet e mëdha që Perëndia i ka përgatitur për fëmijët e Tij, si edhe gjërat që duhet të bëjmë për t’i marrë ato bekime.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve për tri mbretëritë e lavdisë që Jozefi dhe Sidni i panë në vegimin e tyre. (Ju mund t’u lexoni fëmijëve një pjesë ose të gjithë “Kapitullin 26: Tri Mbretëritë e Qiellit” [Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 97–103] ose të shfaqni materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.) Pyetini fëmijët se çfarë u pëlqen rreth vegimit. Përqendrohuni veçanërisht në përshkrimin e mbretërisë çelestiale dhe dëshmoni se kjo është mbretëria ku Ati Qiellor dëshiron që të jetë secili prej nesh.

  • Lexojuni fëmijëve te Doktrina e Besëlidhje 76:62 dhe ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të vetes së tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në mbretërinë çelestiale.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 76:5, 41–42, 69

Jezu Krishti është Shpëtimtari im.

Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se bekimet e lavdishme që Perëndia ua premton njerëzve besnikë në jetën e ardhshme, janë të mundshme vetëm për shkak të Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë Çfarë ka bërë Jezu Krishti për mua? Vëreni çdo fëmijë të lexojë në heshtje vargun 5, vargjet 41–42 ose vargun 69 te seksioni 76, duke kërkuar përgjigje të mundshme për pyetjen në tabelë. Lejojini të japin përgjigjet e tyre (shih edhe “Ai Dërgoi Birin e Tij”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21). Si mund ta tregojmë mirënjohjen tonë për atë që Shpëtimtari ka bërë për ne?

  • Shkruani në tabelë nenin e tretë të besimit, duke lënë hapësira bosh në vend të fjalëve kyç. Jepuani fëmijëve në shirita letre këto fjalë që mungojnë dhe ftojini t’i vendosin fjalët e tyre në vendet e duhura në tabelë. Çfarë na mëson ky nen i besimit rreth arsyes pse kemi nevojë për Jezu Krishtin? (Shihni edhe materialin filmik “Why We Need a Savior” [“Përse Kemi Nevojë për një Shpëtimtar”], ChurchofJesusChrist.org).

Doktrina e Besëlidhje 76:12, 15–19, 114–116

Studimi i shkrimeve të shenjta mund të më ndihmojë “të kupto[j] gjërat e Perëndisë”.

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni e morën zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 76 kur po përsiatnin shkrimet e shenjta. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si studimi i shkrimeve të shenjta mund të ftojë zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët a e dinë se çfarë po bënin Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni kur panë vegimin te Doktrina e Besëlidhje 76. Ftojini të lexojnë vargjet 15–19 për ta gjetur atë. Tregoni për një rast kur morët frymëzim ndërkohë që lexonit shkrimet e shenjta dhe kërkojuni fëmijëve të flasin për ndjenjat shpirtërore që kanë kur lexojnë shkrimet e shenjta.

  • Kërkojuni fëmijëve të mbyllin sytë dhe të përpiqen të kryejnë një detyrë, si për shembull të ngjyrosin një figurë ose të hapin shkrimet e shenjta te një varg i caktuar. Cilat janë disa gjëra që janë të vështira për t’u bërë kur sytë tanë janë të mbyllur shpirtërisht? Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 76:12, 15–19, 114–116 për të zbuluar se çfarë nevojitet të bëjmë që t’i kemi sytë tanë të hapur shpirtërisht.

Doktrina e Besëlidhje 76:50–70

Ati Qiellor ka përgatitur një mbretëri lavdie çelestiale për mua.

Njohuria për mbretërinë çelestiale që Perëndia ka përgatitur, mund t’i frymëzojë fëmijët që të kenë “sukses nëpërmjet besimit” (vargu 53) kundrejt sprovave dhe tundimeve që hasin.

Veprimtari të Mundshme

  • Çfarë do të thoshit nëse dikush ju pyet: “Përse duhet ta ndjek Jezu Krishtin dhe t’i zbatoj urdhërimet e Tij?” Ftojini fëmijët të kërkojnë përgjigje te Doktrina e Besëlidhje 76:50–70, fragment i cili përshkruan ata që marrin jetë të përjetshme në mbretërinë çelestiale. Lejojini fëmijët të interpretojnë me role se si t’i përgjigjen pyetjes. Jepni dëshminë tuaj për bekimet e mëdha që Ati Qiellor i ka përgatitur për ne, në qoftë se ndjekim Jezu Krishtin.

  • Vizatoni një figurë të madhe të diellit në një fletë letre dhe priteni atë në disa pjesë si një figurëformuese. Jepini secilit fëmijë një pjesëz, së bashku me njërin nga fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë për ta lexuar: Doktrina e Besëlidhje 76:51; 76:52; 76:53; 131:1–2. Kërkojuni fëmijëve të gjejnë në vargjet e tyre diçka që duhet ta bëjmë për të marrë jetë të përjetshme në mbretërinë çelestiale (disa vargje përfshijnë më shumë se një përgjigje) dhe ta shkruajnë atë në pjesëzën e tyre të diellit. Teksa punojnë së bashku për ta bashkuar figurën, shprehni besimin që keni tek ata se, me ndihmën e Shpëtimtarit, ata mund të kualifikohen për mbretërinë çelestiale.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u dhënë mësim familjeve të tyre atë që mësuan rreth vegimit që patën Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorini shkrimet e shenjta. Edhe nëse fëmijët të cilëve u jepni mësim, nuk janë në gjendje të lexojnë akoma, përdorini shkrimet e shenjta shpesh teksa u jepni mësim atyre. Lejojini të kuptojnë se të vërtetat që po u tregoni, vijnë nga shkrimet e shenjta.