Doktrina e Besëlidhje 2021
28 Qershor – 4 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 71–75: “Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë”


“28 Qershor – 4 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 71–75: ‘Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“28 Qershor – 4 Korrik. Doktrina e Besëlidhje 71–75”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
Jezusi me dele

Të Shtrenjta për Zemrën e Bariut, nga Simon Dewey

28 Qershor – 4 Korrik

Doktrina e Besëlidhje 71–75

“Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë”

Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim: “Ndikimi i Frymës së Shenjtë më shpesh shoqëron studimin e shkrimeve të shenjta dhe lutjen individuale në shtëpi” (“Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 10).

Shënojini Mbresat Tuaja

Që kur ishte djalosh, Jozef Smithi u përball me njerëz kritikues – madje armiq – teksa përpiqej të bënte punën e Perëndisë. Por duhet të ketë qenë veçanërisht dëshpëruese në fund të vitit 1831 kur Ezra Buthi filloi të qortonte Kishën publikisht, sepse në këtë rast kritikuesi ishte një ish‑besimtar. Ezra e kishte parë Jozefin duke përdorur fuqinë e Perëndisë për të shëruar një grua. Ai ishte ftuar ta shoqëronte Jozefin kur shkuan të shikonin për herë të parë tokën e Sionit në Misuri. Por që nga ajo kohë, ai e kishte humbur besimin dhe, në përpjekje për ta diskredituar Profetin, botoi një seri letrash në një gazetë në Ohajo. Dhe përpjekjet e tij dukej se po funksiononin: “ndjenja jomiqësore … ishin zhvilluar kundër Kishës” në atë zonë (Doktrina e Besëlidhje 71, kreu i seksionit). Çfarë duhet të bëjnë besimtarët në një rast si ky? Ndërkohë që nuk ka një përgjigje të saktë për çdo situatë, duket se shumë shpesh – përfshirë këtë rast në vitin 1831 – pjesë e përgjigjes së Zotit është ta mbrojmë të vërtetën dhe t’i korrigjojmë gënjeshtrat nëpërmjet “shpallje[s së] ungjillit” (vargu 1). Po, puna e Zotit gjithmonë do të ketë kritikues, por në fund, “asnjë armë që formohet kundër jush, [nuk] do të përparojë” (vargu 9).

Shih “Ezra Booth and Isaac Morley”, Revelations in Context, f. 134.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 71

Zoti do t’i ngatërrojë kritikuesit e punës së Tij në vetë kohën e Tij.

Ne mund të shqetësohemi kur dëgjojmë njerëz që i kritikojnë ose tallin Kishën apo udhëheqësit e saj, veçanërisht kur kemi frikë se njerëzit që i njohim dhe i duam do të ndikohen nga ajo kritikë. Kur diçka e ngjashme ndodhi në Ohajo në vitin 1831 (shih kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 71), mesazhi i Zotit drejtuar Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit ishte një mesazh besimi dhe jo frike. Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 71, çfarë gjeni që e ndërton besimin tuaj te Zoti dhe vepra e Tij? Çfarë ju lë mbresë rreth udhëzimit që Zoti ua dha shërbëtorëve të Tij në këtë situatë?

Shih edhe Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 72–75; Jörg Klebingat, “Defending the Faith”, Ensign, shtator 2017, f. 49–53.

Doktrina e Besëlidhje 72

Peshkopët janë kujdestarë mbi çështjet shpirtërore dhe materiale të mbretërisë së Zotit.

Kur Njull K. Uitni u thirr të shërbente si peshkopi i dytë i Kishës, detyrat e tij ishin pak më të ndryshme nga ato të peshkopëve të sotëm. Për shembull, Peshkopi Uitni mbikëqyri përkushtimin e pronave dhe lejen për t’u vendosur në Misuri, në tokën e Sionit. Por teksa lexoni për thirrjen dhe detyrat e tij te Doktrina e Besëlidhje 72, ju mund të vini re disa lidhje midis asaj që peshkopët bëjnë sot – të paktën në frymën e detyrave të tyre, në qoftë se jo në veçantitë. Për shembull, në çfarë mënyrash i “j[epni] llogari” peshkopit tuaj? (Vargu 5.) Në çfarë kuptimi peshkopi juaj e “mba[n] shtëpinë e ruajtjes së Zotit” dhe i administron përkushtimet e anëtarëve të lagjeve? (Shih vargjet 10, 12.) Si ju ka ndihmuar një peshkop?

Shih edhe Gospel Topics, “Bishop [Peshkopi]”, topics.ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
fuçi dhe thasë me ushqime

Njull K. Uitni administroi shtëpinë e ruajtjes së peshkopit.

Doktrina e Besëlidhje 73

Unë mund të kërkoj mundësi për të përhapur ungjillin.

Pasi Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni u kthyen nga misioni i tyre i shkurtër predikues që të rregullonin një pjesë të dëmit që kishte bërë Ezra Buthi (shih Doktrina e Besëlidhje 71), Zoti u tha që t’i ktheheshin punës për përkthimin e Biblës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith‑it”). Por Ai gjithashtu donte që ata të vazhdonin predikimin e ungjillit. Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 73, merrni parasysh se si ju mund ta bëni predikimin e ungjillit një pjesë të vazhdueshme, “[të] praktikueshme” (vargu 4) – ose realiste – të jetës suaj mes përgjegjësive tuaja të tjera.

Doktrina e Besëlidhje 75:1–12

Zoti i bekon ata që e shpallin besnikërisht ungjillin e Tij.

Duke iu përgjigjur urdhrit që të “shkoni[n] … në të tërë botën” për të predikuar ungjillin (Doktrina e Besëlidhje 68:8), shumë pleq besnikë kërkuan informacion shtesë rreth mënyrës se si Zoti donte që ta përmbushnin këtë urdhër. Çfarë fjalësh dhe frazash gjeni te Doktrina e Besëlidhje 75:1–12 që t’ju ndihmojnë të kuptoni se si ta predikoni ungjillin me efektshmëri? Çfarë bekimesh u premton Zoti misionarëve besnikë? Merrni në shqyrtim se si këto udhëzime dhe bekime zbatohen për ju kur përhapni ungjillin.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 71.Çfarë iu kërkua Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit të bënin kur të tjerët po i kritikonin Kishën dhe udhëheqësit e saj? Si e “përgati[tim] udhën” për njerëzit që t’i pranojnë zbulesat e Perëndisë? (Doktrina e Besëlidhje 71:4.)

Doktrina e Besëlidhje 72:2.Si e kanë bekuar peshkopët familjen tonë? Çfarë na ka kërkuar profeti ynë të bëjmë dhe si mund ta mbështetim atë? Ndoshta familja juaj mund të bëjë një kartolinë duke e falënderuar peshkopin për shërbimin e tij.

Doktrina e Besëlidhje 73:3–4.A do të përfitonte familja juaj nga të mësuarit rreth Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith‑it? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith‑it”.) Ju mund të shqyrtoni disa fragmente që u rishikuan në Përkthimin prej Joseph Smith‑it dhe të diskutoni për të vërtetat e çmuara që Zoti i zbuloi nëpërmjet Profetit. Për disa shembuj, shihni Përkthimi prej Joseph Smith‑it Zanafilla 14:25–40 dhe Zanafilla 50:24–38 në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

Doktrina e Besëlidhje 74:7.Çfarë na mëson ky varg për Jezu Krishtin dhe fëmijët e vegjël?

Doktrina e Besëlidhje 75:3–5, 13, 16.Ju mund ta ndihmoni familjen tuaj të kuptojë se si Zoti dëshiron që ne t’i shërbejmë Atij, duke folur për ndryshimin midis të qenit “dembelë” dhe të “pun[uarit] me fuqi[në]” tonë. Ndoshta ju mund të përzgjidhni disa punë shtëpiake dhe t’i ftoni pjesëtarët e familjes që të demonstrojnë bërjen e atyre punëve me dembellëk dhe më pas me gjithë fuqinë e tyre. Si mund t’i shërbejmë Zotit me gjithë fuqinë tonë? Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 75:3–5, 13, 16, çfarë u premton Ai shërbëtorëve të Tij besnikë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Punës Le t’i Vihemi”, Himne, nr. 154.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni fjalë dhe fraza frymëzuese. Ndërsa lexoni, Shpirti mund të sjellë fjalë ose fraza të caktuara në vëmendjen tuaj. Merrni parasysh të bëni shënime për fjalë ose fraza nga Doktrina e Besëlidhje 71–75, që ju frymëzojnë.

Pamja
i ri me udhëheqësin e Priftërisë

Ilustrim i të riut me një udhëheqës priftërie, nga D. Keith Larson