2018
Shtigje Që Ju Përgatitin për të Ardhmen Tuaj
Tetor 2018


Shtigje Që Ju Përgatitin për të Ardhmen Tuaj

Nëse shkoni në kolegj, kërkoni punësim apo mësoni një zanat, ju po zhvilloni një cilësi që është thelbësore për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.

Pamja
paths

Nuk mendoj se është ëndrra e ndonjë vajze 14-vjeçare të jetë në një stallë me pluhur, të ngrejë një lopatë të ndryshkur, të pastrojë një stallë kuajsh që kundërmon. Por unë shkova atje pas shkolle çdo ditë derisa qeshë mjaft e rritur për të pasur një punë tjetër.

Sigurisht që nuk ishte situata ime ideale të punoja gjatë shkollës së mesme, por e kuptova atëherë se po të doja ndonjëherë një punë që vërtet më pëlqente – një që nuk përfshinte pastrimin e jashtëqitjes së kafshëve – më duhej kolegji e që të shkoja në kolegj, më duheshin para. E dija se për mua, arsimi ishte hapi i duhur drejt (me shpresë) një karriere përmbushëse.

E bukura është se shtegu që zgjodha është vetëm një prej shtigjeve që mund t’ju ndihmojnë të mësoni të punoni e të siguroni për nevojat tuaja. Kjo quhet të bëheni materialisht dhe shpirtërisht të mbështetur te vetja. Kur i shqyrtoni mundësitë që keni, përpiquni të zgjidhni shtegun që ndieni se do t’ju përgatitë më mirë.

Këto histori janë nga njerëz që ishin në moshën tuaj vetëm disa vite më parë. Duke ndjekur shembujt e këtyre të rinjve në moshë madhore, ju mund të gjeni shtegun drejt një mbështetjeje të suksesshme te vetja.

Shqyrtojini Nevojat Përreth Jush

Nga Oudom Piseth, Kamboxhia

Pamja
Oudom

Me qëllim që t’i arrij synimet e mia, gjithmonë i them vetes se puna e palodhur ka shumë rëndësi, por një mënyrë tjetër për të shkëlqyer është puna me zgjuarsi. Pas misionit tim në Angli, unë u ktheva në Kamboxhia dhe i hodha një sy tregut të punës. Pashë gjëra të tilla si kohëzgjatja e trajnimit për marrjen e secilës punë dhe kostoja e trajnimit.

Mësova se programi i trajnimit për tregtar veshjesh ishte i shkurtër, por sfidues dhe nuk po e bënin shumë njerëz. Pashë se ishte një mundësi e mirë dhe vendosa ta bëj. Unë e kam mbaruar programin tani dhe po punoj si tregtar për një kompani veshjesh.

Gjetja e karrierës së duhur mund të jetë shumë e vështirë, por kam Shpëtimtarin që më ndihmon e më ngre moralisht.

Përdoreni Arsimin për të Hapur Dyer

Nga Iolanda Teisheira, Kepi i Gjelbër, Afrikë

Pamja
Iolanda

Mami im gjithmonë më ka nxitur me fjalët: “Arsimi është çelësi drejt suksesit”. Unë doja një të ardhme më të mirë për veten dhe veçanërisht për familjen time dhe, për ta bërë këtë, duhej të vazhdoja shkollimin. Pa para për të shkuar në kolegj në atë kohë, bërë kërkesë për bursë që të futesha në një shkollë profesionale për studimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve kompjuterike.

Gjatë gjithë studimeve të mia u përballa me sfida të ndryshme, por kjo nuk më ndaloi nga ecja përpara me sytë e ngulur drejt ditëve më të mira. Lutja më ndihmoi shumë; unë gjithmonë kërkoj këshillë nga Zoti. Kam qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj studimeve të mia, dhe sot unë qëndroj i përkushtuar ndaj punës sime, duke dhënë më të mirën si teknik kompjuteri dhe ndihmës marketingu.

Puno Tani Për të Ardhmen që Do

Nga Ana-Sofia dhe Lorenc Kavin, Skoci, Mbretëri e Bashkuar

Pamja
Ann-Sophie

Ana-Sofia: Unë gjithmonë doja të studioja në universitet, por planet se për çfarë do të studioja ndryshuan shumë në vitet e adoleshencës sime. Pasi mbarova shkollën e mesme, shkova vullnetare për gjashtë muaj në një spital. Qysh atëherë më pëlqente ideja e të qenit infermiere, por nuk mendoja se do të isha në gjendje ta bëja.

Në klasën e mbështetjes te vetja në lagjen time, neve na u kërkua të zgjidhnim një punë që do të na pëlqente ta kishim edhe pse mund të mos i kishim kualifikimet. Unë u luta se çfarë të bëja dhe infermieria vijonte të më vinte në mendje. Vendosa të ndjek nxitjet nga Zoti.

Ndjekja e këtij shtegu nuk ka qenë i lehtë. Për të filluar, unë shqyrtova programin e infermierisë dhe çfarë do të më duhej të studioja. Fola me njerëz që kishin kaluar në një proces të ngjashëm. Herën e parë që bëra kërkesë për programin e infermierisë, më vunë në listën e pritjes. Por nuk hoqa dorë; bëra kërkesë përsëri e përfundimisht hyra. Ndonjëherë duhet të jesh i durueshëm dhe t’i mirëbesosh Zotit pasi Ai ka planin e Tij për ty.

Pamja
Lawrence

Lorenci: Kur isha më i ri, vura si qëllim që të isha më i miri që mund të isha pavarësisht nga lënda që studioja apo puna që kisha. Gjithnjë mundohesha të mësoja e të përmirësohesha për t’i dhënë vetes mundësinë më të mirë për sukses.

Aktualisht unë punoj si administrator për një kompani veshjesh, por dua t’i bashkohem forcave të policisë. Në Skoci, duhet të jetosh në vend për tre vite radhazi përpara se të bësh kërkesë për të hyrë në polici. Ngaqë isha jashtë vendit për dy vjet duke shërbyer një mision, më duhet të pres edhe disa muaj para se të hyj.

Edhe pse kjo ka qenë një pengesë e madhe, nuk jam dorëzuar. Kam një punë të mirë për të mbajtur familjen time dhe kam punuar fort për t’u siguruar se do të marr një rekomandim të mirë për punë të ardhshme.

Si këta të rinj të moshave madhore, ju do të shihni se udhë të ndryshme mund t’ju përgatitin për t’u kujdesur për veten dhe familjen tuaj të ardhme. Me atë qëllim në mendje ju mund të planifikoni për sukses. Plaku Diter F. Uhtdorf i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim: “Le të bëjmë më të mirën që mundemi dhe të rritim një nam për cilësi të shkëlqyera në çdo gjë që bëjmë. Le t’i kthejmë mendjet dhe trupat tanë tek mundësia e lavdishme për punë që paraqet çdo ditë e re” (“Dy Parime për Cilëndo Ekonomi”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2009). Ndërsa përqendroheni tani tek të nxënit e të punuarit, ju do të krijoni zakone që do t’ju ndihmojnë të ndiheni më të sigurt rreth së ardhmes.