2018
Një Bekim në Shkrimin e Dorës të Nënës Sime
Tetor 2018


Një Bekim në Shkrimin e Dorës të Nënës Sime

Daglas Hexher

Nevada, SHBA

Pamja
Preach My Gospel and mothers photo

Ilustrimi nga Dilleen Marsh

Një mbrëmje po përsiatesha për mesazhin që do të jepja në një konferencë të ardhshme lagjeje. I kisha studiuar shkrimet e shenjta gjatë gjithë javës, dhe ndonëse kisha marrë udhëzime dhe ide të shumta, prapëseprapë nuk kisha një drejtim të qartë se çfarë Zoti donte që, si president kunji, t’u thosha anëtarëve të lagjes.

Me lutje të çiltër, kërkova udhërrëfim nga Shpirti që t’i drejtonte mendimet e mia. Më pas hapa shkrimet e shenjta dhe fillova të lexoja sërish. Mendja ime u kthye menjëherë te synimet e lagjes që kishim biseduar së fundi me peshkopin. Një nga këto synime ishte të përdornim manualin Predikoni Ungjillin Tim kur ta shpërndanim ungjillin me miqtë dhe fqinjët.

Ndjeva nxitjen që ta përfshija manualin Predikoni Ungjillin Tim në studimin tim vetjak atë mbrëmje. Nxora një kopje dhe e hapa në një faqe rastësore. Në atë faqe, unë gjeta dy referenca të shkrimeve të shenjta të shkruara me dorë – 1 Nefi 8:8–11 dhe 1 Nefi 11:21–22. Teksa i pashë më nga afër, unë kuptova që ato referenca kishin shkrimin e dorës të nënës sime. Nëna ime e ëmbël kishte ndërruar jetë disa vite më parë, dy muaj pas ditëlindjes së saj të 80. Ajo ishte një shembull guximi dhe vetëmohimi, e cila shihte gjithnjë mirësinë te njerëzit. Dhe ajo i pëlqente shumë shkrimet e shenjta.

I hapa shkrimet e shenjta tek ato vargje për të parë se ç’e shtyu atë që t’i hidhte në letër. Kur i lexova, mendja m’u hap menjëherë për mesazhin që duhet të jepja. Ishte një mesazh i thjeshtë që anëtarët e Kishës të cilët e kishin provuar frutën e shijshme të ungjillit, ndonjëherë mund ta harrojnë se edhe shumë të tjerë po e kërkojnë të njëjtën frutë. Ne duhet t’i afrohemi dhe t’u themi se ku ta gjejnë atë.

Unë mendova për nënën time të ëmbël teksa shihja pjesën tjetër të manualit Predikoni Ungjillin Tim. Nuk kishte asnjë emër, asnjë shënim tjetër apo ndonjë gjë që të tregonte se libri kishte qenë ndonjëherë i saj. U ula i mahnitur teksa reflektova mbi zinxhirin e nxitjeve shpirtërore që çuan te ky çast. Shpirti më pohoi se mendimet e mia morën drejtimin, për të cilin isha lutur. Nëna ime as që e dinte, mirëpo shumë vite më parë ajo i shkroi këto referenca, që Zoti t’i përdorte ato si përgjigje ndaj lutjes së përulur të birit të saj.