2018
Shpresë në Holandë
Tetor 2018


Besim, Shpresë dhe Dashuri – Pjesa 3

Shpresë në Holandë

Autorja jeton në Nju-Xhersi, SHBA.

Grejsi është një vajzë 15-vjeçare që jetonte në Holandë gjatë Luftës II Botërore. Lufta vazhdoi për një kohë të gjatë. Njerëzit në Holandë po vuanin urie dhe shpresonin që lufta do të mbaronte shpejt.

Pamja
Hope in Holland

Viti i fundit i Luftës II Botërore ishte më i keqi për Holandën. Nazistët morën absolutisht çdo gjë. Grejsi nuk mund të shkonte në shkollë. Nuk kishte qymyr për të ngrohur shtëpinë. Grejsi dhe familja e saj duhej të hanin gonxhe tulipani për t’i shpëtuar vdekjes. Ato kishin një shije të tmerrshme! Më e keqja, babai ishte ende rob lufte.

Por kishte shpresë. Njerëzit thoshin se nazistët po e humbnin luftën. Dhe në maj të vitit 1945, nazistët u dorëzuan. Holanda më në fund ishte përsëri e lirë! Njerëzit festonin nëpër rrugë. Tani Grejsi mund të shkonte përsëri në shkollë. Nuk kishte ushtarë nga të cilët të trembej.

Dhe gjëja më e bukur, një ditë kur Grejsi dhe vëllezërit e saj po ktheheshin nga shkolla, panë se flamuri i Holandës po valëvitej përpara shtëpisë së tyre. Ata e dinin se kjo mund të tregonte vetëm një gjë.

“Babi është në shtëpi!”, bërtiti Heberi.

Grejsi dhe vëllezërit e saj u futën brenda me vrap. Grejsi i hodhi krahët babit në qafë dhe e përqafoi fort. Ai ia ktheu duke e shtrënguar në kraharor. Ishte e mrekullueshme ta kishte babanë në shtëpi.

Shpejt pas kësaj, në Holandë filluan të mbërrinin pako me ushqime, veshje dhe ilaçe. Udhëheqësit e Kishës në Solt-Lejk-Siti dërguan plot furnizime për t’i ndihmuar njerëzit pas luftës. Grejsi mori madje një fustan të ri! Asaj i ishte dashur të vishte të njëjtin fustan për pesë vite, prandaj ishte shumë e lumtur që kishte një të ri.

Për herë të parë ndër vite, Grejsi kishte mjaft për të ngrënë. Presidenca e misionit dhe qeveria e Holandës vendosën të fillonin një projekt patatesh për të prodhuar më shumë ushqim. Anëtarët e Kishës mbollën mjaft patate në fushat pranë. Nga vjeshta ata do të kishin mijëra patate për të ngrënë.

“Shiko!”, i tha Grejsi babit, duke treguar me gisht një bimë patatesh në rritje. “Nuk do të jemi kurrë më të uritur!”

Babi tundi kokën, por nuk buzëqeshi. Ai tha: “Po flisja me Presidentin Zapej. Më tha se shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Gjermani ende po vuajnë urie, njësoj siç vuanim ne. Ata nuk po marrin ndihmë si ne nga qeveria.” Babi hodhi krahun rreth shpatullave të Grejsit. “Presidenti Zapej ka pyetur a do t’ua jepnim patatet tona shenjtorëve gjermanë.”

“T’i japim patatet tona!”, thirri Grejsi. Por nazistët ishin nga Gjermania! Ata mund të jenë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, babi, por ata prapë gjermanë janë.”

“E di, nuk është e lehtë”, tha babi. “Por edhe ata janë fëmijë të Perëndisë. Ai i do edhe ata. Unë i fala ata që më mbajtën rob lufte. Zoti mund të na ndihmojë të gjithë që të falim.”

Grejsi ngriti sytë nga babi. Ai ishte personi më i guximshëm që njihte, por nuk e dinte nëse ajo vetë e kishte guximin për të falur si ai. Atëherë ajo solli ndër mend një nga mësuesit e saj në shkollë gjatë luftës. Mësuesi i saj pati thënë se jo të gjithë gjermanët qenë nazistë, dhe jo të gjithë ushtarët nazistë ishin të këqij. Dhe tani vajzat dhe djemtë në Gjermani po vuanin urie, ashtu siç kishte vuajtur Grejsi.

Grejsi mori frymë thellë. “E kuptoj”, tha ajo. “Le t’ua japim atyre patatet tona.”

Babi e përqafoi dhe buzëqeshi. “Ti je një vajzë kaq trime. Kjo është diçka e vështirë për t’u bërë. Por ne jemi dishepuj të Jezu Krishtit dhe po kështu janë vëllezërit e motrat tona gjermane.”

Grejsi buzëqeshi. Ndjenjat e zemërimit në zemrën e saj u fashitën dhe ajo ndjeu qetësi dhe ngrohtësi. Ajo mund t’i falte gjermanët. Dhe Jezusi mund ta ndihmonte që edhe t’i donte ata.