2018
Të Mësojmë Sipas Mënyrës së Zotit
Tetor 2018


Të Mësojmë Sipas Mënyrës së Zotit

Nga një bisedë e dhënë në seminarin për presidentët e rinj të misioneve më 25 qershor 2014.

Ftesa që i bëjmë Frymës së Shenjtë për të qenë mësuesi, është një qëllim kryesor në të gjitha modelet e Zotit për të mësuarin.

Pamja
two girls talking

Përshpejtimi që dëshiron Zoti për punën e Tij kërkon prej nesh që të mësojmë, të ndryshojmë dhe të bëjmë përpara me besim te Shpëtimtari vazhdimisht.

Një Model në Gjithçka

Në një zbulesë të dhënë nëpërmjet Profetit Jozef Smith në qershor të vitit 1831, Zoti shpalli: “Unë do t’ju jap një model në gjithçka, që ju të mos mashtroheni; sepse Satani është përhapur në tokë dhe ai shkon duke i mashtruar kombet” (DeB 52:14).

Çuditërisht, Zoti na dha “një” model dhe jo “modelin” për gjithçka. Unë nuk besoj se me shprehjen “një model në gjithçka” Zoti po sugjeron se Ai ka vetëm një model për t’u përdorur në çdo situatë. Përkundrazi, mënyra e Zotit përfshin një sërë modelesh që mund të përdoren për të arritur pikësynime të ndryshme shpirtërore.

Synimi ynë kryesor në çdo përvojë të të nxënit dhe të mësimdhënies duhet të jetë për të përcaktuar dhe përdorur modelin ose modelet që i përmbushin më mirë nevojat tona dhe për t’i arritur rezultatet e dëshiruara të të mësuarit.

Fryma e Shenjtë Është Mësuesi

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi dhe një Zbulues, një Mësues, një Ngushëllues, një Shenjtërues dhe Ai na i kujton të gjitha gjërat (shih Gjoni 14:16–17, 26; 3 Nefi 27:20). Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Detyra e Frymës së Shenjtë për shërbesat e Tij mes njerëzve përshkruhet në shkrimet e shenjta. Ai është një mësues i dërguar nga Ati; dhe atyre që e kanë të drejtën për udhëzimin e Tij, Ai do t’iu zbulojë të gjitha gjërat e nevojshme për përparimin e shpirtit.”1 Ftesa që i bëjmë Frymës së Shenjtë për të qenë mësuesi, është një qëllim kryesor në të gjitha modelet e Zotit për të nxënin dhe mësimdhënien.

Pamja
young woman reading Preach My Gospel

Një nxënës që e ushtron lirinë morale të zgjedhjes dhe vepron sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë – dhe në këtë mënyrë fton fuqinë e Tij mësimdhënëse, dëshmuese dhe dëshmimin e Tij pohues. Mësimi me besim dhe me anë të tij kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pa përpjekje. Me sinqeritetin dhe vendosmërinë e veprimit tonë të frymëzuar nga besimi, ne i tregojmë Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, gatishmërinë tonë për të mësuar e për të marrë udhëzim nga Fryma e Shenjtë.

Shqyrtojini mënyrat se si misionarët i ndihmojnë kërkuesit për të mësuar me anë të besimit. Bërja dhe mbajtja e zotimeve shpirtërore, të tilla si studimi dhe lutja për Librin e Mormonit, zbatimi i urdhërimeve dhe pjesëmarrja në mbledhjet e Kishës, kërkojnë që një kërkues të ushtrojë besim dhe të veprojë. Ky parim gjithashtu gjen zbatim tek të gjithë anëtarët, duke përfshirë prindërit, mësuesit dhe udhëheqësit.

Mësimdhënia, këshillimi dhe shpjegimi – sado të rëndësishme që janë – nuk mund ta përçojnë kurrë te një kërkues/e, një fëmijë, një student/e apo një anëtar/e dëshminë për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur. Vetëm atëherë kur besimi i tyre fillon të veprojë dhe hap shtegun e zemrës, Fryma e Shenjtë mund të japë dëshmi pohuese. Misionarët, prindërit, mësuesit dhe udhëheqësit patjetër duhet të mësojnë të japin mësim me anë të Shpirtit. Sidoqoftë, po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia që ata kanë për t’i ndihmuar të tjerët që të mësojnë për veten e tyre me anë të besimit.

Mënyra e të nxënit që unë po përshkruaj shkon përtej kuptueshmërisë së thjeshtë mendore dhe ruajtjes dhe kujtimit të informacionit. Lloji i të nxënit për të cilin po flas bën që ne të zgjohemi përpara Perëndisë (shih Alma 5:7), ta zhveshim njeriun e natyrshëm (shih Mosia 3:19), ta ndryshojmë zemrën tonë (shih Mosia 5:2) dhe të kthehemi në besim te Zoti dhe të mos heqim dorë kurrë (shih Alma 23:6). Të mësuarit me anë të besimit kërkon si zemrën ashtu edhe një mendje të gatshme (shih DeB 64:34) dhe është merita e Frymës së Shenjtë që e përçon fuqinë e fjalës së Perëndisë drejt zemrës edhe brenda saj. Të nxënit me anë të besimit nuk mund të kalohet nga një mësues te një student, nga një misionar te një kërkues, nëpërmjet një leksioni, një paraqitjeje me fakte apo një ushtrimi eksperimental; përkundrazi, një student/e duhet të ushtrojë besim dhe të veprojë me qëllim që të sigurojë njohuri për veten e tij ose të saj.

Një Model për Të Nxënin dhe Mësimdhënien

1. Përgatituni të mësoni. Nëse merrni pjesë në orën mësimore të Shkollës të së Dielës dhe dëgjoni mësuesin tuaj të shpjegojë një temë, kjo është diçka e mirë. Por nëse keni punuar dhe jeni përgatitur, nëse po mendoni për gjërat që mësuesi juaj ju ka ftuar t’i lexoni, përsiatni dhe të luteni përpara orës mësimore, mund të ketë një derdhje të fuqishme të Shpirtit dhe Fryma e Shenjtë bëhet mësuesi juaj. Përgatitja fton zbulesën.

2. Ndërveproni që të lartësoheni. Dua t’jua tërheq vëmendjen te ky varg. “Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë” (DeB 88:122).

Pamja
young man teaching

Ky është njëri nga modelet e fuqishme të Zotit për të nxënin dhe mësimdhënien. Lejomëni t’ju sugjeroj një mënyrë tjetër këndvështrimi për këtë varg: “Caktoni mes jush një mësues”. Kush është mësuesi? Fryma e Shenjtë. Nëse dëshironi që Fryma e Shenjtë të jetë mësuesi, atëherë a mund të ndodhë që “mos … të [flasin] të gjithë … në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje”? I vetmi që mund ta sigurojë atë lartësim është Fryma e Shenjtë.

Ndërveprimi për të lartësuar e fton zbulesën. Tani në Kishë ne po mësojmë dhe zbatojmë modele gjithnjë e më shpirtërore, më të ndjeshme, më të rrepta dhe më kërkuese të të nxënit dhe të mësimdhënies. A do të bëjmë gjithnjë atë që kemi bërë dhe të marrim të njëjtat rezultate që i kemi marrë gjithmonë apo do të pendohemi, do të mësojmë, do të ndryshojmë e të japim mësim gjithnjë e më shumë sipas mënyrës së Zotit?

3. Ftojini që të veprojnë. Vetëm një pyetje e thjeshtë ndihmon që të arrihet ky synim. Çfarë do të bëni me atë që keni mësuar? Të veprosh sipas zbulesës, sjell më shumë zbulesë.

Unë lutem që ta mbajmë të njëjtin ritëm me përshpejtimin e Zotit, në mënyrë që të mos bëjmë vetëm atë që kemi bërë gjithnjë sipas mënyrës që e kemi bërë gjithmonë.

Unë shpall dëshminë time për vërtetësinë e gjallë të Zotit Jezu Krisht. Unë dëshmoj se Ai jeton. Ai është ringjallur. Ai qëndron në krye të kësaj Kishe dhe Ai i drejton çështjet e saj. Ai po na kërkon të gjithëve që ta mbajmë ritmin njësoj me përshpejtimin e Tij dhe t’i ndjekim modelet që Ai ka përgatitur për rritjen dhe të mësuarin tonë.

Shënim

  1. James E. Talmage, Articles of Faith, bot. i 12-të (1924), f. 162.