2018
Përcilleni Dashurinë e Perëndisë
Tetor 2018


Përcilleni Dashurinë e Perëndisë

Pamja
Passing Along Gods Love

Pak më parë, unë dhe familja ime u shpërngulëm në Kentaki. Isha vërtet e mërzitur sepse po lija pas të gjithë miqtë dhe të afërmit e mi. Kentaki ishte shumë ndryshe nga ajo me të cilën isha mësuar. Herën e parë që shkova në kishë pashë se nuk kishte shumë njerëz. Kur kuptova sa e vogël ishte dega ime, vendosa se në vend që të mendoja keq rreth saj, do të bëja diçka rreth saj.

Të nesërmen, unë dhe mami shkuam në dyqan. Përpara se të dilnim nga shtëpia, mora një tufë kartash për shpërndarje. Kur shkuam në dyqan, unë mora një shufër me karamele dhe vajta të paguaja. Arkëtarja e kaloi karamelen në pajisjen e verifikimit, pastaj ma dha. Unë ia riktheva. Ajo vështroi e hutuar dhe tha: “Ti sapo pagove për këtë, zonjushë.”

Unë thashë: “E di, por po jua jap si dhuratë.” Pastaj vura edhe një kartë për shpërndarje me karamelen. Ajo buzëqeshi dhe më falënderoi. Ajo vështroi prapa kartës për shpërndarje, ku pata shkruar: “Gjithkush është një fëmijë i Perëndisë”. Unë u largova e lumtur, duke ditur që edhe nëse ajo nuk do t’i bashkohej Kishës, unë prapëseprapë bëra diçka të mirë.

Më vonë atë ditë, u kujtova që e lashë pjesën tjetër të kartave për shpërndarje pranë arkës! Herën tjetër që shkuam në dyqan, vajta për të pyetur nëse ato ishin ende atje. Pastaj pashë diçka dhe ndala hapat. Gati pesë prej arkave kishin karta për shpërndarje që thoshin: “Gjithkush është një fëmijë i Perëndisë”. Arkëtarja i kishte shpërndarë ato! U ndjeva aq e lumtur për atë që bëra.