2017
Plaku Xhon C. Pingri i Riu
maj 2017


Plaku Xhon C. Pingri i Riu

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Pamja
Elder John C. Pingree Jr.

“Dëshmia ime është ndërtuar me kalimin e kohës, pak nga pak, nëpërmjet marrjes së përgjigjeve për lutjet, të ndjerit të Shpirtit ndërkohë që lexoja shkrimet e shenjta, nëpërmjet pendimit dhe shërbimit ndaj Zotit”, tha Plaku Xhon C. Pingri i Riu, i cili u mbështet më 1 prill 2017, si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë.

I lindur në vitin 1966 në Solt-Lejk-Siti të Jutës në SHBA, nga Karmen dhe Xhon C. Pingri i Vjetri, ai ia jep meritën përkushtimit të prindërve të tij, që ndihmoi për t’i dhënë formë jetës së tij.

“Ditën pasi u linda, babai më shkroi një letër”, tha Plaku Pingri. “Ai e ruajti atë letër dhe, më vonë, kur u largova për të shërbyer në një mision kohëplotë, ai ma postoi. Letra përmbante disa faqe të dëshmisë së tij dhe mësime që ai donte që unë t’i mësoja gjatë jetës. Teksa e lexoja, Shpirti më dëshmoi se ajo që më ishte mësuar rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit nga prindërit e mi, ishte e vërtetë.”

Plaku Pingri shërbeu në Misionin e Bostonit në Masaçusets, në pjesën spanjishtfolëse.

Ai mori diploma për anglisht dhe shkenca politike në Universitetin e Jutës dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi në Shkollën e Biznesit në Harvard. U martua me Ani Pagslin në mars të vitit 1990 dhe ata janë prindër të pesë fëmijëve.

Shumica e karrierës së tij u përqendrua te ndihma ndaj të tjerëve. Ai ishte president i një organizate për ndihma humanitare mjekësore dhe zëvendëspresident i dy shoqërive të kujdesit shëndetësor.

Ai ishte president i Misionit të Hjustonit në Teksas nga viti 2011 deri në vitin 2014 dhe ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, president kunji, peshkop, president i kuorumit të pleqve dhe mësues instituti e seminari.

“Zoti thotë: ‘Nëse dëshiron, ti do të jesh mjeti për të bërë shumë mirësi në këtë brez’ (DeB 11:8)”, tha Plaku Pingri. “Mua, Zoti po më thotë: ‘Unë mund të të përdor ty që të bësh sadopak mirë në jetën e njerëzve të tjerë, nëse ti do të më lejosh’. Nëse kërkojmë mundësi, Ati Qiellor do të na përdorë për të bekuar dikë tjetër.”