2010
Përqafimi i Një Ati
Prill 2010


Nga e Di

Përqafimi i Një Ati

E humba babanë tim kur isha shtatë vjeç. Dyshimet që pasuan, pothuaj më larguan nga besimi tek Ati im Qiellor.

Familja ime ishte gati të largohej nga mbrëmja por unë përsëri doja që të shkonim me patina me rrota. Babai më përqafoi dhe më pyeti nëse doja të qëndronim në mënyrë që ai të më merrte me patina me rrota.

“Jo!”, thashë me zemërim.

“Ki besim tek unë”, tha ai.

Të tjerët donin të largoheshin, kështu që ne hipëm në makinë. Dhjetë minuta më vonë u përfshimë në një aksident automobilistik. Mrekullisht, unë mbijetova por babai im u vra. Ajo “jo!” ishte gjëja e fundit që i thashë atij dhe ai ishte njeriu i fundit që do të përqafoja për shumë vite.

Për 11 vitet në vijim, jeta ime ishte si një spirale në rënie. Humba besimin tek vetja dhe fillova të mos kisha besim tek askush. Jeta ime ishte kaq e trishtuar saqë një ditë kur isha 18 vjeç, e gjeta veten duke luftuar nën rrebeshin e humbjes së shpresës, duke iu përgjëruar Perëndisë të më tregonte shtegun drejt një jete të lumtur.

Një javë më vonë mu afruan dy misionarë. Ata më treguan një libër dhe më thanë se duhet të lutesha për të marrë dëshminë e vërtetësisë së tij. Ajo që më kërkuan dukej pak, por plagët e mbetura nga vdekja e babait tim ishin të thella dhe unë e konsiderova takimin tim me misionarët thjesht një rastësi dhe jo si një përgjigje nga një Perëndi që më donte.

Prapëseprapë, e lexova Librin e Mormonit dhe u luta të merrja një përgjigje – megjithëse jo me qëllim të vërtetë. Në fund të fundit, ajo donte të thoshte se duhet të kisha besim tek Perëndia, ta përqafoja Atë dhe përgjigjen e Tij. Ishte më e lehtë të pranoje kritikat menjëherë të gjindshme të Kishës. Gjithashtu kisha zbuluar se edhe shumë prej figurave të mëdha historike që më ishin prezantuar në shkollë kishin të meta. Po sikur Jozef Smithi të ishte njësoj si ato?

Sidoqoftë, në fund të fundit, unë u pagëzova dhe u konfirmova. E dija se kisha nevojë për një farë drejtimi në jetën time dhe më pëlqente Kisha dhe anëtarët. Por tani e kuptoj se unë u bashkova pa një dëshmi të vërtetë, të tillë që të djeg në zemër. Besimi që kisha rridhte ngaqë kuptova se argumentet e dhëna nga shpifësit e Kishës ishin sipërfaqësore. Por ende mosbesues, arrita në pikën ku ruajtja e këtij besimi dukej dërrmuese. Prezantimi im me Kishën kishte filluar për shkak të mungesës sime të besimit dhe brengosjes sime, dhe përsëri po katandisesha në të njëjtën gjendje.

Kështu që mora një vendim thelbësor. Do të lutem, por këtë herë do ta bëj tamam si këshilloi Moroni, me “besim në Krisht”, “qëllim të vërtetë” dhe “zemër të sinqertë” (Moroni 10:4). Në ditën që kisha përzgjedhur, agjërova dhe u luta për drejtim. E kalova ditën duke medituar mbi gjithçka që kishte ndodhur.

Atë natë u gjunjëzova te shtrati im. Duke përkulur kokën, e pyeta Atin Qiellor për vërtetësinë e Librit të Mormonit. Mendja ime filloi të kujtonte gjithë dyshimet e mia. Mbylla sytë, shtrëngova më fort duart dhe pyeta përsëri – me sinqeritet, me qëllim, me besim në Shpëtimtarin tonë.

Bota u duk sikur ndaloi. U ndjeva ngrohtë dhe i mbështjellë nga drita. Për 11 vite të gjata e kisha dëshiruar fort këtë dhe më në fund isha përqafuar përsëri nga një atë – një Atë Qiellor. Më në fund kisha gjetur dikë të cilit mund t’i besoja. “Po”, thashë me lot në faqe, “Unë të besoj Ty.”

Ilustrimi nga Doug Fakkel