2010
Thërrisni një Ambulancë!
Prill 2010


Thërrisni një Ambulancë!

Simon Hill, Kuinsllend, Australi

Në vitin 1991, kur po mbuloja papafingon e shtëpisë sonë, ndjeva një dhimbje të mprehtë në syrin tim të majtë. Dhimbja, e cila mu duk si një cifël në sy, shpejt mu përhap kudo nëpër kokë. Vazhdova të punoja derisa shqetësimi më detyroi të shkoja në dhomën time të gjumit që të pushoja.

Sapo u shtriva, gjithsesi, zëri i qetë, i ulët më nxiti. “Çohu”, tha Shpirti. “Mos fli.”

Ndërsa po meditoja mbi paralajmërimin dhe po mendoja se çfarë duhet të bëja, vendosa të merrja një nga tabletat që mamaja ime i pinte për dhimbjen e kokës nga migrena. Eca drejt dhomës së prindërve të mi dhe i gjeta tabletat, por kur fillova të hapja shishen, zëri erdhi përsëri: “Mos përdor asnjë nga ato.”

Pak kohë më vonë, zëri erdhi për herë të tretë: “Duhet t’i telefonosh ambulancës – tani!”

Nuk i kisha telefonuar kurrë më parë shërbimeve të urgjencës, por i telefonova menjëherë. Një ambulancë erdhi shpejt dhe dy ndihmësmjekë më vendosën mbi barelë. Gjëja e fundit që mbaj mend ishte se ata më pyetën për emrin. Pastaj humba ndjenjat.

Më vonë u zgjova në reanimacion, në spital. Isha akoma i dobët dhe nën ndikimin e anestezisë, por më kujtohet se ndjeva duar mbi kokën time kur babai dhe peshkopi im më dhanë një bekim. Dëgjova fjalët: “Do të të rikthehet shëndeti, sikur nuk ka ndodhur asgjë.”

Pas tri ditësh në reanimacion dhe katër ditë të tjera në pavijonin e spitalit, më në fund qeshë në gjendje të kthehesha në shtëpi. Vetëm atëherë mësova se kisha kaluar një hemorragji në tru. Kirurgu që më operoi, më vonë, më tregoi se qeshë “një fije peri larg vdekjes” dhe se do të kisha vdekur nëse do të kisha përdorur një tabletë migrene.

Sot jam në formë dhe i shëndetshëm, falë Zotit që udhëhoqi mendimet e mia atë ditë. Unë jam vulosur në tempull me gruan time të dashur dhe kemi pesë fëmijë të mrekullueshëm.

Falënderoj Atin tim Qiellor dhe Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin, për mrekullinë e jetës. Unë përpiqem çdo ditë që të fitoj sa më shumë nga koha që Ata më kanë dhënë dhe me mirënjohje kujtoj ndikimin mbrojtës të zërit të Shpirtit.

Dhimbja në syrin tim të majtë shpejt mu përhap kudo nëpër kokë. Sapo u shtriva, gjithsesi, zëri i vogël, i qetë më nxiti: “Çohu. Mos fli.”