2010
Direktivat e Reja për Shoqatën e Ndihmës Bekojnë Anëtaret
Prill 2010


Direktivat e Reja për Shoqatën e Ndihmës Bekojnë Anëtaret

Xhuli B. Bek, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, shpalli direktiva të reja për mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës gjashtë muaj më parë në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës dhe rezultatet po bekojnë jetën e motrave përreth botës.

Pritja e direktivave të reja në përgjithësi ka qenë e ngrohtë, tha Motra Bek, duke nxjerrë në pah se anëtaret në mbarë botën mund t’i planifikojnë tani mbledhjet sipas nevojave të tyre individuale, duke lejuar më shumë elasticitet në një kishë që nuk kufizohet në një kulturë apo vendndodhje.

“Ky ka qenë një hap shumë pozitiv për një organizatë globale”, tha Motra Bek. “Ne i duam motrat, ne kemi besim te motrat dhe e dimë që, nëse ato do ta kthejnë këtë në një çështje besimi e bindjeje, ato nuk do të kenë ndonjë problem lidhur me të.”

Fjalimi i Motrës Bek, me titull “Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë” (Liahona, nëntor 2009, f. 110), duhet të shërbejë si politika zyrtare në lidhje me mbledhjet dhe udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës, që kanë pyetje mbi politikat, duhet të këshillohen me udhëheqësit e tyre të priftërisë.

Ndryshime të Përgjithshme

U pohua se këshilltaret e Shoqatës së Ndihmës duhet të ndjekin modelin e priftërisë dhe të thirren këshilltarja e parë ose e dytë. Thirrja e njohur më parë si udhëheqësja për përmirësim shtëpiak, familjar dhe vetjak duhet të quhet koordinatorja e mbledhjeve të Shoqatës së Ndihmës. Motra në këtë thirrje duhet të vazhdojë të organizojë mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës që mbahen në ditë jave nën drejtimin e presidencisë.

Direktiva për Mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës

Në fjalimin e saj, Motra Bek tha se si mbledhjet që më parë quheshin “për përmirësim shtëpiak, familjar dhe vetjak” tani do të quhen thjesht mbledhje të Shoqatës së Ndihmës.

Motra Bek përshkroi se si presidentja e lagjes e Shoqatës së Ndihmës duhet të mbikëqyrë të gjitha mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës dhe të këshillohet me peshkopin ose presidentin e degës, që miraton të gjithë planet e mbledhjeve.

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës duhet t’i mbikëqyrë mbledhjet, por mund t’i kërkojë këshilltares së parë ose të dytë – ose të rekomandojë që të thirret një motër në lagje ose degë – që të jetë koordinatorja e mbledhjeve. Të paktën një anëtare e presidencisë duhet të jetë e pranishme në çdo mbledhje.

Mbledhjet zakonisht duhet të mbahen çdo muaj, por të paktën çdo tremujor, në një kohë të ndryshme nga e diela apo mbrëmja e së hënës. Peshkopi ose presidenti i degës dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës përcaktojnë shpeshtësinë e mbledhjeve dhe motrat nuk duhet të bëhen të ndihen se është e detyrueshme të marrin pjesë në të gjitha këto mbledhje.

Kur planifikon mbledhjet, presidencia e Shoqatës së Ndihmës duhet të marrë parasysh çështje të tilla si angazhimi kohor, kostoja, siguria dhe gjatësia e udhëtimit.

Mbledhjet duhet të përmbushin “përgjegjësitë bamirëse dhe praktike” të Shoqatës së Ndihmës, duke rritur besimin e drejtësinë vetjake dhe duke u kujdesur për nevojat shpirtërore e materiale të individëve e të familjeve.

Në planifikimin e mbledhjeve, presidencia e Shoqatës së Ndihmës duhet t’i japë përparësi temave që përmbushin qëllimet e Shoqatës së Ndihmës; mbledhjet mund të përqendrohen në një temë ose të ndahen në më shumë se një orë mësimi apo aktivitet. Mësueset në përgjithësi duhet të jenë anëtare të lagjes ose të kunjit.

“Përdorimi siç duhet i mbledhjeve të Shoqatës së Ndihmës do ta rrisë aftësinë e Shoqatës së Ndihmës që të punojë në mënyra të fuqishme me udhëheqësit e priftërisë në çdo lagje”, tha Motra Bek.