2010
Siguria për Ringjalljen
Prill 2010


Klasikët e Ungjillit

Siguria për Ringjalljen

Pamja
President Spencer W. Kimball

Një kohë krishtlindjeje disa vite përpara, ne ecëm në rrugët ku kishte ecur Jezusi. Ne kaluam disa orë të çmuara në atë që është thënë të jetë Kopshti i Gjetsemanit dhe u përpoqëm të imagjinonim vuajtjet nëpër të cilat Ai kaloi përpara Kryqëzimit dhe Ringjalljes së Tij. Ne ishim pranë vendeve ku Ai u lut, ku Ai u burgos, ku Ai u gjykua dhe u dënua.

Jashtë mureve të qytetit ne ngjitëm kodrën e kalçifikuar, të shënuar me shpella të vogla, që e bënte fundin e rrumbullaktë të dukej si kafkë dhe neve na treguan se kjo ishte Golgota, vendi ku Ai u kryqëzua. Ne zbritëm me zigzage faqen e pasme të kodrës për tek ana e saj e thepisur vertikalisht dhe u futëm në një hapje, të vogël sa një dritare, në një shpellë të gdhendur trashë, ku është thënë se qe shtrirë trupi.

Disa orë ne i kaluam në një kopsht të vogël jashtë këtij varri dhe u zhytëm në historinë ungjillore të varrimit të Tij dhe të Ringjalljes së Tij, që kishin ndodhur këtu. Ne lexuam me vëmendje dhe me lutje për ardhjen e grave tek varri, engjëllin e Zotit që rrokullisi tej gurin dhe frikën e rojeve frikacake.

“Ai … U Ringjall”

Ne thuajse mund të imagjinonim se pamë dy engjëjt në veshje shkëlqyese që i folën Maries, duke thënë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur.”

Zoti kishte parashikuar: “Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë” (Lluka 24:5–7).

Ne kujtuam dialogun midis Maries, engjëjve dhe Zotit:

“‘O grua, pse po qan?’ Ajo u përgjigj atyre: ‘Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di se ku e kanë vënë.’”

Ajo u suall prapa dhe “pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.

Jezusi i tha: ‘O grua, pse po qan? Kë kërkon?’. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ‘Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr’.

Jezusi i tha: ‘Mari!’. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ‘Rabboni!’, që do të thotë: Mësues.

Jezusi i tha: ‘Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; Por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj” (Gjoni 20:13–17). …

Domethënia e Pashkës

Ndonjëherë festimet tona për ngjarje të shënuara duket të marrin ngjyrë tokësore dhe ne nuk e kuptojmë plotësisht rëndësinë e shkaqeve për festimin. Kjo është e vërtetë për Pashkën, kur tepër shpesh ne festojmë pushimin më shumë se kuptimin e thellë të Ringjalljes së Zotit. Ata duhet të jenë vërtet të mërzitur që injorojnë perëndshmërinë e Krishtit dhe të të qenit bir i Mjeshtrit. Neve na vjen keq vërtet për ata që e quajnë mrekullinë më të madhe të Ringjalljes “vetëm një përjetim subjektiv të dishepujve dhe jo një ngjarje të vërtetë historike”.

Ne e dimë vërtet që e gjithë kjo është reale. Krishti i tha për Veten e Tij Nikodemit:

“Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë” (Gjoni 3:11).

Dhe pastaj ne kujtojmë atë që Pjetri dëshmoi:

“Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht”. (Veprat e Apostujve 2:36).

“Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, … ;

dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë!” (Veprat e Apostujve 3:14–15).

Me guxim, Pjetri dhe Gjoni qëndruan përpara gjykatës dhe thanë përsëri:

“Le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri [ish njeriu i sëmurë] del para jush i shëruar plotësisht. …

Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:10, 12).

Kur gjykata i qortoi dy Apostujt dhe i urdhëroi të mos flisnin apo të jepnin mësime të tilla në emër të Jezusit, ata u përgjigjën dhe thanë: “Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.

Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar” (Veprat e Apostujve 4:19–20).

“Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata” (Veprat e Apostujve 4:33).

Dëshmi e Pjetrit

Ne gjithashtu dimë se Ringjallja është e vërtetë. Pjetri i gjallë i tha gjykatës me përndjekës:

“Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru. …

Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij” (Veprat e Apostujve 5:30, 32).

Ne qëndrojmë me adhurim përpara Pjetrit të madh, që kishte marrë në mënyrë kaq të plotë sigurinë e tij absolute dhe që mbante me aq mirësi rolin e udhëheqësit dhe mantelin e autoritetit, dhe kurajën e njeriut të frymëzuar dhe të siguruar. Çfarë force kish arritur të kishte ai kur i udhëhoqi shenjtorët dhe përballoi botën me gjithë përndjekësit, mosbesuesit dhe vështirësitë e saj. Dhe, ndërsa ai përsëriste dhe përsëriste dijen e tij absolute, ne krenohemi me vendosmërinë e tij kur përballej me turma e klerikë, zyrtarë që mund t’i kishin marrë jetën dhe kur shpallte me forcë Zotin e ringjallur, Princin e Paqes, të Shenjtin dhe të Drejtin, Princin e Jetës, Princin dhe Shpëtimtarin. Pjetri ishte i sigurt, i patundur, që kurrë nuk do të përkulej. Ne duhet të marrim shumë siguri nga siguria e tij. …

Dëshmia e Palit

Dëshmia e Palit duket shumë bindëse. Ai dëgjoi zërin e Krishtit të ringjallur:

“Saul, Saul, përse më përndjek?” Dhe për t’u siguruar për identitetin, Sauli tha: “Kush je, Zot?” dhe mori sigurimin: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave” (Veprat e Apostujve 9:4–5).

Dhe tani po ai Pal, që kishte rifituar forcën e tij, që i ishte dhënë nga priftëria, që kishte marrë dritën e tij të humbur, shkoi nëpër sinagogat dhe i hutonte hebrenjtë në Damask, “duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti” (Veprat e Apostujve 9:22).

Dhe më vonë Pali erdhi tek Apostujt në Jeruzalem dhe Barnaba, duke folur për Palin, “u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit” (Veprat e Apostujve 9:27).

Pastaj Pali vazhdon:

“Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.

Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve;

Dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit. …

Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin. …

“Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje” (Veprat e Apostujve 13:29–31, 33–34). …

Dëshmi e Jozef Smithit

Ne lartësohemi nga dëshmia e profetit modern, Jozef Smithit, kur ai siguron përsëri popullin për Ringjalljen. Plaku Xhorxh A. Smith citon fjalimin e fundit publik të Jozef Smithit në qershor 1844, vetëm pak ditë përpara vrasjes së tij mizore:

“Unë jam gati të ofrohem si sakrificë për këtë popull; sepse çfarë mund të bëjnë armiqtë tanë? Vetëm të vrasin trupin dhe forca e tyre pastaj ka mbaruar. Qëndroni të fortë miqtë e mi. Kurrë mos u zmbrapsni. Mos kërkoni të shpëtoni jetën tuaj, sepse ai që trembet nga vdekja për të vërtetën do të humbasë jetën e përjetshme. Qëndroni deri në fund; dhe ne do të ringjallemi dhe do të bëhemi si Perënditë, dhe do të mbretërojmë në mbretëri çelestiale, principata dhe zotërime të përjetshme.”1

Pyetje dhe Përgjigje të Jobit

Pyetja që drejtoi Jobi është drejtuar nga miliona që kanë qëndruar pranë arkivolit të hapur të një të dashuri: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Jobi 14:14).

Dhe pyetja ka marrë përgjigje të pranueshme për shumë prej tyre si një paqe e madhe, e ëmbël mbi ta si vesa e qiellit. Dhe numër pafund zemrash, që ishin të këputura nga vuajtje agonie, kanë ndier puthjen e asaj paqeje që nuk shpjegohet.

Dhe kur një qetësi e thellë e shpirtit ka sjellë një siguri të re të ngrohtë në mendjet që ishin të shqetësuara dhe zemrat që ishin të thyera, ata të panumërt mund të përsërisnin me të dashurin Job:

“Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.

Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.

Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin” (Jobi 19:25–27).

Jobi pati shprehur dëshirën që kjo dëshmi e tij të mund të shtypej në libra dhe të gdhëndej në gur për brezat që do të vinin për ta lexuar. Dëshira e tij u plotësua, sepse paqja ka ardhur në shumë shpirtra kur kanë lexuar dëshminë e tij të fortë.

Vegimi i Gjonit

Dhe në përfundim, më lejoni të lexoj vegimin e Gjonit, Zbuluesit:

“Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.

Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta” (Zbulesa 20:12–13).

Dhe kur pranvera e gjallë, gjelbëruese pason dimrin e zymtë si vdekja, e gjithë natyra shpall shenjtërinë e Zotit të ngritur, që Ai ishte Krijuesi, që Ai është Shpëtimtari i botës, që Ai është Biri i vërtetë i Perëndisë.

Shënim

  1. Joseph Smith, në History of the Church, 6:500.

Jezusi i Tha Asaj: “Marie”, nga William Whittaker, © IRI; Shihni Duart dhe Këmbët e Mia, nga Harry Anderson, © IRI

Ushqeni Delet e Mia, nga Kamille Corry, © 1998 IRI