Seminari
1 Samuelit 3: “Fol, o Zot, Sepse Shërbëtori Yt të Dëgjon”


“1 Samuelit 3: ‘Fol, o Zot, Sepse Shërbëtori Yt të Dëgjon’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“1 Samuelit 3: ‘Fol, o Zot, Sepse Shërbëtori Yt të Dëgjon’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Ruthit; 1 Samuelit 1–7: Mësimi 70

1 Samuelit 3

“Fol, o Zot, Sepse Shërbëtori Yt të Dëgjon”

The boy Samuel in bed watching an oil lamp burn.

Sa mirë mendon se mund ta dallosh zërin e Zotit në jetën tënde? Një natë, Zoti i foli djaloshit Samuel. Me ndihmën e Elit, Samueli përfundimisht e dalloi zërin e Zotit. Ai u përgjigj: “Fol, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon” (1 Samuelit 3:9). Zoti na flet edhe neve dhe, si Samueli, është e nevojshme që ne të mësojmë ta dallojmë zërin e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kërkojnë dhe dallojnë zbulesën vetjake.

Përgatitja e nxënësve: Bëjuni nxënësve pyetjen: “Si e dëgjoni zërin e Zotit në jetën tuaj?” Ftojini ata të reflektojnë mbi mënyrën se si do të përgjigjeshin. Ata mund t’ua bëjnë edhe shokëve ose pjesëtarëve të familjes pyetjen.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të dëgjuarit e zërit të Zotit

Merreni parasysh të ftoni një vullnetar përpara klasës, i cili është i gatshëm t’ia lidhin sytë. Vendosini nxënësit një lidhëse sysh. Ftoni me radhë disa anëtarë të klasës që ta thërrasin nxënësin në emër. Kërkojini nxënësit me sytë e lidhur të përcaktojë se kush e thirri.

  • Përse ishin disa nga zërat më të lehtë për t’u dalluar?

  • Cilat janë disa mësime shpirtërore që mund të lidhen me këtë veprimtari?

Nxënësit mund ose mund të mos japin parime të ngjashme me të vërtetat e përvijuara në këtë mësim. Nëse e bëjnë, ftojini ata të kërkojnë prova ose kuptueshmëri për këto të vërteta ndërsa studiojnë te 1 Samuelit 3. Nëse nuk e bëjnë, nuk ka problem. Falënderojini të gjithë nxënësit për atë që treguan.

Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Perëndia na flet dhe dëshiron që ne ta dallojmë zërin e Tij. Shpjegoni se Zoti na flet me anë të Frymës së Shenjtë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 8:2). Kjo njihet si zbulesë vetjake. Nxënësit do të përcaktojnë parime shtesë të zbulesës vetjake gjatë gjithë mësimit.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Një prej gjërave që Shpirti ma ka sjellë si mbresë në mënyrë të përsëritur në mendjen time … është se sa i gatshëm është Zoti për ta zbuluar mendjen dhe vullnetin e Tij. Privilegji i marrjes së zbulesës është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij. …

A do Perëndia vërtet të flasë me ju? Po!” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 94, 95)

Ftojini nxënësit të reflektojnë për pyetjet vijuese:

  • A beson se Perëndia vërtet dëshiron të flasë me ty? Përse po ose përse jo?

  • Sa siguri ke në aftësinë tënde për ta dalluar zbulesën?

  • Çfarë e bën të lehtë ose të vështirë për ty ta dallosh zërin e Perëndisë (ose zbulesën vetjake) në jetën tënde?

Shprehni sigurinë tuaj se Perëndia dëshiron t’u flasë nxënësve tuaj.

Gjatë gjithë mësimit, mundohu të kërkosh dhe të dallosh mesazhe nga Zoti. Mundohu të dallosh mënyrën se si të flet Ai.

Parimet e zbulesës

Anës i lindi Samueli si një përgjigje ndaj lutjeve të saj. Kur Samueli ishte i vogël, Ana e solli në tabernakull ku Eli mund të kujdesej për të. Një mbrëmje, djaloshi Samuel pati një përvojë ku dëgjoi zërin e Zotit.

Para se të jepni udhëzimet më poshtë, mund të shpjegoni se disa parime në shkrimet e shenjta nënkuptohen. Kjo do të thotë se ato nuk shprehen drejtpërdrejt në vargje. Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë t’i përcaktojmë parimet e nënkuptuara ndërsa i bëjmë vetes pyetje si: “Çfarë mund të ketë dashur autori i këtyre vargjeve që unë të mësoj?” ose “Cilat janë disa nga mësimet e rëndësishme që mësoj nga këto vargje?”

Studio te 1 Samuelit 3:1–10, 19, duke kërkuar ide dhe të vërteta rreth marrjes së zbulesës nga Perëndia.

Pasi nxënësit të kenë mbaruar studimin, ftojini ata t’i shkruajnë parimet që zbuluan, në tabelë. Duke përdorur fjalët e tyre, nxënësit mund të kenë përcaktuar parimet e renditura më poshtë. Nëse e kanë të vështirë t’i përcaktojnë parimet, mund të renditni sa vijon dhe t’i ftoni që të përcaktojnë frazat ose vargjet që i japin mësim ato.

  • Zoti na e zgjat dorën me durim edhe kur nuk e dallojmë në fillim zërin e Tij (shihni vargjet 4, 6, 8, 10).

  • Zoti u flet të rinjve (shihni vargjet 4, 6, 8, 10).

  • Shpesh kërkohet kohë dhe ushtrim për t’u familjarizuar me zërin e Zotit (shihni vargjet 7, 10, 19).

  • Të tjerët mund të na ndihmojnë ta dallojmë zërin e Zotit (shihni vargjet 8–9).

  • Kur tregojmë gatishmëri për të dëgjuar dhe vepruar, Zoti do të zbulojë më shumë (shihni vargjet 10, 19).

  • Përse mund të jenë të dobishme këto parime ndërsa përpiqemi ta dallojmë zërin e Zotit në jetën tonë?

  • Në ç’mënyrë janë ato një demonstrim i dashurisë së Tij për ne?

Dallimi i zërit të Zotit

Zoti na flet në shumë mënyra nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Të mësuarit se si Ai mund të të flasë, mund të të ndihmojë ta dallosh më mirë zërin e Tij në jetën tënde.

ikona e seminarit Jepuni nxënësve fletushkën “Si Mund ta Dalloj Zërin e Zotit?” Merreni parasysh të punoni rreshtin e parë të tabelës si klasë përpara se t’i ftoni nxënësit të përfundojnë rreshtat e mbetur. Mund të jetë më mirë t’i ftoni nxënësit ta plotësojnë këtë vetë për të mundësuar reflektimin vetjak. Nëse mendoni se mund të mos keni kohë të mjaftueshme për këtë veprimtari, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të punojnë vetëm disa rreshta, ose merreni parasysh ta vazhdoni mësimin një ditë tjetër.

Kur nxënësit ta mbarojnë studimin, gjeni kohë për t’i lejuar ata ta diskutojnë atë që zbuluan, dhe për të bërë pyetje. Përdoreni këtë kohë për t’i lejuar nxënësit të tregojnë se si e dëgjojnë zërin e Zotit në jetën e tyre. Mund të tregoni gjithashtu një përvojë vetjake dhe të shpjegoni se si e dëgjoni Atë.

Shprehni mirënjohje ndaj nxënësve për gjërat që tregojnë. Bëjuani të ditur se kontributet e tyre sjellin një ndryshim kuptimplotë në orën mësimore.

Familjarizimi me zërin e Zotit

Ashtu si Samuelit, mund të duhet kohë dhe ushtrim që të familjarizohemi me zërin e Zotit dhe ta dallojmë zbulesën vetjake (shih te 1 Samuelit 3:7, 10, 19).

  • Cilat janë disa mënyra se si ne, ashtu si Samueli, mund të përpiqemi ta dallojmë zërin e Zotit?

Disa ide mund të jenë të flisni me një prind ose një këshillues të mirëbesuar rreth mënyrës se si të merrni zbulesë ashtu si Samueli i foli Elit. Samueli tha: “Fol, sepse shërbëtori yt të dëgjon” (1 Samuelit 3:10). Mbase edhe ne mund t’ia bëjmë të qartë Zotit se jemi gati t’i dëgjojmë mesazhet e Tij duke pasur çaste për të përsiatur dhe dëgjuar pas lutjes ose gjatë gjithë ditës. Ose mund të shënojmë në një ditar disa nga mënyrat se si mund të jemi duke i marrë mesazhet nga Ati Qiellor, si ato në fletushkë.

Në ditarin tënd të studimit, krijo një plan të diçkaje që do të doje ta bëje për të kërkuar dhe dalluar zbulesë nga Perëndia në jetën tënde.

Dëshmoni se, ndërsa nxënësit bëjnë një përpjekje të përqendruar pak nga pak, aftësia e tyre për të dalluar zbulesën vetjake do të rritet. Bëjuani të ditur nxënësve se atyre do t’u jepet një mundësi për të reflektuar mbi përpjekjet e tyre për të dalluar zbulesën vetjake te Mësimi 80: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 5”.