Thirrjet në Mision
Praktika e Zotësisë 5: Përpiquni të Mësoni Përmendsh Shkrime të Shenjta


Praktika e Zotësisë 5

Përpiquni të Mësoni Përmendsh Shkrime të Shenjta

djalë duke studiuar shkrimet e shenjta

“Fuqi e madhe mund të vijë nga [mësimi përmendsh i] shkrimeve të shenjta” (Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 27). Mësimi përmendsh i fragmenteve të shkrimeve të shenjta, mund ta thellojë kuptueshmërinë tonë për ungjillin e Shpëtimtarit dhe të na e rritë aftësinë për t’ua mësuar atë të tjerëve.

Udhëheqësi i diskutimeve: Përpiquni fort t’i bëni shkurt pjesët “Përcakto” dhe “Trego në Praktikë” që nxënësit të kenë mjaft kohë për praktikën.

Përcakto

Udhëheqësi i diskutimeve: Ndihmojini anëtarët e klasës të gjejnë kutinë e titulluar “Roli i të Mësuarit Përmendsh” në kapitullin 3 të manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 26–27). Më pas, jepni udhëzimet vijuese:

Lexoje paragrafin e tretë te kutia “Roli i të Mësuarit Përmendsh” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 27). Kërko mënyrat se si të mësuarit përmendsh i fragmenteve të shkrimeve të shenjta mund të të bekojë ty dhe të tjerët.

  • Si mund të të ndihmojë ty si misionar/e të mësuarit përmendsh?

  • Çfarë dobie ke pasur nga të mësuarit përmendsh të një fragmenti të shkrimit të shenjtë?

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se ka metoda të shumta që mund t’i përdorim për të na ndihmuar t’i mësojmë përmendsh shkrimet e shenjta. Si shembuj, mund të jepni disa nga vijueset. Mund t’i ftoni nxënësit të japin edhe ide të tjera.

  • Lexoji fjalët disa herë rresht. Më pas, fshihi fjalët dhe përsëriti pa i parë.

  • Ndaje fragmentin e shkrimit të shenjtë në disa fraza më të shkurtra. Mësoji përmendsh një e nga një frazat, duke e përsëritur atë që e ke mësuar përmendsh tashmë, ndërsa vijon më tej.

  • Shkruaji fjalët më shumë se një herë ndërsa e lexon vargun. Më pas, hidhe në letër fragmentin pa e parë vargun.

  • Shkruaji shkronjat e para të çdo fjale nga vargu dhe më pas përdori ato shkronja që të të udhërrëfejnë ndërsa e thua vargun.

  • Krijo figura të thjeshta që të të ndihmojnë ta mësosh përmendsh fragmentin.

Trego në Praktikë

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se një fragment i rëndësishëm i shkrimit të shenjtë që duhet ta mësojnë përmendsh misionarët, është rrëfimi i Vegimit të Parë të Jozef Smithit, i shënuar te Joseph Smith – Historia 1:16–17.

Më poshtë është një mënyrë se si mund ta përdorni idenë e dytë nga lista në pjesën e mëparshme për t’i ndihmuar nxënësit ta mësojnë përmendsh rrëfimin e Jozef Smithit. Ndihmojini nxënësit t’i mësojnë përmendsh frazat vijuese, një e nga një, duke i përsëritur me zë të lartë si klasë.

“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua. …

Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër.

Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: ‘Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’” (Joseph Smith – Historia 1:16–17.)

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit ta ushtrojnë thënien përmendsh të kësaj pjese të rrëfimit të Vegimit të Parë të Jozef Smithit me një partner. Ata mund të përdorin të njëjtën metodë që e praktikuat si klasë, ose mund të zgjedhin një metodë të ndryshme.

Zbato

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepni udhëzimet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit ta vënë në zbatim zotësinë e të mësuarit përmendsh të shkrimeve të shenjta në jetën e tyre:

Përcakto se si do të vazhdosh ta përdorësh zotësinë e të mësuarit përmendsh të shkrimeve të shenjta. Ja disa ide:

  • Vazhdo ta mësosh përmendsh Vegimin e Parë të Jozef Smithit. Ushtrohu duke ia thënë përmendsh një njeriu të dashur.

  • Zgjidh një ose më shumë shkrime të tjera të shenjta që dëshiron t’i mësosh përmendsh, dhe bëj përpjekje për t’i mësuar përmendsh.