Mësimi 9
Përdoreni Fuqinë e Librit të Mormonit
Predikoni Ungjillin Tim, Kapitulli 5
“Libri i Mormonit, i ndërthurur me Shpirtin, është burimi juaj më i fuqishëm në procesin e kthimit në besim” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 109). Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin dhe është mjeti që Perëndia e ka përgatitur për të mbledhur Izraelin në ditët e fundit. Ndërsa e studiojmë Librin e Mormonit dhe i zbatojmë mësimet e tij, mund të afrohemi më shumë me Perëndinë.
Rishiko dhe Ndiq Ecurinë
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth përpjekjeve të tyre të kohëve të fundit për t’i zbatuar ato që po mësojnë në këtë klasë. Mund t’i ftoni t’ia tregojnë disa nga përpjekjet e tyre një partneri ose së bashku klasës.
Mundësitë për Veprimtaritë e të Mësuarit
Udhëheqësi i diskutimeve: Përzgjidhni me lutje mundësinë/të e të mësuarit që do të ishte/in më dobiprurëse për klasën tuaj. Sigurohuni që të lini mjaft kohë për praktikën dhe zbatimin.
Mundësia A: Përse Libri i Mormonit është një mjet i rëndësishëm për shpërndarjen e ungjillit?
Studio
Udhëheqësi i diskutimeve: Kërkojuni nxënësve të mendojnë për një mjet që e përdorin shpesh. Mund të diskutoni pyetje si vijueset:
-
Si ta bën më të lehtë jetën ky mjet?
-
Çfarë mjetesh na ka dhënë Perëndia për të bërë punën e Tij?
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojeni një anëtar të klasës ta lexojë me zë të lartë paragrafin e parë te kapitulli 5 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqe 109). Kërkojuni nxënësve që ta ndjekin dhe të kërkojnë një prej mjeteve që Perëndia përdor për t’i ndihmuar njerëzit të vijnë tek Ai. Si pjesë të këtij diskutimi, mund të përdorni edhe thëniet në vijim.
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim:
“Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit dhe mjeti i madhërishëm për kthimin në besim në ditët e mëvonshme”. (“Me Fuqinë e Perëndisë në Lavdi të Madhe”, Liahona, nëntor 2021, f. 28)
Plaku Ulises Soares dëshmoi:
“Libri i Mormonit është mjeti i Perëndisë për realizimin e mbledhjes së Izraelit në kohën tonë dhe për t’i ndihmuar njerëzit që të arrijnë ta njohin Birin e Tij, Jezu Krishtin”. (“Dalja në Dritë e Librit të Mormonit”, Liahona, maj 2020, f. 35)
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh të shkruani në tabelë fjalinë jo të plotë në vijim: Libri i Mormonit është një prej mjeteve më të rëndësishme për shpërndarjen e ungjillit të Shpëtimtarit sepse …
Ftojini nxënësit ta përfundojnë fjalinë. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Më pas, jepni udhëzimet vijuese:
Zgjidh një pjesë nga kapitulli 5 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 109–118) për ta studiuar. Ndërsa e lexon atë, kërko arsye të tjera përse Libri i Mormonit është një mjet apo instrument thelbësor për shpërndarjen e ungjillit të Shpëtimtarit.
Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi nxënësit të kenë mbaruar studimin, ftojini të tregojnë mënyra të tjera se si mund ta plotësojnë fjalinë në tabelë. Nxënësit mund të diskutojnë edhe për njërën ose për të dyja pyetjet më poshtë. Nëse përmendin vargje specifike nga Libri i Mormonit në përgjigjet e tyre për cilëndo pyetje, merrni parasysh t’i lexoni këto vargje së bashku si klasë.
-
Çfarë përvojash ke pasur me shpërndarjen e të vërtetave nga Libri i Mormonit tek të tjerët?
-
Si i ke parë të vërtetat e Librit të Mormonit të të ndihmojnë ty ose të tjerët që të afroheni më shumë me Jezu Krishtin?
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh të jepni përgjigjet tuaja për pyetjet e mëparshme. Mund të shfaqni edhe materialin filmik “Shaquille’s Story about the Book of Mormon” [“Historia e Shakillit në lidhje me Librin e Mormonit”] (1:28; ChurchofJesusChrist.org). Diskutoni se si Libri i Mormonit ndihmoi për pyetjet e tij dhe për kthimin e tij në besim te Jezu Krishti.
Ushtrohu
Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se një arsye përse Libri i Mormonit është një burim thelbësor për shpërndarjen e ungjillit, është se ai përmban përgjigje për pyetje me rëndësi të përjetshme. Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrohen me përdorimin e Librit të Mormonit për të gjetur e treguar përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve. Paraqitini udhëzimet vijuese:
-
Gjeje pjesën e titulluar “Libri i Mormonit Trajton Pyetjet e Shpirtit” te kapitulli 5 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 113–114).
-
Përzgjidh një pyetje nga kjo pjesë tek e cila dëshiron të përqendrohesh.
-
Lexoji shkrimet e shenjta përkatëse dhe mendo për mënyrën se si mund të të ndihmojnë këto shkrime të shenjta për pyetjen që zgjodhe.
-
Përgatitu ta tregosh një nga vargjet që studiove, dhe shpjego se si ai i jep përgjigje pyetjes.
Udhëheqësi i diskutimeve: Ndajeni klasën në dyshe. Ftojeni çdo anëtar të klasës t’ia tregojë partnerit të vet atë që përgatiti në hapin 4. Pasi partnerët të mbarojnë së mësuari njëri‑tjetrin, mund të merrni parasysh t’u caktoni partnerë të tjerë, në mënyrë që të mund ta ushtrojnë edhe një herë tjetër mësimdhënien.
Për ushtrim të mëtejshëm, mund të përdorni pjesën Praktika e Zotësisë 1: “Njihini Njerëzit me Librin e Mormonit”.
Vendos një synim
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin një synim. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë, është duke treguar thënien në vijim nga Plaku Ronald A. Rasband dhe ftesën nën të:
“Ju ftoj, këtë ditë, që t’ua jepni një Libër Mormoni miqve dhe familjes suaj, bashkëpunëtorëve në punë, trajnerit tuaj të futbollit apo burrit që shet perime në treg. Atyre iu nevojiten fjalët e Zotit që gjenden në këtë libër. Atyre iu nevojiten përgjigje ndaj pyetjeve të jetës së përditshme dhe të jetës së përjetshme që vjen më pas. Iu nevojitet të dinë për shtegun e besëlidhjeve të shtruar përpara tyre dhe për dashurinë e qëndrueshme të Zotit për ta. Është gjithçka këtu në Librin e Mormonit.
Kur u jepni një Libër të Mormonit, ju po i hapni mendjet dhe zemrat e tyre ndaj fjalës së Perëndisë. Nuk ju nevojitet të mbani kopje të shtypura të librit me vete. Me lehtësi mund ta shpërndani atë nga telefoni juaj celular nga pjesa e shkrimeve të shenjta të programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].” (“Këtë Ditë”, Liahona, nëntor 2022, f. 27)
Merre parasysh me lutje se te kush mund ta shpërndash Librin e Mormonit. Përcakto atë që mund t’i mësosh atij ose asaj rreth Librit të Mormonit, dhe se çfarë tjetër mund të thuash. Mbaje shënim planin tënd.
Synimi im
-
Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).
-
Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.
Mundësia B: Si mund të na ndihmojë Libri i Mormonit mua dhe të tjerët që të afrohemi më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Studio
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojeni një anëtar të klasës ta lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Pastaj jepuni kohë nxënësve të përsiatin se si do t’u përgjigjeshin personalisht pyetjeve të Presidentit Nelson.
“Vëllezërit dhe motrat e mia, sa i çmuar është Libri i Mormonit për ju? Nëse do t’ju ofronin diamante apo rubinë ose Librin e Mormonit, cilin do të zgjidhnit? Sinqerisht, cil[i] ka më shumë vlerë për ju?” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 61)
-
Çfarë e bën Librin e Mormonit më me vlerë se gjërat e kushtueshme, të tilla si diamantet apo rubinët?
Udhëheqësi i diskutimeve: Për veprimtarinë vijuese të studimit, mund ta ftoni gjysmën e klasës të studiojë pjesën “Libri i Mormonit Dëshmon për Krishtin” dhe gjysmën tjetër të studiojë pjesën “Libri i Mormonit na Ndihmon t’i Afrohemi më Shumë Perëndisë”.
Lexo pjesët e titulluara “Libri i Mormonit Dëshmon për Krishtin” dhe “Libri i Mormonit na Ndihmon t’i Afrohemi më Shumë Perëndisë” te kapitulli 5 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 111, 113). Kërko dhe thekso me ngjyrë të paktën tri fjali që përshkruajnë arsyet përse është me vlerë Libri i Mormonit.
Udhëheqësi i diskutimeve: Ndajeni klasën në dyshe. Sigurohuni që secili anëtar i klasës të ketë studiuar një pjesë tjetër nga ajo e partnerit. Ftojini nxënësit t’i tregojnë partnerit të tyre tri fjalitë që nënvizuan, dhe të shpjegojnë se përse e ndien se ato fjali ishin të rëndësishme.
Pasi partnerët të kenë mbaruar së mësuari njëri‑tjetrin, mund të lexoni së bashku disa prej vargjeve nga kutia “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” në faqen 112 (nën kreun “Libri i Mormonit Dëshmon për Krishtin”). Ju gjithashtu mund të diskutoni së bashku për pyetje si vijueset:
-
Si të ka ndihmuar studimi i Librit të Mormonit dhe zbatimi i mësimeve të tij që të afrohesh më shumë me Perëndinë?
-
Çfarë ke mësuar rreth Jezu Krishtit nga studimi yt i Librit të Mormonit?
-
Si ka ndikuar leximi i Librit të Mormonit te dëshmia jote për Jezu Krishtin?
Ushtrohu
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni kohë nxënësve të ushtrohen me gjetjen dhe tregimin e fragmenteve nga Libri i Mormonit që dëshmojnë për Jezu Krishtin. Mund ta paraqitni këtë veprimtari të praktikës duke shfaqur materialin filmik “Book of Mormon Experiment Honolulu” [“Eksperimenti me Librin e Mormonit, Honolulu”] (2:35; ChurchofJesusChrist.org). Merrni parasysh t’i paraqitni udhëzimet vijuese:
Gjej shkrime të shenjta te Libri i Mormonit që dëshmojnë për Jezu Krishtin. Mund të gjesh vargje nga kapitujt e renditur te kutia “Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare” në kapitullin 5 të manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 112–113, nën titullin “Libri i Mormonit Dëshmon për Krishtin”). Ose mund të gjesh vetë vargje të tjera.
Për çdo fragment të shkrimeve të shenjta që gjen, mbaji shënim përgjigjet e tua për këto pyetje:
-
Çfarë më mëson ky fragment i shkrimit të shenjtë për Jezu Krishtin?
-
Si mund të ndikojë tek unë dhe të tjerët kjo njohuri për Jezu Krishtin?
Udhëheqësi i diskutimeve: Ndajini nxënësit në grupe të vogla. Ftojeni çdo anëtar të grupit t’u tregojë anëtarëve të tjerë të grupit të vet një ose dy nga fragmentet e shkrimeve të shenjta që gjeti. Ftojini edhe që të japin përgjigjet e tyre për dy pyetjet më sipër.
Vendos një synim
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:
Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për ide të tuat.
-
Studioje përditë Librin e Mormonit. Kushtoji vëmendje të veçantë asaj që mëson për Jezu Krishtin.
-
Shpërnda në mediat shoqërore ose te dikush që e njeh, një varg nga Libri i Mormonit që ka qenë veçanërisht domethënës për ty. Shpjego se përse zgjodhe që ta shpërndash atë.
-
Eksploroji veçoritë te programi kompjuterik Libri i Mormonit (për shembull: materialin zanor, gjuhët, vënien në kontakt me misionarët). Shpërndaje te dikush programin kompjuterik Libri i Mormonit.
Synimi im
-
Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).
-
Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.
Mundësia C: Si e përkrahin njëri‑tjetrin Libri i Mormonit dhe Bibla?
Studio
Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh ta filloni këtë veprimtari të të mësuarit duke treguar një skenar si vijuesi:
Përfytyro sikur po bashkëbisedon për bindjet e tua fetare me një shok ose shoqe që nuk është anëtar/e i/e Kishës. Pasi shoku ose shoqja mëson se ti beson te Libri i Mormonit, të pyet: “Cili është qëllimi i Librit të Mormonit kur tashmë kemi Biblën?”
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të mendojnë se si mund t’i përgjigjen shokut ose shoqes. Mund edhe t’u kërkoni të mendojnë a kanë përjetuar ndonjëherë një situatë të ngjashme. Më pas, jepni udhëzimet vijuese:
Te kapitulli 5 i manualit Predikoni Ungjillin Tim, lexo pjesën e titulluar “Libri i Mormonit dhe Bibla e Përkrahin Njëri‑Tjetrin” (faqet 114–115). Kërko mësime që mund ta ndihmojnë personin të cilit i është bërë pyetja te skenari.
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të tregojnë ato që gjetën, të cilat mund ta ndihmojë shokun ose shoqen e tyre te skenari. Si pjesë e këtij diskutimi, nxënësit mund të studiojnë disa prej vargjeve të renditura te pjesa që studiuan, të tilla si vargjet tek Ezekiel 37:16–17 dhe 1 Nefi 13:40. Mund edhe të bëni pyetje si vijueset:
-
Përse është e dobishme që të kemi dëshmi të shumta për Jezu Krishtin?
-
Si e ka forcuar besimin tënd te Jezu Krishti, të studiuarit së bashku i Biblës dhe i Librit të Mormonit?
Ushtrohu
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni nxënësve mundësi të ushtrohen për gjetjen e shkrimeve të shenjta nga Bibla dhe Libri i Mormonit, të cilat e përkrahin njëri‑tjetrin. Merrni parasysh t’i paraqitni udhëzimet vijuese:
Gjej shembuj në shkrimet e shenjta që tregojnë se si Bibla dhe Libri i Mormonit e përkrahin njëri‑tjetrin. Zgjidh njërën ose më shumë nga mundësitë vijuese për të të ndihmuar që ta bësh këtë:
-
Studio shembujt e renditur te kutia “Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare”, në fund të pjesës “Libri i Mormonit dhe Bibla e Përkrahin Njëri‑Tjetrin” te kapitulli 5 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqe 115).
-
Përdor Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta për të gjetur një temë për të cilën ke interes. Gjej shkrime të shenjta si nga Bibla, edhe nga Libri i Mormonit që janë renditur për atë temë.
-
Gjej disa prej vargjeve të tua të parapëlqyera te Libri i Mormonit. Kontrolloji poshtëshënimet për të parë nëse aty gjenden të renditura vargje nga Bibla që e rritin kuptueshmërinë tënde për këto vargje.
Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojeni klasën t’ia tregojnë një partneri ose grupi të vogël disa prej shembujve që gjetën. Mund edhe t’u kërkoni disa nxënësve të gatshëm që t’ia tregojnë klasës ato që gjetën.
Vendos një synim
Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:
Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për ide të tuat.
-
Ndërsa e studion Librin e Mormonit, hidhu një sy poshtëshënimeve dhe gjej referenca për shkrime të shenjta në Bibël të cilat lidhen me atë që po mëson.
-
Studioje njërin nga katër Ungjijtë te Dhiata e Re (Mateu, Marku, Lluka ose Gjoni). Ndërsa e lexon, kushtoji vëmendje asaj që mëson dhe ndien rreth Jezu Krishtit. Hidhu një sy poshtëshënimeve dhe gjej referenca për shkrime të shenjta në Librin e Mormonit të cilat lidhen me atë që po mëson.
Synimi im
-
Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).
-
Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.
Herës Tjetër
Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse jeni gati që ta jepni herës tjetër mësimin 10, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të studiojnë kapitullin 6 të manualit Predikoni Ungjillin Tim si parapërgatitje. Nëse dëshironi, mund t’u dërgoni atyre një kujtues.