Kurset për Ungjillin
Praktika e Zotësisë 4: Bëni Pyetje të Frymëzuara


Praktika e Zotësisë 4

Bëni Pyetje të Frymëzuara

pleq [elders] duke dhënë mësim në rrugë

Misionarët shpesh u bëjnë pyetje atyre të cilëve po u japin mësim. Bëra e pyetjeve të mira mund t’i ndihmojë misionarët “të kupto[jnë] interesat, shqetësimet dhe pyetjet e njerëzve. Pyetjet e mira mund ta ftojnë Shpirtin dhe t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë” (Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 188).

Udhëheqësi i diskutimeve: Përpiquni fort t’i bëni shkurt pjesët “Përcakto” dhe “Trego në Praktikë” që nxënësit të kenë mjaft kohë për praktikën.

Përcakto

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepni udhëzimet vijuese për ta paraqitur temën e bërjes së pyetjeve:

Lexoji paragrafët dhe tabelën nën kreun “Bëni Pyetje” në kapitullin 10 të manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 188–189). Kërko rolin që luajnë pyetjet e mira në shpërndarjen e ungjillit.

  • Pse është e rëndësishme që misionarët të bëjnë pyetje të efektshme në mësimdhënien e tyre?

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se disa lloje pyetjesh janë më të efektshme se të tjerat. Jepni udhëzimet vijuese për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë orientimet për bërjen e pyetjeve të efektshme:

Lexoji shtatë pikat e para nën titullin “Shmangini Pyetjet e Paefektshme ose të Tepruara” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 189–190). Kërko orientime që mund të të ndihmojnë të mësosh të bësh pyetje të efektshme.

Trego në Praktikë

Udhëheqësi i diskutimeve: Tregojuni nxënësve disa shembuj se si t’i ndryshojnë pyetjet më pak të efektshme që të jenë më të efektshme. Merrni parasysh të përdorni shembujt në tabelën vijuese. Për më shumë shembuj, shihni listën e pyetjeve më pak të efektshme në faqen 190 të manualit Predikoni Ungjillin Tim.

Pyetje më pak e efektshme

Pyetje më e efektshme

Cili ishte profeti i parë? (Personi mund të mos e dijë përgjigjen.)

Si do të ndikonte në jetën tënde po ta dije se Perëndia thërret profetë sot? (Pyete personin për mendimet dhe ndjenjat e veta.)

Si do të na ndihmojë mbajtja e trupit tonë të pastër që ta kemi Shpirtin dhe të tregojmë se jemi të gatshëm të ndjekim një profet të Perëndisë? (Ka më shumë se një ide.)

Si mendon se mund të ndikojë mbajtja pastër e trupit tonë te marrëdhënia jonë me Perëndinë? (Përqendrohet te një ide.)

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Nxënësit mund të punojnë me partnerët për ta plotësuar veprimtarinë në vijim.

Lexojini shembujt e tjerë nga lista e pyetjeve më pak të efektshme në kapitullin 10 të manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqe 190). Zgjidhni dy ose tri prej këtyre pyetjeve dhe punoni së bashku për të krijuar pyetje më të efektshme.

Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi anëtarët e klasës të mbarojnë, ftojini disa t’i japin shembujt e pyetjeve më të efektshme që krijuan.

Nëse jua lejon koha, mund t’i ftoni nxënësit ta përsëritin këtë veprimtari të praktikës me pyetje të tjera nga lista e pyetjeve më pak të efektshme te manuali Predikoni Ungjillin Tim.

Zbato

Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth mënyrave se si mund ta vënë në zbatim këtë zotësi:

Mendo se si mund ta vësh në zbatim atë që ke mësuar rreth bërjes së pyetjeve të efektshme gjatë një ose dy javëve të ardhshme. Për shembull, ti mund:

  • Të hulumtosh për disa pyetje të efektshme te disa mësime nga programi Eja, Më Ndiq.

  • Nëse do të japësh një mësim së shpejti, përgatit disa pyetje të efektshme që mund t’i bësh ndërsa jep mësim.