Biblioteka
Tempujt


“Tempujt”, Tema dhe Pyetje (2023)

familje në rrethinat e tempullit

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Tempujt

Ne bekohemi kur adhurojmë në shtëpinë e Zotit

Mendoni për vendet më të bukura dhe plot paqe ku keni qenë. Çfarë ju pëlqeu tek ato? Si ju bënë të ndiheshit? Kur jemi në gjendje të vizitojmë një tempull të Zotit ose të shkojmë brenda tij, ne gjithashtu mund të ndiejmë paqe. Por kjo nuk është arsyeja kryesore pse ato janë të rëndësishme për ne. Tempujt nuk ngjajnë me asnjë vend tjetër në tokë, sepse ata janë shtëpia e Zotit. Brenda tempullit ne mund të bëjmë besëlidhje për të qenë më pranë Tij dhe për t’u përgatitur për jetën e përjetshme.

Presidenti Xhefri R. Holland tha: “Ne i duam dhe i çmojmë tempujt tanë të përkushtuar dhe ordinancat thelbësore e lartësuese që kryhen atje. Falënderojmë qiellin që po ndërtohen më shumë prej tyre, duke i dhënë secilit prej nesh qasje më të madh në to. Tempujt e Zotit janë me të vërtetë strukturat më të shenjta, më të shenjtëruara në mbretërinë e Perëndisë.”

Çfarë Janë Tempujt?

Tempulli është njëmend shtëpia e Zotit. Në këto ndërtesa të shenjta, anëtarë të denjë të Kishës marrin pjesë në ordinancat e shenjta dhe bëjnë besëlidhje me Zotin. Për shembull, ordinanca e vulosjes na lejon të jemi me familjen tonë në përjetësi nëse i mbajmë besëlidhjet. Në tempuj ne gjithashtu mund të marrim ordinanca në emër të paraardhësve që kanë vdekur. Zoti i viziton tempujt e Tij, dhe ato janë mes vendeve më të shenjta në tokë.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Tempujt

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Covenants and Ordinances [Besëlidhjet dhe Ordinancat], Ordinancat e Dhurimit dhe Vulosjes, Participating in Temple and Family History Work [Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare], Vicarious Ordinances for the Dead [Ordinancat Mëkëmbëse për të Vdekurit]

Pjesa 1

Perëndia e Ka Urdhëruar Popullin e Tij që të Ndërtojë Tempuj

ndërtimi i Tempullit të Tusonit, Arizonë

Perëndia e ka urdhëruar gjithmonë popullin e Tij që të ndërtojë tempuj. Tempujt e Kishës sot kanë shumë ngjashmëri me tempujt në shkrimet e shenjta të lashta dhe gjenden në shumë kombe anembanë botës. Ato janë të ndryshme nga shtëpitë e mbledhjeve të Kishës, pasi janë vende ku ne bëjmë besëlidhje të veçanta dhe marrim pjesë në ordinanca të shenjta. Brenda tempujve të shenjtë, anëtarët e Kishës mund të kryejnë gjithashtu ordinanca me mëkëmbës për paraardhësit e tyre të vdekur dhe individë të tjerë që nuk patën mundësi t’i merrnin ato në këtë jetë. Më pas, individi i vdekur mund të zgjedhë që t’i pranojë këto ordinanca dhe të marrë shpëtimin dhe ekzaltimin.

Çdo gjë në shtëpinë e Zotit na mëson për Atin Qiellor, Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin dhe planin e Perëndisë për shpëtimin. Tempujt janë vende ku mund t’i afrohemi Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij. Ato janë vende të shenjta, të veçuara për adhurim dhe udhëzim. Në tempull, mund të ndiejmë Shpirtin e Perëndisë dhe dashurinë e Tij.

Gjëra për t’i menduar

  • Tempulli i Kirtlandit qe tempulli i parë që u ndërtua në këtë periudhë ungjillore. U deshën shumë sakrifica, por shenjtorëve iu premtuan gjithashtu shumë bekime ngaqë i bënë ato sakrifica. Lexoni rreth këtyre premtimeve te Doktrina e Besëlidhje 97:8–16. Më pas, mund të lexoni rreth disa prej përvojave shpirtërore që patën shenjtorët në Tempullin e Kirtlandit te Doktrina e Besëlidhje 110 dhe në kapitullin 21Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. 232–243. Si e keni ndier praninë e Zotit në shtëpinë e Tij të shenjtë? Çfarë bekimesh të tjera keni marrë ngaqë tempujt janë ndërtuar në kohën tonë? Mund të mendoni edhe se çfarë sakrificash mund të bëni për të marrë bekime nga Zoti në shtëpinë e Tij.

  • Ndërsa nuk ka dy tempuj që janë saktësisht njëlloj, çdo tempull ka të njëjtat dhoma të rëndësishme për marrjen e udhëzimeve, pjesëmarrjen në ordinancat e shenjta dhe bërjen e besëlidhjeve. Mund të mësoni më shumë për qëllimin e këtyre dhomave duke lexuar artikullin e shkurtër “Inside Temples” [“Brenda Tempujve”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësoni nga artikulli që ju frymëzon të adhuroni në tempull apo ta bëni këtë më shpesh?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Nëse mundeni, shkoni së bashku në një tempull aty pranë. Ndoshta mund të ecni në heshtje nëpër territorin e tempullit. Ose mund të shikoni fotografi të tempujve. Teksa e bëni këtë, lexoni ose këndoni butësisht fjalët te “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”. Më pas, tregojini njëri‑tjetrit çdo mendim ose ndjenjë që keni për tempullin. Mund të diskutoni si grup përse mendoni se Zoti na ka urdhëruar të ndërtojmë tempuj në kohën tonë. Në çfarë mënyrash bekohen individët, familjet dhe komunitetet nga ndërtimi i më shumë tempujve?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Ne Kemi Qasje ndaj Fuqisë Shpirtërore dhe Udhërrëfimit në Shtëpinë e Zotit

burrë duke u lutur

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Tempulli është një vend zbulese. Atje ju tregohet si të përparoni drejt një jete çelestiale. Atje i afroheni më shumë Shpëtimtarit dhe ju jepet qasje më e madhe në fuqinë e Tij. Atje merrni udhërrëfim për zgjidhjen e problemeve në jetën tuaj, edhe për problemet tuaja më të koklavitura.” Në tempull, ju mund të gjeni ndihmë dhe fuqi shpirtërore. Mund të gjeni ngushëllim dhe forcë për të shkuar përpara gjatë sfidave dhe sprovave.

Ju mund ta rritni aftësinë tuaj për të marrë ndihmë dhe udhërrëfim shpirtëror në shtëpinë e Zotit ndërsa përgatiteni dhe kërkoni të jeni të “pafajshëm nga duart dhe [të] pastër nga zemra” (Psalmeve 24:4). Në këtë hapësirë plot paqe, të shenjtë, të përkushtuar, shpesh është më e lehtë të ndihesh pranë Tij dhe të dëgjosh nxitjet e Shpirtit të Tij.

Gjëra për t’i menduar

  • Ndoshta keni një pyetje të rëndësishme ose një sfidë të vështirë. A e keni menduar të kaloni kohë në tempull për të kërkuar udhërrëfimin e Zotit? Merreni parasysh se si pjesëmarrja në ordinancat e tempullit mund t’ju ndihmojë të fitoni qartësi rreth pyetjes ose sfidës suaj. Nëse nuk keni rekomandim tempulli, mbase mund të ecni nëpër territorin e tempullit dhe të kaloni pak kohë me lutje dhe përsiatje atje. Veproni sipas çdo nxitjeje që merrni.

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Presidenti Nelson dha mësim: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, u përqendrofshi tek tempulli në mënyra siç nuk jeni përqendruar kurrë më parë! Ju bekoj që të vini çdo ditë më pranë Perëndisë dhe Jezu Krishtit.” Për të kuptuar se çfarë do të thotë të përqendrohesh tek tempulli, mund të flisni për mjete që na ndihmojnë të përqendrojmë pamjen tonë. Ju mund të shikoni me radhë me syze, dylbi ose teleskop (ose shikoni një fotografi të njërit prej këtyre sendeve). Më pas flisni se si mund ta rritni përqendrimin tuaj tek tempulli në mënyra që nuk e keni bërë më parë. Ju gjithashtu mund të përsiatni dhe shënoni bekimet që merrni ndërsa përqendroheni tek tempulli gjatë muajve të ardhshëm.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Zoti i Fton të Gjithë Njerëzit të Vijnë në Tempull

Zoti dëshiron që të gjithë të vijnë në shtëpinë e Tij të shenjtë dhe të bëjnë besëlidhje me Të. Por Ai dëshiron gjithashtu që ne të përgatitemi fillimisht. Ai e di se bërja e atyre besëlidhjeve përpara se të jemi gati, në të vërtetë, do të na kufizonte aftësinë për të shijuar bekimet e tempullit. Kjo është arsyeja pse Ai vendos standarde të përgatitjes shpirtërore për të hyrë në tempull, standarde që Ai i fton të gjithë t’i jetojnë, në mënyrë që të gjithë të mund të marrin bekimet e Tij.

Për të hyrë në tempull, ju nevojitet një rekomandim tempulli, të cilin mund ta merrni pas një interviste me udhëheqësit tuaj të priftërisë. Udhërrëfimi i tyre i frymëzuar ju ndihmon të dini se si të përgatiteni për të marrë ordinancat e tempullit. Rekomandimi i tempullit është një shenjë fizike e përgatitjes suaj vetjake për të hyrë në shtëpinë e Zotit. Është një shenjë që po përpiqeni fort t’u bindeni urdhërimeve të Perëndisë. Do të thotë që ju, Zoti dhe përfaqësuesit e Tij ju “rekomandojnë” për të hyrë në shtëpinë e Zotit.

Pastaj, pasi të keni marrë dhurimin dhe ordinancat e tjera të tempullit, mos u ndalni këtu! Përgatituni të ktheheni në shtëpinë e Zotit dhe të mësoni më shumë. Motra Silvia H. Ollred dha mësim: “Të gjithë ne marrim të njëjtin udhëzim, por shpesh kuptimi ynë i domethënies së ordinancave dhe besëlidhjeve do të rritet ndërsa kthehemi shpesh në tempull me qëndrimin e mësimit dhe meditimit të të vërtetave të përjetshme që na mësohen”.

Gjëra për t’i menduar

  • Mendoni për diçka të rëndësishme për të cilën iu desh të përgatiteni, të tillë si një provim në shkollë, një intervistë për punë ose një mësim në kishë. Si u përgatitët? Çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishit përgatitur? Më pas përsiatni se përse duhet të përgatitemi për të hyrë në shtëpinë e Zotit. Ju mund të lexoni tek Eksodi 40:7–15 dhe të merrni në shqyrtim se çfarë bënë Aaroni dhe bijtë e tij për t’u përgatitur që të hynin në tabernakull. Ju mund të lexoni gjithashtu te Doktrina e Besëlidhje 97:15–16 dhe të përsiatni se çfarë do të thotë për ju që të jeni të kulluar në zemër. Merreni në shqyrtim a ka mënyra të tjera se si mund të përpiqeni të jeni më të kulluar në zemër dhe më të përgatitur shpirtërisht për të adhuruar në shtëpinë e Zotit.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit, Ai vizitoi njerëzit në kontinentin amerikan. Vendi i parë ku Ai u shfaq, ishte në tempullin në Begati. Lexoni te 3 Nefi 11:1–10 dhe flisni për arsyet që ju mendoni se përse Zoti zgjodhi t’u shfaqej njerëzve në vendin ku Ai u shfaq. Presidenti Rasëll M. Nelson tha këtë gjë për këtë vizitë: “Është kuptimplotë fakti që Shpëtimtari zgjodhi t’u shfaqej njerëzve në tempull. Është shtëpia e Tij. … Ju premtoj se kalimi i më shumë kohe në tempull do ta bekojë jetën tuaj në mënyra të tilla që asgjë tjetër nuk mundet ta bëjë.” Flisni përse Zoti do që edhe ne të shkojmë në tempull. Nëse keni qenë në tempull, mendoni për bekimet që keni marrë ngaqë keni shkuar atje. Nëse nuk keni një tempull afër ose nuk mund të adhuroni aktualisht në tempull për arsye të tjera, mund të flisni për mënyrat se si tempulli mund të jetë ende një pjesë e rëndësishme e jetës suaj, si për shembull duke përsiatur rregullisht bekimet që marrim nga adhurimi në tempull, ose duke kujtuar besëlidhjet tuaja të tempullit.

  • Mund t’i gjeni pyetjet e intervistës për rekomandim tempulli te broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), faqet 36–37. Për ta ndihmuar njëri-tjetrin që t’i kuptoni standardet e Zotit për të hyrë në tempull, secili prej jush mund të zgjedhë një nga pyetjet për të studiuar. Ju mund të përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe materiale të tjera të Kishës për të mësuar më shumë rreth temës së pyetjes. Pyeteni veten: Pse është kjo një pjesë e rëndësishme e përgatitjes për në tempull? Më pas tregojini njëri-tjetrit atë që mësoni.

Mësoni më shumë