Instituti
Mësimi 10 Materiali i Mësuesit: Ndjekja e Profetëve të Gjallë të Zotit


“Mësimi 10 Materiali i Mësuesit: Ndjekja e Profetëve të Gjallë të Zotit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 10 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 10 – Materiali i Mësuesit

Ndjekja e Profetëve të Gjallë të Zotit

Një e vërtetë themelore e ungjillit të rivendosur është se Zoti vazhdon të thërrasë profetë të gjallë që t’u zbulojnë njerëzve të Tij vullnetin dhe doktrinën e Tij. Ky mësim hartohet për të ndihmuar që të forcohet zotimi i studentëve për t’i ndjekur profetët e Zotit me durim e besim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti i urdhëron shenjtorët që t’ua vënë veshin fjalëve të profetit të Tij.

Paraqitni një fotografi të Presidentit të Kishës dhe pyetini studentët se çfarë mendojnë e ndiejnë kur e shohin këtë fotografi.

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që përfshihet në materialin e përgatitjes:

“Profetët që ne i kemi, janë shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij”. (Ulises Soares, “Profetët Flasin nëpërmjet Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 99)

  • Në çfarë mënyrash janë profetët e gjallë një shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij? (Nxitini studentët të kujtojnë atë që e studiuan te pjesa 1 e materialit të përgatitjes.)

Shpjegoni se në ditën që u organizua Kisha, Profeti Jozef Smith mori zbulesë nga Zoti me një urdhërim e premtim për anëtarët e Kishës së Tij. Lexoni me studentët te Doktrina e Besëlidhje 21:4–5 duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi të bënin anëtarët e Kishës.

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë nga urdhërimi i Zotit për shenjtorët? (Duke përdorur fjalët e studentëve, përcaktoni një të vërtetë të ngjashme me atë që vijon: Zoti na urdhëron t’i marrim fjalët e profetit si nga vetë goja e Tij, me durim e besim.)

  • Përse ndonjëherë mund të kërkohet durim e besim që t’i pranojmë fjalët e profetit dhe t’ua vëmë veshin atyre?

Si klasë ose në grupe të vogla, ftojini studentët të lexojnë skenarin vijues dhe diskutoni pyetjet që vijojnë:

Ndërsa flisnit me një mike rreth një konference të përgjithshme të kohës së fundit, mikja juaj ju tregon për vështirësinë që po has për ta pranuar diçka që u dha mësim nga njëri prej udhëheqësve të Kishës. Ajo pyet: “Çfarë duhet të bëj nëse nuk jam dakord me atë që ka dhënë mësim një profet?”

  • Përse mund të jetë kjo një dilemë sfiduese për një anëtar/e të Kishës?

  • Çfarë mund t’i thoni mikes suaj për ta nxitur që të veprojë me durim e besim, ndërkohë që përpiqet ta zgjidhë shqetësimin e saj? (Nxitini studentët të mendojnë ose rishikojnë nëse nevojitet, atë që mësuan në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

  • Çfarë ju ka ndihmuar t’i ndiqni profetët e Zotit me durim e besim? Ose çfarë mësuat nga një pjesëtar i familjes apo një mik ose mike me të cilët folët rreth kësaj pyetjeje (siç u sugjerua në pjesën 2 të materialit të përgatitjes)?

Shkruajeni në tabelë (ose paraqiteni) parimin e paplotë vijues: Kur ua vëmë veshin fjalëve të profetëve të Zotit me durim e besim …

Lexoni me studentët te Doktrina e Besëlidhje 21:6, duke kërkuar bekimin e premtuar nga Zoti për ndjekjen e profetëve të Tij me durim e besim.

  • Si mendoni, çfarë do të thotë që “portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush”? Që Zoti do t’i “shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush”? Dhe që qiejt do të “dridhen për të mirën tuaj”? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë nën thënien e paplotë të parimit.)

  • Cilat janë disa mësime të kohëve të fundit nga profetët e Zotit që mund të ndihmojnë për të na mbrojtur kundrejt fuqive të errësirës dhe që mund të bëjnë që qiejt të dridhen për të mirën tonë? (Merreni parasysh të përgatitni disa shembuj për t’i treguar.)

  • Kur ju ka çuar gatishmëria juaj për ta ndjekur këshillën e profetëve me durim e besim tek disa nga këto bekime?

Jepuni studentëve kohë që të përsiatin plot lutje atë që mund të bëjnë për t’i ndjekur profetët e Zotit me durim e besim më të madh. Kjo mund të përfshijë që të mendojnë rreth mënyrës se si ata mund të veprojnë më tërësisht mbi ftesat dhe këshillën profetike të kohëve të fundit. Ftojini studentët t’i shënojnë mendimet dhe mbresat që u vijnë atyre. Jepuni kurajë që të veprojnë sipas nxitjeve që marrin nga Shpirti.

Profetët e Zotit marrin zbulesë dhe shpallin doktrinë për të gjithë Kishën.

Kërkojuni studentëve të kujtojnë përvojën e Hajrëm Pejxhit dhe gurit të tij nga studimi i materialit të përgatitjes.

  • Çfarë problemesh shkaktuan për anëtarët e Kishës zbulesat e pretenduara nga Hajrëm Pejxhi?

Kujtojuni studentëve se Hajrëm Pejxhi nuk shpalli se mori zbulesë për Kishën, por zbulesat e pretenduara prej tij binin në kundërshtim me doktrinën e dhënë mësim në shkrimet e shenjta dhe me zbulesat e marra më parë nga Jozef Smithi. Mes atyre që i pranuan zbulesat e Hajrëm Pejxhit, përfshiheshin anëtarë të familjes Uitmer dhe Oliver Kaudëri.

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 28:1–7, duke kërkuar mësimet e Zotit dhënë Oliver Kauderit dhe anëtarëve të Kishës. Vini në dukje që fjala “mistereve” në vargun 7 iu drejtohet “të vërteta[ve] shpirtërore të njohura vetëm nëpërmjet zbulesës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mistere të Perëndisë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje rreth personit që mund të marrë zbulesë për tërë Kishën? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, duke përfshirë sa vijon: Vetëm ata që mbajnë çelësat për të udhëhequr Kishën, autorizohen që të marrin zbulesë dhe të vendosin doktrinën për të gjithë Kishën.)

  • Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e kësaj të vërtete që ta shmangim të qenit të mashtruar?

Shpjegoni se ka vijimësi të madhe në doktrinën e dhënë mësim nga profetët e zgjedhur të Zotit gjatë gjithë historisë së Kishës. Sidoqoftë, disa anëtarë mund të pyesin veten çfarë të bëjnë kur gjejnë një thënie të bërë në të shkuarën nga një udhëheqës i Kishës që duket se nuk përputhet me doktrinën që mësohet sot.

  • Cilat parime mund të na udhërrëfejnë që të dallojmë doktrinën e Zotit siç jepet mësim nga profetët e Tij të gjallë? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thëniet nga Pleqtë D. Tod Kristoferson dhe Nil L. Andersen në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

Si pjesë e diskutimit, ju mund të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

“Ju mund të mos e kuptoni gjithnjë çdo deklaratë të një profeti të gjallë. Por, kur e dini se një profet është një profet, ju mund t’i aviteni Zotit me përulësi dhe besim e të kërkoni dëshminë tuaj vetjake për çfarëdo që të ketë shpallur profeti i Tij.” (Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 31)

Merreni parasysh ta përfundoni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për profetët e gjallë dhe bekimet e ndjekjes së tyre me durim e besim.

Për Herën Tjetër

Shpjegoni se në orën e ardhshme mësimore do të përqendroheni te një temë së cilës Presidenti Rasëll M. Nelson i është drejtuar si “sfida më e madhe, kauza më e madhe dhe puna më e madhe mbi tokë sot” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], e shtuar në New Era dhe Ensign, f. 4–5, ChurchofJesusChrist.org; kursivet në origjinal). Ftojini studentët ta studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore dhe të vijnë të përgatitur për të diskutuar qëllimet dhe bekimet e marrjes pjesë në kauzën dhe punën e madhërishme të mbledhjes së Izraelit.