Instituti
Mësimi 21 Materiali i Mësuesit: Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme


“Mësimi 21 Materiali i Mësuesit: Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 21 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 21 Materiali i Mësuesit

Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme

Si pjesë e Rivendosjes, Zoti ka zbuluar vullnetin e Tij lidhur me martesën dhe familjen e përjetshme. Ky mësim hartohet që t’i ndihmojë studentët të jenë më të aftë që ta shpjegojnë doktrinën e martesës dhe familjes së përjetshme dhe që të përcaktojnë se çfarë mund të bëjnë për t’i marrë këto bekime.

Sugjerime për Mësimdhënien

Martesa midis një burri dhe një gruaje ka një qëllim në planin e Perëndisë.

Pamja
të sapomartuar duke i mbajtur dorën njëri‑tjetrit

Fillojeni orën mësimore duke bërë pyetjen vijuese (kujtojini studentët që të përmbahen për të mos thënë gjëra paragjykuese rreth njerëzve):

  • Cilat janë disa nga pikëpamjet dhe qëndrimet e tanishme që i shihni në botë rreth martesës?

Shpjegoni se, ashtu si në kohën tonë, disa njerëz në kohën e Jozef Smithit kishin pikëpamje të ndryshme për martesën. Ftojini studentët të kujtojnë nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes atë që mësuan rreth bindjeve të shejkërsave rreth martesës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 49:15–17. Vëreni klasën të kërkojë doktrinën që Zoti zbuloi rreth martesës.

  • Çfarë dha mësim Zoti rreth martesës në këtë fragment? (Studentët mund të përcaktojnë të vërteta të ndryshme, duke përfshirë sa vijon: Martesa shugurohet nga Perëndia. Bashkëshortët e bashkëshortet urdhërohen të kenë fëmijë. Kur burrat dhe gratë martohen dhe kanë fëmijë, ata ndihmojnë që të përmbushet qëllimi i Perëndisë për krijimin e tokës. Merreni parasysh të paraqitni ose shkruani në tabelë disa ose të gjitha këto ide.)

Merreni parasysh të shpjegoni se fraza “morinë e njerëzve” në vargun 17 u drejtohet fëmijëve shpirtërorë të Perëndisë që Ai i ka përgatitur për të banuar në tokë. Shpjegoni gjithashtu se fraza “martesa shugurohet nga Perëndia” te vargu 15, do të thotë që martesa shpallet dhe themelohet nga Perëndia. Në vitin 1995, Zoti ritheksoi nëpërmjet profetëve të Tij te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org) se “martesa midis një burri dhe një gruaje është e shenjtë – ajo shugurohet nga Perëndia”.

Ftojini studentët të shqyrtojnë shkurtimisht thënien e Plakut Dejvid A. Bednar nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes. Vëreni klasën të kërkojë arsye përse martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore për planin e Atit Qiellor.

  • Si e thellojnë mësimet e Plakut Bednar kuptueshmërinë tonë rreth arsyes përse martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore në planin e Perëndisë?

Shenjtorët e hershëm mësuan rreth bekimeve të martesës së përjetshme.

Nëse keni një student/e që është martuar në tempull, merreni parasysh ta pyetni se çfarë do të thotë për të që të jetë i/e martuar për përjetësinë. Shpjegoni se përpara përfundimit të Tempullit të Navusë, Jozefi ua mësoi doktrinën e martesës së përjetshme disa prej anëtarëve besnikë të Kishës dhe i vulosi ata së bashku. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 131:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Profeti.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth martesës së përjetshme nga këto vargje? (Pasi të përgjigjen studentët, paraqitni parimin vijues: Me qëllim që të fitojmë shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, ne duhet të hyjmë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës. Mund të vini në dukje se është vetëm në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale që ne marrim ekzaltimin.)

Vëruni në dukje studentëve se te Doktrina e Besëlidhje 132:19, Zoti dha mësim më tej se ne duhet ta “duro[jmë] besëlidhjen [e Zotit]” me qëllim që të marrim bekimin e ekzaltimit.

  • Çfarë do të thotë për ju që të “duroni besëlidhjen [e Zotit]” siç lidhet ajo me martesën e përjetshme?

Ju mund të dëshironi të theksoni se nuk mjafton që të jeni të vulosur në tempull. Si bashkëshorti ashtu edhe bashkëshortja duhet të jenë të zellshëm në përpjekjet e tyre për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre të tempullit dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë e të qëndrueshme.

Shtojini frazën “dhe ta durojmë atë” parimit të paraqitur me qëllim që ai të lexohet: “… ne duhet të hyjmë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës dhe ta durojmë atë”.

Kërkojuni studentëve të renditin në tabelë disa bekime të tjera të martesës së përjetshme. (Ftojini studentët të përdorin atë që mësuan nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes.)

  • Cilat nga këto bekime janë më të rëndësishmet për ju? Përse?

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Ndihmojini studentët të përgatiten për orën mësimore. Studentët që përgatiten vetë për orën mësimore, po e ushtrojnë besimin e tyre në Zotin dhe aftësinë e Tij për t’i ndihmuar ata që të kenë një përvojë më të thellë të të mësuarit. Kujtojuni studentëve se ata mund ta përmbushin rolin e tyre në procesin e të mësuarit duke studiuar materialin e përgatitjes dhe duke i kryer veprimtaritë e të mësuarit. Ju mund të shihni mësimin ose mësimet e ardhshme që t’i lejoni studentët të dinë se çfarë mund të bëjnë që të përgatiten për orën e ardhshme mësimore.

Kujtojuni studentëve se atyre iu kërkua në materialin e përgatitjes që të flisnin me pjesëtarët e një çifti të martuar që e njohin, të cilët kanë një martesë të fortë dhe plot dashuri. Ata u ftuan të diskutonin atë që çifti kishte bërë për të ndërtuar një martesë të përjetshme dhe se si martesa e tyre ua ka pasuruar jetën. Kërkojuni disa studentëve që të tregojnë atë që mësuan nga bashkëbisedimet e tyre.

Ftojini studentët që të përsiatin plot lutje çfarë tiparesh, karakteristikash ose veprimesh do t’i ndihmojnë të durojnë besëlidhjen e martesës dhe të krijojnë martesa plot dashuri e të drejta. Jepuni kohë studentëve që të mbajnë shënim dhe të bëjnë një plan për të vepruar sipas nxitjeve që marrin.

Perëndia dëshiron që ne ta mbrojmë doktrinën e martesës dhe familjes.

Bëni pyetjet vijuese:

  • Përse është e rëndësishme që ne ta mbrojmë doktrinën e martesës dhe familjes? (Studentët mund të shqyrtojnë pjesën 3 në materialin e përgatitjes për t’i ndihmuar që t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje.)

  • A e keni mbrojtur ndonjëherë doktrinën e martesës ose familjes? Nëse po, si ishte përvoja juaj?

Paraqitni tekstin vijues për studentët dhe kërkojuni të marrin parasysh nëse e kanë dëgjuar ndonjëherë diçka që pasqyron mendimin vijues:

“Përse dëshironi të martoheni tani? Ju keni gjithë jetën përpara jush. Përse nuk e përdorni këtë kohë që të argëtoheni dhe të përparoni në jetë?”

Kujtojini studentët se njëri nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore është shqyrtimi i koncepteve dhe pyetjeve me një këndvështrim të përjetshëm. Veprimtaria në vijim mund t’i ndihmojë studentët ta praktikojnë këtë parim siç lidhet me pyetjet rreth martesës.

Ndajini studentët në grupe të vogla dhe ftojini të diskutojnë se si do t’i përgjigjeshin dikujt që e ka këtë këndvështrim. Jepuni studentëve një kopje të pyetjeve vijuese (ose paraqitini ato) për të ndihmuar që ta udhëhiqni diskutimin e tyre:

  • Çfarë supozimesh mund të ketë ky njeri që mund ta kufizojnë vështrimin e tij ose të saj për rëndësinë e martesës dhe familjes?

  • Si mund të ndihmojë të kuptuarit e martesës dhe familjes sipas këndvështrimit të planit të Perëndisë për shpëtimin që ta diskutoni pikëpamjen e këtij personi?

  • Cilat doktrina, shkrime të shenjta ose mësime profetike mund t’i tregoni për ta ndihmuar këtë person që ta shohë martesën dhe familjen nga një këndvështrim i përjetshëm?

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve të tregojnë se çfarë diskutoi grupi i tyre.

Mbylleni orën mësimore duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat e përcaktuara në këtë mësim.

Për Herën Tjetër

Teksa e mbaroni orën mësimore, kujtojini studentët se Zoti gjithashtu ia zbuloi doktrinën e martesës me shumë gra Profetit Jozef Smith. Nxitini studentët të lexojnë me kujdes materialin e tyre të përgatitjes për mësimin 22 dhe të vijnë të përgatitur për të diskutuar përse shenjtorët e hershëm e praktikuan martesën me shumë gra.