Instituti
Mësimi 7 Materiali i Mësuesit: Rivendosja e Priftërisë


“Mësimi 7 Materiali i Mësuesit: Rivendosja e Priftërisë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 7 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 7 – Materiali i Mësuesit

Rivendosja e Priftërisë

Pas një periudhe braktisjeje, autoriteti i priftërisë së Perëndisë u rivendos në tokë. Kjo rivendosje përgatiti udhën për organizimin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në këtë mësim studentët do të mësojnë përse priftëria është thelbësore për Kishën e Zotit dhe se si ordinancat na lejojnë të drejtën ta përdorim fuqinë e Shpëtimtarit.

Sugjerime për Mësimdhënien

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Shihini studentët tuaj për ata që mund të bëhen. Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Ne kemi përgjegjësinë për t’i parë individët jo siç janë, por përkundrazi, ashtu si mund të bëhen” (“Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 70). Lutuni që të jeni në gjendje t’i shihni studentët tuaj siç i sheh ata Ati Qiellor. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni vlerën e secilit student dhe të ndieni dashurinë dhe interesimin e Atit Qiellor për secilin prej fëmijëve të Tij.

Priftëria është e domosdoshme për Kishën e Zotit.

Merreni parasysh të paraqitni pyetjen vijuese përpara se studentët të arrijnë dhe më pas kërkojuni të tregojnë mendimet e tyre rreth saj kur fillon ora mësimore.

  • Kur jeni ndier të bekuar kohët e fundit për shkak të priftërisë?

Paraqitni thënien vijuese të doktrinës nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Priftëria e Perëndisë, me çelësat e saj, ordinancat e saj, origjinën dhe aftësinë e saj hyjnore për të lidhur në qiell atë që lidhet në tokë, është po aq e domosdoshme për Kishën e vërtetë të Perëndisë sa është e pashoqe për të dhe pa të nuk do të kishte asnjë Kishë të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. (Jeffrey R. Holland, “Our Most Distinguishing Feature”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 43; theksimi me germa më të spikatura i shtuar)

  • Cilat fjalë ose fraza ju bien në sy në thënien e Plakut Holland? Përse?

Teksa e bëni të lehtë që studentët të tregojnë dhe diskutojnë, ju mund të përdorni disa nga temat e pyetjet vijuese që t’i ndihmoni studentët t’i kuptojnë më thellësisht disa elemente të thënies së Plakut Holland. Mund të jetë më e rëndësishme që të diskutoni tërësisht një ose dy pyetje në vend që të përpiqeni t’i trajtoni të gjitha pyetjet. Diskutimi juaj mund të lartësohet gjithashtu kur studentët tregojnë atë që mësuan nga materiali i përgatitur.

Shënim: Ju do t’i diskutoni ordinancat në gjysmën e dytë të këtij mësimi. Mbani mend të lini kohë të mjaftueshme për atë diskutim kështu që studentët të mund të arrijnë të dinë e të kuptojnë më mirë rëndësinë e ordinancave.

Priftëria është e domosdoshme për Kishën e Zotit (shih pjesën 1 në materialin e përgatitjes).

  • Si mendoni, përse priftëria është e domosdoshme për Kishën e Zotit? Çfarë njohurie dhe cilat çelësa do të na mungonin nëse priftëria nuk do të ishte rivendosur?

  • Në çfarë mënyrash është e domosdoshme priftëria për vetë jetën tuaj?

Priftëria është me zanafillë hyjnore (shih pjesën 1 në materialin e përgatitjes).

  • Si u rivendos priftëria?

  • Çfarë ju mëson rivendosja e priftërisë rreth Atit tuaj Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Çelësat e priftërisë janë thelbësorë për Kishën e Zotit (shih pjesën 2 në materialin e përgatitjes).

  • Çfarë janë çelësat e priftërisë?

  • Si kanë qenë çelësat e priftërisë një bekim në jetën tuaj?

Teksa studentët tregojnë përvoja dhe japin dëshmi për priftërinë dhe rivendosjen e saj, ju gjithashtu mund të tregoni mirënjohjen dhe dëshminë tuaj për mënyrën se si rivendosja e priftërisë e ka bekuar vetë jetën tuaj.

Ordinancat dhe besëlidhjet e priftërisë janë të domosdoshme për shpëtimin tonë.

Shpjegoni se në shtator 1832, rreth dy vjet pas marrjes së Priftërisë Melkizedeke nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, Jozef Smithi mori një zbulesë që na ndihmon ta kuptojmë më mirë priftërinë. Ajo përfshiu të vërtetën se ordinancat shpëtuese, të administruara nëpërmjet autoritetit të priftërisë, ndihmojnë për të na përgatitur që të kthehemi në praninë e Perëndisë. Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 84:18–22, duke kërkuar mënyrën se si ordinancat na përgatitin të kthehemi në praninë e Perëndisë.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimi jetik merret nëpërmjet ordinancave të priftërisë?

  • Cilat janë disa kuptime të mundshme të frazës “fuqia e perëndishmërisë”? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të sugjeroni se “i perëndishëm” do të thotë “si perëndia”. Fuqia e perëndishmërisë përfshin fuqinë e Perëndisë për të na ndihmuar të bëhemi si Ai.)

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojini studentët të kërkojnë kuptimet e mundshme të frazës “fuqia e perëndishmërisë”:

“Ordinancat e priftërisë hapin derën dhe japin të drejtën e përdorimit të fuqisë së perëndishmërisë. … Mendja njerëzore dhe gjuhët njerëzore thjesht nuk mund ta përcaktojnë me saktësi apo në mënyrë të përshtatshme kuptimin e frazës së shkrimeve të shenjta, ‘fuqia e perëndishmërisë’. Por tërësia e bekimeve të Shlyerjes – shëlbimi nga mëkati; forca për të bërë mirë dhe për t’u bërë të mirë; dhurata shpirtërore e paqes vetjake; aftësitë dëmshpërblyese që na ndihmojë të përballemi me zhgënjimin, padrejtësinë, anësinë, pabarazinë dhe shumë më tepër – sigurisht përbëjnë të paktën një pjesë të fuqisë së perëndishmërisë. … Për të ardhur te Shpëtimtari, një individ së pari duhet të kalojë përmes portës së pagëzimit dhe të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë – dhe më pas të shtyhet përpara përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe ordinancave që çojnë drejt Shpëtimtarit dhe besëlidhjeve të Shlyerjes së Tij (shih 2 Nefi 31). Ordinancat e priftërisë janë thelbësore që të vijmë tërësisht ‘te Krishti dhe [të] përsos[emi] në Të’ (Moroni 10:32; shih edhe vargjet 30–33). Pa ordinancat, një individ nuk mund t’i marrë të gjitha bekimet e bëra të mundshme nëpërmjet flijimit shlyes, të pafundëm dhe të përjetshëm të Zotit (shih Alma 34:10–14) – madje fuqinë e perëndishmërisë.” (David A. Bednar, Power to Become [2014], f. 75–77)

  • Çfarë mësojmë nga thënia e Plakut Bednar për “fuqinë e perëndishmërisë”? Çfarë mësojmë për qëllimin e ordinancave të priftërisë? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruani ose paraqitni një të vërtetë të ngjashme me atë që vijon: Nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të priftërisë, ne mund të kemi të drejtën të përdorim bekimet e Shlyerjes së Zotit, të cilat na japin fuqi për t’u bërë si Perëndia.)

  • Në çfarë mënyrash mendoni që ordinancat e veçanta të Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke na lidhin me bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit? (Nëse nevojitet, jepuni studentëve kohë të shqyrtojnë thëniet në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

Jepuni studentëve disa minuta për të përsiatur ordinancat e priftërisë në të cilat kanë marrë pjesë kohët e fundit. Kërkojuni të mendojnë rreth mënyrës se si u ndien dhe çfarë domethënie kanë ato ordinanca për përparimin e tyre të përjetshëm. Më pas paraqitni pyetjet vijuese që studentët t’i marrin parasysh:

  • Çfarë ordinance mund të bëhet më domethënëse për ju nëpërmjet zbatimit të asaj që keni mësuar sot? (Nxitini studentët t’i shënojnë mbresat e tyre dhe të veprojnë sipas tyre.)

  • Çfarë keni mësuar dhe ndier sot që e ka rritur dëshirën tuaj për të marrë pjesë në ordinancat e priftërisë?

Si të jetë e përshtatshme, ftojini studentët që të shprehin dëshminë e tyre për mënyrën se si autoriteti, çelësat dhe ordinancat e priftërisë i kanë ndihmuar ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor.

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët të marrin parasysh se çfarë roli luan Kisha në jetën e tyre. Teksa studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm, nxitini të kërkojnë bekime që Zoti i vë në dispozicion të anëtarëve besnikë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.