Dhiata e Re 2023
12–18 Qershor. Lluka 22; Gjoni 18: “Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti”


“12–18 Qershor. Lluka 22; Gjoni 18: ‘Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“12–18 Qershor. Lluka 22; Gjoni 18”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Krishti dhe dishepujt në Gjetseman

Gethsemane Grove [Korija e Gjetsemanit], nga Derek Hegsted

12–18 Qershor

Lluka 22; Gjoni 18

“Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti”

Të mësuarit me fëmijët nga Lluka 22 dhe Gjoni 18 është një mundësi për t’i ndihmuar ata që ta thellojnë dashurinë e tyre për Jezu Krishtin dhe besimin e tyre tek Ai. Me lutje merreni parasysh se si ju do ta bëni këtë gjë.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni figura të ngjarjeve në këta kapituj, të tilla si Jezusi Lutet në Gjetsemani (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56) dhe figurat te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini fëmijët të tregojnë atë që po ndodh në figura.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Lluka 22:39–46

Jezusi vuajti për mua ngaqë Ai më do.

Merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët ta ndiejnë dashurinë e Jezusit për ta, teksa diskutoni rrëfimin e vuajtjes së Tij në Gjetseman.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve historinë nga Lluka 22:39–46, ndoshta duke përdorur mësimin te “Kapitulli 51: Jezusi Vuan në Kopshtin e Gjetsemanit” (në Tregime nga Dhiata e Re, f. 129–132, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Shpjegoni që Jezusi ndjeu të gjithë dhembjen dhe trishtimin që çdo njeri ka ndier ndonjëherë. Pyetini fëmijët se çfarë mund ta bëjë një njeri të ndihet i trishtuar, i lënduar ose i mërzitur. Dëshmoni që Jezusi mund të na ndihmojë të ndihemi më mirë kur ndihemi ashtu.

  • Kaloni nëpër klasë një figurë të Shpëtimtarit në Gjetseman (të tillë si ajo në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ndërkohë që secili fëmijë e mban figurën, thoni: “Jezusi vuajti, sepse Ai e do [emri i fëmijës]”. Ftojini fëmijët t’i përsëritin këto fjalë bashkë me ju.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth dashurisë së Jezusit për ne, të tillë si “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43). Ndihmojini të mendojnë për mënyra se si e kanë ndier dashurinë e Jezusit.

Lluka 22:41–43

Unë mund të lutem kur kam nevojë për ndihmë.

Kur Jezusi u lut në Gjetseman, një engjëll iu shfaq që t’i jepte Atij forcë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë se edhe ata mund t’i luten Atit Qiellor për forcë?

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidhini për fëmijët vargjet te Lluka 22:41–43. Tregoni një përvojë në të cilën ju u lutët për ndihmë dhe Ati Qiellor ju forcoi nëpërmjet Frymës së Shenjtë ose duke dërguar dikë që t’ju ndihmonte.

  • Në shirita letre shkruani disa gjëra që mund t’i themi në lutje, të tilla si “Atë Qiellor”, “të falënderoj”, “të kërkoj” dhe “në emrin e Jezu Krishtit, amen”. Vendosini shiritat në dysheme në mënyrë rastësore dhe ndihmojini fëmijët t’i vendosin sipas rendit që mund t’i themi në lutje. Për çfarë mund ta falënderojmë Atin Qiellor? Çfarë tjetër mund t’i themi Atij? Dëshmoni se fëmijët mund t’i luten Atit Qiellor në çdo vend dhe në çdo kohë.

Pamja
Krishti duke u lutur në Gjetseman

Christ Praying in the Garden of Gethsemane [Krishti Duke u Lutur në Kopshtin e Gjetsemanit], nga Hermann Clementz

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Lluka 22:39–46

Në Gjetseman, Jezu Krishti mori mbi veten e Tij mëkatin dhe dhembjen time.

Njohuria rreth asaj që bëri Jezusi për ne në Gjetseman, mund t’i ndihmojë fëmijët të pendohen për mëkatet e tyre dhe të kthehen te Shpëtimtari kur përjetojnë sprova të vështira.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet te Lluka 22:39–42, duke kërkuar fjalë ose fraza që përshkruajnë se si u ndie Jezusi në Gjetseman. Çfarë po përjetonte Jezusi që e bëri Atë të ndihej në këtë mënyrë? (Shih Doktrina e Besëlidhje 19:16–19.) Jepuni fëmijëve mundësinë që t’i shprehin ndjenjat e tyre rreth Jezusit dhe flijimit të Tij për ne.

  • Ftojini fëmijët të tregojnë për një kohë kur ishin të trishtuar ose kishin dhembje. Pyetini nëse njohin dikë që ka ndier të njëjtën gjë. Ftojini të lexojnë tek Alma 7:11–12. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth Jezu Krishtit dhe vuajtjes së Tij për ne?

  • Jepini një fëmije një shkop që është më i gjatë se gjerësia e derës së klasës dhe kërkojini atij ose asaj ta mbajë atë horizontalisht dhe të përpiqet të ecë përmes derës. Shpjegoni se shkopi përfaqëson mëkatet tona, të cilat na pengojnë të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Largojeni shkopin që të tregoni se Jezusi mori mbi veten e Tij mëkatet tona, kështu që ne mund të falemi kur pendohemi.

Lluka 22:39–44

Unë mund ta ndjek shembullin e Jezusit duke qenë i bindur ndaj Atit Qiellor.

Jezusi tregoi bindjen ndaj Atit kur tha: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë nga shembulli i Jezusit?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh frazën: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42) dhe diskutoni se çfarë do të thotë ajo. Çfarë mund të bëjmë që t’i bindemi vullnetit të Atit Qiellor?

  • Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë disa arsye përse nganjëherë është e vështirë të bëjmë atë që dëshiron Ati Qiellor. Çfarë bekimesh kemi marrë nëpërmjet të qenit të bindur ndaj Atit Qiellor, edhe kur ishte e vështirë?

Lluka 22:50–51

Jezusi i donte armiqtë e Tij.

Të mësuarit se si të jemi paqebërës nuk është e lehtë, veçanërisht kur të tjerët nuk janë të mirë ndaj nesh. Si mund t’i frymëzojë rrëfimi te Lluka 22:50–51 fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të jenë të mirë në të gjitha rrethanat?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Lluka 22:50–51. Çfarë mësojmë për Jezusin nga ky rrëfim? Gjatë javës, kërkojuni disa prej prindërve të fëmijëve që t’ju tregojnë rreth rasteve kur fëmijët e tyre treguan mirësi edhe kur ishte e vështirë. Tregojani këto histori klasës. (Kujtojini fëmijët se të jesh i mirë nuk do të thotë t’i lejosh të tjerët të të lëndojnë; ata duhet të flasin me prindërit e tyre ose një njeri tjetër të besuar në moshë madhore nëse dikush po i lëndon.)

  • Këndoni së bashku një këngë rreth të qenit të mirë, të tillë si “Mir’sia Fillon tek Ti” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 83). Çfarë na mëson kjo këngë rreth mirësisë? Si mund t’u tregoni mirësi të tjerëve ashtu siç bëri Shpëtimtari?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’ua thonë dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin familjeve të tyre. Ata gjithashtu mund t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes së tyre që të japin dëshmitë e tyre për Të.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë. “Kërkojuni [fëmijëve] t’ju thonë mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre lidhur me parimet që po u jepni mësim. Ju do të zbuloni se ata kanë ide që janë të thjeshta, të pastra dhe të fuqishme” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 26).