Dhiata e Re 2023
30 Janar – 5 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5: “Fryma e Zotit Është mbi Mua”


“30 Janar – 5 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5: ‘Fryma e Zotit Është mbi Mua’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“30 Janar – 5 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Jezusi duke qëndruar në vendin e shkretë

Into the Wilderness [Në Shkretëtirë], nga Eva Koleva Timothy

30 Janar – 5 Shkurt

Mateu 4; Lluka 4–5

“Fryma e Zotit Është mbi Mua”

Fillojeni përgatitjen tuaj për këtë mësim duke lexuar Mateu 4 dhe Lluka 4–5. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këta kapituj dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide për mësimdhënien.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni fëmijëve të kalojnë një figurë të Jezusit dorë më dorë nga njëri fëmijë tek tjetri. Ndërsa secili fëmijë e mban figurën, ftojeni atë të tregojë diçka që bëri Jezusi kur Ai ishte në tokë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mateu 4:1–11; Lluka 4:1–13

Unë mund të zgjedh të drejtën siç bëri Jezusi.

Fëmijët e vegjël “nuk mund të mëkatojnë” (Doktrina e Besëlidhje 29:47). Sidoqoftë, rrëfimi i Jezusit duke u bërë ballë tundimeve të Satanit, mund t’i frymëzojë fëmijët të zgjedhin të drejtën.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni historinë e tundimeve të Jezusit nga Mateu 4:1–11. (Shih edhe “Kapitulli 11: Jezusi Tundohet”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 30–31, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.) Në çastet e duhura të historisë, pyesni: “Çfarë mendoni se duhet të bëjë Jezusi?”

  • Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe më pas përshkruani zgjedhjet që mund të bëjë një fëmijë i vogël. Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një hap drejt figurës çdo herë që ju përshkruani një zgjedhje të mirë. Kërkojuni atyre të bëjnë një hap mbrapa çdo herë që ju përshkruani një zgjedhje të keqe.

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë fjalët e një kënge rreth bërjes së zgjedhjeve të mira, të tillë si “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82). Përdorni figura, sende ose mjete të tjera ndihmëse pamore që lidhen me tekstin e këngës.

Lluka 4:18–19

Jezu Krishti është Shpëtimtari im.

Lluka 4:18–19 përshkruan misionin e Jezusit. Në ç’mënyrë mund t’i ndihmoni fëmijët ta vlerësojnë atë që ka bërë Ai për ta?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve vargjet te Lluka 4:18–19 dhe shpjegoni se çfarë u dërgua Jezu Krishti të bënte në tokë (të na mësonte se si të kthehemi tek Ati Qiellor, të na ngushëllonte dhe t’i shëronte njerëzit). Tregoni mënyrën se si Ai i ka bërë këto gjëra për ju.

  • Ftojini disa fëmijë të bëjnë sikur janë të hutuar, të trishtuar ose të sëmurë. Kërkojuni fëmijëve të tjerë të interpretojnë me role atë që mund të bëjnë për t’i ndihmuar ata. Dëshmoni se Jezu Krishti erdhi për të na dhënë mësim, ngushëlluar e shëruar dhe se ne duhet ta ndjekim shembullin e Tij.

  • Paraqitni figura të Jezusit duke përmbushur misionin e Tij (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit). Kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë atë që Jezusi po bën në secilën figurë. Paraqitni gjithashtu figura të njerëzve duke u përpjekur të jenë si Jezusi (ju mund të gjeni disa të tilla në revistat e Kishës).

Mateu 4:18–22; Lluka 5:1–11

Jezu Krishti na fton të bëhemi “peshkatarë njerëzish”.

Thirrja e Shpëtimtarit: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19), gjen zbatim për të gjithë, përfshirë fëmijët.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini dy fëmijë të bëjnë sikur janë Simon Pjetri dhe Andrea ndërsa ju lexoni vargjet te Mateu 4:18–22. Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë gjërat nga të cilat hoqën dorë këta burra për ta ndjekur Jezusin.

  • Lërini fëmijët që me radhë të tregojnë historinë nga këto vargje duke përdorur figurën më poshtë dhe figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth ndjekjes së Jezu Krishtit, të tillë si “Do Ndjek Planin e Perëndis’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 86–87). Ndihmojini fëmijët të gjejnë gjëra që përmenden në këngë që ata mund t’i bëjnë për ta ndjekur Jezusin.

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë të kësaj jave për të diskutuar me fëmijët për mënyrën se si ata mund të jenë “peshkatarë njerëzish” duke e ndjekur Jezusin. Gjithashtu mund të luani një lojë me përputhje nga faqja e veprimtarisë. Prisni dy kopje të secilit peshk, vërini përmbys dhe ftojini fëmijët t’i kthejnë nga përpara një e nga një për të bërë një përputhje.

Pamja
Jezusi duke thirrur dishepujt

Christ Calling Two Disciples [Krishti Duke Thirrur Dy Dishepuj], nga Gary Ernest Smith

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mateu 4:1–11; Lluka 4:1–13

Jezusi dha shembullin për mua duke i bërë ballë tundimit.

Edhe Jezu Krishti u tundua nga Satani, por Ai kurrë nuk iu dorëzua tundimit. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta ndjekin shembullin e Tij?

Veprimtari të Mundshme

  • Bëni një tabelë në dërrasë të emërtuar Tundimet e Satanit dhe Përgjigjet e Jezusit. Ndihmojini fëmijët që ta plotësojnë tabelën duke përdorur vargjet te Mateu 4:1–11 dhe Lluka 4:1–13. Pyetini fëmijët se si ata mund ta ndjekin shembullin e Jezusit.

  • Shkruani disa skenarë në të cilët një fëmijë mund të tundohet për të bërë një zgjedhje të gabuar. Lëreni një fëmijë të zgjedhë një skenar për ta lexuar dhe kërkojuni fëmijëve të flasin për mënyrën se si mund t’i bëjnë ballë tundimit në atë situatë.

Mateu 4:1–2

Agjërimi mund të më ndihmojë të ndihem pranë Atit Qiellor.

Përpara se të fillonte shërbesën e Tij, Jezusi agjëroi dhe “bisedoi me Perëndinë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:2 [te Mateu 4:2, poshtëshënimi c në botimin në anglisht të Biblës]). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si agjërimi mund t’u japë forcë shpirtërore dhe t’i ndihmojë të ndihen pranë Atit Qiellor.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një fëmijë të lexojë me zë te Mateu 4:1–2. Theksoni se në rishikimet e këtyre vargjeve nga Përkthimi i Joseph Smith-it ne mësojmë se Jezu Krishti shkoi në shkretëtirë që të ishte me Perëndinë (te Përkthimi i Joseph Smith-it, shihni vargun Mateu 4:1) Çfarë bëri Jezusi “për të qenë me Perëndinë”? Tregoni se si agjërimi ju ka ndihmuar të ndiheni më pranë Atit Qiellor.

  • Ftojini fëmijët që kanë agjëruar më parë, të tregojnë përvojat e tyre. Si do t’ia shpjegonin agjërimin dikujt që nuk ka agjëruar ndonjëherë më parë?

  • Shkruani në fletë letrash pyetje rreth agjërimit (të tilla si përse, kur ose si agjërojmë) dhe vendosini në një enë mbajtëse. Ftojini fëmijët të zgjedhin një pyetje dhe të përpiqen t’i japin përgjigje asaj. Çfarë përvojash mund të tregoni ju ose fëmijët rreth agjërimit?

Lluka 4:16–22, 28–30

Jezu Krishti është Shpëtimtari im.

Përsiatni mënyrën se si Shpëtimtari e ka bekuar jetën tuaj. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta çmojnë më shumë ndikimin e Tij në jetën e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një fëmijë të vijë në orën mësimore i përgatitur për të treguar rrëfimin te Lluka 4:16–30. Mund të jetë e dobishme të përdorni “Kapitullin 17: Njerëz të Zemëruar në Nazaret” (te Tregime nga Dhiata e Re, f. 42–43, ose materialin filmik përkatës në ChurchofJesusChrist.org.) Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Jesus Declares He Is the Messiah” [“Jezusi Shpall se Ai Është Mesia”] (ChurchofJesusChrist.org).

  • Lexojeni vargun te Lluka 4:18 ndërkohë që fëmijët ju ndjekin. Kërkojuni që të krijojnë një listë me gjërat që Shpëtimtari tha se Ai erdhi që të bënte. Ftojini fëmijët të tregojnë shembuj të rasteve kur Krishti i bëri ato gjëra, qoftë nga shkrimet e shenjta ose nga jeta e tyre.

  • Shkruani në shirita letre fjalët “Për shkak të Jezu Krishtit …”. Jepini një fletë secilit fëmijë dhe ftojini të shkruajnë se si do ta plotësonin frazën. Lejojini të tregojnë atë që shkruan.

Mateu 4:18–22; Lluka 5:1–11

Jezu Krishti na fton ta ndjekim Atë dhe të jemi “peshkatarë njerëzish”.

Ka shumë mënyra se si fëmijët mund ta ndjekin Shpëtimtarin dhe të jenë “peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19). Si do t’i ndihmoni ata të kuptojnë se mund të jenë ndikim i mirë tek të tjerët?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Mateu 4:18–22 dhe Lluka 5:1–11. Si iu përgjigjën dishepujt e Jezusit thirrjes së Tij për ta ndjekur Atë? Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur shembullin e tyre?

  • Tregojuni fëmijëve disa mjete peshkimi ose një figurë të një peshkatari. Çfarë do të thotë të jemi “peshkatarë njerëzish”? Çfarë mjetesh kemi për të na ndihmuar që të jemi peshkatarë njerëzish?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’i tregojnë familjes së tyre atë që mësuan rreth të qenit peshkatarë njerëzish.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Fëmijët mund ta dallojnë ndikimin e Shpirtit. Mësojuni fëmijëve se ndjenjat e paqes, dashurisë dhe përzemërsisë që i kanë kur flasin ose këndojnë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, vijnë nga Fryma e Shenjtë. Këto ndjenja mund t’i forcojnë dëshmitë e tyre.