Dhiata e Re 2023
6–12 Shkurt. Gjoni 2–4: “Duhet të Lindni Përsëri”


“6–12 Shkurt. Gjoni 2–4: ‘Duhet të Lindni Përsëri’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“6–12 Shkurt. Gjoni 2–4”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Jezusi duke folur me Nikodemin

6–12 Shkurt

Gjoni 2–4

“Duhet të Lindni Përsëri”

Në një orë të shkurtër mësimore në Fillore, ju nuk do të keni kohë që ta jepni mësim çdo parim të rëndësishëm te Gjoni 2–4. Kërkoni udhërrëfim shpirtëror mbi atë se çfarë të theksoni për t’i plotësuar më së miri nevojat dhe interesat e fëmijëve.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i nxitur fëmijët të tregojnë atë që po mësojnë dhe përjetojnë, pyetini se çfarë bënë kohët e fundit për të qenë “peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19). Mund të dëshironi ta rishikoni mësimin e javës së kaluar me ta.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Gjoni 3:1–10

Unë kam nevojë të pagëzohem dhe konfirmohem për t’u kthyer që të jetoj me Atin Qiellor.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, po përgatiten të ndërmarrin hapa të rëndësishëm për të jetuar me Atin Qiellor përsëri, duke u pagëzuar (të lindur nga uji) dhe konfirmuar (të lindur nga Fryma). Si mund t’i ndihmoni ata që ta kuptojnë rëndësinë e këtyre dy ordinancave?

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidheni historinë e Jezusit duke i dhënë mësim Nikodemit (shih Gjoni 3:1–10). Premtojuni fëmijëve se kur të pagëzohen, Ati Qiellor do t’u japë dhuratën e Frymës së Shenjtë.

  • Tregojuni fëmijëve faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe kërkojuni t’i përshkruajnë vizatimet. Lexoni vargun te Gjoni 3:5 dhe dëshmoni se ne kemi nevojë të pagëzohemi dhe konfirmohemi që të jetojmë përsëri me Atin Qiellor.

  • Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë bëjnë për t’i larë duart. Paraqitni figurën Vajzë Duke u Pagëzuar (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 104) dhe ndihmojini fëmijët që ta krahasojnë larjen e duarve tona me ujë, me të bërit të pastër shpirtërisht nëpërmjet pagëzimit.

Gjoni 3:16

Ati Qiellor më do, prandaj Ai më dha një Shpëtimtar.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta mësojnë këtë të vërtetë të çmuar?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të plotësojnë fjali si kjo: “Ngaqë prindërit e mi më duan, ata …”. Lexoni vargun te Gjoni 3:16. Më pas ndihmojeni secilin fëmijë ta përsëritë vargun te Gjoni 3:16, duke e zëvendësuar fjalën “botën” me vetë emrin e tij ose të saj. Ndihmojini fëmijët të vënë re se çfarë thotë ky varg që bëri Ati Qiellor ngaqë Ai na do. Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të Jezusit. Lejojini t’ia tregojnë vizatimet e tyre njëri‑tjetrit dhe të shprehin dashurinë e tyre për Shpëtimtarin.

  • Këndoni së bashku një këngë për Jezusin, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21). Lërini fëmijët të ngrenë lart një figurë të Jezusit sa herë që këndojnë një fjalë si “Biri”, “Birin” ose “Bir”.

Gjoni 4:5–15

Jezu Krishti është “uj[i im i] gjallë”.

Të gjithë fëmijët në klasën tuaj mund ta njohin ndjenjën e etjes. Si mund ta përdorni atë përvojë për t’i ndihmuar të kuptojnë se sa shumë nevojë kemi për ujin e gjallë që na ofron Jezu Krishti?

Veprimtari të Mundshme

  • Përdoreni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet që të tregoni historinë e Jezusit dhe të gruas te pusi (shih Gjoni 4:5–15). Kërkojuni fëmijëve ta ritregojnë historinë.

  • Tregojuni një gotë me ujë dhe flisni me fëmijët për arsyen përse na nevojitet uji. Përmblidhini shkurtimisht vargjet te Gjoni 4:5–15 dhe dëshmoni se Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i japin jetë shpirtit tonë, ashtu si uji i jep jetë trupit tonë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Gjoni 2:1–11

Unë mund ta nderoj nënën time siç bëri Jezusi.

Te dasma në Kanë, Maria i tha Jezusit se vera kishte mbaruar. Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it, Jezusi iu përgjigj nënës së Tij duke e pyetur: “Grua, ç’dëshiron që unë të bëj për ty? Unë do ta bëj” (te Gjoni 2:4, poshtëshënimi a, në botimin e Biblës në anglisht). Jezusi është një shembull i mënyrës se si ne duhet t’i trajtojmë nënat tona.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Gjoni 2:1–11 dhe me radhë ta ritregojnë historinë me vetë fjalët e tyre.

  • Kërkojuni fëmijëve të renditin gjërat për të cilat nëna e tyre mund të ketë nevojë për ndihmë. Ftojini të ushtrohen se çfarë mund t’i thonë asaj duke përdorur disa prej fjalëve të Jezusit: “Ç’dëshiron që unë të bëj për ty?” (Gjoni 2:4, poshtëshënimi a, në botimin e Biblës në anglisht).

  • Ftojini disa nëna ta vizitojnë klasën tuaj dhe të tregojnë gjërat që bëjnë fëmijët e tyre për të shfaqur respekt ndaj tyre.

Pamja
Jezusi duke i folur Maries te festa e dasmës

Jezusi i tha nënës së Tij: “Ç’dëshiron që unë të bëj për ty?” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 2:4 [te Gjoni 2:4, poshtëshënimi a, në botimin e Biblës në anglisht]).

Gjoni 3:1–8

Të pagëzohesh dhe të konfirmohesh është si të lindësh përsëri.

Kur pagëzohemi, gjë të cilën Jezusi e quajti të “lind[ësh] nga uji”, ne marrim heqje të mëkateve tona dhe mund “të hyj[m]ë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë se çfarë do të thotë të lindësh përsëri?

Veprimtari të Mundshme

  • Bëni shirita fjalësh që tregojnë fjalët e Shpëtimtarit te Gjoni 3:3 dhe lërini fëmijët t’i vendosin në rendin e duhur. Si ngjan pagëzimi dhe konfirmimi me të qenit i lindur përsëri?

  • Paraqitni një figurë të një foshnjeje të porsalindur dhe të dikujt që po pagëzohet e konfirmohet (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 104–105). Si jemi ne të ngjashëm me një foshnjë të porsalindur pasi pagëzohemi e konfirmohemi? (Shih Gjoni 3:3–5.)

  • Ftojini fëmijët të tregojnë kujtime nga pagëzimi i tyre. Lexoni te Mosia 18:8–10 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:37 për të rishikuar besëlidhjen e pagëzimit. Mësojuni fëmijëve se marrja e sakramentit mendueshëm çdo javë, është një mënyrë për ta vazhduar procesin e lindjes përsëri.

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh Nenet e Besimit 1:4.

Gjoni 3:16–17

Ati Qiellor më do, prandaj e dërgoi Birin e Tij.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta dinë se Jezu Krishti u dërgua në tokë si shprehje e dashurisë së Atit Qiellor?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një vizatim të dhuratës së tyre të parapëlqyer dhe të personit që ua dha atë dhuratë atyre. Më pas kërkojini një fëmije të lexojë te Gjoni 3:16. Çfarë dhurate na dha Ati Qiellor? Si e tregon kjo dhuratë dashurinë e Tij?

  • Kërkojuni fëmijëve të gjejnë përgjigje ndaj pyetjes: “Përse Ati Qiellor na e dërgoi Jezu Krishtin?” ndërkohë që lexojnë te Gjoni 3:16–17 ose këndojnë apo dëgjojnë këngën “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21).

Gjoni 4:5–23

Jezu Krishti më ofron “uj[in e] gjallë”.

Ashtu sikurse Jezusi e përdori ujin për t’i dhënë mësim gruas nga Samaria, ju mund ta përdorni ujin për t’u mësuar fëmijëve arsyen përse kemi nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Duke përdorur vargjet te Gjoni 4:5–23, shkruani fjali përmbledhëse nga historia e gruas te pusi. Kërkojuni fëmijëve t’iu drejtohen këtyre vargjeve për t’i vendosur fjalitë në rendin e duhur. Çfarë po përpiqej Jezusi që t’i mësonte gruas?

  • Jepuni fëmijëve të pinë ujë dhe kërkojuni që të tregojnë përvoja kur kanë pasur etje. Flisni se çfarë ndjenje patët pasi më në fund pitë ujë. Ftojini fëmijët të përmendin gjëra që, ashtu sikurse një gotë me ujë, na kënaqin për çastin. Çfarë gjërash ngjajnë me “uj[in e] gjallë”, i cili mund të na kënaqë përgjithmonë?

  • Shkruani në tabelë Si është ungjilli i ngjashëm me ujin? Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje ndërkohë që lexojnë vargjet te Gjoni 4:5–23.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Merreni parasysh t’u kërkoni fëmijëve që t’u japin pjesëtarëve të familjes së tyre të pinë ujë kur të arrijnë në shtëpi. Kur ta bëjnë këtë, ata mund të tregojnë atë që mësuan rreth ujit të gjallë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorini faqet e veprimtarisë. Ndërsa fëmijët i plotësojnë faqet e veprimtarisë, përdoreni kohën për të përsëritur parime nga mësimi.