Dhiata e Re 2023
13–19 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6: “Lum Ju”


“13–19 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6: ‘Lum Ju’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“13–19 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Jezusi duke dhënë mësim në mal

Jesus Preaching Sermon on the Mount [Jezusi Duke Predikuar në Mal], nga Gustave Doré

13–19 Shkurt

Mateu 5; Lluka 6

“Lum Ju”

Mundësia juaj për t’u dhënë mësim fëmijëve është e çmuar. Teksa përgatiteni shpirtërisht, Zoti do t’ju udhërrëfejë.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni fëmijëve të flasin rreth diçkaje që bënë këtë javë, për ta përhapur dritën e Zotit te dikush tjetër – ndoshta duke qenë një shembull i mirë ose duke treguar dashuri dhe dashamirësi.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mateu 5:9

Unë mund të jem paqebërës/e.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të kenë një ndikim të fuqishëm në shtëpi, kur ata sillen me dashuri dhe dashamirësi me të tjerët.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve vargun te Mateu 5:9 dhe shpjegoni se paqebërësit e bëjnë çdo vend një vend paqësor, pavarësisht se ku ndodhen. Shkruani në shirita letre disa shembuj të situatave me grindje, me të cilat mund të përballen fëmijët (për shembull, motra e vëllezër duke u grindur për një lodër). Ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë një shirit letre. Teksa e lexoni secilin skenar, kërkojuni fëmijëve të tregojnë mënyrën se si ata mund të jenë paqebërës në atë situatë. Ose flisni për disa skenarë të krijuar vetë dhe ndihmojini fëmijët të përcaktojnë nëse njerëzit e përfshirë në to po sillen si paqebërës ose jo.

  • Ftoni disa nga prindërit e fëmijëve që ta vizitojnë klasën tuaj dhe të tregojnë shembuj të rasteve kur fëmijët e tyre kanë qenë paqebërës në shtëpi.

Mateu 5:14–16

Jezusi dëshiron që unë të jem një dritë për të tjerët.

Fëmijët e vegjël mund të kenë ndikim të fuqishëm për mirë tek të tjerët. Si mund t’i frymëzoni ata që ta lenë dritën e tyre të shndritë?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve disa sende që bëjnë dritë dhe tregojuni një fotografi me fëmijë. Lexoni vargjet te Mateu 5:14–16 dhe u thoni fëmijëve se shembujt e tyre të mirë mund të jenë një dritë që ta shohin të tjerët. Si mund ta përdorim dritën tonë për t’i sjellë të tjerët te Perëndia?

  • Mbajeni ndezur një elektrik dore nëpër dhomë dhe ftojini fëmijët ta ndjekin dritën me sy. Përdoreni dritën që t’ia drejtoni sytë te një figurë e Shpëtimtarit. Si na ndihmon drita? Si mund të jemi ne një dritë për botën? Mbulojeni elektrikun e dorës. Çfarë ndodh nëse nuk e përhapim dritën tonë ose nëse e fshehim atë?

  • Fshihni një elektrik dore në dhomë dhe fikni dritat. Lërini fëmijët të përpiqen që ta gjejnë atë. Shqyrtojeni vargun te Mateu 5:15 dhe flisni rreth arsyes përse nuk duhet ta fshehim dritën tonë.

  • Ndihmojini fëmijët që t’i gjejnë dhe t’i ngjyrosin qirinjtë e fshehur në faqen e veprimtarisë të kësaj jave.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth të qenit dritë për të tjerët, të tillë si “Jezus’ më Do Rreze Dielli”, “Shkëlqe” ose “Un’ Jam si një Yll” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 38, 96, 84).

Pamja
Jezusi duke u dhënë mësim dishepujve

Ne mund të jemi të lumtur kur jetojmë në mënyrën që na mësoi Jezusi.

Mateu 5:44–45

Jezu Krishti dëshiron që unë të dua çdo njeri.

Fëmijët më të vegjël mund të fillojnë tani që të ushtrohen për të treguar dashuri, edhe kur trajtohen padrejtësisht nga moshatarët, motrat apo vëllezërit. Ndërsa lexoni vargjet te Mateu 5:44–45, merrni parasysh mënyrën se si mësimet e Shpëtimtarit gjejnë zbatim për fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Veprimtari të Mundshme

  • Riformulojeni vargun te Mateu 5:44 duke përdorur fjalë dhe situata që fëmijët do t’i kuptojnë dhe që kanë lidhje me ta. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë raste kur treguan dashuri për dikë, ndonëse ishte e vështirë. Si i bënë të ndihen këto përvoja?

  • Si klasë këndoni një këngë rreth dashurisë për të tjerët, të tillë si “Doni Njëri-Tjetrin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 74). Çfarë mësojmë nga kjo këngë rreth shfaqjes së dashurisë për të tjerët?

  • Jepuni fëmijëve letra në formë zemre të emërtuara me fjalët: “Unë do ta tregoj dashurinë time për çdo njeri”. Kërkojuni që t’i zbukurojnë zemrat dhe t’i varin në shtëpi si kujtues që t’i duan të tjerët.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mateu 5:3–12

Unë mund të jem i/e lumtur kur jetoj në mënyrën që na mësoi Jezusi.

Ndërsa lexoni vargjet te Mateu 5:3–12, cilat fjalë dhe fraza ju lënë mbresa? Si do ta bekojnë këto mësime jetën e fëmijëve të cilëve u jepni mësim?

Veprimtari të Mundshme

  • Krijoni një tabelë në dërrasë me dy kolona, të emërtuara Lum [Të Bekuar Janë] … dhe Bekimi. Ftojini fëmijët të shqyrtojnë vargjet te Mateu 5:3–12 duke kërkuar tiparet e njerëzve që Jezusi tha se do të ishin të bekuar [të lumë] dhe bekimet që Ai u premtoi atyre. Më pas plotësojeni tabelën me atë që ata gjejnë. Diskutoni me fëmijët se çfarë domethënie kanë secili tipar dhe bekimi përkatës.

  • Shkruajeni çdo tipar nga këto vargje në një kartë dhe bekimin e tij përkatës në një kartë. Për shembull, një kartë do të thotë “zemërbutë” dhe një tjetër “trashëgojnë tokën” (vargu 5). Lërini fëmijët t’i lidhin tiparet me bekimet. Kërkojuni fëmijëve të zgjedhin njërin prej tipareve në këto vargje që ata dëshirojnë ta zhvillojnë.

Mateu 5:9, 21–24, 38–47

Unë mund të jem paqebërës/e.

Jezusi dha mësim se paqebërësit do të quhen fëmijët e Perëndisë. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që të jenë paqebërës?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një fëmijë të lexojë me zë të lartë vargun te Mateu 5:9. Çfarë është një paqebërës? Në çfarë mënyrash mund të jemi paqebërës me familjet tona dhe shokët ose shoqet tona? (Për disa ide, shih vargjet 21–24, 38–47.)

  • Kërkojini secilit fëmijë të mendojë për një situatë që do të kishte nevojë për ndihmën e një paqebërësi. Çfarë do të bënte një paqebërës në atë situatë?

  • Ftojini fëmijët të flasin për raste kur treguan dashuri ndaj dikujt, edhe nëse ai person ishte i ndryshëm nga ata ose të cilin ishte e vështirë ta doje.

Mateu 5:14–16

Shembulli im mund t’ua ndriçojë udhën të tjerëve që ta ndjekin Jezusin.

Shumë prej fëmijëve të cilëve u jepni mësim, i kanë bërë besëlidhjet e pagëzimit. Mendoni se si fjalët e Shpëtimtarit te Mateu 5:14–16 lidhen me besëlidhjet e tyre. Çfarë mesazhesh mund të ketë Zoti në këtë fragment për fëmijët në klasën tuaj?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh vargun te Mateu 5:16. Shkruajeni vargun në tabelë. Lexojeni disa herë së bashku, duke fshirë disa fjalë sa herë që lexoni. Ftojini fëmijët të vizatojnë gjëra që mund të bëjnë për të qenë një dritë për të tjerët. Flisni për mënyrën se si të qenit një dritë për të tjerët na ndihmon të plotësojmë besëlidhjet tona të pagëzimit (shih Mosia 18:8–10).

  • Këndoni një këngë rreth përhapjes së dritës tek të tjerët, të tillë si “Shkëlqe” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 96). Si mund ta përhapim dritën e Shpëtimtarit?

  • Kërkojuni fëmijëve të bëjnë vizatime të gjërave që na japin dritë. Lexoni te Mateu 5:14–16. Pyetini se përse Jezusi dëshiron që ne të jemi një dritë për botën.

  • Ftoni dy fëmijë të rrinë ballë për ballë njëri-tjetrit dhe kërkojini njërit që të përpiqet ta bëjë tjetrin të qeshë pa e prekur atë. Flisni rreth fuqisë që kanë fëmijët për t’u sjellë lumturi të tjerëve.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Jepuni si sfidë fëmijëve që të tregohen të vëmendshëm për të parë dikë që është paqebërës këtë javë. Në fillim të orës mësimore të javës tjetër, ftojini që të flasin rreth personit që panë dhe asaj që panë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët të jenë aktivë. “Teksa u jepni mësim fëmijëve, lejojini të ndërtojnë, vizatojnë, ngjyrosin, shkruajnë dhe krijojnë. Këto gjëra janë më shumë sesa veprimtari argëtuese – ato janë thelbësore për të mësuarin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).