Dhiata e Re 2023
6–12 Shkurt. Gjoni 2–4: “Duhet të Lindni Përsëri”


“6–12 Shkurt. Gjoni 2–4: ‘Duhet të Lindni Përsëri’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“6–12 Shkurt. Gjoni 2–4”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Jezusi duke folur me Nikodemin

6–12 Shkurt

Gjoni 2–4

“Duhet të Lindni Përsëri”

Teksa i lexoni kapitujt te Gjoni 2–4, Shpirti do t’ju mësojë gjëra rreth kthimit tuaj vetjak në besim. Mbajini shënim nxitjet prej Tij. Ju mund të zbuloni këndvështrime të mëtejshme shpirtërore nga idetë për studim në këtë përvijim të mësimit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në një festë dasme në Kanë, Krishti e shndërroi ujin në verë – një ngjarje të cilën Gjoni e quajti “fillim të shenjave” (Gjoni 2:11). Ajo është e vërtetë në më shumë sesa një kuptim. Ndërkohë që kjo ishte mrekullia e parë që Jezusi bëri publikisht, ajo mund të simbolizojë gjithashtu një fillim tjetër të mrekullueshëm – procesin e shndërrimit të zemrave tona ndërsa bëhemi përherë e më shumë si Shpëtimtari ynë. Kjo mrekulli e një jete të tërë fillon me vendimin për ta ndjekur Jezu Krishtin, për të ndryshuar dhe për të jetuar një jetë më të mirë nëpërmjet Tij. Kjo mrekulli mund të jetë kaq jetëndryshuese sa të “lind[urit] përsëri” është një nga mënyrat më të mira për ta përshkruar atë (Gjoni 3:7). Por rilindja është vetëm fillimi i shtegut të dishepullimit. Fjalët e Krishtit drejtuar gruas samaritane te pusi na kujtojnë se po të vazhdojmë në këtë shteg, përfundimisht ungjilli do të bëhet “një burim uji” brenda nesh, “që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Gjoni 2:1–11

Mrekullitë e Jezu Krishtit “shfaq[ën] lavdinë e tij”.

Ndërsa lexoni për Shpëtimtarin që e shndërroi ujin në verë te Gjoni 2:1–11, ju mund të fitoni pikëpamje shtesë duke marrë parasysh këndvështrimet nga njerëz të ndryshëm që ishin atje, përfshirë Marien, dishepujt dhe të tjerë. Nëse do të kishit qenë dëshmitarë në ngjarjet që përshkruhen këtu, cilat do të kishin qenë mbresat tuaja për Jezusin? Çfarë ju mëson kjo mrekulli për Të?

Gjoni 3:1–21

Unë duhet të lind përsëri që të hyj në mbretërinë e Perëndisë.

Kur Nikodemi erdhi te Jezusi në fshehtësi, ai ishte një vëzhgues i matur. Më vonë, sidoqoftë, ai e mbrojti haptazi Jezusin (shih Gjoni 7:45–52) dhe u bashkua me besimtarët në varrimin e Shpëtimtarit (shih Gjoni 19:38–40). Çfarë mësimesh gjeni te Gjoni 3:1–21 që mund ta kenë frymëzuar Nikodemin ta ndiqte Jezusin dhe të lindte përsëri?

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Të lindesh përsëri vjen nga Shpirti i Perëndisë nëpërmjet ordinancave” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f.100). Çfarë roli luajtën pagëzimi dhe konfirmimi juaj – të qenit “[i] lindur nga uji dhe nga Fryma” (Gjoni 3:5) – në të lindurit tuaj përsëri? Çfarë po bëni për ta vazhduar këtë proces ndryshimi? (Shih Alma 5:11–14.)

Shih edhe Mosia 5:7; 27:25–26; Dejvid A. Bednar, “Duhet të Lindni Sërish”, Liahona, maj 2007, f. 19–23.

Gjoni 3:16–17

Ati Qiellor e tregon dashurinë e Tij për mua nëpërmjet Jezu Krishtit.

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “E vërteta e parë e madhe e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij” (“Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 126). Si e keni ndier dashurinë e Perëndisë nëpërmjet dhuratës së Birit të Tij?

Sakramenti siguron një kohë për të reflektuar mbi dashurinë e Perëndisë dhe dhuratën e Birit të Tij. Cilat himne të sakramentit ju ndihmojnë ta ndieni këtë dashuri? Çfarë mund të bëni që sakramenti të jetë më kuptimplotë?

Ndërsa vazhdoni të lexoni për mësimet dhe shërbesën e Shpëtimtarit, pyeteni veten se si gjërat që lexoni ju ndihmojnë që ta kuptoni dhe ndieni dashurinë e Perëndisë.

Gjoni 4:24

A është Perëndia frymë?

Disa njerëz mund të pështjellohen nga fjalët e Jezusit se Perëndia është frymë. Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu siguron një sqarim me rëndësi: “Sepse të tillëve Perëndia ua ka premtuar Shpirtin e tij” (te Gjoni 4:24, poshtëshënimia, te Bibla në anglisht). Zbulesa moderne na mëson gjithashtu se Perëndia ka një trup prej mishi e kockash (shih Doktrina e Besëlidhje 130:22–23; shih edhe Zanafilla 5:1–3; Hebrenjve 1:1–3).

Gjoni 4:5–26

Krishti më ofron ujin e Tij të gjallë.

Çfarë mund të ketë nënkuptuar Jezusi kur i tha gruas samaritane se kushdo që e pi ujin që jep Ai, nuk do të ketë kurrë etje? Në ç’mënyrë është ungjilli si uji i gjallë?

Pamja
rrjedhë uji

Ungjilli i Krishtit është uji i gjallë që i ushqen shpirtrat tanë.

Një prej mesazheve të Shpëtimtarit drejtuar gruas samaritane ishte që mënyra se si ne adhurojmë, është më me rëndësi sesa vendi ku adhurojmë (shih Gjoni 4:21–24). Çfarë po bëni që ta “adhuro[ni] Atin në frymë dhe në të vërtetën”? (Gjoni 4:23.)

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Adhuroj”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; Din M. Dejvis, “Bekimet e Adhurimit”, Liahona, nëntor 2016, f. 93–95.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Gjoni 2–4.Ndërsa familja juaj i lexon këta kapituj këtë javë, kushtojini vëmendje të veçantë mënyrës se si Shpëtimtari i përdori gjërat e përditshme – lindjen, erën, ujin dhe ushqimin – për të dhënë mësim të vërteta shpirtërore. Çfarë sendesh në shtëpinë tuaj mund t’i përdorni për të dhënë mësim të vërteta shpirtërore?

Ndërsa i studioni këta kapituj, merrni parasysh të shihni së bashku materiale filmike që i përshkruajnë këto ngjarje: “Jesus Turns Water into Wine” [“Jezusi Shndërron Ujin në Verë”], “Jesus Cleanses the Temple” [“Jezusi Pastron Tempullin”], “Jesus Teaches of Being Born Again” [“Jezusi Jep Mësim për Lindjen Përsëri”], “Jesus Teaches a Samaritan Woman” [“Jezusi Mëson një Grua Samaritane”] (ChurchofJesusChrist.org).

Gjoni 2:13–17.Çfarë ndikimesh të papastra duhet të mbajë familja juaj larg shtëpisë, që ajo të jetë një vend i shenjtë – si tempulli? Çfarë do të bëni që të mos i lini ato gjëra të hyjnë?

Gjoni 3:1–6.Flisni me familjen tuaj rreth mrekullisë së shtatzënisë dhe lindjes – procesin e krijimit të një qenie të gjallë dhe inteligjente. Jezusi dha mësim se ne duhet të rilindim para se të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Përse është rilindja një metaforë e mirë për ndryshimin që kërkohet prej nesh, para se të mund të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë? Si mund ta përjetojmë procesin e rilindjes shpirtërore?

Gjoni 3:16–17.Ftojini pjesëtarët e familjes t’i rishprehin këto vargje me fjalët e tyre sikur të ishin duke ia shpjeguar ato një miku. Si na ka ndihmuar Jezu Krishti ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë?

Gjoni 4:5–15.Çfarë po na jepte mësim Shpëtimtari kur Ai e krahasoi ungjillin e Tij me ujin e gjallë? Ndoshta familja juaj mund të shohë ca ujë që rrjedh dhe të përshkruajë cilësitë e ujit. Përse kemi nevojë të pimë ujë përditë? Në çfarë mënyrash ungjilli i Jezu Krishtit është si “një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”? (Gjoni 4:14.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “God’s Love” [“Dashuria e Perëndis’”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 97.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni simbole. Shkrimet e shenjta shpesh përdorin sende, ngjarje ose veprime për të paraqitur të vërteta shpirtërore. Këto simbole mund ta pasurojnë të kuptuarit tuaj për doktrinën që po na mësohet. Për shembull, Shpëtimtari e krahasoi kthimin në besim me rilindjen.

Pamja
Jezusi dhe gruaja samaritane te pusi

Living Water [Uji i Gjallë], nga Simon Dewey