Dhiata e Re 2023
20–26 Shkurt. Mateu 6–7: “Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet”


“20–26 Shkurt. Mateu 6–7: ‘Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“20–26 Shkurt. Mateu 6–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Jezusi duke dhënë mësim pranë bregut të detit

Jesus Teaching the People by the Seashore [Jezusi Duke u Dhënë Mësim Njerëzve pranë Bregut të Detit], nga James Tissot

20–26 Shkurt

Mateu 6–7

“Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet”

Kur i lexojmë shkrimet e shenjta me një pyetje në mendje dhe me një dëshirë të sinqertë për ta kuptuar atë që Ati Qiellor do që ne të dimë, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë që të na frymëzojë. Teksa lexoni kapitujt te Mateu 6–7, kushtojuni vëmendje këtyre mbresave.

Shënojini Mbresat Tuaja

Predikimi në Mal është një prej ligjëratave më të mirënjohura në krishterim. Shpëtimtari dha mësim me shëmbëlltyra të gjalla, të tilla si një qytet të ngritur në majë të malit, zambakët e fushës dhe ujqër që shtiren si dele. Por Predikimi në Mal është shumë më tepër sesa një fjalim i bukur. Fuqia e mësimeve të Shpëtimtarit drejtuar dishepujve të Tij mund ta ndryshojë jetën tonë, veçanërisht kur jetojmë sipas këtyre mësimeve. Atëherë fjalët e Tij bëhen më shumë sesa fjalë; ato bëhen një themel i sigurt për jetën që, ashtu si shtëpia e njeriut të zgjuar, mund t’u bëjë ballë erërave dhe përmbytjeve të botës (shih Mateu 7:24–25).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 6–7

Të Jetuarit sipas mësimeve të Shpëtimtarit mund të më ndihmojë të bëhem si Ai.

Predikimi në Mal përmban shumë parime të ungjillit. Ndërsa i studioni këta kapituj, pyeteni Zotin se çfarë dëshiron Ai që ju të mësoni.

Një parim që mund të gjeni është nevoja për t’u dhënë përparësi gjërave të Perëndisë mbi gjërat e botës. Cili prej mësimeve të Shpëtimtarit te Mateu 6–7 ju ndihmon të përqendroheni te gjërat qiellore? Çfarë mendimesh ose mbresash të tjera keni? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni? Merrni parasysh t’i shënoni mbresat tuaja. Për shembull:

Mateu 6:1–4

Unë dua të shqetësohem më shumë rreth asaj çfarë mendon Perëndia për mua, sesa rreth asaj çfarë mendojnë të tjerët.

Një parim tjetër te Mateu 6–7 është lutja. Gjeni një çast për të vlerësuar lutjet tuaja. Si mendoni se po ecni me përpjekjet tuaja për t’iu afruar më pranë Perëndisë nëpërmjet lutjes? Cilat mësime te Mateu 6–7 ju frymëzojnë që ta përmirësoni mënyrën se si luteni? Shënojini mbresat që merrni. Për shembull:

Mateu 6:9

Kur lutem, unë dëshiroj ta trajtoj emrin e Atit Qiellor me nderim.

Mateu 6:10

Kur lutem, unë mund të shpreh dëshirën time që të bëhet vullneti i Zotit.

Ju mund të merrni parasysh ta lexoni sërish Predikimin në Mal, duke kërkuar parime apo mesazhe të tjera që përsëriten, që janë të zbatueshme veçanërisht për ju. Shënojeni në një ditar studimi atë që gjeni, së bashku me mendimet dhe mbresat tuaja.

Pamja
familje duke u lutur

Ne mund t’i afrohemi më pranë Perëndisë nëpërmjet lutjes.

Mateu 6:7

Çfarë do të thotë të përdorësh “përsëritje të kota” në lutje?

Njerëzit shpesh e kuptojnë se fraza “përsëritje të kota” nënkupton përsëritjen e të njëjtave fjalë në mënyrë të vazhdueshme. Mirëpo, fjala të kota mund të përshkruajë diçka që nuk ka vlerë. Përdorimi i “përsëritje[ve] të kota” në lutje mund të nënkuptojë të luturin pa ndjenjë të sinqertë, të çiltër (shih Alma 31:12–23).

Mateu 7:1–5

Unë mund të gjykoj me drejtësi.

Te Mateu 7:1, Shpëtimtari mund të duket se po thotë që ne nuk duhet të gjykojmë asnjëherë, por në shkrime të tjera të shenjta (përfshirë vargje të tjera në këtë kapitull), Ai na jep udhëzime rreth mënyrës se si të gjykojmë. Nëse ajo ju duket e ndërlikuar, Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu mund të ndihmojë: “Mos gjykoni padrejtësisht, që ju të mos gjykoheni; por gjykoni me gjykim të drejtë” (te PJS Mateu 7:2, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Çfarë gjeni te Mateu 7:1–5, si dhe në pjesën tjetër të kapitullit, që ju ndihmon të dini mënyrën se si të “gjykoni me gjykim të drejtë”?

Shih edhe Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Judging Others” [“Gjykimi i të Tjerëve”], topics.ChurchofJesusChrist.org; Lin G. Robins, “Gjykatësi i Drejtë”, Liahona, nëntor 2016, f. 96–98.

Mateu 7:21–23

Unë arrij ta njoh Jezu Krishtin duke bërë vullnetin e Tij.

Fraza “Unë s’ju kam njohur kurrë” te Mateu 7:23 u ndryshua te Përkthimi prej Joseph Smith-it në “Ju s’më keni njohur kurrë” (Mateu 7:23, poshtëshënimi a te Bibla në anglisht). Si ju ndihmon ky ndryshim ta kuptoni më mirë atë çfarë dha mësim Zoti te vargjet 21–22 rreth bërjes së vullnetit të Tij? Sa mirë mendoni se e njihni Zotin? Çfarë mund të bëni për ta njohur më mirë Atë?

Shih edhe Dejvid A. Bednar, “Po Të Më Kishit Njohur”, Liahona, nëntor 2016, f. 102–105.

Mateu 7:24–27

Bindja ndaj mësimeve të Shpëtimtarit krijon një themel të patundur për jetën time.

Të jetuarit e ungjillit nuk e largon fatkeqësinë nga jeta jonë. Të dyja shtëpitë në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit te Mateu 7:24–27 përjetuan të njëjtën stuhi. Por njëra nga shtëpitë ishte në gjendje ta përballonte atë. Si ka krijuar një themel të fortë për ju të jetuarit e mësimeve të Shpëtimtarit? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për ta vazhduar ndërtimin e “shtëpi[s]ë [suaj] mbi një shkëmb”? (Shih vargu 24.)

Shih edhe Helamani 5:12.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 6–7.Një mënyrë për të mësuar si familje nga Mateu 6–7 është që të shihni materialet filmike “Sermon on the Mount: The Lord’s Prayer” [“Predikimi në Mal: Lutja e Zotit”] dhe “Sermon on the Mount: Treasures in Heaven” [“Predikimi në Mal: Thesaret në Qiell”] (ChurchofJesusChrist.org). Pjesëtarët e familjes mund të ndjekin paralelisht në shkrimet e tyre të shenjta dhe t’i ndalojnë materialet filmike kurdoherë që dëgjojnë diçka për të cilën duan të diskutojnë. Kjo veprimtari mund të kryhet në disa ditë, nëse është e nevojshme.

Mateu 6:5–13.Çfarë mund të mësojmë rreth lutjes nga mënyra se si u lut Shpëtimtari? Si mund ta përdorim lutjen e Tij si model për t’i përmirësuar lutjet tona vetjake dhe familjare? (Shih edhe Lluka 11:1–13.) Nëse keni fëmijë më të vegjël, ju mund të ushtroheni duke u lutur së bashku.

Mateu 6:33.Çfarë do të thotë: “Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë”? Si po e bëjmë këtë individualisht dhe si familje?

Mateu 7:1–5.Për t’i përfytyruar mësimet te këto vargje, familja juaj mund të gjejë një lëmishte (një copëz të vogël druri) dhe një tra (një copë të madhe druri). Çfarë ju mëson krahasimi i të dyjave rreth gjykimit të të tjerëve? Nëse do të donit ta shqyrtonit më tej këtë temë, ju mund të përdorni disa nga burimet te “Judging Others” [“Gjykimi i të Tjerëve”] (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).

Mateu 7:24–27.Për ta ndihmuar familjen tuaj, që ta kuptojë më mirë shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit për njeriun e zgjuar dhe njeriun budalla, ju mund t’i lini ata të hedhin ujë mbi rërë dhe më pas mbi një gur [shkëmb]. Si mund t’i ngremë themelet tona shpirtërore mbi një shkëmb?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 132.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Tregojini këndvështrimet. Të diskutuarit e parimeve që mësoni nga studimi juaj vetjak, nuk është vetëm një mënyrë e mirë për t’i mësuar të tjerët; ai ndihmon edhe në forcimin e të kuptuarit tuaj. Përpiquni t’ia tregoni një parim që mësuat këtë javë, një pjesëtari të familjes ose në orët tuaja mësimore në Kishë.

Pamja
Jezusi duke u lutur

I Have Prayed for Thee [Jam Lutur për Ty], nga Del Parson