Doktrina e Besëlidhje 2021
23–29 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 93: “Merrni Plotësinë e Tij”


“23–29 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 93: ‘Merrni Plotësinë e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“23–29 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 93”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren

Pamja
Stefani shikon Perëndinë dhe Jezu Krishtin

Unë po Shoh Birin e Njeriut që Rri në Këmbë në të Djathtën e Perëndisë, nga Walter Rane

23–29 Gusht

Doktrina e Besëlidhje 93

“Merrni Plotësinë e Tij”

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, janë bij dhe bija të shtrenjta shpirtërore të Prindërve Qiellorë dhe jetuan me Ta përpara se të vinin në tokë. Pas studimit te Doktrina e Besëlidhje 93, çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për të ndihmuar që këta fëmijë të rriten në “dritë e të vërtetë”? (Vargu 40.)

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni figura të Shpëtimtarit (si ato te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose te revista të Kishës) dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth Tij. Fëmijët më të mëdhenj mund të jenë në gjendje të tregojnë një shkrim të shenjtë nga Doktrina e Besëlidhje 93, që i ndihmoi të mësonin rreth Jezu Krishtit.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 93:2–21

Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

Është e rëndësishme që fëmijët të cilëve u jepni mësim, të mësojnë se cili është Jezu Krishti dhe përse duhet ta ndjekin Atë. Mund të ndihmojnë të vërtetat rreth Jezu Krishtit që gjenden te seksioni 93.

Pamja
dritare me artin e vitrazhit

Ne e marrim dritën e Jezu Krishtit kur i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Zgjidhni disa të vërteta që i mësuat rreth Shpëtimtarit te seksioni 93 të cilat janë frymëzuese për ju. Për çdo të vërtetë që zgjidhni, lexojuni fëmijëve vargun ku gjendet dhe jepuni një fjalë kyç për të cilën të mbajnë vesh teksa ju lexoni. Jepni një dëshmi të shkurtër për Shpëtimtarin dhe lejojini fëmijët të japin dëshmitë e tyre. Lista vijuese e të vërtetave mund t’ju japë ide:

    Jezu Krishti bëri veprat e Atit (vargu 5).

    Jezu Krishti është Drita e Botës (vargu 9).

    Jezu Krishti është Krijuesi i botës (vargu 10).

    Jezu Krishti mori gjithë fuqinë në qiell dhe në tokë (vargu 17).

    Jezu Krishti ishte me Perëndinë në fillim (vargu 21).

  • Kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për diçka që e mësojnë rreth Shpëtimtarit teksa ju përmblidhni me vetë fjalët tuaja disa nga të vërtetat e dhëna mësim te seksioni 93. (Ju gjithashtu mund të përdorni “Kapitullin 33: Një Zbulesë rreth Jezu Krishtit” [Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 126–127].)

Doktrina e Besëlidhje 93:23, 29

Unë jetova me Atin Qiellor përpara se të vija në tokë.

Përse mund të jenë e rëndësishme t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, të kuptojnë se ata jetuan me Atin Qiellor përpara se të lindeshin? Si ju ka bekuar një njohuri për këtë të vërtetë?

Veprimtari të Mundshme

  • Përsëritni së bashku me fëmijët fjalët: “Ju gjithashtu ishit në fillim me Atin” (Doktrina e Besëlidhje 93:23). Shpjegoni se para se të lindnim në tokë, ne jetonim në qiell me Atin Qiellor. Këndoni së bashku “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3) ose “N’Qiell Jetova” (Liahona, prill 1999).

  • Ftojini fëmijët të ngjyrosin faqen e veprimtarisë dhe të bëjnë vizatime të vetes së tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në jetën para lindjes. Jepni dëshminë tuaj se Perëndia na do ne të gjithëve dhe se ne jemi të gjithë fëmijë të Tij.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 93:2–21

Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

Sa më shumë që kuptojmë rreth Jezu Krishtit, aq më thellësisht dhe sinqerisht duam ta adhurojmë Atë dhe të vijmë tek Ati nëpërmjet Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 93:19).

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe pyetini fëmijët përse është e rëndësishme që të dimë rreth Jezu Krishtit. Ftojini të kërkojnë përgjigje shtesë te Doktrina e Besëlidhje 93:19. Ftojini të mendojnë një mënyrë se si ata mund të mësojnë më shumë rreth Jezusit gjatë javës së ardhshme dhe jepuni mundësi të tregojnë idetë e tyre.

  • Mendoni një mënyrë krijuese që t’i nxitni fëmijët të lexojnë rreth Shpëtimtarit te seksioni 93. Mund të shkruani në shirita letre disa referenca për vargje nga seksioni 93 që na mësojnë të vërteta rreth Jezu Krishtit (për shembull, shih vargjet 5, 9–10, 17, 21). Vendosini shiritat e letrave në një enë dhe u thoni fëmijëve që me radhë të zgjedhin një shirit dhe t’ia lexojnë klasës fragmentin e shkrimit të shenjtë. Çfarë mësojmë nga këto fragmente rreth Jezu Krishtit?

Doktrina e Besëlidhje 93:23, 29, 38

Unë jetova me Atin Qiellor përpara se të vija në tokë.

Shpëtimtari theksoi tri herë te seksioni 93 se ne jetuam me Perëndinë “në fillim” (vargjet 23, 29, 38). Përse mund të dojë Ai që ne ta dimë këtë? Në ç’mënyrë njohuria për këtë të vërtetë mund t’i bekojë fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 93:23, 29, 38 dhe ftojini fëmijët të kërkojnë një të vërtetë rreth vetes së tyre, që përsëritet në këto vargje. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë diçka që e dinë rreth jetës sonë me Atin Qiellor përpara se të lindnim. Jepini secilit fëmijë një nga referencat vijuese të shkrimeve të shenjta dhe ndihmojini të gjejnë diçka që këto shkrime të shenjta na e mësojnë rreth jetës përpara se të vinim në tokë: Jeremia 1:5; Doktrina e Besëlidhje 138:53–56; Moisiu 3:5; Abraham 3:22–26.

  • Këndoni së bashku “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3) ose “N’Qiell Jetova” (Liahona, prill 1999). Çfarë të vërtetash mësojmë nga kjo këngë rreth qëllimit tonë për të ardhur në tokë?

Doktrina e Besëlidhje 93:24

E vërteta është dituri për gjëra në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Bota ka shumë pikëpamje të ndryshme për atë që e vërteta është dhe për mënyrën se si ta gjejmë atë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë se e vërteta është e vërtetë pavarësisht nga ajo që mund të thonë të tjerët dhe se Ati Qiellor e di gjithë të vërtetën?

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë fjalën e vërteta dhe kërkojuni fëmijëve të shkruajnë një përkufizim pranë saj. Lexoni së bashku se si Zoti e përcaktoi të vërtetën te Doktrina e Besëlidhje 93:24. Këndoni një himn rreth së vërtetës, të tillë si “E Vërteta Çfarë Ësht’?” (Himne, nr. 176) dhe ftojini fëmijët të gjejnë në atë himn mënyra të tjera për ta përshkruar të vërtetën.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët që të vënë në jetë të vërteta të cilat gjenden te Doktrina e Besëlidhje 93, shkruani në fletë letre disa referenca të shkrimit të shenjtë nga ky seksion. Në fletë të tjera letre, shkruani të vërtetat që na i mëson secili prej këtyre vargjeve. Ftojini fëmijët që të punojnë së bashku për t’i lexuar vargjet dhe për t’i përputhur të vërtetat me vargjet që lexuan. Përse jemi ne mirënjohës që kemi njohuri për të vërtetën?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të shkruajnë ose të vizatojnë diçka që e mësuan në orën mësimore dhe t’ua tregojnë familjeve të tyre kur të shkojnë në shtëpi.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët ta dallojnë Shpirtin. Teksa keni përvoja shpirtërore me fëmijët (për shembull, ndërkohë që lexoni me ta shkrimet e shenjta, dëgjoni dëshmitë e tyre apo këndoni së bashku), ndihmojini të dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë.