Doktrina e Besëlidhje 2021
2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85–87: “Qëndroni në Vende të Shenjta”


“2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85-87: ‘Qëndroni në Vende të Shenjta’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“2–8 Gusht. Doktrina e Besëlidhje 85–87”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Pamja
familje duke ecur drejt tempullit

2–8 Gusht

Doktrina e Besëlidhje 85–87

“Qëndroni në Vende të Shenjta”

Ngaqë koha juaj me fëmijët është e kufizuar, kërkoni udhërrëfim shpirtëror që të dini çfarë parimesh nga shkrimet e shenjta duhet të theksoni. Mirëbesojuni nxitjeve që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Tregojuni fëmijëve disa figura ose faqe veprimtarie që i keni përdorur në mësimet e kohëve të fundit, dhe ftojini fëmijët të tregojnë atë që mbajnë mend se kanë mësuar prej tyre, qoftë nga ora mësimore ose mësimi në shtëpi.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 85:6

Shpirti flet me një “zë [të] vogël, [të] qetë”.

Plaku Riçard G. Skot tha: “Nëse ju nuk arrini asgjë tjetër në marrëdhënien tuaj me studentët tuaj përveçse t’i ndihmoni ata që të njohin e ndjekin nxitjet e Shpirtit, ju do ta bekoni jetën e tyre pafundësisht e përjetësisht” (“To Learn and to Teach More Effectively” [takim shpirtëror i Javës Arsimore të Universitetit “Brigam Jang”, 21 gusht 2007], f. 5, speeches.byu.edu).

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve se si Jozef Smithi e përshkroi Shpirtin: “Po, kështu thotë zëri i vogël, i qetë” (Doktrina e Besëlidhje 85:6). Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që janë të vogla (tregoni figura nëse kanë nevojë për ndihmë). Ftojini të mblidhen kruspull përtokë që të jenë aq të vegjël e të qetë sa mund të jenë. Ndihmojini të mendojnë për mënyrën se si një zë mund të jetë i vogël dhe lejojini të ushtrojnë dëgjimin e një zëri të vogël dhe të folurit me një zë të vogël. Tregoni për raste kur Shpirti ju foli me një zë të vogël, të qetë.

  • Mësojuni fëmijëve një këngë rreth Shpirtit, të tillë si “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 56). Ftojini ta këndojnë atë këngë me ju duke pëshpëritur. Çfarë na mëson kjo këngë rreth Frymës së Shenjtë? Ndihmojini fëmijët të dallojnë kur ata mund ta kenë ndier ndikimin e Tij (si në rastet kur luten, këndojnë himne ose i ndihmojnë të tjerët).

Doktrina e Besëlidhje 86:11

Unë mund të jem një dritë për të tjerët.

Seksioni 86 përshkruan punën e rëndësishme që Zoti dëshiron të bëjnë shërbëtorët e Tij në ditët e mëvonshme. Një mënyrë se si fëmijët mund të ndihmojnë për këtë punë është duke qenë një dritë për njerëzit përreth tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve frazën vijuese nga Doktrina e Besëlidhje 86:11: “Bekuar qofshi ju, nëse vazhdoni në mirësinë time, një dritë për Johebrenjtë [ose njerëzit që nuk e kanë ungjillin]”. Si na bekon drita? Çfarë ndodh kur nuk kemi dritë? Si mund të jemi një dritë për njerëzit e tjerë të cilët nuk dinë rreth ungjillit? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si ne mund t’u tregojmë të tjerëve për mirësinë e Jezusit.

  • Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur një mik/e po përpiqet të ecë në errësirë (mbyllini dritat nëse kjo ndihmon). Përse është e vështirë të ecim në errësirë? Çfarë mund të bëjmë që ta ndihmojmë mikun/en tonë? Shpjegoni se kur e ndjekim Shpëtimtarin, është njësoj sikur të ndezim një dritë për t’u treguar të tjerëve udhën ku të ecin.

  • Revista Liahona shpesh ka histori rreth fëmijëve që janë shembuj të mirë. Kërkoni një njeri që t’u tregojë fëmijëve diçka që do t’i frymëzojë të jenë edhe ata shembuj të mirë.

Doktrina e Besëlidhje 87

Shtëpitë tona mund të jenë “vende të shenjta”.

Asnjë shtëpi nuk është e përsosur, por ka gjëra që ne të gjithë mund t’i bëjmë për t’i bërë shtëpitë tona vende të shenjta paqeje.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegojuni fëmijëve se Jozef Smithi u shqetësua rreth gjërave që po ndodhnin në botë. Përmblidheni kreun te seksioni 87 ose lexoni “Kapitullin 30: Një Zbulesë rreth Luftës” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 117–118; shih edhe materialin filmik te ChurchofJesusChrist.org). Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë për gjërat që mund ta kishin bërë Jozefin të shqetësohej. Për të dhënë mësim atë që tha Zoti se duhet të bëjmë rreth atyre problemeve, lexoni te Doktrina e Besëlidhje 87:8.

  • Paraqitni një figurë të një tempulli dhe tregoni përse tempulli është një vend i shenjtë. Paraqitni një figurë të një shtëpie dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë mënyra se si mund t’i bëjnë shtëpitë e tyre të shenjta si tempulli (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Përse dëshirojmë të jemi në vende të shenjta?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 85:6

Shpirti flet me një “zë [të] vogël, [të] qetë”.

Bota ka shumë shpërqendrime që mund ta bëjnë të vështirë për ta dëgjuar Shpirtin. Si do t’i ndihmoni fëmijët që të dëgjojnë për zërin e Shpirtit?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët se çfarë do të thoshin nëse dikush do t’i pyeste se si e dinë kur Fryma e Shenjtë u flet atyre. Ftojini të lexojnë për një mënyrë se si Jozef Smithi e përshkroi zërin e Shpirtit te Doktrina e Besëlidhje 85:6.

  • Luani qetësisht një himn ose një këngë fëmijësh dhe kërkojini një fëmije ta gjejë se cila këngë është, ndërkohë që të tjerët bëjnë zhurma shpërqendruese, të tilla si trokitja e duarve ose përplasja e këmbëve. Më pas kërkojuni fëmijëve të tjerë të ndalojnë dhe diskutoni se si kjo është e ngjashme me dëgjimin e Frymës së Shenjtë kur i heqim shpërqendrimet nga jeta jonë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për shpërqendrimet që mund të heqin me qëllim që ta ndiejnë Shpirtin më shpesh.

Doktrina e Besëlidhje 86

Unë mund të ndihmoj për t’i mbledhur njerëzit e Perëndisë.

Shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrave është për “ditët e fundit, madje tani” (Doktrina e Besëlidhje 86:4). Përdoreni këtë shëmbëlltyrë për t’i ndihmuar fëmijët që të ndihen të frymëzuar për të marrë pjesë në “mbledhje[n e] grurit” (vargu 7).

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave, ose ftojeni një fëmijë që ta tregojë atë (shih Mateu 13:24–30). Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të diçkaje nga shëmbëlltyra. Më pas lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 86:1–7 dhe ftojini fëmijët të shkruajnë në vizatimet e tyre se çfarë përfaqëson gjëja që vizatuan.

  • Përgatitni disa figura ose vizatime të vogla të grurit dhe fshihini ato nëpër dhomë. Ftojeni secilin fëmijë të ndihmojë për ta mbledhur grurin dhe shkruani në të emrin e dikujt që mund ta “mblidhni” te Jezu Krishti. Çfarë do të thotë që të mblidhni njerëz te Jezu Krishti? Cilat janë disa mënyra se si mund ta bëjmë këtë? Çfarë do të thotë të “vazhdoni në mirësinë [e Shpëtimtarit]” dhe si na ndihmon ajo që të mbledhim njerëz tek Ai? (Doktrina e Besëlidhje 86:11.)

Doktrina e Besëlidhje 87

Unë mund të “qëndro[j] në vende të shenjta”.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, do të përballen me rreziqe shpirtërore dhe fizike gjatë gjithë jetës së tyre. Ju mund t’i ndihmoni që të përgatiten për t’u përballur me ato rreziqe duke u mësuar që të gjejnë dhe të qëndrojnë në vende të shenjta.

Pamja
grua dhe fëmijë jashtë tempullit

Shërbimi në tempull është një mënyrë se si mund të ndihmojmë për t’i mbledhur njerëzit e Perëndisë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku vargun te Doktrina e Besëlidhje 87:6 për të mësuar rreth gjërave që tha Zoti se do të ndodhnin në ditët e mëvonshme. Kërkojuni fëmijëve të flasin rreth sfidave me të cilat nganjëherë ndeshen fëmijët e moshës së tyre. Ftojini të gjejnë te vargu 8 atë që tha Zoti se duhet të bëjmë gjatë kohëve të vështira. Tregojuni fëmijëve rreth vendeve të shenjta në jetën tuaj.

  • Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë të vendeve të shenjta, mendimeve të shenjta dhe veprimeve të shenjta që mund t’i ndihmojnë ata të përballen me rrezikun shpirtëror (për ide shihni materialet filmike “Standing in Holy Places” [“Qëndroni në Vende të Shenjta”] ose “Stand Ye in Holy Places – Bloom Where You’re Planted” [“Qëndroni në Vende të Shenjta – Lulëzoni Atje ku Jeni Mbjellë”], ChurchofJesusChrist.org). Ftojini ta mbajnë listën e tyre me vete që t’i drejtohen kur u nevojitet.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të zgjedhin një gjë që do ta bëjnë, për ta bërë shtëpinë e tyre ose jetën e tyre një “vend të shenjtë”.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdoreni aftësinë tuaj krijuese. Mos e kufizoni veten tuaj tek idetë e veprimtarive të sugjeruara në këtë përvijim. Lërini këto ide që ta nxitin vetë aftësinë tuaj krijuese. Mendoni se çfarë u pëlqen të bëjnë fëmijët në klasën tuaj dhe për atë që do t’i ndihmojë ata të mësojnë.