Dhiata e Vjetër 2022
7–13 Mars. Zanafilla 37–41: “Zoti Qe me Jozefin”


“7–13 Mars. Zanafilla 37–41: ‘Zoti Qe me Jozefin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“7–13 Mars. Zanafilla 37–41”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Jozefi i Egjiptit në burg

Ilustrim i Jozefit të Egjiptit në burg, nga Jeff Ward

7–13 Mars

Zanafilla 37–41

“Zoti Qe me Jozefin”

Ndërsa lexoni te Zanafilla 37–41, lutuni që Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë të shihni se si lidhet fragmenti i shkrimit të shenjtë me jetën tuaj. Shënoni çdo ide që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndonjëherë gjëra të këqija iu ndodhin njerëzve të mirë. Jeta na e mëson në mënyrë të qartë atë mësim dhe po kështu bën edhe jeta e Jozefit, birit të Jakobit. Ai ishte trashëgimtari i besëlidhjes që Perëndia kishte bërë me etërit e tij, por vëllezërit e tij e urrenin dhe e shitën në skllavëri. Ai nuk pranoi ta përlyente integritetin e tij moral kur bashkëshortja e Potifarit iu afrua atij dhe, si rrjedhojë, atë e futën në burg. Dukej sikur sa më besnik të ishte, aq më shumë vështirësi ndeshte. Por e gjithë kjo fatkeqësi nuk ishte një shenjë e mosmiratimit nga ana e Perëndisë. Në fakt, gjatë gjithë kohës, “Zoti qe me të” (Zanafilla 39:3). Jeta e Jozefit ishte një manifestim i kësaj të vërtete të rëndësishme: Perëndia nuk do të na braktisë. “Ndjekja e Shpëtimtarit nuk do t’jua heqë të gjitha sprovat”, dha mësim Presidenti Diter F. Uhtdorf. “Sidoqoftë, ajo do t’i heqë pengesat midis jush dhe ndihmës që Ati Qiellor dëshiron t’jua japë. Perëndia do të jetë me ju” (“Dëshirim për Shtëpinë”, Liahona, nëntor 2017, f. 22).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Zanafilla 37:1–28; 39; 41:9–45

“Zoti qe me Jozefin” në fatkeqësinë e tij.

Në mënyrë të përsëritur, fati i mirë dukej sikur e braktiste Jozefin, por Zoti kurrë nuk e braktisi. Ndërsa lexoni historinë e Jozefit, përsiatni pyetje si këto: Çfarë bëri Jozefi për të qëndruar pranë Zotit gjatë kohës së tij të sprovës? Si ishte Zoti “me të”? (Zanafilla 39:2–3, 21, 23.)

Ju gjithashtu mund të bëni pyetje të ngjashme për jetën tuaj. Çfarë provash keni parë se Zoti nuk ju ka braktisur në kohët tuaja të sprovës? Merreni parasysh se si mund t’ua tregoni përvojat tuaja pjesëtarëve të familjes dhe brezave të ardhshëm (shih 1 Nefi 5:14). Çfarë mund të bëni tani që të përgatiteni për të qëndruar besnikë kur të përballeni me sprova në të ardhmen?

Shih edhe Gjoni 14:18; Romakëve 8:28; Alma 36:3; Doktrina e Besëlidhje 121:7–8; D. Tod Kristoferson, “Gëzimi i Shenjtorëve”, Liahona, nëntor 2019, f. 15–18.

Zanafilla 37:5–11; 40; 41:1–38

Nëse jam besnik, Zoti do të më udhërrëfejë dhe do të më frymëzojë.

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Zbulesat përcillen me një larmi mënyrash, duke përfshirë, për shembull, ëndrrat, vegimet, bashkëbisedime me lajmëtarë qiellorë dhe frymëzimin” (“Shpirti i Zbulesës”, Liahona, maj 2011, f. 88). Zoti i përdori ëndrrat për t’i zbuluar të vërteta Jozefit, kupëmbajtësit e bukëpjekësit të faraonit, si dhe faraonit. Zoti i zbuloi gjithashtu Jozefit si t’i interpretonte këto ëndrra. Çfarë mund të mësoni nga Zanafilla 37:5–11; 40:5–8; 41:14–25, 37–38 rreth marrjes dhe të kuptuarit të zbulesës që vjen nga Zoti? Për shembull, çfarë mund të mësoni nga shembulli i Jozefit kur zbulesat duken të vështira për t’u kuptuar? (Shih Zanafilla 40:8; 41:16.)

Pamja
Jozefi në burg duke interpretuar ëndrra

Jozefi duke Interpretuar Ëndrrat e Kupëmbajtësit dhe të Bukëpjekësit, nga François Gérard

Përsiatni se si Zoti po jua zbulon vullnetin e Tij juve. Çfarë po bëni për të vepruar sipas zbulesës që ju ka dhënë Zoti? Si po kërkoni udhërrëfim shtesë prej Tij?

Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 93–96; Mishel Krejg, “Aftësia Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 19–21.

Zanafilla 38; 39:7–20

Me ndihmën e Zotit, unë mund t’i largohem tundimit.

Kur tundoheni, shembulli i Jozefit mund t’ju japë inkurajim dhe forcë. Teksa lexoni rreth përvojës së tij te Zanafilla 39, vini re gjërat që bëri Jozefi për t’i bërë ballë tundimit. Për shembull:

  • Ai “[i] refuzoi” qasjet joshëse të bashkëshortes së Potifarit (vargu 8).

  • Ai e dalloi që të mëkatuarit do t’i fyente Perëndinë dhe të tjerët (vargjet 8–9).

  • Ai “nuk [e] pranoi” tundimin, edhe pse vazhdonte “çdo ditë” (vargu 10).

  • Ai “ia la … rroben e tij [dhe] iku duke vrapuar jashtë” (vargu 12).

Me shembullin e Jozefit në mendje, merreni parasysh të bëni një plan për ta shmangur dhe për t’i bërë ballë tundimit. Për shembull, ju mund të mendoni për një tundim me të cilin përballeni, të shkruani në një letër situata që duhen shmangur dhe të bëni një plan që të mbështeteni tek Ati Qiellor kur të shfaqet tundimi (shih 2 Nefi 4:18, 27–33).

Tundimi:

Situata që duhen shmangur:

Plani për t’iu përgjigjur:

Ky rrëfim për forcën e Jozefit kur u përball me tundimin, paraprihet nga një tregim shumë i ndryshëm për vëllanë e tij të madh, Judën, që gjendet te Zanafilla 38. Çfarë na mësojnë kapitujt 37, 38 dhe 39, të marra së bashku rreth dëlirësisë?

Shih edhe 1 Korintasve 10:13; 1 Nefi 15:23–24; 3 Nefi 18:17–18.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Zanafilla 37.Nëse do të kishit qenë një nga vëllezërit e Jozefit, çfarë mund të kishit bërë që të mos e lejonit xhelozinë ta dobësonte marrëdhënien tuaj me të? Si do të na ndihmonte “t[ë] f[olurit] në mënyrë miqësore” me njëri‑tjetrin? (Vargu 4.)

Zanafilla 39.Materialet filmike “The Refiner’s Fire” [“Zjarri i Rafinuesit”] dhe “After the Storm” [“Pas Stuhisë”] (ChurchofJesusChrist.org) tregojnë përvojën e njerëzve që gjetën forcë duke iu drejtuar Zotit gjatë sprovave të tyre. Ndoshta ju mund të shikoni njërin prej tyre dhe të flisni për ato që mund të thoshte Jozefi nëse do të bënte një material filmik rreth përvojës së tij. Ju mund të këndoni së bashku “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40) dhe të kërkoni këshillat që familja juaj mund t’i jepte Jozefit ndërkohë që përballonte sprovat e tij.

Zanafilla 39:7–12.Leximi i këtyre vargjeve mund të ofrojë një mundësi për të diskutuar me familjen tuaj mbi ligjin e dëlirësisë. Ja ku janë disa burime që mund të ndihmojnë për këtë diskutim: Jakobi [LiM] 2:28; Alma 39:3–9; “Pastërtia Seksuale” (në broshurën Për Forcën e Rinisë [2011], f. 35–37); “Sexual Intimacy Is Sacred and Beautiful” [“Intimiteti Seksual Është i Shenjtë dhe i Bukur”] (në Help for Parents [2019], AddressingPornography.ChurchofJesusChrist.org).

Zanafilla 41:15–57.Çfarë mësojmë nga këto vargje për mënyrën se si e bekoi Zoti popullin e Egjiptit nëpërmjet Jozefit? Çfarë mund të mësojmë rreth përgatitjes për raste të ngutshme në të ardhmen? Diskutoni se çfarë mund të bëni për t’u përgatitur më mirë si familje. Për ide, shih Gospel Topics [Tema të Ungjillit] “Emergency Preparedness” [“Përgatitja për Rastet e Ngutshme”], topics.ChurchofJesusChrist.org.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Jezusi Ësht’ Miku Yn’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 37.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përshtatini shkrimet e shenjta me jetën tuaj. Ndërsa lexoni, merrni në shqyrtim se si zbatohen në jetën tuaj historitë dhe mësimet në shkrimet e shenjta. Për shembull, si mund t’ju frymëzojë besnikëria e Jozefit në Egjipt që të qëndroni besnikë ndaj Zotit pavarësisht nga fatkeqësia?

Pamja
Vëllezërit e Jozefit duke ia hequr rrobën

Ilustrim i vëllezërve të Jozefit duke ia hequr rrobën, nga Sam Lawlor