Dhiata e Vjetër 2022
21–27 Mars. Eksodi 1–6: “M’u Kujtua Besëlidhja Ime”


“21–27 Mars. Eksodi 1–6: ‘M’u Kujtua Besëlidhja Ime’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“21–27 Mars. Eksodi 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Moisiu dhe ferrishtja që digjej

Moisiu dhe Ferrishtja që Digjej, nga Harry Anderson

21–27 Mars

Eksodi 1–6

“M’u Kujtua Besëlidhja Ime”

Fillojeni studimin tuaj me një lutje dhe kërkoni ndihmë për të gjetur mesazhe tek Eksodi 1–6 të cilat lidhen me jetën tuaj dhe shërbimin tuaj në mbretërinë e Perëndisë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ftesa për të jetuar në Egjipt e shpëtoi me të vërtetë familjen e Jakobit. Por pas qindra vjetësh, pasardhësit e tyre ishin të skllavëruar dhe të terrorizuar nga një faraon i ri “që nuk e kishte njohur Jozefin” (Eksodi 1:8). Do të kishte qenë e natyrshme për izraelitët që ta pyetnin veten përse Perëndia lejoi që kjo të ndodhte me ta, popullin e Tij të besëlidhjes. A e mbante mend Ai besëlidhjen që kishte bërë me ta? A ishin ata ende populli i Tij? A mund ta shihte Ai se sa po vuanin ata?

Mund të ketë raste kur jeni ndier sikur keni bërë pyetje të ngjashme. Ju mund ta pyetni veten: A e di Perëndia atë që po kaloj?“ ”A mund t’i dëgjojë Ai përgjërimet e mia për ndihmë? Historia tek Eksodi për çlirimin e Izraelit nga Egjipti, u përgjigjet qartësisht pyetjeve të tilla: Perëndia nuk e harron popullin e Tij. Ai i kujton besëlidhjet e Tij me ne dhe do t’i përmbushë ato në vetë kohën e Tij dhe mënyrën e Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 88:68). “Do t’ju çliroj me krahë të shtrirë”, shpall Ai. “Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju heq nga punët [tuaja të] rënda” (Eksodi 6:6–7).

Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Eksodit, shih “Eksod” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Eksodi 1–2

Jezu Krishti është Çlirimtari im.

Njëra nga temat qendrore në librin e Eksodit është se Perëndia ka fuqi ta çlirojë popullin e Tij nga shtypja. Robërimi i izraelitëve siç përshkruhet tek Eksodi 1 mund të shihet si një simbol i skllavërisë që të gjithë ndeshim për shkak të mëkatit dhe vdekjes (shih 2 Nefi 2:26–27; 9:10; Alma 36:28). Dhe Moisiu, çliruesi i Izraelit, mund të shihet si një model ose përfaqësim i Jezu Krishtit (shih Ligji i Përtërirë 18:18–19; 1 Nefi 22:20–21). Lexoni tek Eksodi 1–2 duke pasur në mendje këto krahasime. Ju mund të vëreni, për shembull, që si Moisiu ashtu dhe Jezusi u ruajtën nga vdekja kur ishin fëmijë të vegjël (shih Eksodi 1:222:10; Mateu 2:13–16) dhe që të dy kaluan kohë në vend të shkretë përpara se të fillonin shërbesën e tyre (shih Eksodi 2:15–22; Mateu 4:1–2). Çfarë idesh të tjera mësoni nga Eksodi rreth skllavërisë shpirtërore? Po rreth çlirimit që na e jep Shpëtimtari?

Shih edhe D. Tod Kristoferson, “Shëlbimi”, Liahona, maj 2013, f. 109–112.

Pamja
Moisiu foshnjë në një shportë

Moisiu në Xunktha, © Providence Collection, i licencuar nga goodsalt.com

Eksodi 3–4

Perëndia u jep fuqi atyre që Ai i thërret të bëjnë punën e Tij.

Sot ne e njohim Moisiun si një profet dhe udhëheqës të madh. Por Moisiu nuk e pa veten në atë mënyrë kur Zoti e thirri fillimisht. “Kush jam unë”, vrau mendjen Moisiu, “që të shkoj te Faraoni?” (Eksodi 3:11.) Sidoqoftë Zoti e dinte kush ishte me të vërtetë Moisiu – dhe kush mund të bëhej. Ndërsa lexoni tek Eksodi 3–4, vini re se si Zoti e siguroi Moisiun dhe iu përgjigj shqetësimeve të tij. Çfarë gjeni në këta kapituj që mund t’ju frymëzojnë kur ndiheni të papërshtatshëm? Si i bekon Zoti shërbëtorët e Tij me fuqi të shtuar për të bërë vullnetin e Tij? (Shih Moisiu 1:1–10, 24–39; 6:31–39, 47.) Kur e keni parë Perëndinë ta bëjë punën e Tij nëpërmjet jush apo të tjerëve?

Për më shumë informacion për jetën dhe shërbesën e Moisiut, shih “Moisi” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Eksodi 5–6

Qëllimet e Zotit do të përmbushen në kohën e Tij.

Megjithëse Moisiu shkoi me guxim para faraonit, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, dhe i tha që t’i lironte izraelitët, faraoni refuzoi. Në fakt, ai ua bëri më të vështirë jetën izraelitëve. Moisiu dhe izraelitët mund të kenë menduar pse gjërat nuk po funksiononin edhe kur Moisiu po bënte atë që Perëndia i kërkoi të bënte (shih Eksodi 5:22–23).

A e keni ndier ndonjëherë se po bënit vullnetin e Perëndisë, por nuk e patët suksesin që prisnit? Rishikojini vargjet tek Eksodi 6:1–8, duke kërkuar atë që tha Zoti për ta ndihmuar Moisiun të këmbëngulte. Si ju ka ndihmuar Zoti që të këmbëngulni për të bërë vullnetin e Tij?

Eksodi 6:3

Kush është Jehova?

Jehova është një prej emrave të Jezu Krishtit dhe i referohet Shpëtimtarit në jetën paratokësore. Përkthimi prej Joseph Smith‑it i vargut tek Eksodi 6:3 sqaron se profetët Abraham, Isak dhe Jakob e njihnin Zotin me këtë emër. Zakonisht, kur fjala “Zot” shfaqet në Dhiatën e Vjetër, ajo i referohet Jehovës. Tek Eksodi 3:13–15, titulli “UNË JAM” është gjithashtu një referencë për Jehovën (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 38:1; 39:1).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Eksodi 1–2.Disa gra luajtën role kritike në planin e Perëndisë për të ngritur një çlirimtar për izraelitët. Si familje, ju mund të lexoni për mamitë Shifrah dhe Puah (Eksodi 1:15–20); nënën e Moisiut, Jokebedin, dhe motrën e tij, Miriamin (Eksodi 2:2–9; Numrat 26:59); bijën e faraonit (Eksodi 2:5–6, 10); dhe bashkëshorten e Moisiut, Seforën (Eksodi 2:16–21). Si e çuan më tej planin e Perëndisë këto gra? Si na kujtojnë përvojat e tyre për misionin e Jezu Krishtit? Ju gjithashtu mund të mblidhni fotografi të të afërmeve dhe të paraardhëseve tuaja femra dhe të tregoni histori rreth tyre. Si jemi bekuar nga gratë e drejta? Mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia” (Liahona, nëntor 2015, f. 95–98) mund t’i shtojë vlerë diskutimit.

Eksodi 3:1–6.Kur Moisiu iu afrua ferrishtes që po digjej, Zoti i tha që t’i hiqte këpucët si një shenjë nderimi. Si mund të tregojmë nderim për vendet e shenjta? Për shembull, çfarë mund të bëjmë për ta bërë shtëpinë tonë një vend të shenjtë ku mund të banojë Shpirti i Zotit? Si mund të tregojmë më shumë nderim në vende të tjera të shenjta?

Eksodi 4:1–9.Zoti i dha fuqi Moisiut për të kryer tri mrekulli, si shenja që t’u tregonte fëmijëve të Izraelit se Moisiu ishte dërguar prej Tij. Çfarë na mësojnë këto shenja për Jezu Krishtin?

Eksodi 5:2.Çfarë mund të nënkuptojë për ne që ta “njoh[im]” Zotin? Si mund të arrijmë ta njohim Atë? (Për shembull, shih Alma 22:15–18.) Si ndikon marrëdhënia jonë me Të në dëshirën tonë për t’iu bindur Atij? (Shih edhe Gjoni 17:3; Mosia 5:13.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Nderimi Ësht’ Dashuri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 12.

Përmirësimi i të Mësuarit Tonë

Mbani një ditar studimi. Ju mund ta gjeni të dobishme të përdorni një ditar ose bllok shënimesh për të hedhur në të mendimet, idetë, pyetjet ose mbresat që ju vijnë teksa studioni.

Pamja
bija e faraonit kur gjen Moisiun foshnjë

Moisiun e Gjen në Xunktha e Bija e Faraonit, nga George Soper