Dhiata e Vjetër 2022
28 Mars – 3 Prill. Eksodi 7–13: “Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti”


“28 Mars – 3 Prill. Eksodi 7–13: ‘Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“28 Mars – 3 Prill. Eksodi 7–13”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Moisiu, Aaroni dhe Faraoni

Ilustrim i Moisiut dhe Aaronit në oborrin e faraonit, nga Robert T. Barrett

28 Mars – 3 Prill

Eksodi 7–13

“Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti”

Ndërsa i lexoni dhe i përsiatni kapitujt tek Eksodi 7–13, mbajini shënim mbresat që ju vijnë. Kur e bëni këtë rregullisht, aftësia juaj për t’i dalluar pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë do të rritet.

Shënojini Mbresat Tuaja

Plagë pas plage e goditi Egjiptin, por faraoni prapë refuzoi t’i lironte izraelitët. E megjithatë, Perëndia vazhdoi të tregonte fuqinë e Tij dhe t’i jepte faraonit mundësi të pranonte “se unë jam Zoti” dhe “nuk ka asnjë të ngjashëm me mua në gjithë dheun” (Eksodi 7:5; 9:14). Ndërkohë, Moisiu dhe izraelitët duhet t’i kenë parë me frikë e mahnitje këto shfaqje të fuqisë së Perëndisë në emër të tyre. Me siguri këto shenja të vazhdueshme e vërtetuan besimin e tyre te Perëndia dhe e forcuan gatishmërinë e tyre për ta ndjekur profetin e Perëndisë. Më pas, pasi nëntë plagë të tmerrshme nuk kishin arritur t’i çlironin izraelitët, ishte plaga e dhjetë – vdekja e të parëlindurve, përfshirë të parëlindurin e faraonit – që i dha përfundimisht fund robërisë. Kjo plagë duket e përshtatshme sepse në çdo rast robërie shpirtërore, ekziston vërtet vetëm një mënyrë për të shpëtuar. Pavarësisht se çfarë tjetër mund të kemi provuar në të shkuarën, me ne ndodh ashtu siç ndodhi me fëmijët e Izraelit. Është vetëm flijimi i Jezu Krishtit, të Parëlindurit – gjaku i Qengjit pa të meta – që do të na shpëtojë.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Eksodi 7–11

Unë mund të zgjedh ta zbut zemrën time.

Shpresojmë që vullneti juaj të mos jetë asnjëherë aq i kundërt me vullnetin e Perëndisë siç ishte vullneti i faraonit. Megjithatë, të gjithë kemi raste kur zemrat tona nuk janë aq të buta sa duhet të jenë, kështu që ka diçka për të mësuar nga veprimet e faraonit që janë shënuar tek Eksodi 7–10. Ndërsa lexoni për plagët në këta kapituj, çfarë ju bën përshtypje në lidhje me përgjigjet e faraonit? A vini re ndonjë prirje të ngjashme drejt ngurtësisë së zemrës në veten tuaj? Përsiatni se çfarë mësoni nga këta kapituj rreth asaj se çfarë do të thotë të keni një zemër të butë.

Vini re se Përkthimi prej Jozef Smithit i vargjeve tek Eksodi 7:3, 13; 9:12; 10:1, 20, 27; 11:10 qartëson se Zoti nuk e forcoi zemrën e faraonit – faraoni e forcoi vetë zemrën e tij.

Çfarë mësoni nga shkrimet e shenjta vijuese për zhvillimin e një zemre të butë? 1 Nefi 2:16; Mosia 3:19; Alma 24:7–8; 62:41; Ethëri 12:27.

Shih edhe Majkëll T. Ringvud, “Një Lehtësi dhe Vullnet për të Besuar”, Liahona, nëntor 2009, f. 100–102.

Eksodi 12:1–42

Pashka judease simbolizon Shlyerjen e Jezu Krishtit.

E vetmja mënyrë që izraelitët t’i shpëtonin plagës së dhjetë, e përshkruar tek Eksodi 11:4–5, ishte që të ndiqnin saktësisht udhëzimet që Zoti i dha Moisiut tek Eksodi 12, një ritual i njohur si Pashka judease. Nëpërmjet simboleve, Pashka judease na mëson që, ashtu si Zoti i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt, Ai mund të na çlirojë gjithashtu nga skllavëria e mëkatit. Çfarë gjeni tek udhëzimet dhe simbolet e Pashkës judease që ju kujtojnë Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij? Çfarë ju sugjerojnë këto simbole dhe udhëzime për mënyrën se si t’i merrni bekimet e Shlyerjes së Tij? Për shembull, çfarë mund të përfaqësojë lyerja e shtalkave të dyerve me gjakun e qengjit? (Vargu 7.) Çfarë do të thotë të jeni “sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë”? (Vargu 11.)

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 89:21.

Pamja
njerëz duke marrë sakramentin

Sakramenti na ndihmon ta kujtojmë Çlirimtarin tonë, Jezu Krishtin.

Eksodi 12:14–17, 24–27; 13:1–16

Sakramenti më ndihmon ta kujtoj çlirimin tim nëpërmjet Jezu Krishtit.

Shpëtimtari donte që izraelitët ta kujtonin gjithmonë se Ai i kishte çliruar ata, edhe pasi robëria e tyre u bë një kujtim i largët. Kjo është arsyeja pse Ai i urdhëroi ata që ta respektonin festën e Pashkës judease çdo vit. Ndërsa lexoni udhëzimet e Tij tek Eksodi 12:14–17, 24–27; 13:1–16, mendoni rreth asaj që po bëni për t’i kujtuar bekimet që ju ka dhënë Perëndia. Si mund ta ruani atë kujtesë “[brez pas brezi]”? (Shih Eksodi 12:14, 26–27.)

Çfarë ngjashmërish shihni midis qëllimeve të festës së Pashkës judease dhe sakramentit? Në ç’mënyrë leximi për Pashkën judease ju kujton sakramentin dhe i sjell më shumë kuptim kësaj ordinance? Merreni në shqyrtim atë që mund të bëni që “gjithmonë ta kujto[ni]” Jezu Krishtin (Moroni 4:3; 5:2; shih edhe Lluka 22:7–8, 19–20).

Ju gjithashtu mund të përsiatni gjëra të tjera që Zoti do që ju t’i kujtoni; shih për shembull, Helamani 5:6–12; Moroni 10:3; Doktrina e Besëlidhje 3:3–5, 10; 18:10; 52:40.

Shih edhe Gjoni 6:54, “Always Remember Him” [“Gjithmonë Kujtojeni Atë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org; “Sakramenti i Darkës së Zotit” Mësime të Presidentëve të Kishës: Hauard W. Hanter (2015), f. 199–208.

Pamja
family study icon

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Eksodi 7–12.Ndoshta pasi të ketë lexuar për plagët që Zoti u dërgoi egjiptasve si shenja të fuqisë së Tij, familja juaj mund të tregojë mënyra se si po e tregon Zoti fuqinë e Tij sot.

Eksodi 8:2832; 9:27–28, 34–35.Këto vargje mund të përdoren për të nisur një diskutim mbi rëndësinë e mbajtjes së fjalës sonë. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja kur i kanë parë të tjerët të bëjnë atë që ranë dakord të bënin.

Eksodi 12:1–42.Pasi t’i lexoni së bashku vargjet tek Eksodi 12:1–42, ju mund të shkruani në copa letre gjëra që mund të bëni si familje për të kujtuar Shlyerjen e Jezu Krishtit. Për shkak se gjaku i qengjit në shtalkat e dyerve (shih vargun 23) përfaqësonte Shpëtimtarin, ju mund t’i vendosni këto letra përreth hyrjes së shtëpisë suaj. Ju gjithashtu mund të hani disa nga ushqimet e Pashkës judease, të tilla si bukë pa maja (biskota të thata ose tortija) apo barishte të hidhura (majdanoz ose rrepka), dhe të diskutoni se si na ndihmon Pashka judease që ta kujtojmë mënyrën se si Perëndia e çliroi popullin e Tij. Për shembull, buka pa maja u kujtonte atyre se nuk kishte kohë që të vinte buka përpara se të iknin me të shpejtë nga robëria. Barishtet e hidhura u kujtonin atyre hidhësinë e robërisë.

Eksodi 12:14, 24–27.Ndoshta ju mund t’i rishikoni këto vargje si familje përpara mbledhjes suaj të ardhshme të sakramentit. Si lidhen këto vargje me sakramentin? Si mund ta bëjmë më plotësisht sakramentin një “ditë për t’u mbajtur mend” të asaj që ka bërë Shpëtimtari për ne?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Në Kujtim të t’Kryq’zuarit”, Himne, nr. 109.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni mësime me sende. Ftojini pjesëtarët e familjes të gjejnë sende që mund t’i ndihmojnë të kuptojnë parimet që gjenden në shkrimet e shenjta që po lexoni. Për shembull, sendet e buta dhe të forta mund t’i ndihmojnë pjesëtarët e familjes që të diskutojnë për ndryshimin midis të pasurit të një zemre të butë dhe një zemre të fortë.

Pamja
familje hebrease me vaktin e Pashkës judease

Ilustrim i darkës së Pashkës judease, nga Brian Call