Dhiata e Vjetër 2022
4–10 Prill. Eksodi 14–17: “Qëndroni dhe Çlirimi do të Vijë nga Zoti”


“4–10 Prill. Eksodi 14–17: ‘Qëndroni dhe Çlirimi do të Vijë nga Zoti’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“4–10 Prill. Eksodi 14–17”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Deti i Kuq

Deti i Kuq

4–10 Prill

Eksodi 14–17

“Qëndroni dhe Çlirimi do të Vijë nga Zoti”

Perëndia e urdhëroi Moisiun që të shkruante rreth përvojave të tij “në një libër që të mos harrohet kurrë, dhe [t’ia] njofto[nte]” Jozueut (Eksodi 17:14). Në mënyrë të ngjashme, shënimi i përvojave tuaja shpirtërore do t’ju ndihmojë ju dhe njerëzit tuaj të dashur ta kujtoni mirësinë e Zotit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Izraelitët ishin zënë në kurth. Nga njëra anë ishte Deti i Kuq, nga ana tjetër po përparonte ushtria e faraonit. Ikja e tyre nga Egjipti dukej se nuk do të zgjaste për shumë kohë. Por Perëndia kishte një mesazh për izraelitët, të cilin Ai donte që ata ta kujtonin për breza të tërë: “Mos kini frikë … Zoti do të luftojë për ju” (Eksodi 14:13–14).

Që nga ajo kohë, kur njerëzit e Perëndisë kanë nevojë për besim e guxim, ata shpesh janë drejtuar te ky rrëfim i shpëtimit të mrekullueshëm të Izraelit. Kur Nefi donte që t’i frymëzonte vëllezërit e tij, ai tha: “Le të jemi të fortë si Moisiu, pasi ai me të vërtetë u foli ujërave të Detit të Kuq dhe ato u ndanë andej e këtej dhe etërit tanë dolën përmes, jashtë robërisë, në tokë të thatë” (1 Nefi 4:2). Kur mbreti Limhi donte që njerëzit e tij të robëruar të “ngrini[n] kokat [e] t[yre] dhe [të] gëzoh[eshin]”, ai u kujtoi atyre të njëjtën histori (Mosia 7:19). Kur Alma donte t’i dëshmonte të birit për fuqinë e Perëndisë, ai gjithashtu e përmendi këtë histori (shih Alma 36:28). Dhe kur ne kemi nevojë të çlirohemi – kur kemi nevojë për pak më shumë besim, kur kemi nevojë të “qëndro[jmë] dhe çlirimi do të vijë nga Zoti” – ne mund të kujtojmë se si “Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptasve” (Eksodi 14:13, 30).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Eksodi 14

Perëndia ka fuqinë për të më çliruar.

Ndërsa lexoni tek Eksodi 14:1–10, përfytyroni se si mund të jenë ndier izraelitët kur panë që t’iu afrohej ushtria e faraonit. Ndoshta ju mendoni se ju nevojitet një mrekulli për t’i mbijetuar një sfide të vështirë me të cilën po përballeni. Çfarë mësoni nga Eksodi 14:13–31, që mund t’ju ndihmojë të kërkoni çlirimin e Perëndisë në jetën tuaj? Çfarë keni mësuar për mënyrat se si Perëndia siguron çlirim nga fatkeqësia? Përsiatni se si e keni parë fuqinë e Tij çliruese në jetën tuaj.

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; L. Tom Peri, “Fuqia e Çlirimit”, Liahona, maj 2012, f. 94–97; Harta të Biblës, nr. 2, “Eksodi i Izraelit nga Egjipti dhe Hyrja në Kanaan”.

Eksodi 15:22–27

Zoti mund t’i bëjë të ëmbla gjërat e hidhura.

Ndërsa lexoni tek Eksodi 15:22–27 për udhëtimet e Izraelit drejt tokës së premtuar, mendoni për gjëra në jetën tuaj që janë dukur “të hidhura” ashtu si ujërat e Marës. Shqyrtojini pyetjet vijuese ndërsa përsiatni për këto vargje: Si mund t’i bëjë Zoti të ëmbla gjërat e hidhura në jetën tuaj? Çfarë vlere kanë pasur këto përvoja në jetën tuaj? Çfarë sugjerojnë vargjet 26 dhe 27 rreth mënyrës se si na bekon Zoti kur e dëgjojmë zërin e Tij?

Eksodi 15:23–27; 16:1–15; 17:1–7

Unë mund t’i mirëbesoj Zotit, edhe gjatë kohëve të vështira.

Është tunduese të jemi kritikë ndaj izraelitëve, sepse ata mërmëritën ose u ankuan kur rrethanat e tyre u bënë të vështira edhe pas gjithçkaje që kishte bërë Perëndia për ta. Por ndërsa lexoni tek Eksodi 15:23–27; 16:1–15; 17:1–7, merrni në shqyrtim nëse ju keni bërë ndonjëherë të njëjtën gjë. Çfarë mësoni nga përvojat e izraelitëve që mund t’ju ndihmojë të mërmëritni më pak dhe t’i mirëbesoni më plotësisht Perëndisë? Për shembull, çfarë ndryshimesh vini re në mënyrën se si iu përgjigjën izraelitët vështirësive dhe në mënyrën se si u përgjigj Moisiu? Çfarë ju mësojnë këto vargje për Perëndinë?

Shih edhe 1 Nefi 2:11–12; “Sin of Murmuring” [“Mëkati i Mërmëritjes”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
grua duke mbledhur mana

Mana nga Perëndia e ushqeu fizikisht Izraelin; neve gjithashtu na nevojitet ushqim i përditshëm shpirtëror. Afresk nga Leopold Bruckner

Eksodi 16

Unë duhet të kërkoj ushqyerje të përditshme shpirtërore.

Ka shumë mësime shpirtërore që mund të mësojmë nga mrekullia e manës, që gjendet tek Eksodi 16. Vini re udhëzimet e hollësishme që iu dhanë izraelitëve se si ta mblidhnin, përdornin dhe ruanin manën (shih Eksodi 16:16, 19, 22–26). Çfarë gjeni në këto udhëzime që zbatohet për ju ndërsa kërkoni çdo ditë ushqim shpirtëror?

Shih edhe Gjoni 6:31–35, 48–58 dhe materialet filmike “Daily Bread: Pattern” [“Buka e Përditshme: Modeli”], “Daily Bread: Experience” [“Buka e Përditshme: Përvoja”] dhe “Daily Bread: Change” [“Buka e Përditshme: Ndryshimi”] (ChurchofJesusChrist.org).

Eksodi 17:1–7

Jezu Krishti është shkëmbi im shpirtëror dhe uji i gjallë.

Mendoni për Shpëtimtarin ndërsa lexoni tek Eksodi 17:1–7. Në ç’mënyrë është Jezu Krishti si një shkëmb për ju? (Shih Psalmeve 62:6–7; Helamani 5:12.) Në ç’mënyrë është Ai si uji? (Shih Gjoni 4:10–14; 1 Korintasve 10:1–4; 1 Nefi 11:25.)

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Eksodi 14:13–22.Pjesëtarët e familjes suaj mund të gjejnë kënaqësi duke u përpjekur të “nda[jnë]” ujin në një tas ose vaskë, ashtu si Moisiu ndau Detin e Kuq. Ndihmojini të kuptojnë se Deti i Kuq nuk mund të ndahej pa fuqinë e Perëndisë. Si e kemi parë fuqinë e Perëndisë në jetën tonë dhe në jetën e paraardhësve tanë?

Eksodi 15:1–21.Pasi kaluan mrekullisht Detin e Kuq, izraelitët kënduan një këngë lavdërimi të njohur si kënga e Moisiut, që gjendet tek Eksodi 15:1–21. Si familje, kërkoni në këto vargje fraza të cilat dëshmojnë për atë çka Perëndia bëri për izraelitët dhe fraza të tjera kuptimplote. Më pas ju mund të këndoni një himn, i cili e kujton familjen tuaj për atë çka Perëndia ka bërë për ju.

Eksodi 16:1–5; 17:1–7.Leximi tek Eksodi 16:1–5 dhe 17:1–7 mund të çojë në një diskutim rreth Shpëtimtarit si Buka e Jetës, si Uji i Gjallë dhe si Shkëmbi ynë. Si na e kujtojnë këto histori atë çfarë bën Jezu Krishti për ne? Si pjesë e diskutimit tuaj, ju mund të lexoni te Gjoni 4:10–14; 6:29–35, 48–51; Helamani 5:12; Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79.

Eksodi 17:8–16.Ju mund ta interpretoni me role historinë e Aaronit dhe të Hurit që i mbajtën lart duart e Moisiut, dhe të diskutoni se si mund të simbolizojë kjo mënyrën se si ne i mbështetim ata që Perëndia i ka thirrur të na udhëheqin. Ju gjithashtu mund të krahasoni shembullin e Aaronit dhe të Hurit me mërmëritjen e izraelitëve kundër Moisiut (përshkruar në të gjithë kapitujt 15–17). Cilat janë disa nga mënyrat se si mund t’i ndihmojmë dhe mbështetim udhëheqësit tanë? Çfarë bekimesh na vijnë neve dhe udhëheqësve tanë kur e bëjmë këtë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Shëlbues i Izraelit”, Himne”, nr. 6.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni vetë idetë tuaja shpirtërore. Në studimin tuaj vetjak dhe familjar, mos e kufizoni veten te vargjet që trajtohen në këto përvijime të studimit. Zoti ka të ngjarë të ketë mesazhe për ju në këta kapituj që nuk janë theksuar këtu. Kërkoni plot lutje frymëzim.

Pamja
Moisiu duke ndarë Detin e Kuq

Ilustrim i Moisiut duke ndarë Detin e Kuq, nga Robert T. Barrett