Dhiata e Vjetër 2022
18–24 Prill. Eksodi 18–20: “Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti”


“18–24 Prill. Eksodi 18–20: ‘Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“18–24 Prill. Eksodi 18–20”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
mal

Një mal në Egjipt që sipas traditës besohet të jetë mali Sinai.

18–24 Prill

Eksodi 18–20

“Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti”

Motra Mishel Krejg dha mësim: “Si dishepull … besnik [i Jezu Krishtit], ju mund të merrni frymëzim dhe zbulesë vetjake në përputhje me urdhërimet e Tij që janë përshtatur për ju” (“Aftësia Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 21). Shënojeni dhe veproni sipas frymëzimit që merrni ndërsa lexoni tek Eksodi 18–20.

Shënojini Mbresat Tuaja

Udhëtimi i izraelitëve nga Egjipti për në rrëzë të malit Sinai ishte i mbushur me mrekulli – shfaqje të pamohueshme të fuqisë, dashurisë dhe mëshirës së pakrahasueshme të Zotit. Sidoqoftë, Zoti kishte bekime në ruajtje për ata që shkuan përtej çlirimit të tyre nga Egjipti dhe plotësimit të nevojave të urisë dhe etjes së tyre fizike. Ai donte që ata të bëheshin populli i Tij besëlidhës, “thesari [i Tij] i veçantë” dhe një “komb i shenjtë” (Eksodi 19:5–6). Sot, bekimet e kësaj besëlidhjeje shtrihen përtej një kombi apo një populli të vetëm. Perëndia dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të bëhen populli i Tij besëlidhës, ta “dëgjo[jnë] me vëmendje zërin [e Tij] dhe [ta] zbato[jnë] besëlidhjen [e Tij]” (Eksodi 19:5), sepse Ai ua tregon mëshirën e Tij “mijëra[ve], [atyre] që [e] duan [Atë] dhe që [i] zbatojnë urdhërimet e [Tij]” (Eksodi 20:6).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Eksodi 18:13–26

Unë mund të ndihmoj për të “mbaj[tur] peshën” e bërjes së punës së Zotit.

Ndërsa lexoni këshillën që mori Moisiu nga vjehërri i tij, Jethro, përsiatni se si mund të jeni si “njerëz[it e] besuar” që përshkruhen te vargu 21. Si mund të ndihmoni ju për të “mbaj[tur] peshën” e udhëheqësve tuaj të Kishës? (Vargu 22.) Për shembull, si mund të zbatohet kjo këshillë në përpjekjet tuaja për të dhënë shërbesë?

Ju gjithashtu mund të merrni në shqyrtim nëse, ndonjëherë, jeni si Moisiu, duke u përpjekur të bëni shumë gjëra. Si mund të gjejë zbatim këshilla e Jethros për ju?

Shih edhe Mosia 4:27; Henri B. Ajring, “Kujdestarja”, Liahona, nëntor 2012, f. 121–124.

Pamja
një burrë duke i shtrënguar dorën një gruaje

Dhënia e shërbesës ndaj të tjerëve është një mënyrë se si mund të marrim pjesë në punën e Zotit.

Eksodi 19:3–6

Populli besëlidhës i Zotit është një thesar për Të.

Merrni në shqyrtim se çfarë do të thotë të jeni një “thesar … i veçantë” i Zotit (Eksodi 19:5). Presidenti Rasëll M. Nelson ofroi një shpjegim të kësaj fraze: “Në Dhiatën e Vjetër, termi hebraik nga i cili u përkthye fjala i veçantë, është segullah, që do të thotë ‘pronë e vlerësuar’ ose ‘thesar’. … Që ne të përcaktohemi nga shërbëtorët e Zotit si populli i tij i veçantë është një kompliment i rendit më të lartë” (“Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 34). Si mund të ndikojë në mënyrën se si jetoni dijenia se mbajtja e besëlidhjeve tuaja ju bën një “thesar … [të] veçantë”?

Shih edhe Gerit W. Gong, “Përkatësia në Besëlidhje”, Liahona, nëntor 2019, f. 80–83.

Eksodi 19:10–11,17

Përvoja të shenjta kërkojnë përgatitje.

Zoti i tha Moisiut se fëmijët e Izraelit kishin nevojë të përgatiteshin përpara se të mund të “[shkonin] përballë Perëndisë” (Eksodi 19:10–11, 17) dhe ta zbatonin besëlidhjen me Të (shih Eksodi 19:5). Çfarë bëni që të përgatiteni për përvoja të shenjta në jetën tuaj, të tilla si frekuentimi i tempullit ose marrja pjesë në sakrament? Çfarë mund të bëni për t’u përgatitur më plotësisht për këto përvoja? Mendoni për veprimtari të tjera shpirtërore që kërkojnë përgatitje, dhe përsiatni se si mund të ndikojë përgatitja juaj në llojin e përvojës që keni.

Eksodi 20

Perëndia është i mëshirshëm.

Ndërsa lexoni tek Eksodi 20, merrni në shqyrtim se cilit nga Dhjetë Urdhërimet ju mendoni se po i bindeni dhe cilit mendoni se mund t’i bindeni më me besnikëri. Ju mund të zgjidhni një urdhërim me të cilin të punoni dhe më pas ta studioni më në hollësi duke lexuar shkrime të shenjta që lidhen me të (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjtascriptures.ChurchofJesusChrist.org) ose mesazhet e konferencave (shih pjesën e temave te conference.ChurchofJesusChrist.org). Merreni parasysh të përfshini në studimin tuaj bekimet që u vijnë atyre që i binden urdhërimit. Si e tregojnë këto bekime mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë për ju?

Shih edhe Karol M. Stivens, “Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”, Liahona”, nëntor 2015, f. 118–120.

Eksodi 20:1–7

Është e rëndësishme ta vë Zotin të parin në jetën time.

Leximi i vargjeve tek Eksodi 20:1–7 mund t’ju nxitë të mendoni rreth përparësive në jetën tuaj – ju madje mund t’i shkruani në një listë. Cilat janë disa “perëndi” ose “skulptur[a]” (Eksodi 20:3–4) që ju mund të tundoheni t’i vini përpara Perëndisë? Në ç’mënyrë vënia e Zotit të parin mund t’ju ndihmojë për gjërat e tjera të rëndësishme në jetën tuaj? Çfarë frymëzoheni të bëni për ta shtuar përqendrimin tuaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Shih edhe Dallin H. Ouks, “Nuk do të Kesh Perëndi të Tjerë”, Liahona, nëntor 2013, f. 72–75.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Eksodi 18:8–12.Çfarë ndikimi pati te Jethro dëshmia e Moisiut për çlirimin nga ana e Perëndisë? Çfarë gjërash të mëdha ka bërë Zoti për familjen tonë? Kujt mund t’ia tregojmë përvojat tona? Si mund t’i ruajmë ato përvoja për brezat e ardhshëm?

Eksodi 18:13–26.Këto vargje mund ta frymëzojnë familjen tuaj të mendojë për shërbimin e udhëheqësve tuaj vendorë të Kishës, të tillë si peshkopi, udhëheqësit e të rinjve dhe të rejave, apo mësuesit/et e Fillores. Çfarë përgjegjësish kanë ata që mund të duken “shumë [të] vështir[a]” (Eksodi 18:18) për t’u mbajtur nga një njeri i vetëm? Çfarë mund të bëjmë ne për të ndihmuar në lehtësimin e barrëve të tyre?

Eksodi 20:3–17.Mendoni një mënyrë kuptimplote për të diskutuar rreth Dhjetë Urdhërimeve si familje. Për shembull, ju mund t’i shkruani urdhërimet tek Eksodi 20:3–17 në dhjetë shirita letre. Pjesëtarët e familjes më pas mund t’i renditin në dy kategori: 1) nderimi për Perëndinë dhe 2) dashuria për të tjerët (shih edhe Mateu 22:36–40). Merrni parasysh të zgjidhni një apo dy urdhërime çdo ditë këtë javë dhe ta diskutoni atë së bashku më në hollësi. Për shembull, si e forcon familjen tonë bindja ndaj këtij urdhërimi? Si iu bind Shpëtimtari atij?

Eksodi 20:12.Për ta kuptuar më mirë vargun tek Eksodi 20:12, mund të ndihmonte nëse familja juaj do të shikonte përkufizimet për fjalën “nder[im]”. Më pas pjesëtarët e familjes mund të bëjnë një listë të gjërave që mund të bëjmë, të cilat do t’i nderonin prindërit tanë. Ju mund të këndoni një këngë rreth nderimit të prindërve, të tillë si “Do të Bindem Shpejt” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 71), dhe më pas të përdorni disa nga idetë në listën tuaj për të shkruar strofa të reja për këngën.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Mbaj Urdhërimet”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Gjeni një kohë që ju përshtatet. Është shpesh më e lehtë të mësoni nga shkrimet e shenjta kur mund t’i studioni ato pa u ndërprerë. Gjeni një kohë që ju përshtatet dhe bëni më të mirën që të studioni vazhdimisht në atë kohë çdo ditë.

Pamja
Moisiu duke mbajtur pllakat prej guri

Ilustrim i Moisiut duke mbajtur Dhjetë Urdhërimet, nga Sam Lawlor