Dhiata e Vjetër 2022
18–24 Prill Eksodi 18–20: “Ne Do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti”


“18–24 Prill. Eksodi 18–20: ‘Ne Do të Bëjmë Gjithçka që ka Thënë Zoti’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“18–24 Prill. Eksodi 18–20”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
mal

Një mal në Egjipt që tradicionalisht besohet të jetë mali Sinai.

18–24 Prill

Eksodi 18–20

“Ne Do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti”

Ndërsa lexoni tek Eksodi 18–20, mendoni rreth parimeve që do të jenë më kuptimplote për fëmijët. Ju mund të jeni të frymëzuar të theksoni një parim tjetër nga ato që sugjerohen më poshtë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë një nga Dhjetë Urdhërimet (ose shqyrtoni disa urdhërime me ta) dhe përse e ndiejnë se është e rëndësishme që t’i binden atij urdhërimi.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Eksodi 18:8–12

Dhënia e dëshmisë sime mund t’i bekojë të tjerët.

Jethro u gëzua kur Moisiu e tregoi atë që Zoti kishte bërë për fëmijët e Izraelit. Kjo histori mund t’i frymëzojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’u tregojnë të tjerëve atë që e dinë se është e vërtetë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve fjalët vijuese nga Eksodi 18:8: “Atëherë Moisiu i tregoi vjehrrit të tij të gjitha ato që Zoti u kishte bërë”. Pyetini fëmijët nëse e mbajnë mend se çfarë bëri Zoti për t’i ndihmuar fëmijët e Izraelit që të largoheshin nga Egjipti. (Për t’i ndihmuar që të kujtojnë, tregojuni figurat ose faqet e veprimtarisë nga mësimet e mëparshme). Çfarë gjërash ka bërë Zoti për të na ndihmuar? Ndihmojini fëmijët të dinë se ashtu si Moisiu, ne mund t’u tregojmë njerëzve të tjerë rreth gjërave të mrekullueshme që Zoti ka bërë për ne.

  • Klasa e Fillores mund të jetë një vend i mrekullueshëm për fëmijët që të ushtrojnë dhënien e një dëshmie të thjeshtë. Jepuni dëshminë tuaj atyre dhe ndihmojini t’i tregojnë njëri-tjetrit të vërtetat e ungjillit që ata i besojnë.

Eksodi 20:3–17

Perëndia jep urdhërime sepse Ai do që unë të jem i/e lumtur.

Urdhërimet janë udhëzimet e Atit Qiellor për gjetjen e paqes në këtë jetë dhe gëzim në përjetësi. Si mund t’i inkurajoni fëmijët që t’u binden urdhërimeve të Perëndisë?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni figura nga mësimi “Dhjetë Urdhërimet” (te Histori të Dhjatës së Vjetër), dhe ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth historisë. Ndihmojini të kuptojnë ndonjë pjesë të historisë të cilën nuk e dinë.

  • Teksa u lexoni fëmijëve disa nga urdhërimet tek Eksodi 20:3–17 (ose ua parafrazoni me fjalë që mund t’i kuptojnë), ftojini ata të pohojnë duke ngritur gishtin e madh të dorës nëse urdhërimi ka të bëjë me diçka që duhet ta bëjmë, dhe ta ulin gishtin e madh të dorës poshtë nëse ka të bëjë me diçka që nuk duhet ta bëjmë. Jepni dëshminë tuaj rreth lumturisë që vjen nga bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë (shih Mosia 2:41).

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth mënyrës se si Ati Qiellor na bekon kur u bindemi urdhërimeve, e tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 198–199). Ftojini fëmijët të mbajnë vesh për fjalët, që të gjejnë se çfarë bekimesh mund të marrim kur ne bindemi.

Eksodi 20:12

Unë mund t’i nderoj prindërit e mi.

Nderimi i prindërve përfshin më shumë se sa thjesht bindjen ndaj tyre. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë mënyrat e tjera se si mund t’i nderojnë prindërit e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë frazën: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde” (Eksodi 20:12). Nëse është e nevojshme, shpjegoni se të “nderosh” dikë do të thotë të tregosh respekt për ta ose t’u sjellësh lumturi atyre. Çfarë bëri Jezusi për ta nderuar Atin e Tij Qiellor? Si e nderoi Ai nënën e Tij? (Shih Lluka 2:48–51; Gjoni 19:26–27.) Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që mund të bëjnë për t’i nderuar prindërit e tyre dhe ftojini që t’i interpretojnë me gjeste idetë e tyre.

  • Ftojini fëmijët të bëjnë një kartë falënderimi për prindërit e tyre. Ata mund të shkruajnë ose të vizatojnë brenda kartës diçka që do të bëjnë për t’i nderuar prindërit e tyre.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Eksodi 18:13–26

Unë mund të ndihmoj “të mbaj… peshën” e bërjes së veprës së Zotit.

Moisiu mësoi se përpjekja për t’i udhëhequr fëmijët e Izraelit tërësisht i vetëm “nuk [ishte] mirë” (Eksodi 18:17). Dashuria dhe shërbimi ndaj njëri-tjetrit mund të ndihmojnë për t’i lehtësuar barrët e udhëheqësve tanë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë shumë rrathë në tabelë për të përfaqësuar anëtarët e lagjes. Vizatoni një rreth të emërtuar peshkopi. Përse do të ishte problem nëse peshkopi do të ishte i vetmi që do t’i ndihmonte të gjithë njerëzit e tjerë? Lexoni së bashku tek Eksodi 18:13–26 për të gjetur se çfarë këshille dha Jethro kur Moisiu u përpoq t’i bënte të gjitha vetë. Kërkojuni fëmijëve të emërtojnë rrathë të tjerë për të përfaqësuar udhëheqës dhe anëtarë të tjerë të lagjes, të cilët e ndihmojnë peshkopin që t’u shërbejë të tjerëve. Si mund ta bëjnë udhëheqësit dhe anëtarët e tjerë më të lehtë barrën e peshkopit? Si mund ta bëjmë të njëjtën gjë për udhëheqësit e lagjes sonë? Për prindërit tanë në shtëpi?

  • Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë të udhëheqësve në lagjen tuaj. Si klasë, përzgjidhni një udhëheqës dhe diskutoni se çfarë bën ky person për ta përmbushur veprën e Zotit dhe çfarë bëjnë fëmijët për të ndihmuar.

    Pamja
    një burrë duke i shtrënguar dorën një gruaje

    Shërbimi ndaj njerëzve të tjerë është një mënyrë se si mund të ndihmojmë në veprën e Zotit.

Eksodi 20:1–7

Është e rëndësishme që ta vendos Zotin të parin në jetën time.

Të gjithë ne kemi gjëra që mund të tundohemi për t’i vendosur përpara Perëndisë në jetën tonë. Si mund t’i ndihmojmë fëmijët ta kuptojnë se ç’do të thotë ta vendosim Atin Qiellor të parin?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku tek Eksodi 20:1–7 dhe shpjegoni se çdo gjë që e vendosim përpara Perëndisë në jetën tonë mund të jetë si “perëndi të tjer[a]” dhe “skulptur[a]” të përmendura te vargjet 3–4. Pyetini fëmijët se përse Ati Qiellor dëshiron që ne ta vendosim Atë të parin. Çfarë bekimesh na premton Ai nëse e bëjmë këtë? Pyetini fëmijët se si mund t’i tregojmë Atit Qiellor se Ai është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër në jetën tonë.

  • Mendoni një detyrë që përmban një hap të parë të rëndësishëm, të tillë si larja e duarve përpara se të hamë, ose veshja e çorapeve përpara se të veshim këpucët. Çfarë mund të ndodhte nëse nuk do të bënim gjërat e rëndësishme së pari? Si është e ngjashme kjo me vendosjen e Atit Qiellor së pari në jetën tonë? Jepni dëshminë tuaj se si vënia e Perëndisë të parin ju ka bekuar ju dhe ftojini fëmijët të japin dëshmitë e tyre gjithashtu.

  • Këndoni një këngë rreth Atit Qiellor, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16). Çfarë mësojmë nga kënga rreth arsyes se përse është e rëndësishme që ta vendosim Atin Qiellor të parin në jetën tonë?

Eksodi 20:3–17

Perëndia jep urdhërime sepse Ai do që unë të jem i/e lumtur.

Fëmijët kanë më shumë të ngjarë që t’i zbatojnë urdhërimet nëse i shohin ato si shprehje të dashurisë së Perëndisë dhe si mundësi për ta shprehur dashurinë e tyre për Të.

Veprimtari të Mundshme

  • Përgatitni shirita letre me urdhërimet nga Eksodi 20:3–17 të shkruara në to. Shkruajini numrat në tabelë nga njëshi deri te dhjeta dhe ftojini fëmijët t’i vendosin në tabelë shiritat e letrave në rendin e duhur. Flisni rreth mënyrës se si mund t’i zbatojmë këto urdhërime.

  • Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të fjalëve kyç nga urdhërimet për t’i ndihmuar që t’i mbajnë mend.

  • Tregoni historinë rreth Kloit nga mesazhi i Motrës Karol M. Stivens “Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia” (Liahona, nëntor 2015, f. 118–120). Si na ndihmon historia të kuptojmë se përse Zoti na jep urdhërime? Si e tregon të qenit i bindur dashurinë tonë për Perëndinë?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë për diçka që do të donin ta bënin si pasojë e asaj që mësuan në klasë. Ndihmojini që të krijojnë një artikull të thjeshtë për kujtesë të asaj që do të bëjnë, të cilën do ta marrin në shtëpi.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët ta dallojnë Shpirtin. Fëmijët mund ta dallojnë ndikimin e Shpirtit. Mësojuni atyre se ndjenjat e paqes, të dashurisë dhe të ngrohtësisë që i kanë kur flasin ose këndojnë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, vijnë nga Fryma e Shenjtë.