Dhiata e Vjetër 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Shtëpia e Izraelit


“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Shtëpia e Izraelit”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Shtëpia e Izraelit”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
ikona e mendimeve

Mendime për t’i Mbajtur Parasysh

Shtëpia e Izraelit

Diku në vendin e shkretë në lindje të Kanaanit, Jakobi priste me nervozizëm një takim me vëllanë e tij binjak, Esaun. Herën e fundit që Jakobi e kishte parë Esaun, rreth 20 vjet më parë, Esau po kërcënonte ta vriste. Jakobi e kishte kaluar tërë natën duke u përleshur në vendin e shkretë, duke kërkuar një bekim nga Perëndia. Si rezultat i besimit, këmbënguljes dhe vendosmërisë së Jakobit, Perëndia u ishte përgjigjur lutjeve të tij. Atë natë, emri i Jakobit u ndryshua në Izrael, një emër që do të thotë “ai këmbëngul me Perëndinë” (Zanafilla 32:28; shih edhe Zanafilla 32:24–32).1

Pamja
lumi Jabbok

Pranë lumit Jabbok, Jakobi mori emrin Izrael.

Kjo është hera e parë që emri Izrael shfaqet në Bibël dhe është një emër që vazhdon gjatë gjithë librit dhe gjatë gjithë historisë. Emri shpejt filloi tʼi referohej më shumë sesa një burri. Izraeli pati 12 bij dhe pasardhësit e tyre u njohën së bashku si “shtëpia e Izraelit”, “fiset e Izraelit”, “fëmijët e Izraelit” ose “izraelitët”.

Gjatë gjithë historisë, fëmijët e Izraelit i kushtuan shumë rëndësi faktit që e kishin prejardhjen nga njëri prej dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Linja e tyre e prejardhjes ishte një pjesë e rëndësishme e identitetit të tyre në besëlidhje. Apostulli Pal shpalli se ai ishte “nga fisi i Beniaminit” (Romakëve 11:1). Kur Lehi i dërgoi bijtë e tij në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi, një arsye ishte ngaqë fletët përmbanin “një gjenealogji të etërve të tij” (1 Nefi 5:14; shih edhe 1 Nefi 3:3). Lehi zbuloi se ai ishte pasardhës i Jozefit dhe kuptueshmëria e pasardhësve të tij për lidhjen e tyre me shtëpinë e Izraelit, provoi se ishte e rëndësishme për ta në vitet që pasuan (shih Alma 26:36; 3 Nefi 20:25).

Në Kishë sot, ju mund të dëgjoni për Izraelin në shprehje të tilla si “mbledhja e Izraelit”. Ne këndojmë këngë të tilla si “Shëlbues i Izraelit”, “Shpres’ e Izraelit” dhe “Ju Pleq t’Izraelit”2. Në këto raste, ne nuk flasim apo këndojmë vetëm për mbretërinë e lashtë të Izraelit ose për kombin e sotëm që quhet Izrael. Përkundrazi, ne po u drejtohemi njerëzve që janë mbledhur nga kombet e botës në Kishën e Jezu Krishtit. Ne po u drejtohemi njerëzve që këmbëngulin me Perëndinë, të cilët i kërkojnë me zell bekimet e Tij dhe të cilët, nëpërmjet pagëzimit, janë bërë populli i Tij i besëlidhur.

Bekimi juaj patriarkal shpall lidhjen tuaj me njërin nga fiset e shtëpisë së Izraelit. Ky është më shumë sesa një informacion interesant i historisë familjare. Të qenit pjesë e shtëpisë së Izraelit do të thotë që ju keni një marrëdhënie në besëlidhje me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Do të thotë që ju, ashtu si Abrahami, keni për qëllim të jeni “një bekim” për fëmijët e Perëndisë (Zanafilla 12:2; Abraham 2:9–11). Do të thotë, me fjalët e Pjetrit, se “ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetër 2:9). Do të thotë që ju jeni dikush i cili “këmbëngul me Perëndinë” ndërkohë që i nderoni besëlidhjet me Të.

Shënime

  1. Ka kuptime të tjera të mundshme për emrin Izrael, përfshirë “Perëndia sundon” apo “Perëndia lufton ose këmbëngul”.

  2. Himne, nr. 6, 166 dhe 205.

Pamja
pema familjare e Jakobit

Ilustrim i pemës familjare të Jakobit, nga Keith L. Beavers