Dhiata e Vjetër 2022
21–27 Shkurt. Zanafilla 24–27: Besëlidhja Është Përtërirë


“21–27 Shkurt. Zanafilla 24–27: Besëlidhja Është Përtërirë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“21–27 Shkurt. Zanafilla 24–27”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Rebeka

Ilustrim i Rebekës, nga Dilleen Marsh

21–27 Shkurt

Zanafilla 24–27

Besëlidhja Është Përtërirë

Ndërsa lexoni te Zanafilla 24–27, kushtojuni vëmendje ideve shpirtërore që merrni. Lutuni që të dini se si lidhen parimet që gjeni me jetën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin përfshiu premtimin se nëpërmjet Abrahamit dhe pasardhësve të tij, “të gjitha familjet e tokës do të bekohen” (Abraham 2:11). Ky nuk është një premtim që mund të përmbushet në një brez: në shumë mënyra, Bibla është historia e përmbushjes së vazhdueshme nga ana e Perëndisë të premtimit të Tij. Dhe Ai filloi duke e përtërirë besëlidhjen me familjen e Isakut dhe të Rebekës. Nëpërmjet përvojave të tyre, ne mësojmë diçka rreth të qenit pjesë e besëlidhjes. Shembujt e tyre na mësojnë për mirësinë, durimin dhe mirëbesimin në bekimet e premtuara të Perëndisë. Dhe ne mësojmë se ia vlen të heqësh dorë nga çdo “supë” e botës (Zanafilla 25:30) në mënyrë që të sigurojmë bekimet e Perëndisë për veten dhe fëmijët tanë në brezat që do të vijnë.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Zanafilla 24

Martesa është thelbësore në planin e përjetshëm të Perëndisë.

Sot shumë njerëz e bëjnë martesën një përparësi të vogël ose madje e konsiderojnë atë një barrë. Abrahami kishte një këndvështrim tjetër – për të, martesa e birit të tij, Isakut, kishte rëndësinë më të madhe. Si mendoni, pse ishte aq e rëndësishme për të? Teksa lexoni kapitullin te Zanafilla 24, mendoni për rëndësinë e martesës në planin e Perëndisë për shpëtimin. Ju mund të lexoni gjithashtu mesazhin e Plakut D. Tod Kristoferson “Përse Martesa, Përse Familja” (Liahona, maj 2015, f. 50–53) dhe të merrni parasysh përse “një familje e ngritur mbi martesën e një burri dhe të një gruaje, siguron [mjedisin] më të mirë që plani i Perëndisë të jetë plot gjallëri” (faqe 52).

Pyetjet si ato që vijojnë mund t’ju ndihmojnë të merrni në shqyrtim parime të tjera të rëndësishme në këtë kapitull:

Zanafilla 24:1–14. Çfarë bënë Abrahami dhe shërbëtori i tij për ta përfshirë Zotin në përpjekjet e tyre për të gjetur një bashkëshorte për Isakun?

Zanafilla 24:15–28, 55–60. Çfarë cilësish gjeni te Rebeka që do të doni t’i imitoni?

Çfarë idesh të tjera gjeni?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.

Zanafilla 25:29–34

Unë mund të zgjedh midis kënaqësisë së menjëhershme dhe gjërave me vlerë më të madhe.

Në kulturën e Abrahamit, biri më i madh në një familje zakonisht merrte një pozicion udhëheqjeje dhe privilegji, të quajtur e drejta e parëbirnisë. Ky bir merrte një trashëgimi më të madhe nga prindërit e tij, së bashku me përgjegjësi më të mëdha për t’u kujdesur për pjesën tjetër të familjes.

Ndërsa lexoni te Zanafilla 25:29–34, merreni në shqyrtim arsyen përse Esau mund të ketë qenë i gatshëm të hiqte dorë nga e drejta e tij e parëbirnisë në këmbim të një vakti ushqimi. Çfarë mësimesh gjeni për veten tuaj në këtë rrëfim? Për shembull, a ka ndonjë “supë” që po ju largon vëmendjen nga bekimet që kanë më shumë vlerë për ju? Çfarë po bëni për t’u përqendruar te këto bekime dhe për t’i vlerësuar ato?

Shih edhe Mateu 6:19–33; 2 Nefi 9:51; M. Rasëll Ballard, “Ajo që Është më e Rëndësishme Është Ajo që Duron më Gjatë”, Liahona, nëntor 2005, f. 41–44; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 58–62.

Zanafilla 26:1–5

Besëlidhja e Abrahamit u përtëri nëpërmjet Isakut.

Besëlidhja që Perëndia bëri me Abrahamin, synonte të vazhdonte nëpër shumë breza, kështu që trashëgimia e Abrahamit dhe Sarës për mbajtjen e besëlidhjeve do të duhej të kalonte tek Isaku, Jakobi dhe gra e burra të tjerë besnikë midis pasardhësve të tyre. Ndërsa lexoni vargjet te Zanafilla 26:1–5, kërkoni disa nga bekimet e besëlidhjes që përmendi Perëndia. Çfarë mësoni për Perëndinë nga këto vargje?

Zanafilla 26:18–25, 32–33

Jezu Krishti është burimi i ujit të gjallë.

Ju mund të vini re se puset, rrëketë dhe burime të tjera ujore luajnë role të rëndësishme në shumë histori të Dhiatës së Vjetër. Kjo nuk është befasuese, sepse shumica e këtyre historive ndodhën në vende shumë të thata. Ndërsa lexoni kapitullin te Zanafilla 26 rreth puseve të Isakut, përsiatni atë që mund të simbolizojë uji në shkrimet e shenjta. Çfarë idesh gjeni për puset shpirtërore të “uj[it] të gjallë”? (Shih Gjoni 4:10–15.) Si po gërmoni puse shpirtërore në jetën tuaj? Në ç’mënyrë është Shpëtimtari si ujë i gjallë për ju? Vini re se filistenjtë i kishin “mbyllur” puset (shih Zanafilla 26:18). A ka ndonjë gjë në jetën tuaj që po i mbyll puset tuaja të ujit të gjallë?

Pamja
një pus i lashtë

Një pus në Beer-Shebën e lashtë, ku Abrahami dhe Isaku gërmuan puse.

Zanafilla 27

A e kishin gabim Rebeka dhe Jakobi kur e mashtruan Isakun?

Ne nuk i dimë arsyet për metodën që përdorën Rebeka dhe Jakobi për të marrë një bekim për Jakobin. Është e dobishme të kujtojmë se Dhiata e Vjetër ashtu siç e kemi tani, është e paplotë (shih Moisiu 1:23, 41). Mund të ketë informacione që mungojnë nga analet fillestare, të cilat do të shpjegonin atë që mund të na duket shqetësuese. Sidoqoftë, ne e dimë vërtet se ishte vullneti i Perëndisë që Jakobi ta merrte bekimin nga Isaku, sepse Rebeka pati një zbulesë që Jakobi do të sundonte mbi Esaun (shih Zanafilla 25:23). Pasi Isaku e kuptoi se kishte bekuar Jakobin në vend të Esaut, ai pohoi se Jakobi “i bekuar ka për të mbetur” (Zanafilla 27:33) – duke sugjeruar se ishte kryer vullneti i Perëndisë.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Zanafilla 24:2–4, 32–48.Abrahami i kërkoi një shërbëtori të besuar që të gjente një bashkëshorte për Isakun dhe shërbëtori besëlidhi me Abrahamin se do ta bënte. Si e tregoi besnikërinë shërbëtori i Abrahamit në mbajtjen e besëlidhjes së tij? Si mund ta ndjekim shembullin e tij?

Zanafilla 24:15–28, 55–60.Familja juaj mund të kërkojë në këto vargje cilësi që e bënë Rebekën një shoqe të denjë e të përjetshme për Isakun. Nxitini pjesëtarët e familjes që të zgjedhin një nga këto cilësi, të cilën mendojnë se duhet ta zhvillojnë.

Zanafilla 25:19–3427.Për të rishikuar historitë se si e drejta e parëbirnisë dhe bekimi i Esaut i shkuan Jakobit në vend të tij, ju mund t’i shkruani fjalitë nga “Jakobi dhe Esau” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) në shirita të veçantë letre. Pjesëtarët e familjes mund të punojnë së bashku për t’i vendosur fjalitë në rendin e duhur.

Ndërsa diskutoni për Esaun që shiti parëbirninë e tij, ju mund të flisni gjithashtu për gjërat që janë më të rëndësishme për familjen tuaj, si për shembull marrëdhëniet tuaja me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të gjejnë sende ose figura që përfaqësojnë gjëra që ata i konsiderojnë se kanë vlerë të përjetshme. Lërini të shpjegojnë përse i zgjodhën ato gjëra.

Zanafilla 26:3–5.Për tʼi ndihmuar familjarët tuaj të kuptojnë besëlidhjen e Abrahamit, ju mund t’i ftoni ata që të gjejnë premtimet e përshkruara në këto vargje. Pse është e rëndësishme për ne që të dimë rreth këtyre premtimeve sot? (Shih “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Besëlidhja”, në këtë burim.)

Zanafilla 26:18–25, 32–33.Pse puset janë të rëndësishme? Si ngjason Jezu Krishti me një pus uji?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “T’Drejtën Zgjidh”, Himne, nr. 150.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Mësoni përmendsh një shkrim të shenjtë. Plaku Riçard G. Skot dha mësim: “Një shkrim i shenjtë që futet në kujtesë, bëhet një mik i përhershëm që nuk dobësohet me kalimin e kohës” (“Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, nëntor 2011, f. 6).

Pamja
Esau dhe Jakobi

Esau ia Shet Parëbirninë e tij Jakobit, nga Glen S. Hopkinson