Dhiata e Vjetër 2022
14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23: “A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?”


“14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23: ‘A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Sara duke mbajtur Isakun foshnjë

Sara dhe Isaku, nga Scott Snow

14–20 Shkurt

Zanafilla 18–23

“A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?”

Lexojini e përsiatini kapitujt te Zanafilla 18–23 dhe shënojini mbresat tuaja. Ju mund t’i përdorni idetë në këtë përvijim për t’ju ndihmuar që t’i studioni këta kapituj, dhe ju mund të frymëzoheni gjithashtu që të kërkoni mesazhe të tjera në shkrimet e shenjta që Zoti i ka posaçërisht për ju.

Shënojini Mbresat Tuaja

Jeta e Abrahamit, e mbushur me ngjarje që ta thyejnë por edhe ta ngrohin zemrën, është provë e një të vërtete të cilën Abrahami e mësoi në një vegim – se ne jemi në tokë për t’u provuar, “për të parë nëse [ne] do t’i bëj[m]ë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [ynë], do t[ë na] urdhërojë” (Abraham 3:25). A do ta provonte vetë Abrahami se ishte besnik? A do të vazhdonte të kishte besim te premtimi i Perëndisë për pasardhës të shumtë, edhe kur ai dhe Sara ishin ende pa fëmijë në pleqërinë e tyre? Dhe sapo lindi Isaku, a do ta duronte besimi i Abrahamit të paimagjinueshmen – një urdhër për të flijuar vetë birin, nëpërmjet të cilit Perëndia kishte premtuar se do ta përmbushte atë besëlidhje? Abrahami e provoi se ishte besnik. Abrahami i mirëbesoi Perëndisë dhe Perëndia i mirëbesoi Abrahamit. Te Zanafilla 18–23, ne gjejmë histori nga jeta e Abrahamit dhe të tjerëve që mund të na shtyjnë të mendojmë rreth vetë aftësisë sonë për t’u besuar premtimeve të Perëndisë, për t’u larguar nga ligësia pa parë kurrë prapa dhe për t’i mirëbesuar Perëndisë pavarësisht nga sakrifica.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Zanafilla 18:9–14; 21:1–7

Zoti i përmbush premtimet e Tij në vetë kohën e Tij.

Zoti u ka bërë besnikëve premtime të lavdishme, por nganjëherë rrethanat e jetës sonë mund të na bëjnë të pyetim veten se si mund të përmbushen ato premtime. Abrahami dhe Sara me raste mund të jenë ndier ashtu. Çfarë mësoni nga përvojat e tyre? Mund të jetë e dobishme ta filloni studimin tuaj duke rishikuar atë që Zoti i kishte premtuar Abrahamit te Zanafilla 17:4, 15–22. Si reaguan Abrahami dhe Sara? (Shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 17:23 [te Zanafilla 17:17, poshtëshënimi b në Biblën në anglisht]; Zanafilla 18:9–12.) Si u përgjigj Zoti për t’i ndihmuar ata që të kishin besim më të madh te premtimet e Tij? (Shih Zanafilla 18:14.)

Çfarë gjeni në këto vargje që e ndërtojnë besimin tuaj? Çfarë përvojash të tjera – në jetën tuaj apo të dikujt tjetër – e kanë forcuar besimin tuaj se Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij për ju në vetë kohën dhe mënyrën e Tij?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 88:68.

Zanafilla 19:12–29

Zoti na urdhëron që të largohemi nga ligësia.

Çfarë mësimesh mësoni rreth largimit nga ligësia kur lexoni për Lotin dhe familjen e tij? Për shembull, çfarë ju bën përshtypje rreth asaj që thanë dhe bënë engjëjt për ta ndihmuar Lotin dhe familjen e tij që t’i shpëtonte shkatërrimit? (Shih Zanafilla 19:12–17.) Si ju ndihmon Zoti ju dhe familjen tuaj të ikni apo të gjeni mbrojtje nga ndikimet e liga në botë?

Për më shumë informacion rreth mëkateve të Sodomës dhe Gomorës, shihni Ezekiel 16:49–50 dhe Judë 1:7–8.

Shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 19:9–15 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).

Pamja
ilustrim i Lotit dhe familjes së tij duke u larguar me të shpejtë nga Sodoma dhe Gomora

Largimi me të Shpejtë nga Sodoma dhe Gomora, nga Julius Schnorr von Carolsfeld

Zanafilla 19:26

Çfarë bëri gabim gruaja e Lotit?

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

“Me ç’shihet, çfarë nuk shkonte me gruan e Lotit ishte se ajo nuk po shikonte thjesht prapa; në zemrën e saj ajo donte të kthehej prapa. Ishte e dukshme që madje përpara se ajo të kalonte kufijtë e qytetit, se ajo po ndiente tashmë mall për çka Sodoma dhe Gomora i kishin dhënë asaj. … Ajo nuk kishte besim. Ajo e vuri në dyshim aftësinë e Zotit për t’i dhënë asaj diçka më të mirë nga ajo që tashmë e kishte. …

Të gjithë [njerëzve], të çdo brezi, unë u bëj thirrje: ‘Kujtoni gruan e Lotit’ [Lluka 17:32]. Besimi është për të ardhmen. Besimi ndërton mbi të shkuarën, por kurrë nuk dëshiron të qëndrojë atje. Besimi mirëbeson se Perëndia ka gjëra të madhërishme në ruajtje për secilin prej nesh dhe se Krishti me të vërtetë është ‘kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen’ (Hebrenjve 9:11)” (“The Best Is Yet to Be”, Ensign, janar 2010, f. 24, 27).

Zanafilla 22:1–19

Gatishmëria e Abrahamit për ta flijuar Isakun ishte një ngjashmëri me Perëndinë dhe Birin e Tij.

Ne nuk i dimë të gjitha arsyet pse Perëndia e urdhëroi Abrahamin që ta ofronte Isakun si një flijim; ne e dimë se ishte një provë e besimit të tij në Perëndi (shih Zanafilla 22:12–19). Ndërsa i lexoni kapitujt te Zanafilla 22:1–19, çfarë mësoni nga përvoja e Abrahamit?

Gatishmëria e Abrahamit për ta flijuar birin e tij ishte “një ngjashmëri e Perëndisë dhe e të Vetëmlindurit të tij” (Jakobi [LiM] 4:5). Ndërsa përsiatni për ngjashmëritë midis provës së Abrahamit dhe sakrificës së Perëndisë, Atit, të Birit të Tij, si një flijim për ne, çfarë ndieni për Atin tuaj Qiellor?

Ka gjithashtu ngjashmëri midis Isakut dhe Shpëtimtarit. Merreni parasysh t’i lexoni sërish vargjet te Zanafilla 22:1–19, duke i kërkuar këto ngjashmëri.

Shih edhe “Akedah (The Binding)” [“Akeda (Lidhja)”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Pamja
family study icon

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Zanafilla 18:14.A ka histori nga shkrimet e shenjta, nga historia juaj familjare apo nga vetë jeta juaj që ju mund tʼi tregoni, të cilat ju kanë mësuar se asgjë nuk është tepër e vështirë për Zotin?

Zanafilla 18:16–33.Çfarë mësojmë rreth karakterit të Abrahamit nga këto vargje? Si mund ta ndjekim shembullin e tij? (Shih edhe Alma 10:22–23.)

Zanafilla 19:15–17.Këto vargje mund t’i ndihmojnë pjesëtarët e familjes suaj që të përgatiten për rastet kur duhet të largohen nga situata të liga. Cilat mund të jenë disa nga këto situata? Për shembull, ju mund të bëni një diskutim për mediat e papërshtatshme apo tundimin për të bërë thashetheme. Si mund të largohemi nga situata të tilla?

Zanafilla 21:9–20.Çfarë i bën përshtypje familjes suaj rreth mënyrës se si Perëndia i trajtoi Agarin dhe Ishmaelin pasi Sara dhe Abrahami i dëbuan ata?

Zanafilla 22:1–14.Si mund ta ndihmoni familjen tuaj të shohë lidhjen midis historisë së Perëndisë që e urdhëron Abrahamin të flijojë Isakun dhe flijimit shlyes të Shpëtimtarit? Ju mund të tregoni figurat e Abrahamit, të Isakut dhe të Kryqëzimit (shih “Abrahami dhe Sakrifikimi i Isakut”, te Histori të Dhjatës së Vjetër), ndërkohë që pjesëtarët e familjes diskutojnë për ngjashmëritë që shohin midis këtyre ngjarjeve. Ju mund të këndoni edhe një këngë rreth flijimit të Shpëtimtarit, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21), dhe të kërkoni fraza që përshkruajnë flijimin e Shpëtimtarit.

Çfarë na është kërkuar të sakrifikojmë si familje? Si na kanë sjellë më pranë Perëndisë këto sakrifica?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Per’ndia Ne na Do, aq sa Birin e Tij e Dha”, Himne, nr. 108.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Dëgjojeni Shpirtin. Teksa studioni, kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja, edhe nëse ato duket sikur nuk kanë lidhje me atë që po lexoni. Ato mbresa mund të jenë pikërisht gjërat që Perëndia dëshiron që ju të dini.

Pamja
Abrahami dhe Isaku duke ecur

Ilustrim i Abrahamit dhe Isakut, nga Jeff Ward